29.04.2014
Perfundim
Shqiptimi i Fjales “AMIN” Ne Namaz
Nga krejt ajo që u theksua në këtë temë, mund të nxirret ky përfundim: Theksimi i amin-it në vetvete pas Fatihas është bazë – asl dhe këtë nuk duhet lënë, pasi që nuk ka argument të fortë i cili dëshmon se duhet vepruar ndryshe. Ajo që është parë te Pejgamberi a.s. se njëherë ka theksuar amin-in me zë, ne e shpjegojmë se ai këtë e ka bërë për t’i mësuar të tjerët – e jo se duhet të theksohet me zë në të gjitha namazet. Përparësi i jipet asaj që është bazë – (asl) dhe çka është burimore dhe e pamë nga transmetimet se shumica e as’habëve dhe tabiinëve amin-in e kanë theksuar në vetvete- pa zë.
Dhe ne Fund
Pra, ajo që veprojnë boshnjakët- muslimanët në xhamitë e tyre, që e falin namazin me dinjitet, me përulje, qetë dhe me diciplinë dhe që nuk e theksojnë amin-in me zë, nuk është risi-trillim i tyre, e as nuk është trillim i imamit tonë të ndershëm Ebu Hanife r.a.
Kjo që disa zotërinjë i çudit, kur kanë ardhur në Vendet tona dhe i kanë parë –muslimanët duke mos e theksuar amin-in me zë, e thonë: “Sikur në mesin tonë të paraqitej Pejgamberi a.s. apo ndonjëri prej as’habëve të tij r.a. prej fesë nuk do të na njihshin asgjë përpos Kibles” Imad El-Misri, hyrje, “Botëkuptimet të cilat duhet t’i përmirësojmë”. Andaj me qëllim të kthimit të boshnjakëve në “rrugë të drejtë” e ka shkruar veprën “kapitale”“BOTËKUPTIMET TË CILAT DUHET T’I PËRMIRËSOJMË”, të cilës zotëriu i theksuar dhe shoqëria e cila qëndron pas tij, sigurisht pa vetëdije ia kanë dhënë titullin e vërtetë, sepse fjala është për botëkuptimet të cilat duhet përmirësuar, që nënkuptohet nga vetë titulli. Pra, në libër është fjala për botëkuptimet të cilat duhet t’i përmirësojnë ata që qëndrojnë pas këtij libri, mu ashtu, goditje në cak me zgjedhjen e titullit të kësaj broshure. Unë do të isha pak më modest e do të thosha, le t’i përgjigjen titullit të asaj broshure ata që e kanë shkruar dhe t’i ndryshojnë botëkuptimet të cilat duhet ndryshuar veçmas rreth kaptinës së ibadatit, apo edhe më konkretisht dispozitat të cilat i kanë përmendur rreth namazit. Zotëri Misri çuditet që muslimanët ne trojet tona theksojnë amin-in në vetvete, shpresoj se nëse ka mundësi ta lexojë këtë punim më nuk do të çuditet. Sepse ia kemi dëshmuar se kjo në realitet ka qenë praktika e Pejgamberit a.s. Ai dhe njerëzit e tij çuditen edhe për dukuri të tjera tek ne: “Çuditen që te ne gratë falen ndryshe nga burrat dhe fton që të falen njësoj gratë dhe burrat, çuditen që boshnjakët-muslimanët i ngrejnë duart vetëm në tekbirin fillestar, e jo katër herë në çka ai i fton, çuditen që ndiqet Ebu Hanifja si muxhtehid, ndërsa edhe ai vetë ka thënë “nëse gjendet hadith sahih” ai është medhhebi i tij, dhe ja Imad Misri ka gjetur hadithe sahih, të cilat Ebu Hanifja nuk i ka ditur, andaj i kthen Boshnjakët-muslimanët që t’i ndjekin. Por, vëllai im i dashur, për diçka të tillë nevojitet pak më tepër, më kapitale se sa libreza ”“BOTËKUPTIMET TË CILAT DUHET T’I PËRMIRËSOJMË”. Mirëpo, i ri je siç po shihet, andaj e ke rastin. Mirëpo vëlla, atë që ke shkruar për as’habin ibn Mes’ud nuk i ka hije atij që pretendon të bëhet muxhtehid. Për as’habët duhet të flitet me respekt. Kurse Abdullah ibn Mes’udi zë vend të madh, së pari te Pejgamberi a.s. e pastaj te të gjithë muslimanët. Ai është njëri prej të rrallëve që gjithmonë kanë qenë me Pejgamberin a.s. Madje edhe ka fjetur në shtëpi të Pejgamberit. Halifi Omer r.a. e ka dërguar në Kufe, e cila më vonë falë atij u bë qendër e njohur shkencore. Vetë Ali ibn Ebi Talibi këtë vend e ka quajtur medinetul-ulemai (qytet shkencëtarësh). Dëshira e Allahut ka qenë që në këtë “qytet shkencëtarësh” ka lindur edhe Ebu Hanifja r.a., ndërsa ju në një artikull tuajin e keni prezentuar, se Abdullah ibn Mes’udi thuaja se ka harruar çdo gjë që ka ditur. Ashtu që është dashur t’i mësohet prej fillimit sa rekate ka namazi i sabahut, pastaj kishte harruar se Pejgamberi a.s. gjatë faljes kishte lëvizur krahët e duart, ashtu siç bëni ju sot, por sigurisht nuk ka patur dikend si Misriu, që ja përseri të gjitha të ia mësojë prej fillimit. Është e vërtetë se Ebu Hanifja krejt fikhun e ka marrë përmes mësuesve të tij nga Abdullah ibn Mes’udi, i cili në gjeneratën e as’habëve ishte më i dituri në çështjet e dispozitave të fikhut. Ne, pjesëtarët e medhhebit hanefij mburremi me këtë. T’i hyhet punës me të cilën janë marrë muxhtehidët, nuk është gjë e lehtë siç e paraqitni ju. Nuk është kjo sikur kur ka ardhur një beduin te Pejgamberi a.s. për ta pyetur për atë që i nevojitet për ta shpie në xhennet, dhe Pejgamberi a.s. shkurtimisht i tregon veprimet të cilat do ta shpiejnë në xhennet. Ndonëse ky rast është i vërtetë, megjithatë nuk ka ndodhur që ai beduin më vonë t’i vizitojë të tjerët duke luajtur rolin e muxhtehidit, duke folur se si Islami është i thjeshtë dhe çdokush mund ta mësojë dhe përvetësojë për disa orë, siç e paraqitni ju sot. Të paktën, të flitet për fikhun dhe për dispozitat e fikhut, duke mos njohur shkencën e cila quhet –usuli fikh – është qesharake. Nuk është e mjaftueshme të merret një përmbledhje e haditheve të lexohet një hadith dhe të thuhet: “Kjo është rruga e drejtë, dhe nuk bën ndryshe.” Shkencëtarët e hadithit janë sikurse farmaceutët që ruajnë barëra të ndryshme por pa mjekë nuk dinë cili bar është për cilën sëmundje. E këta janë shkencëtarët e fikhut. Andaj ai që në fikh i referohet Ibn Haxher Askalaniut apo Buhariut, është si ai që në çështjet e kimisë i referohet historianit ose në pyetjet e filozofisë i referohet ekspertit të matematikës. Cilido që vepron kështu në botën e njerëzve normalë, të krijesave të kuptueshme të Allahut, duket si dikush që i ka ngatërruar të gjitha. Andaj, ty vëlla, Imad El-Misri, të rekomandoj nëse mendon ta vazhdosh punën në rrugë për t’u bërë muxhtehid, atëherë përveç veprave të hadithit të cilat i ke, blije edhe ndonjë vepër të fikhut. Shpresoj se edhe kur ta lexosh këtë punim do të zbulosh diç nga kjo shkencë fisnike, shkenca e fikhut, për të cilën Pejgamberi a.s. ka thënë:
مَنْ يُرِدِ اللهُ بِهِ خَيْراً يُفَقِّهْهُ فِي الدِّينِ .
“ Kujt Allahu xh.sh. i dëshiron mirë, do ta udhëzojë në kuptimin e dispozitave fetare”.
(Buhariu, Muslimi)
Rruga e ardhjes deri te një dispozitë (hukm) është shumë më e vështirë dhe kërkon angazhime, punë dhe hulumtime, shumë më tepër se sa që mendoni ju të cilët quheni selefij, të cilët me apo pa vetëdije e propagandoni risinë më të rrezikshme e cila e rrënon dhe e prish sheriatin islam.
وَ صَلَّىاللهُ عَلَى سَيِّدِناَ وَ نَبِيِّنا مُحَمَّدٍ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ وَ سَلَّم .
/KBI-Bujanoc.com/
1924 Shikime