Falja e namazeve të kaluara gjatë orarit të punës

16.01.2023

Falja e namazeve të kaluara gjatë orarit të punës


Falja e namazeve të kaluara gjatë orarit të punës

www.kbi-bujanoc.com

 

Pyetje: Esselamu alejkum!

Pyetja ime ka të bëjë me faljen e namazeve pas orarit të punës, pasiqë punoj në spital dhe jam i ekspozuar të gjitha llojeve të lëngjeve të trupit në punën e përmendur. Gjithashtu, në punë nuk ka hapësirë adekuate në të cilën mund ta fali namazin, sepse punoj me ndërrime (edhe ditën edhe natën).

Konkretisht mua më intereson të di se a është e drejtë falja e namazeve kur të kthehem në shtëpi dhe kur mundem, p.sh. në kohën e sabahut ta fali drekën, ikindinë dhe akshamin, sepse këto kohë më kalojnë kur jam në ndërrimin e ditës, ndërsa kur jam në ndërrimin e natës më kalon namazi i sabahut.

Përgjigje: Ve alejkumus selam!

Një nga kushtet për vlefshmërinë e namazit është që ai të kryhet në kohën e tij. Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran, thotë: “Namazi është detyrë e obligueshme për besimtarët në kohë të caktuar.” (en-Nisa’, 103)

Nëse një person nuk është në gjendje ta falë çdo namaz në kohën e tij dhe në mënyrën e përcaktuar, atëherë ai përkohësisht mund t’i përdorë disa lehtësime të caktuara. Njëra nga këto lehtësimet është edhe bashkimi i namazeve.

Këshilli për Fetva i Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 2007, ka nxjerrë fetva që udhëtarit t’i lejohet ta përdorë lehtësimin e bashkimit të namazit të drekës me atë të ikindisë, si dhe namazin e akshamit me atë të jacisë, në bazë të hadithit dhe praktikës së Pejgamberit Muhamed savs, për ta lehtësuar kryerjen e këtyre ibadeteve.

Fetvaja gjithashtu thotë: “Ju lejohet punëtorëve në ndërmarrje dhe fabrika bashkimi i namazit të drekës dhe ikindisë në rrethana veçanërisht të arsyeshme (siç është shkurtimi i ditës, pamundësia e lëshimit të vendit të punës për ta falur namazin në kohën e tij, etj).” Nëse ju nuk keni kushte për përdorimin e këtij lehtësimi, atëherë ju mbetët ta falni atë namaz pas kohës së tij.

Detyrimi i faljes së namazeve të cilat nuk arrijmë t’i falim me kohë, nëse i harrojmë apo nëse na zë gjumi, është i konfirmuar me hadith, kurse në rast të lëshimit të qëllimshëm në bazë të analogjisë, apo të arsyes aq më parë. Me faljen e namazit të lëshuar kryhet detyrimi i plotësimit të namazit të humbur. Është e sigurtë se falja e namazit pas kohe nuk e ka të njëjtën vlerë që ka namazi i falur në kohën e tij, por në çdo rast, fjala është për kompensimin e obligimit të lëshuar, siç është kompensimi i agjërimit dhe detyrimeve të tjera të kryera më vonë (pas kohës së rregullt të tyre).

Kryerja e më vonshme e obligimit të lëshuar është vepër e mirë, dhe, siç thuhet në Kuran, veprat e mira i fshijnë ato të këqijat: “Vërtetë veprat e mira i fshijnë të këqijat.” (Hud, 114)

Prandaj, nëse ju nuk mund ta kryeni namazin në kohën e tij, as nuk mund t’i bashkoni, atëherë falni më vonë në shtëpi në atë renditje siç ju kanë humbur. Por, po potencojmë se namazi nuk mund të falet para se të vijë koha e tij. Kështu, për shembull, nuk mund të falet dreka, ikindia dhe akshami në kohën e sabahut.

Përgjigjet: Kryemuftiu i Bosnjes dhe Hercegovinës, Prof. Dr. Enes Levakoviq;

Përshtati: Miftar Ajdini

675 Shikime