Xhamia e Plumbit, simbol i lirisë së besimit në Shqipëri

21.10.2014

Xhamia e Plumbit, simbol i lirisë së besimit në Shqipëri


Xhamia e Plumbit, simbol i lirisë së besimit në Shqipëri

Xhamia e Plumbit, e cila i rezistoi shkatërrimit të objekteve të kultit gjatë regjimit komunist, bën pjesë në mozaikun e kulturave dhe vlerave historike të Shkodrës.

Qyteti i Shkodrës njihet si një nga qytetet veriore në Shqipëri me trashëgiminë më të pasur kulturore dhe historike. Pjesë e kësaj trashëgime janë edhe objektet e kultit e veçanërisht xhamitë karakteristike që njihen në këtë qytet, ku ndërthuren disa kultura. Në këtë mozaik kulturash dhe vlerash historike bën pjesë edhe Xhamia e Plumbit, e njohur jo vetëm në qytetin verior shqiptar, por pothuajse në të gjithë Shqipërinë, për shkak të historisë së saj.

Anadolu Agency ka realizuar një reportazh për Xhaminë e Plumbit, e cila i rezistoi shkatërrimit të objekteve të kultit gjatë regjimit komunist. Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë, çka nënkupton se me këtë status ky objekt ruhet nga shteti. Ajo njihet ndryshe edhe si xhamia Mehmet Pashë Bushatit, pasi u ndërtua nga ky i fundit në vitet 1773-1974, i cili në histori njihet si themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.

Por simbolika e kësaj xhamie në Shkodër është e shumëfishtë, pasi ajo shërbeu në fillimet tranzicionit shqiptar si një ndër xhamitë e para ku besimtarët myslimanë filluan ritet fetare të ndaluara për disa dekada nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh dhe përgatitjesh më 16 nëntor 1990, që përkonte edhe me ditën e xhuma, u krye falja nga besimtarët myslimanë dhe sipas dëshmive të banorëve të zonës këtë falje e drejtoi Hafiz Sabri Koçi. Ky i fundit do të shërbente më pas si një ndër drejtuesit kryesor të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për disa vite gjatë periudhës së tranzicionit.

Edhe pse gjatë regjimit komunist ajo pësoi dëmtime të shumta, në fillimit të viteve 90-të ajo u shndërrua në xhaminë që çdo besimtar mysliman dëshironte ta vizitonte. E normalisht xhamia e cila ka marrë emrin si Xhamia e Plumbit nga fakti që ka qenë e veshur prej metalit plumb ka ngjallur për vite me radhe kureshtjen e turistëve të huaj dhe vendas për ta vizituar atë.

Xhamia e Plumbit është e vendosur në pjesën e jashtme të ish- pazarit të Shkodrës, ku ka pranë edhe kalanë e Rozafës por edhe rrjedhat e lumenjve Kir e Drin. Specialistët pohojnë se për nga forma, ndërtimit është mbështetur në arkitekturën e xhamive të sulltanëve të Stambollit dhe është e vetmja në Shqipëri që ka disa specifika si oborrin me kolona të gjera para hyrjes në sallën e faljes.

AA ka kontaktuar me njërin ndër nismëtaret për rihapjen e kësaj xhamie. Ai quhet Abdulla Miftia dhe për gazetarin e agjencise ai tregon përpjekjet e tij dhe të bashkëkohësve të tij për rihapjen e xhamisë.

“Më 16 nëntor 1990 këtu u mblodhën besimtarë jo vetëm nga Shkodra, por nga e gjithë Shqipëria, nga qytetet dhe fshatrat e vendit. Ne bëmë përgatitje disa ditë më parë që të bëhej gati për besimtarët, edhe pse kishim pengesa nga sistemi komunist. Në këtë lagje ka pasur rreth 15 xhami, por sot shumica nuk ekzistojnë pasi janë dëmtuar. Sistemi i asaj kohe na kërcënonte me burg, edhe popullsinë, besimtarët, por edhe neve që ishim si nismëtare të rihapjes së xhamisë për ti shërbyer besimtarëve. Edhe pse policia na pengonte dhe kishte rrethuar xhaminë ne nuk u ndalëm në misionin që i kishim vënë vetes. Kuptohet që nuk e kemi pasur të lehtë, kanë qenë momente të vështira”- tregon Abdulla Miftia duke rrëfyer përpjekjet e tij të 24 viteve më parë.

Ai pohon se në ceremoninë e rihapjes së xhamisë ka pasur rreth 50 mijë besimtarë nga e gjitha Shqipëria dhe thekson se shumë persona kanë dhënë kontributin e tyre për rihapjen e Xhamisë së Plumbit. “Vështirësia më e madhe ishte nga pengesat e regjimit të kohës, sidomos nga forcat e policisë që rrethonin xhaminë për të mos lejuar besimtarët që të kryenin ritet. Kujtoj momentin që Hafiz Sabri Koçin ne e morëm me makinën e qumështit për ta sjellë në xhami, në mënyrë të fshehtë, që mos të na pengonin forcat e policisë”- tregon Miftia.

Abdulla Miftia tregon se ka patur një traditë në shtëpinë e tij për sa i përket kontributit në besimin fetar dhe në ruajtjen e objekteve të kultit të myslimanëve. “Ne si shtëpi, duke përfshirë gjyshin, xhaxhin, etj, kemi kontribuar të gjithë dhe vazhdojmë të kontribuojmë”.

Kjo xhami është dëmtuar shumë edhe nga fenomenet natyrore, si rrufeja që ka dëmtuar minaren e saj, apo edhe vërshimi i ujërave të lumenjve të zonës. Në rrëfimin e tij, Abdulla Miftia pohon se duket sikur ka veprime të qëllimshme për mos mirëmbajtjen e saj, pasi nuk është treguar kujdes për largimin e ujërave apo restaurimin. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka përfshirë në planet e saj për rikonstruksionin e 6 xhamive në Shqipëri , edhe Xhaminë e Plumbit në Shkodër./KBI-Bujanoc.com/

3711 Shikime