Feja në jetë, dhe jeta në fe

20.01.2023

Feja në jetë, dhe jeta në fe


Feja në jetë, dhe jeta në fe

www.kbi-bujanoc.com

Shumë filozofë janë përpjekur që me të menduarit e tyre dhe me vizionin e tyre të kontribuojnë për të mirën e njerëzve dhe ta ndriçojnë rrugën para tyre. Kjo do të thotë, se edhe këta filozofë kanë hulumtuar për qëllimin e jetës. Për moralin. Atëherë, çka është morali?

Morali është ai që e bën njeriun njeri, e jo kafshë.

Shembullin e moralit, të qartë si kristali, e shohim te Pejgamberi ynë savs, sepse ai është dërguar për ta plotësuar moralin. Kjo është arsyeja pse Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar rituale të cilat e përmbajnë çelësin e moralit.

Nëse i kuptojmë drejtë këto rituale dhe ju qasemi në mënyrë të përshtatshme, çelësi do të jetë në duart tona.

“… Kryeje namazin! Namazi, me të vërtetë, të largon (pengon) nga amorali dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” (el-Ankebut, 45).

Ne duhet të jemi të bindur ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe ndaj të Dërguarit Tij, se të jemi të bindur, do të thotë, ta ndjekim dhe t’i nënshtrohemi, sepse Allahu në të njëjtin ajet vazhdon të thotë:

“… E, të përmendurit e Allahut është më e madhja (lutje)! E, Allahu di çka punoni ju.”

Njeriu nuk mund ta arrijë kulmin e moralit nëse nuk është musliman. Pse? Sepse Muhamedi savs është dërguar për ta plotësuar moralin. Këtë e dinë pasuesit e tij të sinqertë.

Për t’u bërë një njeri i moralshëm, duhet të kryejë ibadete. Për t’i kryer ibadetet, duhet ta dijë se cili ibadet për çka shërben. Do të thotë, çfarë qëllimi ka. Nëse feja është e qartë, dhe ajo është e tillë, atëherë edhe ibadetet janë të qarta.

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183)

Pejgamberi savs thotë: “Kush nuk ndalet nga fjalët dhe veprat e këqija – Allahu nuk ka nevojë për tërheqjen e tij nga ushqimi dhe pija.” (Buhariu)

Disa ushqime janë haram, si p.sh. mishi i derrit. Njeriu me agjërim, jo vetëm që i braktis ato ushqime (që janë haram), por i braktis edhe ushqimet e lejuara. Kjo tregon se braktisja e ushqimit nuk është qëllimi i agjërimit, dhe nuk është aq e rëndësishme, sepse po të ishte e rëndësishme Allahu nuk do të na kishte ngarkuar. Allahu fenë e ka lehtësuar, por njerëzit atë e komplikojnë për shkak të injorancës së tyre.

Kur është fjala për namazin, për të pasur ai efekt, duhet të kryhet me zemër. Kur të nisemi për në xhami, duhet të nisemi me zemër. Ne po shkojmë në xhami me trup, por ku i kemi zemrat gjatë kohës namazit? Nuk mundet zemra të qëndrojë në shtëpi duke shikuar seriale, filma, sport e të ngjashme. Edhe zemra jonë duhet së bashku me trupin të shkojë në namaz. Balli është vetëm mjeti, kurse zemra është ajo që bie në sexhde. A po bie me të vërtetë zemra jonë në sexhde?

Përveç kësaj, namazi e ka edhe formën e vet. Kjo formë duhet të jetë në përputhje me formën e namazit të Pejgamberit savs dhe të brezave të parë, sepse ata janë më të afërt me burimin e sunetit, ndërsa uji në burim është më i mirë. Është e rëndësishme ta dimë se forma e ka vendin e saj në fe, por nuk e ka vendin e parë.

Njeriu, besimtari duhet ta ndërtojë karakterin e tij. Duhet t’i ketë themelet e forta, ato themele janë ibadetet, veçanërisht namazi. Si çdo shtëpi që duhet të ketë themele të forta për të qëndruar, po ashtu edhe njeriu duhet të ketë themele, sepse nëse nuk i ka atëherë do të rrënohet.

Përkthim: Miftar Ajdini

664 Shikime