16.11.2023
Kafshët e therura prej jomyslimanëve
www.kbi-bujanoc.com
Legjislacioni islam i rregulloi raportet me të gjitha kategoritë e shoqërisë, përfshirë këtu edhe ato me jomyslimanët. Tema rreth dispozitave të ushqimeve të jomyslimanëve është bërë akoma më e rëndësishme dhe aktuale gjatë kohës moderne, ku njerëzit janë afruar me njëri-tjetrin, pavarësisht besimeve dhe bindjeve të tyre fetare, andaj janë të nevojshëm për njëri-tjetrin në shumë fusha, sigurisht edhe në atë të ushqimit. Por, kjo temë nuk është temë e re për legjislacionin islam. Rregullat dhe dispozitat për këtë çështje i gjejmë direkt në Kuranin famëlartë dhe në Sunetin e Pejgamberit a.s..
Klasifikimi i jomyslimanëve
Në literaturën islame, jomyslimanët klasifikohen në dy grupe: Ithtarët e librit (pasuesit e librave qiellorë që ndryshe njihen si “ehlul kitab”) dhe idhujtarët apo pjesëtarët e besimeve të tjera. Ky klasifikim na shërben edhe në shumë prej çështjeve të tjera, jo vetëm në sferën e ushqimeve.
Kafshët e therura prej ithtarëve të librit
Me termin “ithtarët e Librit” kuptojmë atë që Allahu na e ka shpjeguar në Librin e Tij, e ata janë jehudët dhe të krishterët. Janë quajtur me këtë emër për shkak se Allahu ka zbritur tek ata libra, siç është Teurati dhe Inxhili. Në literaturën islame i gjejmë me termin “Ehlul-kitabejn” –“Ithtarët apo pasuesit e dy librave”.
Për dallim prej politeistëve dhe jomyslimanëve të tjerë, për ta, ka dispozita të veçanta në legjislacionin islam.(1) Andaj, kur përdoret termi “ithtarët e Librit” nënkuptohen hebrenjtë dhe të krishterët.(2) Në Kuran flitet për ushqimin e ithtarëve të Librit dhe në parim ai ushqim lejohet. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar)...” (El Maide, 5).
Në komentin e këtij ajeti, Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “Ushqimet e tyre janë të therurat e tyre.”(3)
Lejimi i ushqimeve të ithtarëve të Librit është aq i qartë, sa që nuk ka vend për dyshime, kjo vërtetohet edhe me vetë praktikën e Pejgamberit a.s.. Është i njohur rasti i helmimit të tij me mishin e qengjit të përgatitur nga gruaja hebreje.(4) Mirëpo, ky lejim i të therurave nga ana e ithtarëve të Librit ka edhe disa kushte që duhen përmbajtur, e të cilat janë:
Të jetë mish i lejuar. Pra, mishi i therur nga ana e tyre duhet domosdo të jetë i lejuar në Sheriatin tonë, andaj nëse mishi i therur nga ta është mish derri ose ndonjë nga kafshët e ndaluara, kjo nuk e bënë të lejuar për ne vetëm pse është therur nga një ithtar i Librit.
Por, ajo që është diskutuar te dijetarët është se cila është norma e mishit të therur që ithtarët e Librit e kanë të ndaluar në librat e tyre? Allahu i Lartësuar e përmend në Kuran se ithtarët e Librit kanë pasur të ndaluara disa ushqime, ndryshe nga legjislacioni ynë. Në suren El-Enamë, Allahu i ka përmendur disa nga këto ushqime, ku thotë:
“E (posaçërisht) ndaj atyre që janë jehudi. Ne u kemi ndaluar çdo (kafshë) thundrake: nga lopët dhe delet u kemi ndaluar dhjamin e tyre, pos atij (dhjami) në shpinën dhe në zorrët e tyre dhe pos atij të përzier me ndonjë asht. Këtë (masë-ndalesë) e morëm si ndëshkim ndaj mëkatit të tyre. S’ka dyshim, Ne jemi të vërtetë (në çka ju rrëfejmë).” (El Enamë, 146).
Andaj, cila është norma e këtyre ushqimeve nëse theren nga ithtarët e Librit? Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!), e përmend këtë çështje dhe thotë: “Mishrat e ndaluara për ithtarët e Librit nuk janë të preferuara (mekruh) për ne (myslimanët).” Ndërsa, shumica e dijetarëve i konsiderojnë të lejuara, ngase ato nuk janë të ndaluara në Sheriatin tonë (pra, nuk kemi tekst për ndalimin e tyre), dhe kur nuk ka argument për ndalimin e tyre, themi se në bazë gjërat janë të lejuara.”(5)
Të theret sipas normave sheriatike. Nuk mjafton vetëm kushti që kafsha e therur të jetë e lejuar (hallall), por duhet që ajo kafshë të jetë therur (jo të mbytet përmes metodave bashkëkohore) sipas normave sheriatike dhe që t’u përmbahet kushteve të therjes. Nëse nuk janë plotësuar këto kushte, atëherë nuk lejohet ngrënia e atij mishi, pavarësisht se a është therur nga myslimani apo nga ithtari i Librit.(6)
Megjithatë, disa dijetarë anojnë ka lejimi i kafshëve të therura nga ithtarët e Librit, edhe nëse nuk plotësohen kushtet e therjes. Kështu mendon Ibën el-Arabiju, i cili pasohet edhe nga disa dijetarë bashkëkohorë, si Ebu Abdullah el-Hiffari, Muhamed Abduhu, Rashid Rida, Jusuf Kardavi, etj.(7) Këta dijetarë argumentojnë me atë se Allahu i ka lejuar kafshët e therura nga ithtarët e Librit dhe se nuk e ka përmendur se ato duhet të theren sipas metodave të therjes së myslimanëve, por i ka lejuar ato me çka ushqejnë ata vetën e tyre. Kështu mendon Ebi Bekër ibën el-Arabij el-Malikij, i cili thotë: “Dikush më parashtroi këtë pyetje: “Nëse një i krishterë e përdredhë qafën e pulës dhe pastaj e gatuan (pra nuk e therë, por e mbyt duke e përdredhur qafën e saj), a lejohet të ushqehet myslimani nga ai ushqim?” Ndërsa, unë iu përgjigja: “Ushqehet nga ai ushqim, ngase ai është ushqimi i atij të krishteri dhe i priftërinjve të tij, edhe pse nuk është therur sipas therjeve tona. Kjo sepse Allahu i ka lejuar ushqimet e tyre në përgjithësi dhe çdo gjë që në fenë e tyre është e lejuar, e tillë është edhe te ne, përveç ato gjëra që Allahu i ndaloi në Librin e Tij.”(8) Por, kjo nuk llogaritet si mendimi më i saktë dhe në të njëjtën kohë nuk përkrahet nga shumica e dijetarëve, ngase kushtet e therjes nuk janë vetëm fjalë të dijetarëve, por janë kërkesa dhe ligje të vendosura nga vetë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Shembulli i përdredhjes së kokës së pulës që e përmend Ibën el-Arabiu (Allahu e mëshiroftë!), hyn te kategoritë e ndaluara me ajetin kuranor, si e “furma”, e për këtë kemi ajetin: “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, e furmja...” (El Maide, 3).
Pra, te ndalesa për kategorinë “e furma”, hyn edhe pula që iu është përdredhur qafa dhe nuk ka aspak rëndësi nëse e ka bërë myslimani apo ithtari i Librit.(9)
Çështja që më së shumti diskutohet në mesin e dijetarëve në kapitullin e ushqimit të ithtarëve të Librit, është çështja e përmendjes së emrit të shenjtorëve të tyre para therjes së kafshëve. Te kushtet e therjes, përmendet se për myslimanin është kusht që gjatë therjes të përmendet emri i Allahut të Lartësuar. Mirëpo, si ta klasifikojmë si hallall mishin e therur nga ithtarët e Librit, kur ai mish është therur në emër të Jezusit, për ndonjë kishë a shenjtor të tyre, ndërkohë që ndalohet mishi i therur për tjetërkënd përveç për Allahun? Ndërsa, në anën tjetër, si mund t’ia obligojmë ithtarëve të Librit të therin kafshë në emër të Allahut, kur ata kanë tjetër besim dhe kur ushqimet e tyre janë të lejuara me ajetin kuranor?
Dijetarët për këtë çështje janë të ndarë në disa mendime: Një pjesë e madhe e dijetarëve e kanë ndaluar mishin e therur nga të krishterët për shenjtorët e tyre, si Mesihu, e po ashtu edhe mishin e hebrenjve që theret në emrin e Uzejrit, e të ngjashëm me të. Ata janë bazuar tek ajeti: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat...” (El Enamë, 121). Në lidhje me këtë, Ibën Uthejmini ka thënë: “Qëllimi është që gjatë therjes të mos përmendet emër tjetër përveç emrit të Allahut, p.sh. të thotë: “Në emër të Mesihut” ose “Në emër të Muhamedit” e të ngjashme me to. Të gjitha këto i bashkëngjiten kategorisë së ndalesës.(10)
Malikitë, mishin e therur në emër të shenjtorëve të ithtarëve të Librit nuk e konsiderojnë të ndaluar, por nuk e preferojnë atë. Malikitë dhe dijetarët e tjerë që kanë këtë mendim, thonë, se Allahu i ka lejuar të therurat e ithtarëve të Librit dhe Ai e ka ditur se gjatë therjes së tyre do të përmendin shenjtorët e tyre, ngase ata nuk e përmendin Zotin e vërtetë, Allahun.(11)
Andaj, këta dijetarët e konsideruan hallall mishin e therur nga ithtarët e Librit, pavarësisht se emrin e kujt e përmendin nga besimi i tyre, sepse mishi i therur në këtë aspekt trajtohet si mishi i therur nga myslimanët, me të cilin dëshirojnë të afrohen tek Allahu i Lartësuar. Ky është edhe njëri nga dy mendimet e Imam Ahmedit sa i përket kësaj çështjeje.(12)
Në lidhje me këtë, dijetari i madh, Atau,(13) ka thënë:
“Ushqehu nga mishi i therur nga i krishteri edhe nëse e dëgjon duke thënë “Në emër të Mesihut”, ngase Allahu i ka lejuar të therurat e tyre, duke e ditur se çka përmendin ata gjatë therjes.” Ngjashëm me të thotë edhe Kasim ibën Muhajmireh, Zuhriu, Shabiu, Mekhuli, dhe kështu transmetohet edhe nga dy sahabët, nga Ebu Derda dhe Ubade ibën Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!).(14)
Ky është mendimi të cilin e favorizon Imam Taberiu, dhe ndoshta të punuarit me këtë mendim do të ishte një lehtësim i madh për myslimanët.
Kafshët e therura nga idhujtarët dhe pjesëtarët e besimeve të tjera
Në këtë grup hyjnë pjesëtarët e çdo besimi tjetër, idhujtarë - politeistët, mexhusitë,(15) sabiinët,(16) murtedët,(17) dhe ata që s’kanë asnjë besim – ateistët.(18)
Kafshët e therura prej të gjithë këtyre grupeve janë të ndaluara – haram në Sheriatin tonë.
Ajo që është diskutuar në këtë tematikë ka të bëjë me mexhusitët, të cilët disa dijetarë i konsiderojnë si ithtarë të Librit, bazuar në hadithin: “Trajtoni mexhusët sikur i trajtoni ithtarët e Librit.”(19)
Hadithi ka forma të tjera të transmetuara, e që janë sqaruese për këtë tematikë, andaj hadithi vlen vetëm për çështjen e xhizjes, ndërsa sa i përket çështjes së martesave dhe ushqimeve, ata trajtohen plotësisht si politeistë dhe në këtë nuk ka mospajtim ndërmjet dijetarëve (të hershëm), përveç mendimit të Seid ibën Musejebit, i cili mendon se edhe nga ushqimi i therur nga mexhusiu nuk ka të keqe, nëse për këtë e urdhëron myslimani.(20)
______________________________
1. Abdulaziz ibën Baz, “Ehlul-kitab ve hukmuhum.” Lidhja e shkrimit: https://binbaz.org.sa/fatwas/7598/ (Parë për herë të fundit më 01/05/2021).
2. Dr. Muhamed ssh-Sheaal, “Luhumu ve dhebaihu ve evaani gajral- muslimin.” Lidhja e shkrimit: http://drshaal.com/media/news/ lahem-2015-01-29.pdf (Parë për herë të fundit më 01/05/2021).
3. Transmeton Buhariu, 9/787.
4. Imam Alaudin Ebi Bekr ibën Mesud El-Kasanij, Bedai’u es-sanai, (Beirut, Dar el-kutub el-ilmijeh,1997), 230.
5. Dr. Vehb ez-Zuhejli, “El-fikhu el-islamij ve ediletuhu”, (Daar el-fikr el- muassar, vëll. IV, 2004), 2671.
6. Muhamed Salih el-Munexhid, “Shurut el-ekli min dhebihati el-jehud ve en-nasara” Lidhja e shkrimit: https://islamqa.info/ar/answers/88206/ (Parë për herë të fundit më 02/05/2021).
7. Shiko: Usamah ibën Muhamed Dhaferullah. “Hukm el-luhum el- mustevrideh” Lidhja e studimit: https://iri.aiou.edu.pk/indexing/wp- content/uploads/2016/06/hukm-ul-luhum-almustawrida.pdf (Parë për herë të fundit më 15/05/2021).
8. Dr. Muhamed Sulejman el-Eshkar, “Edh-Dhebaih ve turuk esh-sher’ijeh fi inxhaaz edh-dhekaah”, Revista: Mexhmu’ul fikh el-islamij ed-duvelij, Nr.10, pjesa I, fq. 358.
9. Dr. Ejmen Feuzij Rahim El-Kubejsij, “Ahkam el-et’imeh ve el-eshrabeh el-mustevrieh min ed-duvel gajra elislamijeh”, (Oman, Daar Me’mun, 2016), 1.
10. Muhamed Salih el-Munexhid, “Shurut el-ekli mea el-jehud ve en-nasara” Lidhja e shkrimit: https://islamqa.info/ar/answers/88206/ (Parë për herë të fundit më 20/05/2021).
11. Dr.Vehb ez-Zuhejlij, “El-fikhu el-islamij ve ediletuhu”, fq. 2762.
12. Muhamed Sale el-Munrxhid, “Shurut el-ekli mea el-jehud ve en-nasara.” Lidhja e shkrimit: https://islamqa.info/ar/answers/88206/ (Parë për herë të fundit më 02/05/2021).
13. Ata ibën Ebi Rebah, fekih dhe dijetar i shquar i hadithit. Llogaritet nga fekihët më të mëdhenj të tabiinëve. Ka mësuar nga Aisheja, Umu Selemeh, Abasi etj. Ka vdekur në Meke në vitin 114 hixhrij.
14. Ahmed ibën Ebi Bekr El-Kurtubij, “El-xhami’ el-ehkam el-Kuran”. fq. 316.
15. Adhuruesit e zjarrit.
16. Religjion në mes të adhuruesve të zjarrit dhe krishterimit, që beson në influencën e yjeve.
17. Personat që kanë qenë myslimanë, mirëpo kanë mohuar diçka prej parimeve islame dhe janë larguar nga Islami.
18. Personat që mohojnë ekzistimin e çdo gjëje hyjnore, nuk kanë fe, rrjedh nga gjuha latine: a- parashtesë mohuese, theos-Zot.
19. Hadithi gjendet në “Muveta” të Imam Malikut (1/278/42), e transmeton po ashtu Bejhakiu (9/189), Ibën Ebi Shejbe në “Musannef” (2/227/2). Hadithi ka disa vërejtje në vargun e zinxhirit transmetues, sipas Shejh Nasirudin Albanit hadithi është daif (i dobët).
20. Ibën Abdul-Berr “El-Istidhkaru li-medhahib ulema fil-emsar fima tadminuhu el-muveta’ min meani er-Raj’i velether”. Lidhja e faqes: http://www.al-eman.com/ (Parë për herë të fundit më 05/05/2021).
Mr. Besim Krasniqi
Dituria Islame 385
319 Shikime