Shpifja

10.05.2016

Shpifja


Shpifja

Shpifja në fakt është gënjeshtër që e fabrikon dikush dhe pastaj me këtë gënjeshtër e akuzon një të pafajshëm.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t'i rrahni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm." (Nur; 4)


Shpifja konsiderohet prej mëkateve të mëdha. 

"Shpifja ndaj femrave të pafajshme është më e rëndë sesa qielli; e vërteta është me e gjerë sesa toka; zemra e kënaqur është më e pasur sesa deti; zemra e munafikut (hipokriti) është më e fortë sesa guri; sundimtari i padrejtë është më i nxehtë sesa zjarri; nevoja ndaj mosmirënjohësit është me e ftohtë sesa acari; durimi është më i hidhur sesa helmi." (Aliu radij All-llahu anhu )


- Shpifja në moral dhe masat ndëshkuese

Sheriati Islam është ligji i vetëm hyjnor që nuk ka asnjë mangësi dhe asnjë të metë, ngase burimi i tij është nga Ligjdhënësi i Vetëm, Allahu i Lartësuar. Sheriati islam i ka përcaktuar interesat e muslimanëve në pesë çështjet jetësore, të cilat kurrsesi nuk mund të cenohen.

Njëra prej këtyre interesave jetësore është edhe ruajtja dhe mbrojtja e nderit (moralit) të muslimanit. Kur lexojmë dhe studiojmë tekstet (ajetet dhe hadithet) që flasin për çështjen e shpifjes për kurvëri, shohim se janë shumë të qartë dhe të prerë. Përveç se janë të qartë, ata e sulmojnë në mënyrë të prerë këtë fenomen shumë të përhapur në shoqëri. Jo rastësisht sheriati islam e ka sulmuar këtë fenomen që i sjell vetëm telashe dhe probleme shoqërisë.

Poashtu, juristët muslimanë i kanë shpjeguar dhe vendosur normat që kanë të bëjnë me shpifjen në moral. Ajo që ne muslimanët duhet të kemi parasysh është se çdo gjë e përcaktuar prej Allahut të Lartësuar është në dobinë dhe të mirën e mbarë njerëzimit. Edhe urtësinë e ndalesës për shpifjen në moral e di më së miri Krijuesi ynë.

Neve na mbetet t'i nënshtrohemi urdhrit të Allahut, ngaqë jemi të mësuar t'u nënshtrohemi urdhrave të Tij dhe të largohemi prej ndalesave që ka përcaktuar Ai.


Ne do t'i përmendim disa nga urtësitë e ndalimit të shpifjes në moral:

1. Pengimi për të akuzuar njëri-tjetrin për kurvëri,
2. Ruajtja e nderit të njerëzve nga trillimet dhe mashtrimet e të pandershmëve,
3. Mospërhapja e armiqësisë dhe urrejtjes në mesin e njerëzve, që shpesh ndodh për shkak të shpifjes në moral,
4. Ruajtja pastër e opinionit të shoqërisë nga trillimet dhe gënjeshtrat dhe
5. Pengimi i përhapjes së kurvërisë në mesin e besimtarëve duke eliminuar edhe shpifjen dhe trillimin si faktorë të drejtpërdrejtë në nxitjen e kësaj dukurie negative. Të gjithë njerëzit janë të mendimit se shpifja dhe trillimi janë fenomene shumë të këqija dhe të dëmshme për shoqërinë njerëzore.


Sipas sheriatit Islam të shpifurit për kurvëri është vepër rreptësisht e ndaluar. Si mbështetje për këtë kemi ajetet Kur'anore dhe hadithet e të Dërguarit alejhi selam:

a) Në të vërtetë, ata që shpifin për gratë e ndershme, të pafajshme (që s’kanë bërë gjë Haram) janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër i pret një dënim shumë i madh.
b) Edhe ata që shpifin për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t'i rrihni me nga tetëdhjetë të rëna (me shkopinj) dhe të mos pranoni kurrë më dëshmi nga ata. Të tillët janë të pabesueshëm.

Poashtu i Dërguari alejhi selam, e ka luftuar në mënyrë shumë të ashpër këtë fenomen duke e konsideruar si njërin prej mëkateve më të mëdha: "Largohuni prej shtatë gjërave shkatërruese!" Ata (shokët e tij) i thanë: "Cilat janë ato?" E i Dërguari alejhi selam, u tha: "Të bërit shok Allahut, magjia, mbytja e njeriut kur Allahu e ka ndaluar, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja prej betejës dhe shpifja ndaj grave të ndershme dhe të pafajshme." (Transmeton Buhariu)


- Mënyrat e shpifjes për kurvëri

Sipas juristëve hanefitë, shpifja për kurvëri mund të konsiderohet si shpifje, nëse është shprehur në njërën prej këtyre dy formave:
• Që shpifja të bëhet qartazi, duke akuzuar dikë në mënyrë të prerë dhe me shprehjet përkatëse. Në këtë rast duhen zbatuar masat ndëshkuese ndaj shpifësit.
• Që shpifja të bëhet duke i mohuar dikujt gjenealogjinë. Edhe në këtë rast zbatohen masat ndëshkuese për shpifësin.


- Llojet e dënimit për shpifje në moral sipas sheriatit islam

Sipas të drejtës islame dënimi për shpifje është dy llojesh:
a) Dënimi fizik dhe
b) Dënimi edukativ.


-Dënimi fizik:

Kjo formë e dënimit shprehet duke e zbatuar masën ndëshkuese me rrahje deri në tetëdhjetë të rëna me kamxhik.


-Dënimi edukativ:

Ky dënim parashikon ndaj shpifësit mospranimin e dëshmisë për asgjë dhe në të njëjtën kohë konsiderohet si mëkatar dhe i pabesueshëm.

Shënim: Të gjithë dijetarët islam janë të mendimit se personi, i cili është viktimë e shpifjes s'duhet të kërkojë kompensim material nga shpifësi. Kushtet që duhet të plotësohen për t'u zbatuar masat ndëshkuese për shpifje kanë të bëjnë me:
- Shpifësin
- Të shpifurin dhe
- Shpifjen.


Kushtet që duhet të plotësojë shpifësi për t'u dënuar për shpifje:

1. Të jetë shëndosh në aspektin psikik,
2. Të jetë në moshë madhore,
3. Të mos jetë në gjendje të sjellë katër dëshmitarë,
4. Të mos jetë i detyruar me dhunë të bëjë shpifje,
5. Të mos i ketë dhënë leje personi për të cilin është shpifur dhe
6. Që shpifësi të jetë prej muslimanëve.


-Të jetë shëndosh në aspektin psikik:

Ai që ka të meta psikike dhe nuk është në gjendje të arsyetojë, nuk u nënshtrohet masave ndëshkuese për shpifje në moral.


-Të jetë në moshë madhore:

Kur ndodh që të bëjë shpifje fëmija, i cili ende nuk ka hyrë në moshën madhore, atëherë ai nuk dënohet.


-Të mos jetë në gjendje të sjellë katër dëshmitarë:

Në këtë rast do t'i nënshtrohet dënimit.


-Të mos jetë i detyruar me dhunë të bëjë shpifje:

Nëse ndodh që dikush të bëjë shpifje për shkak të presionit të dhunshëm, nuk dënohet.


-Të mos i ketë dhënë leje personi për të cilin është shpifur:

Kur ndodh që dikush i jep leje dikujt për të shpifur ndaj tij, atëherë shpifësi nuk dënohet me masat e caktuara për shpifje në moral.


-Që shpifësi të jetë prej muslimanëve:

Si i tillë duhet ta ketë të ditur çdo musliman se shpifja është vepër plotësisht e ndaluar.


- Vërtetimi i shpifjes në moral

Shpifja në moral vërtetohet në dy mënyra:
1. Që vetë shpifësi të pranojë se ka bërë shpifje.
2. Dëshmia e dy meshkujve të drejtë.


Qëndrimi i gjykatësit ndaj shpifësit kur vërtetohet se ai ka shpifur:


• Nëse i akuzuari për kurvëri sjell fakte se akuza drejtuar atij është shpifje e hapur, atëherë gjykatësit nuk i mbetet asgjë tjetër veç të kërkojë prej shpifësit të sjellë faktet për shpifjen që ka bërë.
• Nëse ndodh që shpifësi sjell katër dëshmitarë për atë që ka thënë dhe me këtë vërteton fjalët e veta, atëherë zbatohet masa ndëshkuese për kurvëri ndaj atij që është akuzuar, apo, nëse i shpifuri pranon se ka bërë kurvëri, atëherë shpifësi nuk dënohet, por dënohet i akuzuari.
• Ndërsa nëse shpifësi nuk mund të sjellë dëshmitarë për shpifjen që ka bërë, atëherë ndaj tij zbatohet dënimi për shpifje në moral. Ka mundësi të ndodhë që akuzuesi të kërkojë prej gjykatësit që t'i jepet afat për t'i sjellë dëshmitarët, duke pretenduar se ata momentalisht janë jashtë shtetit. Në këtë rast gjykatësi nuk i jep afat, por e zbaton dënimin për shpifje ndaj shpifësit. Dhe nëse akuzuesi i kërkon gjykatësit t'i japë afat të sjellë dëshmitarët që janë brenda shtetit, atëherë i jepet afat akuzuesit që ai të urdhërojë dikë për t'i sjellë dëshmitarët. Nëse ata vijnë, atëherë ky shpëton prej dënimit të shpifjes e, nëse ndodh që nuk mund t'i sjellë, atëherë ndaj akuzuesit zbatohet masa ndëshkuese për shpifje në moral. Por nëse ndodh që fillon të zbatohet dënimi ndaj shpifësit dhe në atë moment paraqiten dëshmitarët, atëherë ndalet dënimi ndaj shpifësit dhe zbatohet dënimi për kurvëri ndaj të akuzuarit.


- Përsëritja e shpifjes ndaj një personi disa herë

Nëse ndodh që shpifësi të shpifë për dikë më shumë se një herë, ai duhet të dënohet vetëm një herë, edhe pse e ka përsëritur disa herë shpifjen, kur ende nuk është zbatuar masa ndëshkuese për shpifje në moral ndaj atij. Por, nëse ndodh që shpifësi ka shpifur ndaj dikujt dhe është zbatuar dënimi ndaj tij e ai përsëri shpif, atëherë prapë zbatohet ndaj tij dënimi për shpifje në moral. Pra, kështu ai dënohet sa herë që të shpifë.


- Shpifja ndaj një grupi njerëzish

Si duhet të dënohet dikush që shpif ndaj një grupi njerëzish? Dijetarët islam ndajnë këto mendime:
1. Disa prej dijetarëve janë të mendimit se shpifësi në një rast të tillë duhet të dënohet vetëm me një dënim.
2. Ndërsa disa prej dijetarëve mendojnë se, nëse shpifësi ka shpifur ndaj një grupi njerëzish, duke u thënë në mënyrë të përgjithshme: "Ju jeni lavirë", duhet të dënohet vetëm me një dënim, mirëpo nëse i është drejtuar secilit prej atij grupi në mënyrë të veçantë, atëherë ai do të dënohet për secilën shpifje më vete.


- Kur nuk zbatohet dënimi për shpifje

Masat ndëshkuese për shpifje në moral nuk mund të zbatohen në këto raste:
a) Kur vërtetohet me anë të miratimit se i akuzuari ka bërë kurvëri (kur vetë i akuzuari pranon se ka bërë kurvëri) apo me anë të dëshmisë (kur dëshmojnë katër meshkuj se e kanë parë haptas duke u kryer akti seksual).
b) Kur njëri prej bashkëshortëve e akuzon tjetrin për kurvëri dhe që të dy betohen nga pesë herë se po flasin të vërtetën, sipas tyre dhe herën e fundit kërkojnë mallkimin e Allahut të Lartësuar, nëse janë prej gënjeshtarëve.

Shënim: Po qe se ndodh që babai apo nëna të shpifin ndaj fëmijës së tyre, ata nuk dënohen me dënimin e shpifjes. Poashtu nuk zbatohet dënimi për shpifje ndaj gjyshit apo gjyshes, nëse këta shpifin ndaj nipit apo mbesës së tyre. Për këtë janë në ujdi që të gjithë dijetarët.

Dënimi për shpifje kushtëzohet të zbatohet, nëse shpifja është bërë në shtetin islam. Kur shpifja bëhet në shtetin joislam, atëherë nuk zbatohet dënimi për shpifje, ngase në atë shtet nuk është udhëheqësi musliman.
Ky veprim mbështet në rregullën e sheriatit:

"Nuk zbatohet asnjë masë ndëshkuese që është e përcaktuar me sheriat, kur nuk ka prijës musliman apo person që është i autorizuar prej tij." 

Ajo që duhet të përmendim në këtë rast është se sot, në mungesë të shtetit islam, nuk mund të zbatohen dënimet që janë caktuar për shpifjen në moral. Në këtë rast muslimani, i cili ndodh të bëjë një mëkat të tillë, duhet të kërkojë falje prej Allahut dhe të pendohet sinqerisht me shpresë që Allahu do ta falë. Gjithashtu është kusht që, kur të bëhet shpifja, të mos kushtëzohet me ndonjë veprim. Pra, nëse thuhet: "Po hyre në këtë vend, atëherë ti je lavirë", ai që hyn nuk ka dënim për shpifje. Po ashtu, nuk konsiderohet shpifja në kohën e ardhshme. Në këtë rast nuk ka dënim për shpifje.


Duke parë rregullat e sheriatit Islam mund të nxjerrim këto konkluzione:

- Shpifja është njëri prej mëkateve më të mëdha dhe Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar masa ndëshkuese të prera për këtë mëkat.
- Shpifja është një vepër e palejueshme për muslimanin, pavarësisht se ndaj kujt e bën atë.
- Shpifja si mëkat shkakton hutim dhe probleme në shoqëri, ndaj muslimani nuk duhet as të mendojë për një veprim të tillë.
- Shpifja është një gënjeshtër e madhe dhe dihet qartë se i Dërguari alejhi selam, ka thënë që njeriu nuk mund të jetë edhe musliman edhe gënjeshtar.
- Praktikimi i këtij mëkati në shoqëri është shumë i dëmshëm. Për këtë, Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari alejhi selam, e kanë luftuar ashpër.
- Kur ndalet shpifja dhe trillimi në shoqëri, atëherë edhe shoqëria është e kënaqur dhe e sigurt.
- Muslimani i sinqertë do të largohet prej këtij mëkati dhe do të mundohet të ndikojë tek tjetri që të mos bjerë pre e këtij fenomeni të shëmtuar.
- Duhet që të gjithë së bashku të përpiqemi ta eliminojmë këtë fenomen prej shoqërisë ku jetojmë dhe veprojmë.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Vërtet prej shpifjeve më të mëdha është që njeriu të pranojë për baba atë të cilin nuk e ka baba, apo të vërtetojë se ka parë në ëndërr atë që nuk e ka parë, ose të deklarojë për të Dërguarin e All-llahut atë që nuk e ka thënë." (Transmeton Buhariu)

Allahu e di më së miri! Allahu na ruajt prej shpifjeve. AMIN !

/KBI-Bujanoc.com/

4273 Shikime