Personaliteti i Muhamedit a.s.

12.10.2023

Personaliteti i Muhamedit a.s.


Personaliteti i Muhamedit a.s.

www.kbi-bujanoc.com

Muhamedi a.s. lindi në Mekë, më 20 prill 570, më 12 Rebiul-Evel. 
Arabët atë vit e quajnë Viti i Elefantit, sepse në atë vit Ebreheja nga Abisinia ( Etiopia ) e kishte sulmuar Mekën dhe kishte dashur të rrënonte Qabenë. Babai i tij Muhamedit quhej Abdullah, kurse nëna e tij quhej Emine. Nuk kishte vëlla e as motër. Babai i tij kishte vdekur pak muaj para se të lindte Muhamedi a.s., ndërsa në përkujdesje e kishte marrë gjyshi i tij, Abdul-Mutalibi, e pas vdekjes së tij, xhaxhai i tij, Ebu Talibi. Kur pati mbushur 25 vjeç, u martua me pronaren e tij, Hatixhen, e cila ishte 15 vjet më e madhe se ai. Në moshën 40 vjeç, i erdhi Shpallja, e cila zgjati 13 vjet në Mekë dhe 10 në Medinë. Muhamedi a.s. pati 7 fëmijë, 3 djem e 4 vajza. Vdiq në Medinë, ditën e hënë, më 8 qershor 632, në moshën 63 vjeç dhe pas vetes la dy gjëra të çmueshme: Kur’anin dhe Synetin ( Traditën ) e tij. Dashuria ndaj Allahut xh.sh. ka shenja, e më e madhja është pasimi i rrugës së Muhamedit a.s. dhe respekti ndaj tij. Personaliteti i Muhamedit a.s. dhe shëmbëlltyra e tij janë dhe do të mbeten gjithmonë të pashlyera në faqet e historisë njerëzore. Allahu i Madhëruar në Kur’anin e Tij famëlartë thotë : “ Thuaj: Nëse E doni Allahun, atëherë ejani pas meje, që Allahu t’ju dojë, t’jua falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë “.1 
“Nuk ka besuar askush përderisa mos të jem unë më i dashur tek ai sesa fëmiu i tij, prindi i tij dhe tërë njerëzit në përgjithësi “.(Muhamedi a.s.) 
Ndër shenjat e dashurisë ndaj Allahut xh.sh. është edhe mëshira në mes besimtarëve, por edhe që të duam atë që do Zoti, dhe të urrejmë atë që urren Zoti. Zoti xh.sh. i do veprat e mira, e i urren të këqijat, prandaj ne duhet të jemi ashtu. Pas dashurisë ndaj Allahut xh.sh.,duhet ta duam Muhamedin a.s. më shumë se vetveten, pasurinë dhe fëmijët tanë. Muhamedi a.s. në një hadith të tij thotë: “ Nuk ka besuar askush përderisa të mos jem unë më i dashur për të sesa fëmija i tij, prindi i tij dhe tërë njerëzit në përgjithësi “. Nga ky hadith kuptojmë se ne besimtarët myslimanë, Ymeti i Muhamedit a.s. duhet ta duam të Dërguarin tonë, ta respektojmë atë, sepse edhe shokët e tij kishin vepruar ashtu. Umeri r.a. ka thënë: “ Ti je më i dashur tek unë se kushdo tjetër, o i Dërguar, sa kohë që je më i dashur edhe sesa vetvetja ime “.

Me dashurinë ndaj të Dërguarit a.s. kuptojmë të pasuarit e Synetit të tij, qoftë me fjalë ose vepër, dhe t’i jepet përparësi para çdo fjale, pa marrë parasysh se prej kujt është. Muhamedi a.s. edhe sot e kësaj dite radhitet ndër njerëzit më me famë në faqen e dheut. Allahu i Madhëruar na ka bërë me dije që atë që na ka urdhëruar i Dërguari, ta marrim, të veprojmë me të. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë :
“ …Çka t’ju japë Pejgamberi, atë të merrni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni asaj dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër “.2
Ndërsa në një ajet tjetër thotë:
“ Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam rojë kundër tyre “.3 
Pejgamberi a.s. i porosiste gjithmonë shokët e tij, por dhe Ymetin e tij, që ta pasojnë rrugën e tij. Ai thoshte: “Kujdes, pasoni Synetin tim dhe të shokëve të mi pas meje, kapuni për të me dhëmballë “.
Me shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s. dhe me personalitetin e tij, Allahu i Madhëruar ka plotësuar këtë fe deri në kataklizmin e botës dhe është e pandryshuar.
Thotë i Madhi Zot xh.sh. në Kur’an : “ …Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe… “.4
Përkujtimi i ditëlindjes së Muhamedit a.s. luan një rol mjaft të madh, sepse në këto çaste tregohet për biografinë e qenies më të mirë të dashur tek Zoti xh.sh., veçse Muhamedi a.s. nuk duhet të përmendet vetëm në këtë datë por gjatë tërë jetës, p.sh. me rastin e ezanit dhe ikametit, me rastin e hutbes, pas abdesit, nëpër namaze, në rrugë, në shtëpi, në vendin e punës, pra myslimani është i lidhur për të ditën e natën.
Pejgamberi a.s. në një rast ka thënë: “A e dini kush është koprrac”? Të pranishmit thanë: “ Zoti dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”. I Dërguari tha: “ Ai person që, kur përmendet emri im në praninë e tij, nuk më dërgon përshëndetje mua“.
Sot kemi mjaft literaturë edhe në gjuhën shqipe, prandaj në datën e lindjes së Muhamedit a.s. duhet të përpiqemi të lexojmë sa më shumë për jetën e tij.
Meqë pjesa më e madhe e të rinjve tanë, po edhe e popullatës, e kalojnë kohën duke ndjekur seriale të ndryshme, të cilat janë të dëmshme për familjet tona dhe pothuajse në tërësi ua dinë emrat e aktorëve, sportistëve, dhe biografitë e tyre, është e habitshme të mos lexojnë e të mos mësojnë për jetën e më të dashurit të Allahut xh.sh., Muhamedit a.s., për të cilin Allahu i Madhëruar thotë : “Vërtet, ti ( o Muhamed ) je në një shkallë të lartë të moralit “.5
Po ashtu Zoti xh.sh. thotë : “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat “.6

Muhamedi a.s. ishte i mrekullueshëm, kishte cilësi, veti dhe mrekulli të veçanta, të cilat nuk i kishte pasur ndonjë njeri më përpara. Ndër mrekullitë më me vlerë të të Dërguarit a.s., po sjellim në vazhdim vetëm disa:

1. Kur’ani – Si libër i Shenjtë, Shpallje hyjnore, ishte, është dhe do të mbetet si mrekullia më e madhe për mbarë njerëzimin deri në shkatërrimin e kësaj bote. Prandaj Muhamedi a.s. ishte i graduar me këtë mrekulli.
2. Muhamedi a.s. ishte vula e të gjithë pejgamberëve, prandaj Allahu xh.sh. bëri që në mes dy shpatullave të kishte një vulë.
3. Muhamedi a.s. ishte plotësues i moralit, sepse edhe vetë e ka thënë këtë: “Jam dërguar për përsosjen e virtyteve të moralit “.
4. Një re ecte mbi trupin e tij, për ta freskuar në raste të vapës së madhe.
6. Nga gishtat e tij buronte ujë, prej të cilit pinin shokët e tij.
7. Me rastin e hapjes së Hendekut, shumë njerëz hëngrën ushqim prej një ene të vogël dhe ajo nuk u zbraz, përkundrazi, ai ushqim teproi, sepse atë e kishte shpërndarë Muhamedi a.s..
8. Menjëherë, si mbolli fidanin e hurmës, ajo prodhoi frutat.
9. Ndarja e Hënës në dysh, d.m.th. gjysma e Hënës në njërën anë dhe gjysma tjetër në anën tjetër.
10. Israja dhe Mi’raxhi.

Disa nga vetitë e Muhamedit a.s.:

1. Ishte me trup mesatar.
2. Fytyrën e kishe të bardhë, sytë ngjyrë gështenje, flokët të zez, mbante mjekër.
3. Ishte i pastër dhe gjithnjë me abdes, dhe thoshte : “Pastërtia është pjesë e besimit “.
4. Ishte i matur, i sjellshëm me njerëzit.
5. Ishte i vendosur dhe i drejtë, mendimet i kishte të qarta.
6. U përgjigjej shpejt pyetjeve të rëndomta fetare, ndërsa për ato të ndërlikuarat priste shpalljen.
7. Ishte organizator i fortë, pajtoi familjet në Medinë, bashkoi fiset arabe etj..
8. Ishte njeri i urtë dhe i dashur. Thotë Allahu xh.sh. në Kur’an : “Juve ju erdhi i Dërguari nga mesi juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët “.7


_________
1) Ali Imran : 31 
2) Hashr : 7 
3) Nisa : 80 
4) Maide : 3
5) Kalem : 4 
6) Enbija : 107 
7) Et- Teube : 128 
Dituria Islame 235



Bejtullah Gashi
Dituria Islame 23

284 Shikime