Falja e namazit të natës me xhemat

07.07.2015

Falja e namazit të natës me xhemat


Falja e namazit të natës me xhemat

Pyetja: Esselamu alejkum! Profesor i nderuar, kam vërejtur se kohëve të fundit është shfaqur një dukuri, ku disa vëllezër mblidhen pas mesnate dhe falin namaz nate me xhematë, respektivisht me imam. Ajo që më intereson mua është të di se a ka bazë kjo praktikë në burimet e fesë sonë dhe a është praktikuar kjo në kohën e sahabëve? Gjithashtu, dëshiroj të mësoj qëndrimin e medh’hebit hanefi në lidhje me faljen e namazeve nafile me xhemat?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar, në pyetjen tuaj ju keni parashtruar çështjen e namazit të natës, namaz ky i cili në terminologjinë e shkencës së fikut njihet me emrin “Salatu et-tehexhudi”. Nocioni Tehexhud, rrjedh nga fjala “El-Huxhudu” që për kuptimin e kësaj fjale Ebu Ubejde dhe Ibnul Arabi thonë se kjo shprehje ka dy kuptime të kundërta që janë: Zgjim nga gjumi, dhe fjetje. Kurse nocioni Tehexhud në aspektin terminologjik të Sheriatit islam nënkupton: “Zgjim nga gjumi për të falur namaz pas namazit të jacisë, (veçanërisht pas mesnate), do me thënë namaz të natës.”

Ky lloj i namazit është sunet e veçanërisht netëve të bekuara apo me theks të veçantë gjatë dhjetë netëve të fundit të muajit ramazan. Pejgamberi s.a.v.s. për këtë lloj të namazit ka thënë: “Namazi më i vlefshëm pas farzit është namazi i natës” (Muslimi)

Sa i përket këtij namazi, ky namaz duhet të falet në shtëpi sepse për këtë lloj të namazit, pra namazit të natës nuk ka transmetim se Pejgamberi s.a.v.s. të ketë tubuar ose të ketë ftuar njerëz për të falë namazin e Tehexhudit (namazin natës) me xhematë. Një veprim të tillë nuk e kanë praktikuar as sahabët (shokët e Pejgamberit s.a.v.s.). Në bazë të kësaj dhe shumë argumenteve të tjera, dijetarët e medh’hebit hanefi kanë formuluar qëndrimin se falja e këtij lloji të namazit me xhematë nëpër xhami apo shtëpi është veprim i urryer (mekruh), sepse është në kundërshtim me praktikën e Pejgamberit a.s., sahabëve dhe me parimet e përgjithshme të Islamit.[1]

Pra, ky është qëndrimi i Islamit rreth kësaj çështjeje, respektivisht rreth faljes së namazit të nafile me xhematë, edhe pse aty këtu mund të hasësh në ndonjë mendim se lejohet, por me kusht që kjo të jetë krejtësisht spontane dhe e pa organizuar, në të kundërtën dijetarët janë unik se namazi i natës është i urryer të falet me xhematë.

Për në fund vetëm t’ju përkujtoj se këta njerëz që e bëjnë këtë veprim, ndoshta qëllimi i tyre është i pastër, por veprimi i tyre është në kundërshtim me sunetin dhe praktikën e Pejgamberit a.s., e nëse edhe kësaj praktike nuk i binden, atëherë sigurisht se pas kësaj fshehin qëllime të tjera. Këtu ka edhe një element që po e përmendi në mënyrë kalimthi, se në këto xhemate, për të falë namaz të natës, shkojnë edhe femrat, që dijetarët thonë se shkuarja e femrave në xhami në kohët e rregullta është veprim i papëlqyer (mekruh), atëherë shkuarja e tyre në këtë kohë, pas mes nate është veprim i ndaluar.  Allahu e di më së miri 

 Jusuf Zymeri

/KBI-Bujanoc.com/

 

3861 Shikime