24.05.2014
Profeti a.s ne Medine

Tarik Suvejdan
Umu Mabed
Gjatë rrugës për në Medinë, Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri (r.a) kalojnë pranë çadrës së një familjeje beduine. Në çadër ndodhej gruaja e shtëpisë, Umu Mabed, ndërsa i shoqi i saj Ebu Mabed ishte larg. Ata ishin një familje beduine arabe. Me t’iu afruar çadrës, Ebu Bekri (r.a) e pyeti: ”Mos keni diçka për të ngrënë ose qumësht për të pirë? Neve na kanë mbaruar ushqimet dhe jemi të etur e të uritur”.
Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri (r.a) kishin ecur nëpër rrugë të shkreta, duke mos pasur mundësi për tu furnizuar gjatë rrugës.
Umu Mabed u përgjigj: ”Nëse do të kisha diçka, nuk do prisja të ma kërkonit”. Dmth, ne jemi familje bujare dhe po të kisha diçka për të ngrënë, do u kisha ftuar, para se ta kërkonit atë.
Profeti (a.s) i tha: ”Nëse ke ndonjë dele që nuk ka qumësht, dua të më lejosh ta mjel”.
Gruaja u habit nga kjo kërkesë, megjithatë i tha: ”E çfarë do i mjelësh të gjorës!” Mandej i bëri me shenjë nga delja, që gjendej në vathë. Profeti (a.s) vajti dhe e moli delen, derisa e mbushi enën. Pastaj ai piu, derisa u ngop dhe ia zgjati enën Ebu Bekrit (r.a), i cili piu derisa u ngop. Ebu Bekri (r.a) ia zgjati enën Umu Mabed, e cila edhe ajo piu derisa u ngop, duke lënë pak qumësht në enë. Umu Mabed u habit dhe nuk e besonte atë që kishte ndodhur. Kur u kthye i shoqi, Ebu Mabed dhe pa enën me qumësht, pyeti i habitur: ”Ku e ke marrë këtë qumësht?!”
Gruaja iu përgjigj: ”Për Zotin sot ka ndodhur diçka e çuditshme. Një njeri i mirë kaloi këtej, moli delen që nuk ka qumësht dhe pasi piu vetë, na e zgjati dhe ne të tjerëve”.
Këtë ngjarje, Umu Mabed ua ka rrëfyer të gjithë njerëzve, derisa është përhapur dhe e kanë regjistruar të gjithë historianët. Ajo ishte një grua e zgjuar dhe shumë oratore. Askush tjetër nuk e ka përshkruar të dërguarin e Zotit, ashtu siç e ka përshkruar ajo, edhe pse ajo u takua vetëm një herë në jetën e saj me Profetin (a.s). Sakaq shokët e tij, edhe pse jetuan me dhjetëra vite bashkë me të, nuk kanë mundur ta përshkruajnë atë, ashtu si Umu Mabed. Gjatë gjithë kohërave, përshkrimi që Umu Mabed i ka bërë pamjes së Profetit (a.s), është marrë si referenca më e rëndësishme.
Gjatë kohës që Profeti (a.s) ishte nisur për në Medine, myslimanët e Medines po e prisnin me ankth të madh ardhjen e tij. Fakti që ai kishte qëndruar tre ditë i fshehur, e vonoi mbërritjen e tij dhe nuk dihej saktësisht kur do të mbërrinte. Për më tepër, rruga që kishte ndjekur ai dhe miku i tij, përbëhej nga zigzage të shumta. Çdo ditë, medinasit prisnin me padurim mbërritjen e të dërguarit të Allahut në qytetin e tyre. Vetë Musab ibnu Umejri, i grumbullonte në të dalë të qytetit, atje ku pritej të shfaqej i dërguari i Zotit dhe u fliste mbi moralet dhe vlerat e tij. Ngaqë myslimanët dilnin çdo ditë në pritje të Profetit (a.s), edhe jomyslimanëve iu bë traditë, që të dalin në të njëjtin vend, herë për të biseduar me njerëzit e tyre myslimanë, herë të shtyrë nga kureshtja, për të parë Profetin e Islamit duke ardhur. Bashkë me të tjerët, dilnin dhe çifutët për të parë mbërritjen e Profetit të fundit. Ardhja e tij përbënte një lajm shumë të rëndësishëm për Medinen dhe banorët e saj. Menjëherë pas namazit të sabahut, të gjithë dilnin tek rruga, që vinte nga Meka dhe largoheshin vetëm në drekë, kur dielli bëhej përvëlues dhe i padurueshëm.
Ditën e hënë, me 12 Rebiul Evel, viti i parë i hixhretit, banorët e Medines kishin pritur gjer në drekë dhe ishin kthyer, pasi i dërguari i Allahut nuk kishte mbërritur. Të gjithë ishin larguar, përveç një djaloshi çifut, i cili ishte ngjitur në majë të një palme dhe vëzhgonte rrugën në pritje të Profetit (a.s). Në një çast, ai dallon dy persona duke ardhur në atë pikë vape. Menjëherë, ai thirri fort: ”O bijtë e Kiles! (një nga gjyshet e fiseve Eus dhe Hazrexh, me të cilën hebrenjtë thërrisnin këto dy fise si formë ironie). Po vjen fati juaj!”
Menjëherë lajmi i mbërritjes së Profetit (a.s) mori dhenë dhe të gjithë dolën jashtë qytetit duke kënduar:
Lindi hëna katërmbëdhjetëshe
Si ndriçon qyteti jonë
Duhet të jemi mirënjohës
Për feprurësin e Zotit tonë
O i dërguar tek neve
Për të vërtetën je përçues
Ti Medinen e ndriçove
Mirë se vjen o më i miri ftues
Profeti Muhamed (a.s) bashkë me Ebu Bekrin (r.a) iu afruan turmës së njerëzve, e cila i priste me padurim. Meqë myslimanët medinas nuk e njihnin Profetin (a.s), iu turrën Ebu Bekrit, pasi menduan se ai ishte Profeti (a.s). Menjëherë, Ebu Bekri filloi t`i bëjë hije Profetit (a.s), që ta kuptonin se kush ishte. Atëherë myslimanët e rrethuan Profetin (a.s) dhe secili kërkonte që të bisedojë dhe veçohet me të. Profeti (a.s) qëndroi fillimisht në hyrje të Medines, në Kuba, ku dhe urdhëroi ndërtimin e xhamisë. Padyshim që ky akt tregon rëndësinë e xhamisë në islam. Asokohe xhamia nuk shërbente vetëm për tu falur, por për gjithçka. Ajo ishte qendra, ku takoheshin dhe mblidheshin myslimanët. Aty merreshin me organizimin e luftës, konsultoheshin, organizonin mbledhje, strehonin të pastrehët e përkohshëm etj... Kështu, xhamia Kuba është xhamia e parë e ndërtuar në Islam. Këtë e përmend edhe Zoti në Kuran: ”Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen. Allahu i do ata që pastrohen shpesh”.(Teube, 108)
Xhamia u ndërtua me qerpiç dhe u mbulua me degë palmash. Të gjithë myslimanët morën pjesë në ndërtimin e saj, ndërtim i cili zgjati veç disa ditë., Profeti (a.s) qëndroi në Kuba të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten. Njerëzit vinin e takonin, bisedonin dhe e pyesnin për çështje të ndryshme.
Ditën e xhuma, Profeti (a.s) u nis për në Medine dhe namazi i xhumasë e zuri në rrugë. Numri i myslimanëve të pranishëm, që falën xhumanë, ishte dyzet burra.
Koha e namazit të xhumasë e zuri Profetin a.s në tokat e Benu Sam ibnu Auf. Ai urdhëroi që të thirrej ezani dhe pastaj mbajti hytben e parë në Medine.
Mandej, ai vazhdoi rrugën për në qytetin e Medines. Me të mbërritur atje, të gjithë njerëzit e rrethuan dhe secili kapte kapistallin e devesë, duke dashur që ta marrë Profetin (a.s) në shtëpinë e tij. Të gjithë i thoshin: ”O i dërguar i Allahut! Eja në shtëpinë tonë. Ne kemi ushqim të bollshëm, ambiente të përshtatshme dhe do të mbrojmë nga çdo gjë e keqe”. Sakaq, Profeti (a.s) ua kthente: ”Lëreni devenë, pasi ajo është e urdhëruar...” Në çdo lagje të Medines që kalonte, përsëritej i njëjti avaz. Ai kaloi nga lagjia në lagje, duke e lënë devenë të lirë, derisa mbërritën tek lagja e Benu Nexhar, ku deveja qëndroi tek trualli i dy jetimëve. Profeti (a.s) pyeti: ”E kujt është kjo tokë këtu?” Myslimanët i thanë:”Është e dy jetimëve”. Profeti (a.s) pyeti: ”Kush kujdeset për ta?” Pasi erdhi kujdestari i dy jetimëve, Profeti (a.s) i tha se donte ta blinte atë tokë. Burri i tha: ”Ta kemi dhuruar o i dërguar i Allahut”. Profeti (a.s) i tha: ”Jo. Këtë tokë do e blej prej dy jetimëve”. Pasi ranë dakord, Profeti (a.s) urdhëroi, që në atë tokë të ndërtohej xhamia, vendi më i shenjtë dhe më i bekuar pas Qabes. Ai vend ishte zgjedhur nga vetë Allahu i plotfuqishëm. Ishte vetë Zoti, që e kishte frymëzuar devenë, të qëndronte në atë vend, pa ndërhyrjen e askujt.
Pasi filloi ndërtimi i xhamisë, secili nga myslimanët shfaqi dëshirën që i dërguari i Zotit të qëndrojë në shtëpinë e tij, derisa t`i ndërtohej një shtëpi. Profeti (a.s) zgjodhi shtëpinë e Ebu Ejub El-Ensarij, pasi kishte shtëpi dykatëshe. Kur vajtën në shtëpinë e tij, Ebu Ejub i tha: ”O i dërguar i Allahut! Ti do të jetosh në katin e dytë, kurse ne do të qëndrojmë në katin e parë”.
Profeti (a.s) i tha: ”Mua më vijnë shumë njerëz dhe sa herë të ngjiten e të zbresin, do t`ju shqetësojnë dhe ju. Prandaj unë preferoj të qëndroj në katin e parë, kurse ju në të dytin”. Atëherë Ebu Ejub pranoi.
Ndërtimi i xhamisë
Që ditën e parë, filloi ndërtimi i xhamisë. Zoti na ka kërkuar që të ndërtojmë dhe gjallërojmë jetën mbi tokë. Gjatë ndërtimit të xhamisë, myslimanët e shoqëronin punën me këngë dhe vjersha të ndryshme.
Ndër të tjera, ata këndonin:
O Zot! Nuk ka jetë veç jetës tjetër
Prandaj fali mekasit dhe medinasit e vjetër
Edhe i dërguari i Zotit këndonte bashkë me ta dhe shpeshherë dëgjohej, teksa përsëriste: Fali medinasit e vjetër dhe mekasit
Është fakt, që ai vetë nuk dinte të thurte vjersha, edhe pse ishte shumë orator dhe i gojës. Zoti thotë në suren Jasin: ” Ne as nuk ia mësuam atij (Muhamedit) poezinë, e as që i takon ajo atij, ai (Kurani) nuk është tjetër, vetëm se këshillë dhe Kuran i qartë”. (Ja`sinë, 69) Sa herë që orvatej të thurte apo të citonte ndonjë varg, Profeti (a.s) gabonte.
Profeti (a.s) punonte bashkë me myslimanët e tjerë në ndërtimin e xhamisë dhe ky akt u jepte myslimanëve më shumë zemër. Ata i thoshin njëri-tjetrit sa herë që kishin nevojë për pushim: ”E si të ulemi, ndërkohë që vetë i dërguari i Zotit po punon?!” dhe e shtonin më shumë vrullin e punës. Profeti (a.s) mbante qerpiçët bashkë me të tjerët. Teksa të gjithë mbanin nga një qerpiç, Amar ibnu Jasir mbante dy. Kur e pa Profeti (a.s), u lut për të dhe tha diçka, që i çuditi të pranishmit: ”Amarin do e vrasë grupacioni agresiv”. Që ditët e para të mbërritjes në Medinë, Profeti a.s u foli mbi një ngjarje, e cila ndodhi 35 vjet më pas në Siffin, ku mbeti i vrarë Amar ibnu Jasir.
Në mbrëmje, Ebu Ejubi dhe gruaja e tij u bënë gati të flenë, por si do të flinin sipër Profetit (a.s). Me qëllim që të shmangin zhurmat e trarëve, ata vendosën të flenë në një qoshe të dhomës së katit të dytë. Por mesa duket, telashet nuk kishin të sosur, pasi natën njëri prej tyre derdhi një shtambë me ujë. Menjëherë uji u përhap mbi shtresën me baltë dhe rrezikonte të rrjedhë në dhomën, ku gjendej Profeti (a.s). Për ta shmangur diçka të tillë, ata morën të gjithë shtresat modeste që kishin dhe filluan të thajnë ujin. Kjo vazhdoi deri të nesërmen në agim, pra nuk fjetën fare. Të nesërmen, Ebu Ejubi i tha Profetit (a.s): ”O i dërguar i Allahut! Ne e kemi të pamundur të flemë të qetë në katin e dytë, ndërkohë që ti qëndron në katin e parë. Mbrëmë nuk kemi vënë gjumë në sy...” dhe i rrëfeu gjithçka kishte ndodhur një natë më parë. Atëherë Profetit (a.s) pranoi të flejë në katin e dytë të shtëpisë.
Të nesërmen Profeti (a.s) nisi drejt Mekës ish skllavin e tij Zejdin, i cili gjer asokohe njihej si djali i Muhamedit, për të shoqëruar vajzat e Profetit (a.s) për në Medine. Kështu, fëmijët e Profetit (a.s) erdhën në Medine bashkë me familjen e Ebu Bekrit (r.a).
Hebrenjtë e Medines
Kur lajmi i mbërritjes së Profetit kishte marrë dhenë në Medine, të gjithë donin dhe uronin të takoheshin me të. Ndër ata, që donin të takoheshin me Profetin a.s, ishte Abdullah ibnu Selam, një nga rabinët hebrenj banorë të Medines. Ai vetë tregon: ”Kur erdhi lajmi i mbërritjes së Muhamedit (a.s), unë gjendesha tek tezja ime. Me të dëgjuar që ai kishte mbërritur, unë thirra me të madhe:”Zoti është më i madhi!”
Ajo më dëgjoi dhe e habitur më tha:”Ç`është kjo?! Sikur të kishte ardhur dhe Musa ibnu Imran nuk do kishe vepruar ashtu!” Unë iu përgjigja: ”O teze! Ky dhe Musa ibnu Imran janë vëllezër, ai është profet dhe Musai ka qenë profet”. Ajo më tha: ”Mjerë ti o i shkretë! Si thua që ai është profet?!” Aëherë i thashë: ”Të gjithë shenjat e profetit të fundit që janë në Teurat, i përshtaten atij burri”. Tezja më tha: “Atëherë shko dhe sigurohu një herë!”
Abdullah ibnu Selam shkon dhe takohet me Profetin (a.s), i heton të gjithë shenjat dhe treguesit e profecisë, sheh vulën mes shpatullave dhe pasi bindet, pranon islamin, duke u regjistruar si çifuti i parë, që u konvertua në mysliman.
Pas ksaj, Abdullah ibnu Selam i thotë Profetit (a.s): ”Mos e përhap lajmin se unë jam bërë mysliman, pasi çifutët janë të pabesë, por ftoji krerët e fiseve çifute dhe pyeti rreth meje, por në prani të njerëzve të tjerë!” . Ashtu u bë. Pasi u kishte çuar fjalë njerëzve dhe krerët e fiseve hebreje kishin ardhur tek Profeti (a.s), ai filloi t’ua shpjegojë Islamin. Hebrenjtë e refuzuan menjëherë dhe nuk pranuan të diskutojmë më tej. Mandej, Profeti (a.s) i pyeti se ç`mendim kishin mbi Abdullah ibnu Selam, të cilin e kishte fshehur gjer atëherë. Krerët e hebrenjve u përgjigjën njëzëri: ”Ai është prej nesh dhe njeriu më i mirë ndër ne, është rabini ynë dhe më i dituri”.
Këto fjalë i thanë para të gjithë njerëzve të tjerë. Në atë çast, Abdullah ibnu Selam doli dhe tha: ”Kurse unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut”. Me këto fjalë, ai iu kundërvu të gjithë hebrenjve dhe njerëzve të tij. Menjëherë, krerët e hebrenjve ndryshuan qëndrim ndaj tij, duke thënë: ”Ai nuk është veçse një gënjeshtar, mashtrues dhe injorant”.
Për një kohë tepër të shkurtër ata e ndryshuan opinionin e tyre për Abdullah ibnu Selam, gjë e cila tregon për natyrën e tyre kontroverse dhe të pabesë.
Tregon Safije bintu Hujej ibnul Ahtab, një nga gratë e Profetit (a.s): ”Unë kam qenë fëmija më i dashur për babain nga të gjithë vëllezërit dhe motrat e tjerë. Sa herë që më shihte, ai më përqafonte dhe më puthte gjithë mall. Të njëjtat ndjenja kishte dhe xhaxhai, Jasir ibnu Hujej ibnul Ahtab. Sa herë që më shihnin, ata më përqafonin dhe më puthnin. Një ditë, erdhën dhe as që ma varën fare. Dukej qartë, që ishin tepër të shqetësuar dhe në hall të madh. Unë iu qasa pranë dhe dëgjova babanë duke pyetur xhaxhain: ”A është i njëjti që përshkruhet në Teurat?” Xhaxhai iu përgjigj: ”Po”. Babai e pyeti: ”Çfarë ke vendosur të bësh?” Xhaxhai iu përgjigj: ”Ta luftoj si armikun tim gjithë jetën”.
Edhe pse e dinin në cilën anë është e vërteta, u treguan egoistë dhe kokëfortë, duke treguar një tipar të çifutëve, që e kanë pasur gjatë gjithë kohërave.
Pasi situata dukej e qetë dhe e stabilizuar, Profeti (a.s) u çoi fjalë krerëve të fiseve arabe dhe hebreje në Medinë. Ai deklaroi para tyre disa norma dhe ligje, të cilat do të rregullonin jetën në qytet.
Një ligj dhe normë kishte të bëjë me vëllazërimin mes myslimanëve mekas dhe atyre medinas. Ky hap konsistonte në faktin, që çdo mysliman i Medines, të zgjedhë për vëlla një nga myslimanët e Mekës. Kështu, Sad ibnu Rebi, Zoti qoftë i kënaqur me të, zgjodhi si vëlla të tij Abdurrahman ibnu Auf, të cilin e mori në shtëpi dhe i tha: ”O vëllai im! Gjithçka që shikon në shtëpi, gjysma është e jotja, pasurinë do e ndajmë përgjysmë, rrobat përgjysmë dhe gjithçka tjetër përgjysmë”.
Myslimanët e Mekës demostruan fisnikëri me këtë rast dhe nuk abuzuan me bujarinë e medinasve. Abdurrahman ibnu Auf ia ktheu vëllait të tij në Islam me fjalët: ”Zoti të dhashtë bereqet në pasurinë dhe familjen tënde! Ajo që kërkoj prej teje është vetëm të më tregosh vendin e pazarit, asgjë më tepër”.
Në fakt, Abdurrahman ibnu Auf kishte ardhur duarbosh nga Meka, por ai ishte biznesmen i fuqishëm dhe e njihte mirë tregtinë. Profeti Muhamed (a.s) thotë për të: ”Nëse ai fillon të shesë dheun e tokës, patjetër që do të nxjerrë fitime”.
Kur Abdurrahman ibnu Auf ndërroi jetë, la pas një pasuri prej tetë milionë napolona floriri. Ai e kishte pasion tregtinë dhe e përdorte këtë pasion në shërbim të njerëzimit dhe fesë.
Një ligj tjetër i rëndësishëm, që dekretoi i dërguari i Zotit, ishte ai që kishte të bëjë me marrëveshjet. Kështu, nuk i lejohej askujt tjetër përveç Profetit (a.s), që të nënshkruajë marrëveshje me persona jashtë Medines. Askujt nga krerët e fiseve arabe dhe hebreje nuk u lejohej, të lidhin marrëveshje me persona jashtë Medines.
Një ligj tjetër, i cili do të rregullonte marrëdhëniet mes njerëzve, ishte se paditë dhe konfliktet do të ndaheshin sipas ligjeve islame.
Një ligj i konsideruar i rëndë për kurejshët e Mekës ishte, se ua ndalonte banorëve të Medines të strehojnë ndonjë nga fisi kurejsh i Mekës. Askush nuk kishte të drejtë ta marrë në mbrojtje dhe ta strehojë një person nga kurejshët. Ky ligj interpretohej si një luftë e hapur me kurejshët.
Kështu, Profeti (a.s) hodhi themelet e para të shtetit të ri islam në Medine. Në këtë kohë vdes një nga krerët e banorëve të Medines, në shtëpinë e të cilit ishte falur xhumaja e parë në Islam, Sad ibnu Zurare.
/KBI-Bujanoc.com/
2281 Shikime