Ky realitet nuk lindi vetvetiu, e bëmë ne, ti dhe unë, edhe ata përreth nesh

06.11.2023

Ky realitet nuk lindi vetvetiu, e bëmë ne, ti dhe unë, edhe ata përreth nesh


Ky realitet nuk lindi vetvetiu, e bëmë ne, ti dhe unë, edhe ata përreth nesh

www.kbi-bujanoc.com

Shkruan: Ed’hem Sherkavi

Hamad bin Zijadi ka thënë:

Një ditë kalova pranë një kopshti me babanë tim dhe e mora një kashtë, kurse ai më tha: “Pse e more?”

Unë iu përgjigja: “Është vetëm një kashtë e zakonshme.”

Kurse ai më tha: “Nëse çdo kalimtar do të merrte nga një kashtë, a do të mbetej ndonjë kashtë?”

Nëse doni ta ndryshoni botën përreth jush, fillimisht filloni nga vetja tuaj.

Nëse secili prej nesh do ta formonte fushëbetejën e tij dhe do të luftonte ashpër për pastërtinë e zemrës dhe për përmirësimin e moralit dhe sjelljes sonë, situata për të cilën ankohemi të gjithë do të ndryshonte. Sepse ky realitet nuk lindi vetvetiu, e bëmë ne, ti dhe unë, edhe ata përreth nesh.

Më ka pëlqyer veprimi i njërit prej miqve të mi derisa po shetisnim. Në fakt, gjatë shëtitjes, ai e zbrazi një shishe me ujë, kështu që e barti derisa arritem te kontejneri i mbeturinave në rrugë. Dhe duke qenë se kishte një grumbull plehrash të hedhur në tokë, pavarësisht nga prania e një kontejneri, miku im kaloi mbi plehra derisa arriti te kontejneri dhe e hodhi shishen e tij të zbrazët në të. Pastaj më tha: “E di që shishja ime nuk do ta bënte më keq këtë skenë të shëmtuar nëse do ta kisha hedhur mbi grumbullin e plehrave në tokë, por unë jam dikush që ia nis nga vetvetja.”

Ju ndoshta të gjithë e dini tregimin për gruan e mbretit e cila ishte sëmurë nga një sëmundje e lëkurës, dhe mjekët kur e ekzaminuan thanë: “Nuk ka shërim për të, përveçse ta mbushë pishinën në oborrin e pallatit me qumësht dhe të lahet në të çdo mëngjes.”

Mbreti u konsultua me ministrin e tij se si ta siguronte këtë sasi të madhe të qumështit, andaj ministri i tha:

„Është e thjesht, madhëria juaj! Jepni urdhër barinjve që secili prej tyre të vijë natën me një kovë qumësht dhe ta derdhë në pishinë, kështu që ajo do të mbushet çdo ditë, derisa mbretëresha të shërohet dhe të përmirësohet.”

Mbretit i pëlqeu kjo ide dhe barinjve ua shpalli urdhrin e tij mbretëror.

Mirëpo, secili bari thoshte me vete: “Po sikur në vend të qumështit të derdh një kovë me ujë!? Askush nuk do ta zbulojë dhe pa dyshim që uji do të humbasë në sasinë e madhe të qumështit.”

Kur u zgjua mbreti në mëngjes, e gjeti pishinën plot me ujë.

Prandaj, nuk ka shërim për sëmundjet dhe dobësitë shoqërore derisa secili prej nesh të shërojë sëmundjet dhe dobësitë e veta.

Përkthim: Miftar Ajdini

263 Shikime