12.01.2022
Begatitë e dimrit në Islam
Autor: Izet ef. Bibic; Përkthim: Miftar Ajdini
Shumë njerëz mendojnë se kur vjen dimri vijnë vetëm probleme, rrugët e mbushura me borë, ngricat e rënda, ftohjet dhe netët e mërzitshme të gjata të dimrit. Kështu dimrin e shikon njeriu i zakonshëm i cili nuk është i vetëdijshëm për mirësitë e Allahut që dimri u sjell njerëzve.
Gjithashtu duhet të theksojmë se përfitimet e dimrit nuk pasqyrohen thjesht në skijim apo në shkatërrimin e baktereve të dëmshme në ajër, por këto begati kryesisht reflektohen në imanin dhe në ibadetin tonë. Në dimër, ne shumë lehtë mund të arrijmë te një numër i madh i sevapeve, duke bërë ibadete të caktuara të cilat është shumë më vështirë të praktikohen në ndonjë stinë tjetër.
Për këtë arsye Pejgamberi (savs) dimrin e ka quajtur ‘fitim i lehtë’.
Transmeton Amir ibn Mesudi (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Agjërimi gjatë dimrit është fitim i lehtë.” (Tirmidhiu)
Kurse Ebu Hurejre (r.a.) në një rast u ka thënë shokëve të tij. „A doni të ju udhëzoj për një fitim të lehtë? Ata u përgjigjen: “Duam”. Atëherë Ebu Hurejre (r.a.) tha: “Agjërimi gjatë dimrit është fitim i lehtë.“
Pra, shkurtësia e ditës në dimër i ofron besimtarit begati të papërshkrueshme, nëse ditët në dimër i kalon në agjërim. Nëse nuk mund të agjërosh çdo të dytën ditë si agjërimi i Davudit (a.s.), atëherë agjëro të hënën dhe të enjten; në qoftë se edhe kjo është e vështirë, atëherë mund të agjërosh ditët e bardha, a ato janë dita e 13, 14 dhe 15 e çdo muaji (hixhrij); po në qoftë se edhe kjo është e komplikuar, atëherë të agjërohen nga tri ditë në çdo muaj, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush agjëron nga tri ditë në çdo muaj, është si të ketë agjëruar gjithë vitin.”
Gjithashtu në një hadith hasen thuhet se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Dimri është pranverë për besimtarin, netët e gjata shfrytëzohen për namaz, kurse ditët e shkurtra për ajërim.“
Duke komentuar këto fjalë të Pejgamberit (savs), Ibn Rexhebi ka thënë: “Dimri është pranverë për besimtarin, sepse ofron një kopsht me shumë lloje të veprave të mira dhe ibadeteve të cilat është lehtë për tu përmbushur.”
Se sa i janë gëzuar shokët e Pejgamberit (savs) ardhjes së dimrit, më së miri na tregon transmetimi në të cilin thuhet se Ibni Mesudi (r.a.) kur vinte dimri thoshte: “Mirë se na vjen o dimër, në ty ka përfitime të mëdha, netët janë të gjata për namaz dhe ditët janë të shkurtra për agjërim.“
Hasan el-Basriu (r.h.) ka thënë: “Dimri është stina më e mirë e vitit për besimtarin, netët janë të gjata për namaz, kurse ditët të shkurtëra për agjërim.“
Gjithashtu në transmetim thuhet se Ubejd ibn Umejri kur vinte dimri u thoshte njerëzve: “O lexues të Kuranit, nata është zgjatur për lexim të Kuranit, andaj lexoni, kurse dita u është shkurtuar për agjërim, andaj agjeroni.“
Nga transmetimet e mësipërme dhe nga fjalët e brezave të nderuar, vijmë në përfundimin se dimri me vete sjell përfitime të mëdha për besimtarin, i cili përpiqet që çdo moment të jetës së tij ta shfrytëzojë në përulje dhe nënshtrim e bindje sa më të madhe ndaj Allahut të Plotfuqishëm.
Për fat të keq, sot janë të rrallë shembujt e njerëzve të cilët begatitë e dimrit, ditët e shkurtëra dhe netët e gjata i shfrytëzojnë në mënyrën e duhur. Një numër i madh gjatesinë e natës së dimrit e shfrytëzojnë duke luajtur letra dhe për zbavitje të tjera deri në agim, kurse shkurtësinë e ditëve e përdorurin për të fjetur në vend të agjërimit.
I lutemi Allahut të Madhërishëm që të na jepë fuqi dhe ta shfrytëzojmë çdo mundësi të ofruar që na afron tek Krijuesi i Lartësuar. Të jemi prej atyre që do t’i shfrytëzojnë këto begati të dimrit, dhe kështu ta fitojmë dashurinë e Allahut.
Dhe, le t’i kemi në mendje gjithmonë fjalët e Jahja ibn Muadhit, kur thotë: “Nata është e gjatë – andaj mos e shkurto duke fjetur, kurse Islami është i pastër – andaj mos e përlyej me sjelljen tënde!”
774 Shikime