Islami fe e paqes

11.11.2023

Islami fe e paqes


Islami fe e paqes

www.kbi-bujanoc.com

Allahu i Lartësuar deshi që Islami të jetë shpallja e fundit, Kurani libër i fundit dhe Muhamedi a.s. pejgamberi i fundit. Edhe pejgamberët para Muhamedit a.s. e kanë pasur një mision monoteist. Veprimet kanë ndryshuar sipas kohës dhe vendit, ngase ka pasur pejgamber të dërguar te një popull apo te një krahinë. Ndërsa Muhamedi a.s. ka qenë i dërguar mëshirë për gjithë botën.

Disa njerëz pa vetëdije dhe pa njohuri të vërtetë bëjnë lidhshmëri ndërmjet Islamit dhe dhunës, duke mbështetur idenë dashakeqe se dhuna është nga bazamentet e Islamit. Sikur kjo dukuri është monopol i një populli, ose i një kombi, duke përjashtuar popujt dhe kombet e tjera. Ose sikur të ishte dhuna dukuri trashëguese që ngjitet me konfiguracion biologjik për arabët dhe myslimanët. Ata kanë harruar se shoqëria perëndimore është plot me lloje të dhunës së organizuar dhe të paorganizuar. 
Këtu përzihen dashamir dhe dashakëqij, është për të ardhur keq kur gjejmë në libra islame gjëra të cilat i kanë përpiluar orientalistët si D.B. Mak Dolland etj., me gabime të rënda e nënçmuese në komentimin e tij për fjalën "Xhihad", ku thotë: "Xhihadi në Islam është bartja e armës për të detyruar popujt e lirë jomyslimanë të hynë në Islam dhe se përhapja e Islamit është obligim fetar për çdo mysliman". Këtij mendimi i bashkëngjitet edhe Xhon Hegeli: "Islami gjithnjë ka qenë dhe do të mbetët fe e shpatës; ngase nuk është e mundur të hasësh në ndonjë mendim për dashuri në Kuran", pastaj vazhdon me shpifjet e tij në librin "Historia e Francës": "Vërtetë këta arabë veç ua kanë imponuar fenë e tyre me forcë njerëzve: Bëhuni myslimanë ose vdisni. Kurse pasuesit e Mesihut (Isa a.s.), i kanë përfituar shpirtrat e njerëzve me bamirësinë e tyre dhe me mirësjellje". 
Mirëpo kolegët e tyre nuk i pranojnë mendimet e Donalldit dhe Hegelit. Orientalisti Kont Henri Dikastro thotë: "Islami nuk e ka detyruar askënd me shpatë as me gjuhë, por kush ka hy në Islam ka hy me dëshirë dhe zgjedhje të lirë, andaj edhe rezultati është ashtu si vendosi Kurani, ajo ishte nga dhuntitë ndikuese dhe pranim me mençuri". Ose si thotë orientalistja gjermane Hunke: "Toleranca arabe ka luajtur rol të madh në përhapjen e Islamit dhe atë kundër thënieve (të disa njerëzve) plotësisht të pa vërteta, se Islami është përhapur me luftë dhe shpatë. Ky pretendim është bërë nga gabimet e ngurta kundër Islamit". I atij mendimi është edhe orientalisti Vollter, i cili thotë: "Nëse jemi të sinqertë dhe i shikojmë bartësit e feve dhe të ligjeve në këtë botë, shohim se ka pikëpamje që ndryshojnë shumë rreth përhapjes së Islamit nën udhëheqjen e Muhamedit". Ai pohoi se shumë popuj i kanë bartur dogmat e tyre edhe te popujt tjerë, por duke përdorur forca të ndryshme. Gustav Lubuni thotë: "Me të vërtetë Islami është përhapur me dispozitat e Kuranit me bindje, pa u përdorur forca aspak. Pikërisht për këtë edhe triumfoi kjo fe. Islami, me butësinë e vetë, arriti t' i përfitoj popujt e ndryshëm, kombësitë e ndryshme që ta pranonin atë". Tomas Karlajl, reformator shoqëror anglez dhe historian i dalluar thotë: "Është turp për ne të formulojmë aso akuzash të cilat i janë drejtuar Islamit dhe Pejgamberit të tij. Dhe është detyrë e jona t' i luftojmë këto fjalë të turpshme e të zhveshura nga e vërteta." Gandi thotë për Islamin: "E kam studiuar Islamin dhe gjatë studimit kamë kuptuar vlerën e njeriut dhe të drejtën e tij". Këto ishin disa nga thëniet e jomyslimanëve për Islamin. 
Islami e ka sistemuar lirinë fetare dhe jo vetëm kaq, por e konsideron atë bazë të besimit. Dhe kjo është bazë themelore e qartë, Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Nuk ka detyrim në fe". (Bekare, 256). 
Argumentet kuranore janë të shumta dhe se synimi kryesor i Pejgamberit a.s. përqendrohet në këshilla të buta, debate me prova dhe argumente. Për këtë i Lartësuari thotë: "E ti thuaj: "E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai". (El-Kehf, 29). 
Pas këtij pason ajeti tjetër, i cili e urdhëron Pejgamberin a.s. të thërret në Islam me butësi dhe këshilla të buta. I Lartësuari thotë: "Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit". (En-Nahle, 125). 
Udhëzime të tilla që i ka bërë Allahu i Lartësuar Pejgamberit të tij, janë njëqind e njëzet ajete kuranore. Por unë po mjaftohen me këta ajete nga Kurani që u përmendën. 
Hadithe të Pejgamberit a.s. ka shumë, por unë po përmendi një ngjarje e cila është me rëndësi për të gjitha kohët dhe vendet që duhet vepruar njerëzit. E ajo është çlirimi i Mekës prej ku Pejgamberi a.s. ishte ndjekur me tortura të papara deri atëherë. Ai u detyrua të largohet nga vendlindja dhe shtëpia e shenjtë Qabeja. Kur është larguar nga Meka, ka kthyer kokën dhe ka thënë: "Oj Meke, oj Qabe, vallahi kurrë nuk isha larguar, por dhuna më largoi". 
Ai gjeti përkrahës e besimtarë të mirë në Jethrib (Medine) dhe u vendos atje. Atje formoi edhe shtet, por idhujtarët e Mekës iu vërsuleshin kohë pas kohe. Atëherë Allahu i Lartësuar ua lejoi luftën myslimanëve në vetëmbrojtje: "Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)". (Bekare, 190). 
Vazhdon i Lartësuari e thotë: "Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë e padrejtë, e Allahu ka fuqi për t' u ndihmuar atyre (myslimanëve). (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: "Allahu është Zoti ynë!" u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur Allahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat, e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut. E Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se Allahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues". (El-Haxh, 39-40). 
Pas tetë vjetësh Pejgamberi a.s. e çliroi Mekën. Ai hyri triumfalisht me dhjetëmijë ushtar në Meke, e bëri tavafin rreth Qabesë dhe iu drejtua idhujtarëve të cilët i kishin bërë atij dhe myslimanëve padrejtësi të shumta. U tha: "Çka mendoni se do të bëj me juve? Ata thanë: "Vëlla i mirë dhe bir i vëllait të mirë", Pejgamberi a.s. tha: "Nuk ka qortim sot jeni të lirë" dhe nuk u tha bëhuni myslimanë. Mirëpo ata u ndikuan nga mirësjellja e tij brenda dy-tri ditëve përqafuan Islamin. 
Për të argumentuar se Islami është fe e paqes, solidaritetit dhe humanizmit mund të përmendim edhe fakte të shumta historike ku pasqyrohet hyrja 
në islam e popujve të ndryshëm me vullnet të lirë. Si p.sh. tataro-mongolët, të cilët në vitin 1258, në krye me Hulagun, shkatërruan Bagdadin. Me këtë rast u prenë 800 mijë nga banorë të pa fajshëm. Gjatë 40 ditëve, aty dogjën e hodhën libra në lumin Tigër, nga bibliotekat e civilizimit Islam. Sa që lumi doli nga shtrati dhe ndërroi pamjen nga ngjyra e librave. Ata shkatërruan edhe Turkistanin, Buharën, Samerkandin, e deri në Irak e Siri. Mirëpo, duke qëndruar në mesin e myslimanëve dhe duke e pa kulturën dhe civilizimin, e mirësjelljen e myslimanëve gradualisht pranuan Islamin. 

Vijon...



Bajrush Ahmeti
Dituria Islame 314

263 Shikime