Përse nuk mund t’i shijoj namazet që i fali?!

04.09.2023

Përse nuk mund t’i shijoj namazet që i fali?!


Përse nuk mund t’i shijoj namazet që i fali?!

www.kbi-bujanoc.com

Kjo është një pyetje që më bëhet shpesh. Sigurisht se kjo pyetje nuk bëhet vetëm për diagnozën e shkaqeve, por në të njëjtën kohë herë-herë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lë të nënkuptohet për metodën e trajtimit. Dikush madje këtë pyetje e formulon edhe me fjalë të tjera: “Mendja dhe mendimet tona janë në gjëra të tjera. A nuk është e pakuptimtë t’i bëjmë ibadetet në këtë mënyrë?!
Fillimisht më duhet ta them këtë: Si i adresuari me këtë pyetje, askujt nuk i përgjigjëm si “një person që i shijojnë namazet që i fal”; nuk përpiqem të paraqitem si i tillë. Si mund të jetë kështu!? E njëjta gjë më ndodh edhe mua, në shumicën e kohës. Megjithatë, do të ndalem në ato që kanë thënë dijetaret për këtë temë, dhe për të cilat së paku mundohem t’i praktikoj, dhe që e ndiej një brejtje ndërgjegjeje kur nuk i zbatoj ato. Në këtë artikull do të mundohem ta bëj këtë.
Përfundimi që e nxora nga të gjitha leximet e bëra ishte ky: Arsyeja bazë se përse nuk e shijojmë namazin e bërë është se nuk e dorëzojmë veten komplet. Ju mund ta quani këtë “të qenët i përqendruar” . Pra, duhet të ndalemi në arsyet për këtë, dhe ta bëjmë pyetjen: “Pse nuk mund të përqendrohem në namaz?”. Prandaj, le të mundohemi t’i marrim me pika ato që janë thënë për këtë temë!

1. Në vendin që falemi gjenden elemente që na shqetësojnë me zërin dhe imazhin e tyre, dhe që na e tërheqin vëmendjen në gjera të tjera

Për ta përqendruar mendjen tonë në diçka, është e nevojshme ta ndalojmë rrjedhën e të dhënave nga organet tona shqisore. Për shembull, nëse mësuesi këndon në klasë, ose celulari i bie kur një student është në provim, a mundet që ky nxënës t’i përqendrohet provimit.
A nuk ju mbeten sytë në qëndisjet, dizajnet, zbukurimet shumëngjyrëshe në vendin që falet namazi (tepih apo sexhade) ose rroba?! Sigurisht se po. Kjo nuk është për t’u çuditur! Edhe të Dërguarit të Allahut, a.s., i mbeti shikimi (në këto zbukurime). Një herë, të Dërguarit të Allahut, a.s., iu dhurua një rrobë, që kishte mbi të qëndisje dhe zbukurime. Gjatë një kohe të namazit, pasi e fali namazin, e hoqi këtë rrobë, dhe tha: “Kjo rrobë më shpërqendroi gjatë namazit. Ma sillni rrobën e vjetër!”.(1)

2. Të falurit pa i plotësuar nevojat tona fizike, sikurse urinë, gjumin, tualetin

I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Nuk ka namaz kur ushqimi është gati dhe kur je duke e duruar nevojën e madhe ose të vogël.”(2)
I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kur dikush prej jush kotet gjatë namazit (nafile), le të bëjë gjumë gjersa t’i kalojë gjumi! Sepse, nëse dikush duke u falur kotet, ai nuk e di se nga kthehet dhe çka bën, prandaj në vend se të kërkojë falje (istigfar), ai e qorton vetveten (pa vetëdije).(3)
Shumicën e rasteve, për shkak se pritojmë të marrim përsëri abdes, qëndrojmë në namaz e duke u shtrënguar e duruar për ta mbajtur abdesin. Ose, edhe pse na dridhen duart dhe këmbët nga uria, ne qëndrojmë në namaz, duke menduar për ushqimin, me pretendim se do “të falemi sa më shpejtë që të mundemi, për ta ngrënë pastaj ushqimin rehat”. Kur nuk e ndjekim këshillën e të Dërguarit, a.s., nevojat tona fizike na pengojnë në përqendrimin në namaz. 

3. Nuk mendojmë rreth kuptimit të asaj që e lexojmë në namaz

Në ajetin që thotë se duhet të qëndrojë larg namazit ai që ka pirë alkool dhe është i dehur, Allahu, xh.sh., thotë: “O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se çfarë flisni...!” (Nisa, 43).
Kur nuk dimë se çfarë po themi, edhe pse nuk jemi të dehur, ndodh një situatë e ngjashme me situatën e përshkruar në këtë ajet. Disa mund të thonë: “Çfarë do të thuash, hoxhë, a duhet t’i lëmë të gjitha punët tona, dhe ta mësojmë gjuhën arabe për ta ditur kuptimin e asaj që e lexojmë në namaz?!”. Kjo nuk është ajo që dua të them! Nëse të gjithë do të donim, shumë lehtë do të kishim mundësi ta mësonim kuptimin e Subhanekes, Et Tahijatit, Salavateve, Duasë së Kunutit, sures Fatiha, apo edhe sureve të vogla që i lexojmë në namaz. Përderisa i lexojmë këto, mund të mendojmë për kuptimet e tyre, edhe nëse nuk përputhen ajet pas ajeti. Të kuptuarit e domethënies të asaj që e lexojmë mund të ketë një efekt që do ta ndryshojë tërë rrjedhën e namazit. Situata e shumicës 
prej nesh ngjan si dikush që shkon te një zyrtar i lartë qeveritar dhe bën një kërkesë, duke thënë diçka në një gjuhë që nuk e kupton askush përveç tij. Ne themi gjëra pa e ditur se çfarë po themi dhe se çfarë po kërkojmë. Abdullah bin Abasi ka thënë: “Dy rekate namaz me praninë e zemrës janë më të mirë sesa qëndrimi zgjuar dhe falja tërë natën në rastet kur zemra nuk është e pranishme.”(4)

4. Nuk e kuptojmë se çfarë nënkuptojnë veprimet që bëjmë në namaz

Ne nuk e kuptojmë plotësisht kuptimin e ngritjes së duarve gjatë bërjes së tekbirit, lidhjes së duarve, kryerjes së rukusë dhe të sexhdës... Megjithatë, ato janë me tërë kuptim dhe akte bindjeje. Me tekbirirn fillestar hedhim pas vetes çdo gjë tjetër, përveç Allahut të Lartë. Duke i lidhur duart ne qëndrojmë përpara Tij, e dhe lexojmë 
Fjalën e Tij. Ne tregojmë bindjen tonë ndaj Tij, duke u 
përkulur në ruku. Duke bërë sexhde, ne e arrijmë kufirin përfundimtar në afrimin dhe bindje ndaj Tij. Duke dhënë selam, në fund, e rivendosim lidhjen që kemi prerë me vëllezërit bashkëbesimtarë qysh me tekbirin fillestar, dhe i përshëndesim njerëzit me selam, që është një parullë islame.
5. Një nga arsyet më të mëdha pse nuk mund të përqendrohemi në namaz është se djalli vazhdimisht na pëshpërit, dhe ne nuk kemi informacione të mjaftueshëm se si të sillemi me të
Pejgamberi ynë, a.s., thotë: “Kur njeriu fillon të falet, i vjen shejtani, dhe për shumë gjëra që nuk i bien në mend herëve të tjera, ia sjell vesveset, duke i thënë: “Kujtoje këtë; kujtojë atë; mendo për këtë!”. Në fund njeriu harron se sa rekate namaz i fali.”(5)
Që të kemi mundësi t’u bëjmë ballë këtyre vesveseve, menjëherë duhet ta braktisim këtë mendim, dhe të kujtojmë se jemi në namaz, në momentin që na vjen diçka e re; duhet që mos të humbasim në mendime rreth asaj që na vjen, dhe duhet të rikthehemi në namaz. Gjatë namazit njeriu duhet ta mbajë zemrën si lumë, jo si liqe. Nëse një papastërti bie në lumë, uji do të rrjedhë dhe 
do ta marrë atë. Ndërsa, nëse bie në liqen, qëndron atje përgjithmonë. Edhe ne nuk duhet të ngecim me mendime të ndryshme, të cilat na vijnë në mendje “vetëm” kur falemi, por duhet t’i kthehemi namazit menjëherë.

6. Kur jemi në namaz, nuk mendojmë mjaftueshëm se përballë kujt po qëndrojmë 

Nëse gjatë namazit do të kemi mundësi ta kuptojmë plotësisht se jemi duke qëndruar në praninë e Allahut, xh.sh., Zotit të botëve, çdo gjë do të ishte shumë më ndryshe. Tani, mendoni pak nëse shefi i vendit tuaj të punës, ose guvernatori i qytetit ku jetoni, ju fton në praninë e tij! Sigurisht se ju ngatërrohet dora dhe këmba duke menduar: “Po dal para një personi me pozitë të lartë”. Kështu që, edhe e rregulloni veten! Ndërsa, kur falim namaz, edhe pse jemi përpara Allahut të Lartë, nuk dridhemi dhe nuk emocionohemi. I biri Hysenit, r.a., Aliu, kur kishte falur namaz, i ndërrohej fytyra ngjyra- ngjyra. Kur u pyet pse po i ndodhte ajo, ai u përgjigj: “A e dini se para kujt do të dalë pas pak?!”.

7. Nuk mendojmë sikur po e falim namazin e fundit 

Kur falim namaz, mendojmë se në të ardhmen do të kemi shanse të bëjmë shumë ibadete, dhe të falim shumë namaze. Mirëpo, namazi që po e falim mund të jetë i fundit. Tani, mendoni pak: Pas pak do të hyni në një operacion me rrezik të lartë për vdekje, dhe po e falni namazin tuaj të fundit! Ose, së shpejti armiqtë do t’ju ekzekutojnë, dhe jeni duke e kryer namazin tuaj të fundit! Atëherë, si do ta falni?! A do të ju vijë në mend diçka tjetër përveç namazit?! Shikoni se çfarë u tha i Dërguari i Allahut, a.s., sahabëve, r.a., kur ia kërkuan këshillë: “Kur të qëndroni në namaz, faleni si të jetë namazi juaj i fundit!”.(6)

8. Jo vetëm namazet, por që njeriu të ndiejë kënaqësi nga të gjitha ibadeten, duhet të jetë i ushqyer me kafshatë hallall

Nuk është e mundur që dikush që fitojë haram dhe të ushqehet me haram, dhe njëkohësisht të ndieje kënaqësi nga ibadetet.

9. Më e rëndësishmja nga të gjitha është dobësia jonë në besim

Nëse më të vërtetë besojmë në ahiret, edhe qëndrueshmëria në këtë besim do të ishte më tepër drejt edukimit për t’u përkushtuar më mirë në namaz. Zoti ynë, xh.sh., në lidhje me këtë thotë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz! Kjo vërtet është e madhe (vështirë ,(mirëpo jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin). Të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e tyre, dhe se ata do t’i kthehen Atij.”. (Bekare, 45-46).
Së fundi, le ta themi këtë: Armiku ynë i hapur, shejtani, nuk do të na lërë sa të jemi gjallë. Edhe nëse e falim këtë namaz me përqendrim dhe frikë të plotë, ai do të vijë te ne një ditë tjetër, dhe do ta shfrytëzojë rastin, duke thënë: “A thua, vallë, do të mundem ta shpërqendroj nga namazi?”. Sepse kjo është një luftë pa paqe. Në këtë luftë herë do të dalim fitimtarë, e herë të mundur. Vetëm nuk duhet asnjëherë t’i dorëzohemi këtij mashtrimit të shejtanit, duke thënë: “Meqë nuk po përqendrohem plotësisht në namaz, nuk do ta fali fare”; “Nuk është e drejtë ta fali namazin kur kam gjëra të tjera në mendjen time”. Kur e themi këtë, ne e humbim luftën. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të pasur frikërespekt në namaz. Po, le të supozojmë se dështuam! A nuk po mund t’i dorëzohemi namazit?! Megjithatë, ne nuk do ta braktisim. Do të jemi të vetëdijshëm për të metat tona, do të pendohemi, mirëpo nuk do ta braktisim namazin! Kush e di, ndoshta ky qëndrim yni do ta zemërojë edhe më shumë shejtanin!
Zoti ynë na bëftë prej njerëzve që kanë frikërespekt, dhe na bëftë prej atyre nga namazet e të cilëve është i kënaqur!


____________________________
1 Buhari “Ebvabu’salat fi’siyab,13; Muslim, “Mesaxhid” f. 62.
2 Muslim, Mesaxhid, f. 67.
3 Buhari “Vudu”, 52; Muslim, “Salatu’l-musafirin”,f. 222.
4 Gazali, ?hya, 1, 151 *në përkthmin shqip, f. 434.
5 Buhari “ Ezan”, 4; Muslim “ Salat”, f. 19.
6 Musned, transmetimi nr. 23498.

301 Shikime