Profeti Uzejr a.s

02.03.2014

Profeti Uzejr a.s


Profeti Uzejr a.s

Me kalimin e kohëve, Benu Israilët devijojnë sërish nga udha e Zotit. Asokohe, ata e kishin humbur Teuratin dhe kishin harruar shumë prej këshillave dhe udhëzimeve të tij. Duke dashur që t'ua kthejë sërish fenë dhe ta përtërijë ligjin e shenjtë, Zoti u dërgoi një profet tjetër, Uzejrin a.s. Zoti e urdhëroi Uzejrin a.s që të shkojë tek një fshat, ku do i ftonte banorët e tij në besimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm.

Me të mbërritur në destinacion, Uzejri a.s u befasua nga ajo që i panë sytë, pasi fshati ishte krejtësisht i shkatërruar dhe nuk pipëtinte frymë njeriu. Si ishte e mundur që Zoti ta dërgonte në një vend të rrënuar dhe pa frymë njeriu?! Megjithatë ai ishte i bindur që Zoti nuk e kishte dërguar kot në atë vend. Kështu, ai priste ndonjë mrekulli, si ringjallja e atij populli. Ndërkohë që priste, ai pyeste veten se si do e ringjallte Zoti këtë popull në këtë botë, gjë e cila zakonisht nuk ndodh?! Këtë dilemë të tij e ka regjistruar Zoti në Kuran ku thotë:“Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” (Bekare, 259)

Kjo nuk ishte pyetje refuzuese dhe kundërshtuese lidhur me fuqinë e Zotit për ta ringjallë atë popull, por pyetje që shprehte habi.

Duke pritur të ndodhë diçka, Uzejri shtrihet përtokë, i mbështet këmbët tek një mur dhe e zë gjumi. Sakaq vjen meleku i vdekjes dhe ia merr shpirtin, për t'ia kthyer sërish vetëm pas njëqind vitesh. Thotë Zoti në Kuran:"Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?”

Uzejri a.s kishte rënë në gjumë para dite dhe kur u zgjua – d.m.th u ringjall – ishte pasdite. Ndërkohë i vjen një melek me pamje njeriu dhe e pyet sa kohë kishte aty. Uzejri a.s, duke menduar se kishte fjetur gjumë, i përgjigjet se kishte fjetur një ditë, ose një gjysmë dite. Meleku i përgjigjet duke i treguar të vërtetën:"Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. - “Jo” - i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur!– ushqimi që kishte marrë Uzejri me vete nuk ishte prishur fare, ndërkohë që gomari kishte ngordhur dhe prej tij kishin mbetur vetëm eshtrat - Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” – para syve të Uzejrit, eshtrat e gomarit qëndruan në këmbë, filluan të formohen venat, damarët, u veshën me mish dhe në fund me lëkurë - Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (Bekare, 259)

Pas kësaj ndodhie, Uzejri iu drejtua fshatit ku ishte dërguar si profet, fshat i cili tashmë ishte lulëzuar dhe gumëzhinte nga jeta. Ai i pyeti njerëzit nëse e njihnin Uzejrin dhe ata iu përgjigjën:"Po e njohim, por ka humbur para njëqind vitesh."

Duke qeshur, Uzejri a.s u thotë:"Unë jam Uzejri." Por ata nuk e besuan. Menjëherë vajtën tek një plakë e cila ishte mbi njëqind vjeçe dhe i kërkuan t'ua përshkrojë Uzejrin. Thuhet se ajo ishte nëna e Uzejrit. Ajo ua përshkroi Uzejrin a.s, përshkrim i cili i përshtatej Uzejrit. Atëherë njerëzit e besuan se ishte Uzejri a.s. Ai filloi t'u mësojë Teuratin duke e përtërirë sërish ligjin e Musait a.s. Kështu njerëzit iu kthyen sërish fesë dhe besimit monoteist. Ata e respektuan shumë Uzejrin a.s, madje më vonë edhe e shenjtëruan, saqë besuan se ai ishte bir i Zotit. "Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut” (Teube, 30)

Hebrenjtë vazhduan ta shohin si shenjt Uzejrin a.s dhe e konsiderojnë si fara e shenjtë dhe biri i Zotit. Deri në ditët e sotme, hebrenjtë e shohin Uzejrin a.s (Dibanin) si bir të Zotit. /KBI-Bujanoc.com/

2504 Shikime