Ku qëndron dashuria jonë për Muhamedin (savs)

05.10.2023

Ku qëndron dashuria jonë për Muhamedin (savs)


Ku qëndron dashuria jonë për Muhamedin (savs)

www.kbi-bujanoc.com

Dashuria për Muhamedin (savs), buron nga dashuria ndaj Allahut të Plotfuqishëm, dhe kjo është detyra jonë, sepse Pejgamberi (savs) është i dashuri i Tij dhe shpërndarës i Kuranit i cili është udhëzim për mbarë njerëzimin. Prandaj, kush e do Allahun e Madhërishëm, ai e do edhe Pejgamberin (savs), dhe e ndjek sunnetin e tij. Muhamedi (savs) është njeriu dhe i dërguari më i mirë, më i devotshëm, më i plotë dhe më i zgjedhur. Ai është krijesa më e mirë dhe ai na dëshiron neve të mirën dhe lumturinë në dy botët.

Allahu i Madhërishëm të gjithë besimtarët i ka nderuar duke u dërguar Muhamedin (savs), siç thotë në Kuran:

“Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kuranin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Alu Imran, 164)

Vëllezër të nderuar!

Është begati e madhe që jemi anëtarë të umetit të Pejgamberit (savs), dhe shkojmë rrugëve të qarta të Islamit, dhe që ai, do të ndërmjetësojë për ne në Ditën e Gjykimit. Prandaj Pejgamberi (savs) për ne është më parësor edhe se vetvetja.

Dashuria për Pejgamberin (savs), reflektohet në ndjekjen e sunetit të tij, kurse brezi i artë i sahabëve nuk ka bërë pyetje e nën pyetje mbi atë që Muhamedi ka kërkuar prej tyre ose mbi atë që ju ka ndaluar, sepse ata ishin të bindur se ai nuk flet sipas tekes së tij dhe se çdo gjë që ka folur, ai në mënyrën më të mirë e ka zbatuar në jetën e tij të përditshme.

Pejgamberi (savs) i ka paralajmëruar se parashtrimi i pyetjeve të shumta nga popujt të cilëve u erdhën pejgamberë para tij, ishte shkak i lajthitjes dhe mëkatimit të tyre.

Dashuria ndaj Muhamedit (savs) duhet të jetë më e madhe se dashuria për vetveten, siç thuhet në transmetimin Abdullah ibn Hishamit (r.a.): “Ne ishim te Pejgamberi (savs), kur ai e kapi për dore Omer bin Hattabin, kurse Omeri i tha atij: O i Dërguari i Allahut, ti je më i dashur tek unë se çdo gjë, me përjashtim të vetes time! Pastaj Pejgamberi (savs) i tha atij: Jo, pasha Atë, në dorën e të Cilit është jeta ime, deri sa unë të jam më i dashur edhe se vetvetja! Pastaj Omeri i tha: Tani, pasha Allahun, ti më je më i dashur edhe se vetvetja! Pejgamberi (savs), tha: Tash, o Omer!” (Buhariu)

Forca e imanit është e kushtëzuar me dashurinë ndaj Pejgamberit (savs), siç  thuhet në hadithin vijues: “Asnjë prej jush do të jetë besimtar i vërtetë, deri sa unë të mos jam më i dashur se fëmijët, prindërit dhe të gjithë njerëzit!” (Buhariu)

Ëmbëlsinë e imanit nuk do ta ndiejnë ata që nuk posedojnë tri gjërat për të cilat flet hadithi të cilin e transmeton Enes bin Maliku (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Tek ai i cili gjenden tri cilësi do ta shijojë ëmbëlsinë e imanit: (1) Që Allahu dhe i Dërguari i Tij (savs), të janë më të dashur se çdo gjë tjetër, (2) të dojë dikë vetëm për hir të Allahut, dhe, (3) të urrejë kthimin në mosbesim, ashtu siç e urren të jetë i hedhur në zjarr!” (Buhariu)

Vëllezër të nderuar!

Le ta pyesim veten se a i posedojmë ne tri cilësitë e përmendura në hadith, dhe, a kemi në veten tonë ëmbëlsinë e imanit, apo islamin e përjetojmë si pjesë të traditës sonë, si mjet të cilin e përdorim me shkathtësi, si mantel pas të cilit fshihemi!?

Pejgamberi (savs) është i dashuri i Allahut të Plotfuqishëm, ai i cili thërret tek Allahu, është lidhje e fortë në rrugën kah Krijuesi, është paralajmërues, përgëzues i lajmeve të gëzueshme, ai që njerëzit i udhëzon në shpëtim, është interpretues i Kuranit, ai i cili e vendos ligjin e Allahut të Madhërishëm, është lider i pejgamberëve, i dërguari më i mirë, udhëheqësi ynë, ndërmjetësues, i dërguar i njerëzimit, shpëtim dhe paqe. Atë Allahu i Madhërishëm e dalloi mbi njerëzit tjerë me shefat (ndërmjetësim), ia dha Kevtherin (burim në Xhenet).

Për atë Allahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë, Allahu e mëshiron Pejgamberin, e melekët e Tij lutën për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndetni atë me salatë dhe selam!”

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.)​ se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush dërgon një salavat mbi mua, Allahu atij ia dërgon 10 salavate!” (Muslimi)

Andaj, të dërgojmë sa më shumë salavate mbi Muhamedin savs, sepse secilën herë mbi ne do të dërgojë 10 herë Allahu i Madhërishëm, dhe kjo është begati dhe mbrojtje e madhe për besimtarin e sinqertë!

Dashuria ndaj Pejgamberit (savs) shprehet me respektin e tij, duke dërguar salavate, duke ndjekur sunetin e tij dhe duke e ndihmuar fenë e tij; me një fjalë, ta duam dhe ta ndjekim, ashtu siç kanë vepruar sahabët e tij fisnikë dhe brezat e mirë të muslimanëve pas tyre.

Vëllezër të nderuar!

Le të bëhemi pasues të vërtetë të sunetit të Pejgamberit (savs), dhe le të garojmë në të mirë!

E lusim Allahun e Madhërishëm që të na forcojë në rrugën e Islamit,

– që të gjithë vëllezërve tanë muslimanë, kudo në botë që janë duke vuajtur t’ju japë fitore të shpejtë dhe t’i çlirojë nga zullumqari,

– që neve mos të na sprovojë me dhunën e sundimtarëve të dhunshëm dhe me atë që ne nuk mund ta përballojmë,

– që neve të na bëjë prej atyre që me të vërtetë e duam Pejgamberin (savs) dhe e ndjekim sunnetin e tij,

– që fëmijët tanë t’i bëjë gëzimi i syve dhe zemrave tona dhe liderë të umetit,

– që të na i mëshirojë prindërit tanë dhe të parët tanë të mirë,

– që të na mëshirojë neve në Ditën e gjykimit,

– që të na i falë mëkatet, të na i mbulojë turpet, të na i pranojë veprat e mira dhe të na nderojë në Xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidtë dhe me njerëzit të mirë. Amin!

Hatib: Nezim Halilović, muderis;

Përshtati: Miftar Ajdini

262 Shikime