02.02.2022
Kujdesi ndaj të moshuarëve
www.kbi-bujanoc.com
Të moshuarit tanë janë jeta jonë, prej tyre burojnë prindërit tanë dhe pa to nuk është as historia jonë. Kokat e bardha të tyre janë krenaria e një shoqërie dhe një populli. Pleqët tanë janë mësuesit e vërtetë të përvojës dhe të durimit, por edhe të krijimtarisë së shumë traditave të bukura që po trashëgojmë si brezi i ri.
Kjo shtresë sot nuk ka nevojë vetëm për Shtëpi të pleqve, mbase deri diku, për shoqëri dhe rrethana të caktuara, janë të mirëseardhura, por ne mendojmë se këta kanë nevojë për diçka me tepër. Këtyre duhet t’ua shtrojmë kujdesin e drejtpërdrejtë, dashurinë e sinqertë, krahun e ndihmës dhe të respektit. Shtëpitë e tyre duhet të jenë vatrat tona, ose me drejtë thënë, shtëpitë e tyre duhet të jenë zemrat tona. Ata duhet të gjejnë rehatinë dhe ngrohtësinë tonë. Ata kanë nevojë për buzëqeshjet dhe përkëdheljet tona. Ata nuk duhet të qajnë nga dëmet që u shkaktojmë ne, porse duhet t’i bëjmë që t’u buzëqesh fati e lumturia.
I Dashuri ynë, Muhammedi a.s., diti t’i vlerësojë dhe t’i çmojë shumë lartë gjyshet dhe gjyshërit, nënat dhe baballarët, duke u caktuar edhe të drejtën e respektit dhe nderimit. Ai shumë shpesh thoshte: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk i respekton pleqtë.”
Një ditë, teksa përgatiteshin muslimanët të bënin hixhret, i erdhi një djalë i ri Pejgamberit a.s., dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dua të bëjë edhe unë hixhret, ndonëse prindërit i kam lënë duke qarë për mua. Në çka Muhammedi a.s. ia ktheu: “Kthehu tek prindërit e tu dhe qeshu atyre, ashtu siç i bëre të qajnë”.
Islami nuk do që dikush të qajë, të mërzitet apo të jetë fatkeq. Përkundrazi, ai do që në secilën zemër njerëzore të mbjellë gëzim, dashuri dhe prehje, prandaj dhe e kthen të riun që të kujdeset për prindërit, pasi që e di fortë mirë se sa dhëmbin lotët e prindërve për fëmijët e tyre, si dhe të gjyshërve për nipërit dhe mbesat e tyre.
Nga pikëpamja islame, të moshuarit janë të mbuluar nga mëshira hyjnore. Zoti i Madh ka thënë që turpërohet ta ndëshkojë një që është thinjur në besim të pastër në një Zot të vetëm. A nuk janë gjyshërit dhe gjyshet që na i mësojnë suret e para të Kur’anit dhe shartet e para të fesë? Ata meritojnë respektin tonë, kujdesin dhe vëmendjen tonë. Le t’i vizitojmë më shumë, t’i dëgjojmë më tepër, të ngrihemi në këmbë kur të hyjnë midis nesh, dhe kudo që t’i takojmë, t’ju japim përparësi.
Të moshuarit, pleqtë tanë të ndritur, janë libra të gjallë që rrëfejnë historitë njëqind vjeçare të një shoqërie apo populli.
829 Shikime