Zhvillimi i arkitekturës islame shqiptare të xhamive

01.06.2022

Zhvillimi i arkitekturës islame shqiptare të xhamive


Zhvillimi i arkitekturës islame shqiptare të xhamive

www.kbi-bujanoc.com

Në prodhimtarinë artistike dhe arkitektonike mesjetare të trojeve shqiptare, një vend të rëndësishëm zënë vend veprat e artit dhe të arkitekturës së sferës islame.

Ato janë të lidhura me sundimin e Shqipërisë nga shteti osman, prandaj ato fillojnë të shfaqen qysh në fund të shekullit XIV. Si kudo edhe këtu, me përhapjen e Islamit ndër shqiptarë, lindi nevoja për ndërtimin e objekteve të kultit. Krahas xhamive, pati edhe objekte arkitektonikë siç qenë për shembull medresetë, hamamet, imaretet, etj. Ndër to, një vlerë të veçantë për historinë e arkitekturës shqiptare të periudhës së fundit mesjetare, zënë padyshim xhamitë.
Si kryeqendra të fesë islame, xhamitë u ngritën në të gjitha viset ku u përhap kjo fe, që nga ishujt indonezianë deri në Gadishullin Iberik. Pavarësisht nga vendi ku u ngritën, ato u ndërtuan në përshtatje me kanonet e kultit islam. Të gjitha xhamitë kanë komponentët e tyre funksionalë: mihrabin, minberin, mafilin, minaren, etj. Por nga ana arkitektonike, ato nuk janë kudo njësoj. Dallime të rëndësishme kanë gjithashtu nga përmbajtja e tyre artistike. Në kompozimin arkitektonik dhe artistik të xhamive ka ndikuar niveli kulturor dhe kërkesat artistike të popullsive lokale. Veç ndryshimeve në hapësirë, xhamitë kanë pësuar ndryshime edhe në kohë. Si rrjedhim xhamitë e ndërtuara në Perandorinë Osmane paraqesin ndryshime të rëndësishme nga faltoret e ndërtuara në atdheun e xhamisë, në Arabinë Saudite, jo vetëm në shekujt e parë të Islamit por edhe në kohën e sulltanëve turq. Edhe xhamitë e ndërtuara në viset e Perandorisë Osmane nuk qenë kudo njësoj. Zakonisht flitet për një arkitekturë osmane të xhamive, por edhe ky përcaktim nuk është absolut. Ka autorë që e përcaktojnë arkitekturën osmane si një arkitekturë turke. As ky përcaktim nuk është i drejtë, sepse tiparet dalluese të arkitekturës osmane të xhamisë nuk i përpunuan mjeshtërit e kombësisë turke, por talentet e kombësive të islamizuara të Perandorisë Osmane. Më tej akoma, edhe arkitektura osmane e xhamisë nuk është në vetvete uniforme, mbasi ajo u zhvillua në hapësirë dhe kohë. Në zhvillimin e saj, lanë vulën e tyre, komponentët kulturorë të popullsive lokale. Për këtë arsye, arti dhe arkitektura islame në Shqipëri, ndonëse në thelb mbetën islame, nuk qenë identike me artin dhe arkitekturën islame të viseve të tjera të Perandorisë Osmane. Nën ndikimin e faktorëve lokalë, arti dhe arkitektura islame në Shqipëri morën në fillim nënshtetësi dhe më vonë tipare shqiptare. Në lidhje me këtë çështje është e nevojshme të jepen disa konsiderata historike mbi përmbajtjen e arkitekturës osmane, të arkitekturës turke dhe të arkitekturës shqiptare islame.
Arkitektura turke ka lindur para se të formohej Perandoria Osmane, pra para se të lindte arkitektura e kombësisë turke. Ajo është e lidhur me formimin e kombësisë turke. Siç dihet kombësia turke islame u mbrujt në Azinë e Vogël. Shtresën e saj të parë e formuan turqit selxhukë, të cilët gjatë shek. X, pasi përqafuan Islamin hynë në Azinë e Vogël, në territoret lindore të Perandorisë Bizantine, ku, në shek. XI u vendosën përfundimisht në provincën e Konias. Më vonë në shek. XIII popullata të tjera turke të fisit të madh Oguz, të shtyrë nga mongolët hynë në Azinë e Vogël. Në atdheun e tyre të ri, popullatat e reja turke morën nga turqit selxhukë fenë Islame së bashku me artin dhe arkitekturën islame, që kishte filluar të lulëzonte në Sulltanatin e Konias. Gjatë çerekut të fundit të shek. XIII ndërsa sulltanati selxhuk erdhi duke u shthurur, në trojet e tij u ngrit fuqishëm Emirati Osman, i cili filloi të zgjerohej edhe në trojet që Bizantit i kishin mbetur në Veriperëndim të Azisë së Vogël. Pikërisht në këto troje, arti dhe arkitektura islame e përpunuar nga turqit selxhukë dhe e përvetësuar nga turqit osmanë, të cilët e zhvilluan më tej në përshtatje me nivelin e tyre kulturor dhe me shijet e tyre artistike, u formuan arti dhe arkitektura turke islame.
Përfshirja e tokave ballkanike në Perandorinë Osmane pati rezultate të thella për të dy palët në art. Ballkani u bë vendi i ndeshjes më të ashpër i dy kulturave kundërshtare të kohës dhe i dy sferave të mëdha kulturore, fesë së krishterë që lëvrohej nga popujt ballkanikë prej më se dhjetë shekujsh dhe asaj Islame, e cila vinte nga Lindja.
Fillimet e artit e të arkitekturës islame në qytetet shqiptare, parimisht duhen kërkuar pas fillimit të islamizimit të popullsisë shqiptare. Në përshtatje me këtë kriter, vijnë edhe burimet historike të cilat deri sot caktojnë si faltoren më të hershme islame në Shqipëri, xhaminë e Fatihut, ndërtuar mbi kullën e hyrjes së kalasë së Elbasanit në vitin 1466, po atë vit që u ndërtua edhe vetë kalaja, tezë kjo fort që duhet të rishikohet, mbasi ka shenja që tregojnë se faltoret e para islame janë ndërtuar përpara fillimit të procesit të islamizimit të popullsisë qytetare.
Gjurmimet tona na kanë çuar në përfundimin se faltorja më e hershme islame e diktuar deri sot i takon të jetë pikërisht në qytetin e Beratit, pranë akropolit të kalasë, e quajtur Xhamia e Kuqe. Për identifikimin dhe datimin e kësaj ndërtese na ndihmon në radhë të parë përshkrimi i Çelebiut gjatë vizitës së tij të dytë në Berat (1671). Sipas tij, në kalanë e Beratit, ai ka parë dy faltore islame, njëra pranë akropolit e quajtur xhamia e Bajazit Khanit dhe tjetra brenda në akropol e quajtur xhamia e Hunqarit, që i thonë ndryshe edhe Fotëhije. Në fakt, akoma deri sot, në kalanë e Beratit janë gjithsej rrënojat e dy xhamive të quajtura njëra “e Kuqe” me sa duket prej përdorimit më shumë në muret e saj të tullave me të njëjtën ngjyrë dhe tjetra e “Bardhë”, e ndërtuar krejt me gurë të gdhendur gëlqerorë. Për faltoren e Bajazit Khanit, Çelebiu na tregon se ajo është një ndërtesë e vjetër në stilin antik, e gjerë, e mbuluar me tjegulla dhe me minaren e ndërtuar prej argjiri. Ajo është një xhami, sipas tij, e vetmuar dhe e çuditshme. Këto karakteristika na çojnë menjëherë tek xhamia e Kuqe.
Ndërtimi i faltoreve islame, që duhet të ketë filluar në rajonet periferike të vendit tonë në fund të shek. XIV, u shtri në viset shqiptare pothuajse në të gjithë shek. XV. Megjithatë, në gjysmën e shek. XV numri i xhamive të ndërtuara erdhi duke u rritur me rënien e qyteteve apo vendbanimeve të fortifikuara. Shumica e tyre janë të lidhura me periudhën e Mehmetit II (1451-1481), siç është xhamia e Hunqarit në Delvinë, e ndërtuar në mes të shek. XV, xhamia e Gazi Ali Beut në Vuçiterrnë (mesi i shek.XV), e Fatihut në kalanë e Kaninës (1463-1465, ajo e Hunqarit (ose siç quhet sot xhamia e Bardhë) në kalanë e Beratit (në vitet 60 të shek. XV) (1466) e Fatihut në kalanë e Krujës (1478), e Fatihut në kalanë e Shkodrës (1479), ajo e Mehmetit II në kalanë e Ulqinit (1479), e Fatihut në kalanë e Tivarit, xhamia e Fatihut në kalanë e Durrësit (e ndërtuar në vitet 1479-1481), e Fatihut në Shtëpanjë të Elbasanit (1479-1480), e Fatihut në kalanë e Lezhës, e Mehmetit II në kalanë e Podgoricës (1479-1480), ajo në kështjellën e Jenikalasë në Dukagjin etj.
Si karakteristika të përgjithshme të këtyre faltoreve mund të nënvizohen se prania e tyre u shfaq fillimisht në qytetet dhe pikat e mbrojtura strategjike. Në qytete, xhamitë u ndërtuan sigurisht në pjesët më të mbrojtura të kalave, që ishin akropolet.
Nga pikëpamja tipologjike ato përfaqësonin modele të thjeshta, kryesisht të kompozuara nga një sallë me planimetri katërkëndëshe në përmasa modeste dhe një hajat përpara hyrjes. Minaret, të vendosura në krahun e djathtë të hyrjes së sallës, u ngritën gjithashtu në lartësi modeste në raport me vetë madhësinë e faltores. Ndërtesat e kultit islamik të kësaj periudhe, për vetë funksionin e tyre të kufizuar, u realizuan me shpejtësi dhe si të tilla, në të shumtën e rasteve, nuk pretenduan për vlera të veçanta artistike.
Ndryshe nga rasti i xhamisë së Kuqe dhe i asaj të Përmetit, xhamitë e ndërtuara pas viteve 30 të shek. XV, iu larguan në mënyrë të theksuar momenteve artistike të artit selxhuk dhe megjithëse na paraqiten pa pretendime arkitektonike të veçanta, tek ato shihen inspirimet e reja që kishte fituar ndërkohë arti osman gjatë marshimit në Evropën Juglindore.
Periudha e dytë e zhvillimit të arkitekturës shqiptare osmane të xhamisë përkon pra, me ushtrimin në trojet tona të pushtetit të centralizuar shtetëror të Portës së Lartë, me forcimin e procesit të islamizimit dhe paralelisht me rritjen e peshës së popullsisë vendase të islamizuar në jetën shoqërore të vendit. Nga ana tjetër, kjo periudhë, e cila fillon dhe mbaron në gjysmën e parë të shek. XVII, është e përfshirë tërësisht brenda kohës së formimit e të lulëzimit të arkitekturës klasike osmane, që mund të konsiderohet se nisi me marrjen e Kostandinopojës më 1453 dhe mbaroi me shembullin e Xhamisë Blu të Ahmetit më 1617. Këto kushte çuan padyshim në rritjen e intensitetit të ndërtimit të xhamive në trojet tona, si nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe në anën e kërkesave për cilësinë e tyre artistike. Dukuritë e para të modeleve klasike osmane të xhamive u dukën sigurisht në rajonet ku pushteti osman u vendos më herët dhe u pasuan nga të tjerat në viset që ra nën këtë sundim më vonë.
Ndër xhamitë e para të kësaj periudhe mund të përmendim faltoren e Fatihut në Prishtinë (1461), të Gazi Isa begut në Shkup (1475), xhaminë Mbret (të Bajazitit II) në Përmet (1494), xhamia Mbret në Elbasan (1492), atë me të njëjtin emër në Berat në vitin 1492, po ashtu xhaminë Mbret në Shkodër (fundi i shek. XV) e quajtur mbas rindërtimit të vitit 1854-1855 me emrin e Selvisë, xhaminë e Tetovës (1495), të I. Mirahorit në Korçë (1496), atë të Imaretit në Ohër (1493), etj. Sigurisht që ndërtimet më të shumta të faltoreve islame u dukën në shek. XVI-XVII, siç ishin midis të tjerave, xhamia e Isa begut në Manastir (1508), ajo e Varoshit ose e Pazarit në Krujë (1533-1534), e Muradies (1536-1538) dhe ajo e Vjetër ose e Pashallarëve në Vlorë (rreth vitit 1540), e Plumbit në Berat (1533-1554), e Allajbegisë në fshatin Burim të Dibrës (mesi i shek. XVI), xhamia e Re (1558-1559) dhe ajo e Hajdar Kadisë në Manastir (1561) e Gazi Mehmet pashës në Prizren (1561), e Sinan pashës në Kaçanik (1594-1595) e Hadunit (përpara vitit 1595), e Nazireshës në Elbasan (përpara vitit 1599), xhamitë e Hasan Agës në Rugovë, të Gjin Aleksit në Rumanj të Delvinës, të Pirinasit në Prishtinë, të Mozhiqit në Mitrovicë dhe të tjera të ndërtuara gjatë shek. XVII, xhamia e Ballies në Elbasan (1605-1606), e Sinan pashës në Prizren (rreth vitit 1610), xhamia e Vjetër ose e Sulejman pashës në Tiranë (1614), e Tophanes në Shkodër (1627-1628), etj.
Në përgjithësi xhamitë e kësaj periudhe u ndërtuan dy tipash – tipi monumental me kupolë të mbuluar në sallën qendrore dhe tipi bazilikal me sallë të mbuluar me çati. Në të dy rastet këto ndërtesa në vendin tonë u pajisën me portikë arkadash përpara hyrjes së sallës dhe me një minare të vetme në krahun e djathtë të saj. Minaret tashmë u ndërtuan të holla e të larta, me seksion poligonal, cilësi që i dallojnë ato të tipit “gjilpërë”. Një tjetër dukuri karakteristike e tyre ishte realizimi i strukturave të ndërtesës me teknikën e qargjirit (në të shumtën e rasteve), teknikë e cila në shek. XV, XVI dhe në pjesën e parë të shek. XVII, vazhdoi të aplikohej gjerësisht nga tradita vendase në lloje të ndryshme ndërtimesh, qysh nga periudha bizantine por tashmë me efekte të reja plastike.
Si kudo në rajonet e nënshtruara të Perandorisë Osmane, edhe në vendin tonë për ndërtimin e këtyre xhamive të para monumentale, modelet arkitektonike qenë në përgjithësi projekte të importuara nga zyrat qendrore perandorake osmane, pasi përveç qëllimeve imponuese të Portës për unifikimin ideologjik e kulturor të vendeve të nënshtruara prej saj, kanonet islamike të këtyre ndërtesave përfaqësuese ende nuk njiheshin nga popullsitë e krishtera. Por sado që ishin të tilla, nuk mund të thuhet se në arkitekturën e xhamive që u realizuan në viset e Evropës Juglindore gjatë shek. XV-XVIII, elementi vendas ballkanik nuk mori pjesë. Përkundrazi, janë këto tradita ballkanike, të cilat për mendimin tonë luajtën rolin vendimtar në formimin e arkitekturës klasike osmane të xhamive.
Dy nga karakteristikat kryesore dalluese të xhamive të kësaj periudhe mund të shihen në planin urbanistik dhe në atë arkitektonik. E para është se, xhamitë nuk u ndërtuan më brenda por dolën jashtë mureve të kështjellave. Trualli mbi të cilin zunë vend tashmë këto objekte u zgjodh zemra e lagjeve të qytetarëve dhe shpesh ato shërbyen për të formuar qendrat apo bërthamat urbane të qyteteve. E dyta është se xhamitë, tashmë si ndërtesa që i shërbenin masës së gjerë të qytetarëve, marrin zhvillim edhe në aspektin arkitektonik. Sipas modeleve të sjella nga zyrat perandorake, edhe në viset tona, xhamia u ngrit brenda sistemit të kullies, ku ajo ishte bërthama e saj, përreth së cilës qëndronin ndërtesat e tjera si medreseja, imareti, shkolla, hamami, hanet, etj. Midis shembujve më të hershëm të kullieve që ruhen akoma sot janë ajo e xhamisë Mbret në Berat, me xhaminë e tipit bazilikal, ajo e Iljaz MIrahorit në Korçë, me faltoren e tipit me kupolë, etj. Gjithashtu xhamitë nuk u trajtuan më me modestinë arkitektonike të periudhës së parë, por tani u ndërtuan më të mëdha dhe u bënë objektet ku u derdhën energjitë dhe aftësitë e mjeshtërve më të mirë si të artit të të ndërtuarit ashtu edhe të arteve të aplikuar. Nga pikëpamja arkitektonike ato synuan të bëheshin veprat më monumentale të qytetit.
Etapa e tretë e zhvillimit të arkitekturës së xhamisë në trojet mesjetare shqiptare i përket periudhës prej gjysmës së dytë të shek. XVII e deri në fillim të shek. XIX, e cila karakterizohet nga rritja e rolit të mëtejshëm ekonomik të qyteteve nga formimi i klasës feudale shqiptare, nga konvertimi në fenë islame të pjesës dërmuese të popullsisë dhe nga lulëzimi i kulturës islame shqiptare.
Midis ekzemplarëve të ndërtuar në këtë periudhë mund të përmenden xhamia e Agait në Elbasan (1650-1660), ajo e Hamamit në Pejë (gjysma e dytë e shek. XVII), e Hysen pashës në Berat (1670-1671), ajo në fshatin Roshnik në rrethin e Beratit (1641-1655), xhamia Atik në Gilan (shek. XVII), ajo e lagjes Ndocaj në Shkodër (1722-23), e Velabishtit në Berat (përpara vitit 1727-1728), ajo Kubelije e Kavajës (1735-36), e Teqes në Gjirokastër (1742-1743), ajo në lagjen Perash të Shkodrës (1744), e Kaninës në Vlorë (1756-1757), e Pazarit në Gjirokastër (1757), e Mehmet pashës në Shkodër (1773-1774) e Zajmit në Tiranë (1774), e Kasem pashës në Vlorë (1783-1784), e Sulejman pashës (rreth vitit 1800), në Berat e Haxhi Et’hem beut në Tiranë (1794-1821), xhamia e Peqinit (1822), etj.
Në etapën e tretë, e cila mund të cilësohet si koha e formimit të stilit klasik shqiptar në arkitekturën e xhamisë, dallojmë dy shkallëzime të ecurisë së saj – periudhën e kërkimeve dhe eksperimentimeve (paraklasike) të traditës vendase, e cila nga pikëpamja kohore arrin deri në gjysmën e parë të shek. XVIII dhe periudhën e lulëzimit të arkitekturës shqiptare osmane të xhamisë, të cilën e përfaqësojnë mirë shumë ekzemplarë, duke pranuar si shembull të parë xhaminë Kubelije të Kavajës (1735-36) dhe si shembull përmbyllës të periudhës, xhaminë e Peqinit (1822).
Eksperimentimet në etapën e tretë u bën në përgjithësi mbi bazën e tipologjisë së mëparshme të xhamive, domethënë të dy tipave tashmë të përmendur. Prej tyre, si më përfaqësues për stilistikën arkitektonike vendase u zgjodh me prioritet tipi monumental me kupolë. Kërkimet për krijimin e një arkitekture me karakteristika të veçanta të këtij tipi xhamie, konsistuan në zbulimin e vlerave të reja të elementeve formues të saj, në përputhje me nevojat shoqërore, shpirtërore e artistike të popullsisë, me mundësitë ekonomike si dhe me të tjera kërkesa që impononte mjedisi shqiptar i kohës. Në krahasim me xhamitë e ndërtuara në etapën e dytë dhe me ato të mjediseve kulturore fqinje (ballkanike-osmane), dallime cilësore fitoi arkitektura shqiptare-osmane e xhamisë në disa drejtime: në gjetjen e përmasave më racionale, për formulimin planimetriko-hapësinor të sallës, hajatin e minares, në lidhjen e xhamisë mjedisin urban ku u ndërtuar, në gjuhën plastike të fituar nga përdorimi i teknikave tradicionale, në preferencat kromatike, ornamentale e dekorative që shihen në fasada e në brendinë e tyre, etj.
Duhet vënë në dukje se notën origjinale që fitoi arkitektura e xhamive në këtë etapë në vendin tonë e ndihmoi në mënyrë të konsiderueshme një rezultat tjetër – sinteza e re që kreu në përgjithësi arkitektura shqiptare në shek. XVIII-XIX. Dihet se lëvizjet popullore që përshkuan Evropën gjatë shek. XVIII-XIX, u shoqëruan nga një orientim i ri në zhvillimin e artit e të kulturës së tyre nga frymëzimi në dukuritë stilistike të epokave klasike e mesjetare. Një lëvizje e këtij karakteri ndodhi padyshim edhe në Shqipëri, e cila u shpreh në mënyrë të konkretizuar në kohën e pashallëqeve të mëdha e më tej me Rilindjen Kombëtare.

 

Rrjedhimet e saj u shfaqën edhe në fushën e arkitekturës, shenjat e së cilës fillojnë të duken qysh në fillim të shek. XVIII. Në mjaft nga monumentet tona të artit e të arkitekturës të shek. XVIII-XIX, veçanërisht ndër faltoret e krishtera dhe islame, mund të shikohen elemente arkitektonike të frymëzuara nga dukuritë klasike, një frymëmarrje artistike kjo, në thellësi të kohës, e cila mund të cilësohet edhe stil neoklasik shqiptar. Si elemente të këtij orientimi në arkitekturën e faltoreve islame do të dallonim siluetën e portikëve me arkadë në hajatet e xhamive të Kavajës, Tiranës, Shkodrës, Peqinit, etj., në finesën e punimit të gurit në sipërfaqen e fasadave, në finesën dhe motivet arkitektonike apo zbukurimore me të cilët janë realizuar kolonat, kornizat e dritareve, kapitelet, kornizat e portaleve etj. Po aq dukshëm u paraqit kjo frymë stilistike në artin zbukurimor prej druri të interierëve, në motivet e gdhendura me frymëzim nga tradita etnografike shqiptare, të cilat shihen në tavane, mafile, dollapë dritare, etj. Përkim të plotë me shijen vendase paraqet gjithashtu në këtë kohë piktura murale në brenditë e mjaft xhamive, jo vetëm në ato të ndërtuara në këtë periudhë si te xhamia e Haxhi Et’hem beut, në Tiranë, në atë të Beqarëve në Berat, e Peqinit, e Stërmasit në Tiranë, etj., por edhe në xhamitë më të vjetra, të cilat gjatë shek. XVIII-XIX u rikonstruktuan, si te xhamia e Vjetër në Tiranë, e Pazarit në Krujë, ajo Mbret në Berat etj.
Nga pikëpamja urbane, një tjetër tipar i arkitekturës shqiptare osmane e xhamisë ishte konsolidimi i bashkëjetesës së binomit xhami-kullë Sahati, brenda hapësirë së kullies. Prezenca e kullave të Sahatit pranë xhamive vihet re në trojet tona qysh në etapën e dytë ndoshta edhe më herët se kudo në viset e tjera të Perandorisë Osmane dhe në këtë çështje duhet të ketë ndikuar padyshim afërsia e viseve shqiptare me Perëndimin, siç është rasti i kullës së Sahatit pranë xhamisë së Shkupit (ndërtuar rreth viteve (1560-1570), apo ajo pranë xhamisë së Prizrenit, të Elbasanit e të tjera më vonë. Por në etapën e tretë, prania e tyre bëhet karakteristike dhe në periudhën e lulëzimit të arkitekturës shqiptare islamike, silueti i minares është gjithnjë i shoqëruar nga ai i Kullës së Sahatit (Krujë, Shkodër, Berat, Korçës, Prishtinë, Pejë, Prezë, Libohovë, Durrës, Gjirokastër, Kaninë, Delvinë, etj). Si pikë kulminante i evolucionit të bashkëjetesës së këtij binomi, qëndron rasti i xhamisë së Peqinit, në të cilin struktura e kullës është e lidhur me atë të xhamisë. Kulla e Sahatit ka arritur tashmë të bëhet këtu pjesë përbërëse e ndërtesës së faltores.
Etapa e katërt e rrugës s arkitekturës së xhamive në trojet tona përkon me periudhën e Rilindjes Kombëtare. Kjo periudhë e luftës për pavarësi çoi detyrimisht në rënien e theksuar të aktivitetit ndërtimor të xhamive, për pasojë edhe të arkitekturës së tyre. Tashmë vërehen vetëm disa rindërtime e meremetime të faltoreve ekzistuese. Ndonjë xhami e re që u ngrit, qe nga pikëpamja arkitektonike vetëm përpjekje për të përsëritur modelet e mëparshme, siç ishte rasti i xhamisë së Stërmasit në Tiranë (1840), si imitim i saj të Haxhi Et’hem beut, etj.
Etapa e pestë lidhet me periudhën e shtetit shqiptar të pavarur, kur Komuniteti Mysliman fitoi autoqefalinë nga Sheh-ul-Islami i Stambollilt dhe xhamia u nda nga shteti. Sigurisht që numri i xhamive të ndërtuara në këtë periudhë qe jo vetëm fare i pakët, por arkitektura e tyre qe krejtësisht një braktisje nga stili klasik shqiptar i arritur, siç ishte rasti i xhamisë së Madhe në Durrës, xhamia e Re e Tiranës, xhamitë e tjera në Sarandë, në Lushnjë, e ndonjë tjetër. Qoftë për vlerat funksionale, qoftë edhe për ato arkitektonike, këto ndërtesa mbetën jashtë evolucionit logjik të zhvillimit historik të arkitekturës së xhamive në vendin tonë.
Pas çlirimit shumë xhami u shembën. Ato që mbetën iu nënshtruan restaurimit si monumente me vlera të rralla historike e artistike.



Gjergj Frashëri eSulejman Dashi
Revista “Monumentet”, Nr. 2, 1986

698 Shikime