04.03.2022
Pas Turqisë, edhe Kroacia mbështet aderimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO!
www.kbi-bujanoc.com
Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë. Duke marrë shkas nga lufta mes Moskës dhe Kievit, kryeministri Albin Kurti, lëshoi një apel drejt disa vendeve të Bashkimit Europian për të marrë një vendim që do të përforconte sigurinë në kontinentin e vjetër.
“U bëjmë thirrje pesë shteteve mos njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin këtë realitet të vërtetë duke njohur urgjentisht pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshëm për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë”, tha kryeministri i Kosovës.
Kurti dënoi qëndrimin e Serbisë për të mos dënuar luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë. Të njëjtën linjë ndoqën edhe partitë opozitare që kërkuan përshpejtim të procesit integrues të Kosovës në BE dhe NATO. Përgjigja e shefit të qeverisë ishte kjo.
“Vitin e kaluar ne bëmë të ditur se do të aplikojmë për anëtarësim këtë vit për BE, këtë proces do ta përshpejtojmë njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Europës dhe mekanizmat të tjerë ndërkombëtar. Njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s duke filluar së pari me partneritetin për paqe”, shtoi Kurti.
Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO sa vjen e shtohet. Pas Turqisë, edhe Kroacia është shprehur pro aderimit të Prishtinës në aleancën ushtarake, si një nevojë për të garantuar stabilitet dhe siguri për Ballkanin Perëndimor.
1155 Shikime