27.11.2015
Roli i prijësve myslimanë në formimin e shtetit të parë shqiptar
Shekulli XIX shënoi një epokë të re për popullin shqiptar, atë të Rilindjes. Ai hyri në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe revolucioneve kombëtare, që çuan në çlirimin dhe formimin e shteteve të pavarura.
Për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare. Gjatë Rilindjes Kombëtare lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb.[1]
Lëvizja Kombëtare Shqiptare për pavarësi dhe krijimi i shtetit shqiptar të pavarur, përbën një shembull mjaft domethënës të bashkëpunimit të sinqertë dhe pa asnjë paragjykim të intelektualëve dhe aktivistëve patriotë, të cilët, pavarësisht nga përkatësia e ndryshme fetare, dhanë një kontribut vendimtar për afirmimin politik e kulturor të kombit shqiptar. Të dhënat e përftuara nga burime të ndryshme historike vërtetojnë qartësisht ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e luftërave të ndryshme në mbrojtje të trojeve shqiptare, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohëve, por shërbeu si faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke u vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, kjo falë prijësve të shquar fetarë. Shumë kuvende e kryengritje lokale, krahinore, ndërkrahinore dhe mbarëkombëtare u udhëhoqën dhe u drejtuan nga klerikë të shquar shqiptarë. Një realitet ky i cili herë pas here vlerësohet edhe nga opinioni ndërkombëtar.
Kur udhëton nëpër analet e historisë shqiptare dhe flet për lëvizjet dhe përpjekjet mbarëkombëtare, kupton se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin drejtues fetarë, që nga imamë e myderrizë, myfti, kryemyfti, kadi dhe kryetar komuniteti e deri në klerikë katolikë e ortodoksë, ku në kushte dhe rrethana të ndryshme dhe shpeshherë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan për forcimin dhe konsolidimin e tij.
Është e qartë që kleri mysliman ka dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e popullit dhe të kombit shqiptar. Në përpjekjet dhe në luftën e gjatë për ruajtjen e identitetit kombëtar, ai ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme. Mjafton të hedhim një sy me kujdes në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik dhe do vëmë re se prania e prijësve myslimanë është kudo e pashmangshme. Që nga kryengirtjet kundër Tanzimatit me sheh Mustafën e sheh Fezën e deri te përfaqësimi në organizma si Komiteti i Stambollit, me Hoxha Hasan Tahsinin e madh, duke vazhduar me Daut Efendi Boriçin, në Lidhjen e Prizrenit, me Hafiz Ibrahim Shkupin, në Kongresin e Manastirit, me Myfti Vehbi Dibrën, Hafiz Ali Korçën dhe Ismail Efendi Ndroqin në Kongresin e Dibrës, me Myfti Vehbi Dibrën e Sheh Ahmet Pazarin në shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe ngritjen e flamurit, etj.
Pra, në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve, pa dyshim, gjen edhe ata, krerët e besimit mysliman, krah për krah, dorë për dore e gojë për gojë me të gjithë klerikët e besimeve të tjera në Shqipëri.
Ngjarje të rëndësishme mbarëkombëtare janë të lidhura me zhvillimin e tyre pranë institucioneve fetare gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare si p.sh., Lidhja Shqiptare e Prizrenit u ndez në Medresenë e Xhamisë Bajrakli. Kryetari i saj pas Iljaz pashë Dibrës, u zgjodh kleriku Haxhi Ymer Prizreni, që ishte dhe kryeministri i parë shqiptar në Qeverinë e përkohshme të Lidhjes. Ishin klerikët ata që kontribuuan së bashku me personalitete të shquara të vendit, për hapjen e mësonjëtoreve të para në gjuhën shqipe dhe për t’u mësuar fëmijëve shkrimin e këndimin e shqipes, si Hoxha Tahsini, Said Najdeni, Vehbi Dibra(Agolli), Hafiz Ali Korça etj.
Gjatë viteve 1900-1912, ata i gjejmë të pranishëm në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të jetës politike, social-arsimore të vendit tonë, në kuvende dhe kongrese mbarëkombëtare si: Kuvendi i Pejës, i drejtuar nga kleriku Haxhi Zeka, kongreset arsimore të Manastirit e Ebasanit, në Kongresin e Dibrës të 23 korrikut 1909, të drejtuar nga Vehbi Dibra, në kuvendin e madh të Vlorës etj. Me mendimin dhe qëndrimin e mbajtur, klerikët shqiptarë luajtën rol të rëndësishëm në orientimin kombëtar të tërë jetës së vendit tonë. Në gjirin e kësaj lëvizje të gjerë politike, arsimore dhe ushtarake, ata bashkëvepruan dhe me figura të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin etj.
Në kuvendin e Pejës dhe të Dibrës të vitit 1899, Haxhi Zeka, Selim Rusi, Vehbi Dibra, Myfti Saliu, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu etj., luajtën një rol të rëndësishëm, duke dhënë një shembull se si duhej të zgjidhej çështja kombëtare. Klerikët jo vetëm ishin përfaqësues të krahinave të ndryshme shqiptare në këto kuvende, por dhe figura me shumë reputacion në delegatët e tjerë pjesëmarrës të këtij kuvendi. Fjala e tyre zinte vend sa herë që shprehej.
Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe zhvillimi i kulturës kombëtare, shtruan nevojën e caktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Për këtë u organizua Kongresi i Manastirit më 14 nëntor 1908. Delegatët e kongresit ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laik e klerikë si: Vehbi Dibra, Haziz Ibrahim efendiu etj., shtruan domosdoshmërinë e caktimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. [2] Në këtë kongres klerikët mbështetën idenë për përdorimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe me germa latine dhe për mësimin e shqipes në shkollat e Shqipërisë.[3]
Në Kongresin e Dibrës të mbajtur më 23 korrik 1909, Vehbi efendi Dibra, Hafiz Ali Korça, Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu, Hafiz Sherif Lëngu, etj., do të krijonin klube shqiptare e do të viheshin në krye të luftës kundër xhonturqve që përpiqeshin të pengonin zhvillimin e kombit shqiptar, bashkimin e tij. Në Kongresin e Dibrës, Vehbi Dibra për aktivitetin e tij fetar dhe politik do të zgjidhet kryetar i Kongresit. Ky kongres i kalonte caqet kombëtare, gjë që tregohet nga pjesëmarrja e delegatëve laikë e klerikë jo vetëm nga vilajetet e Selanikut, Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës, por dhe e përfaqësuesve serbë, grekë, bullgarë e vlleh. Ky ishte i pari kongres ku më tepër se 300 delegatë toskë, gegë, myslimanë, ortodoksë, katolikë, priftërinj, hoxhallarë e shehelerë u konvertuan në një pikë, shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe arritjen e pavarësisë kombëtare.
Atdhetarët Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Kenan Manastirli, Vehbi Agolli, Haxhi Ali Elbasani, etj., e bënë Kongresin e Dibrës arenë të luftës dhe shpalosjes së mendimit e kërkesave të mirëfillta të shqiptarëve, kërkesa që ishin nga më të avancuarat të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si rezultat i kësaj lufte kongresi punimet e tij i nisi dhe i përfundoi si një kongres shqiptar, si një kongres që trajtoi dhe shumë probleme të rëndësishme kombëtare që dilnin dhe jashtë kopetencave të rendit të ditës. Në të u ngritën probleme me kërkesa të mirëfillta shqiptare ku u shfaqën hapur:
– kërkesat me karakter të theksuar politik kombëtar, që çonin drejt realizimit të autonomisë së Shqipërisë,
– kërkesat për hapjen e shkollave shqipe të mbrojtura nga shteti,
– futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore,
– çështjen e alfabetit etj.[4]
Punimet e Kongresit, lufta e ashpër politike që u zhvillua aty, provuan plotësisht se kërkesat e delegatëve patriotë ishin një përpjekje e hapur për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Kërkesa të tilla si ajo që nëpunësit e administratës vendase të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak në vend, përdorimi dy gjuhësh në dokumentat përfundimtare të tij, janë arritjet më të mëdha të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, suksese që nuk ishin arritur në kongreset e tjera kombëtare.[5]
Në Kongresin e Elbasanit të 2 shtatorit 1909, prijësit myslimanë Hafiz Ibrahim Dalliu, Josi Haxhi Mima, Emin Haxhi Ademi dhe Hoxhë Muglica, bënë gjithçka për të hapur Normalen e Elbasanit, përkrah Luigj Gurakuqit, Hamdi Ohrit, Dervish bej Biçakut, Mit’hat Frashërit dhe të tjerëve.
Elita fetare e vendit ka meritat më të para nga të gjitha elitat e tjera. Në rast se vështrojmë kombet dhe historitë e tjera do të gjeni kombe të cilat kanë tradita mijëravjeçare shkrimi, alfabetesh, bibliotekash librash dhe qytetërimi. Por, kombi ynë ka një specifikë që nuk e ka asnjë komb tjetër, që është diamant i qytetërimit të kombeve, kjo është toleranca fetare. S’ka dhe s’mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi sesa toleranca fetare.
Shqipëria përgjatë historisë së saj ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin. Një mori dijetarësh shqiptarë të profilit fetar mysliman, katolik apo ortodoks kanë dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fazat zhvillimore dhe format organizative të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Prijësit myslimanë, duke ruajtur tolerancën fetare, janë përpjekur në të gjitha mënyrat vetëm për një shoqëri me parime patriotike, për një shoqëri bashkëkohore, për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, dashurisë për gjuhën dhe traditat shqiptare, dashurisë për atdheun e dashurisë për njëri-tjetrin. Më në veçanti kjo vepër bën ekzaminimin e përpjekjeve madhore të dijetarëve myslimanë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në pavarësinë e Shqipërisë, jo vetëm për çlirim kombëtar, jo vetëm për arsimin e shkollat shqipe, por krijimin e shtetit shqiptar. Me firmën jo vetëm të patriotëve shqiptarë, por dhe të klerikëve myslimanë si: Hafiz Ismet Dibra, Vehbi Dibra, Hafiz Sherif Lëngu, etj., Shqipëria të shpallej e pavarur.[6]
Pavarësia e Shqipërisë ishte aspiratë dhe punë atdhetare e një kombi të tërë nga gjiri i të cilit lindën shumë heronj. Midis tyre historiografia jonë duhet të nënvizojë fort emrat klerikëve myslimanë, njerëz me shumë reputacion në mbarë Shqipërinë, të aftë, largpamës, me nuhatje e drejtpeshim politik.[7]
Kulmin e ngritjes së tyre jo vetëm si klerikë, por dhe si luftëtarë të çështjes kombëtare, këta klerikë do ta arrijnë me pjesëmarjen në Kuvendin e Vlorës dhe zgjedhjen e tyre në organet më të larta të Qeverisë së Përkohshme.
Në situatën e krijuar, kur forcat ballkanike po pushtonin Shqipërinë dhe trevat shqiptare rrezikoheshin nga një copëtim i ri, rrethet atdhetare shqiptare brenda dhe jashtë atdheut arritën në përfundimin se, e vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë ishte shpallja e Pavarësisë. Për këtë qëllim do të organizonin një kuvend mbarëkombëtar ku do të mernin pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha krahinat shqiptare.
Telegrame të shumta të dërguara nga Vlora për Prefekturën e Elbasanit tregonin interesin e veçantë që kishin organizatorët e kuvendit për arritjen në Kuvendin e Madh të përfaqësuesve të klerikëve mysliman si: Vehbi Agolli (Dibra) dhe Hafiz Sherif Lëngu, [8] personalitete me kontribut fetar e politik të gjithanshëm për çështjen kombëtare, mandate që ua ngarkonte mbarë popullsia e Dibrës dhe e krahinave përreth për të dërguar fjalën e tyre në Kuvendin Kombëtar në Vlorë.[9]
Për të plotësuar këtë detyrë të vështirë, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, më 21 nëntor 1912, Ismail Qemali arriti në Durrës. Plaku Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e atdhetarë të tjerë të shoqëruar nga Nikoll Kaçorri u nisën për në Vlorë.
Më 21 nëntor 1912, Isa Boletini, Ajdin bej Draga, Mehmet pashë Dërralla dhe delegatët e zgjedhur të Dibrës, Vehbi Agolli dhe Hafiz Sherif Lëngu, u nisën nga Dibra për në Elbasan[10], ku i prisnin delegatët e kësaj treve për të shkuar së bashku drejt Vlorës.[11]
Ndërsa delegatë nga të gjitha krahinat e tjera shqiptare grupoheshin dhe së bashku niseshin për në Vlorë. Qyteteve shqiptare që rrezikoheshin nga pushtimi i shteteve fqinje iu kërkua që ta ngrinin sa më shpejt flamurin kombëtar, me qëllim që pushtuesi i ri t’i gjente të pavarura. Midis 37 delegatëve[12] dalloheshin klerikët Vehbi Agolli, Hafiz Sherif Lëngu dhe Dom Nikoll Kaçorri.
Përballë kërcënimit të ri të pushtimit nga ushtritë ballkanike dhe situatës së re të krijuar për trevat shqiptare, Ismail Qemali dhe atdhetarë të tjerë të mbledhur në Vlorë, hapën më 28 nëntor 1912, ora 14.00, punimet e Kuvendit Kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, pa pritur ende të gjithë delegatët e krahinave shqiptare për shkak të vështirësive të mëdha që ekzistonin. Mendimi i klerikëve për Pavarësinë e Shqipërisë, u mbështet nga të gjithë delegatët me në krye Ismail Qemalin, të cilët e shpallën Shqipërinë shtet të pavarur: “Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. [13]
Pas shpalljes së pavarësisë, përpara kuvendit kombëtar shtroheshin detyra të reja historike: të ngrihej shteti i pavarur shqiptar me administratën dhe forcat e tij të armatosura, të sigurohej njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e kufijve politikë shtetërorë që të përfshiheshin të gjitha trojet etnike shqiptare, të shtrihej pushteti shtetëror në këto troje dhe të organizohej mëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Ismail Qemali i paraqiti Kuvendit dhe ia besoi atij zgjedhjen e anëtarëve të qeverisë. Rrjedhimisht anëtarët e saj duhet të ishin të njohur brenda dhe jashtë vendit. Më 4 dhjetor 1912, u zgjodh Qeveria e Përkohshme[14]. Në përbërjen e këtij kabineti qeveritar spikasnin krahas figurave të tjera atdhetare Myfit bej Libohova, Abdi bej Toptani, Mehmet pashë Deralla, Petro Poga, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Pandeli Cale, Les Nosi dhe figurat e dy klerikëve Dom Nikoll Kaçori dhe Vehbi Agolli.
Me propozim të Ismail Qemalit, në Kuvend u zgjodhën dhe organet më të larta të përfaqësimit të qeverisë shqiptare. Në mbledhjen e dytë, që u hap më 30 nëntor 1912, me propozim të Luigj Gurakuqit, Vehbi Agolli u propozua të zgjidhej kryetari i Pleqësisë shqiptare (senatit). Më 4 dhjetor 1912, Kuvendi i Vlorës zgjodhi jo vetëm Qeverinë e Përkohshme, por dhe Pleqësinë prej 18 anëtarësh. Kryetar i pleqësisë u zgjodh Vehbi Dibra.[15] Në Kuvendin e Vlorës, Vehbi Agolli bëri dhe betimin e flamurit dhe dha Fet’fanë për shpalljen e pavarësisë. Kjo qe zgjedhja e dytë e një atdhetari klerikal në postet më të larta të qeverisjes pas zgjedhjes së Dom Nikoll Kaçorrit si nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ndërkohë që Ismail Qemali merrej me zgjidhjet diplomatike të shtetit shqiptar jashtë atdheut, aktivitetin brenda tij e ushtronte Vehbi Dibra, mjaft i sukseshëm në shtrirjen e autoritetit të shtetit të parë shqiptar në të gjitha trevat shqiptare.
Dr. Mois KAMBERI
———————————————————————————————-
[1] ASHSH, “Histori e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Toena, Tiranë 2002, f. 27.
[2] ASHSH, “Histori e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Toena, Tiranë 2002, f. 392.
[3] Prof. dr. Qazim Xhelili, Monografi, “Vehbi Dibra”, Tiranë: Albin 1998, f. 27.
[4] Gazmend Shpuza, “Kongresi kombëtar i Dibrës 1909”, Dibër 2005, f. 32.
[5] Manastirli Kenan, “ Kongresi i Dibrës “, Stamboll 1912, f. 7.
[6]Kamberi Mois, “Dibra në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Maluka, Tiranë 2012, f. 176.
[7] M. H. D. Fondi Dosje Patriotësh, Vehbi Dibra, dosja, nr. 598.
[8] A.Q.SH. – Fondi 71, D 1, Përkthim nga turqishtja.
[9] Zani i Naltë, viti 1937.
[10] A.Q.SH.- Fondi – 245, D. 2, f. 6, viti 1912.
[11] A.Q.SH. – Fondi 32, D. 26, f. 133.
[12] Valentina Duka – “Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë: Shblu, 2007, f. 19.
[13] Histori e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Tiranë: Toena 2002, f .511.
[14] Xhafa Bajram, “Historia e Shqipërisë, periudha e pavarësisë”, Shkodër 2006, f. 16.
[15] Valentina Duka, “Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë: Shblu, 2007, f . 24.
Dritaislameal
/KBI-Bujanoc.com/
3547 Shikime