Manifestimi per lindjen e Muhamedit a.s

10.01.2015

Manifestimi per lindjen e Muhamedit a.s


Manifestimi per lindjen e Muhamedit a.s

Qendra për fetva e Egjiptit nr. 140

Lindja e Muhamedit a.s. është shtrierje e rahmetit të Zotit për historinë e njerëzimit në tërësi.
Kur’ani është shprehur për pejgamberin a.s. se Ai është “ mëshirë për botërat” , e kjo mëshirë nuk është e kufizuar, sepse ajo përfshin edukumin njerëzorë, dhe urtësimin, mësimin dhe udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë, dhe orientimin e tyre në jetën materiale dhe kuptimore. Gjithashtu kjo nuk kufizohet vetëm për atë kohë, por shtrihet në mbarë historinë e të gjitha kohërave.
Kur’ani thotë: “(U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata” El xhumua 3.

Manifestimi për lindjen e më të mirit të gjithësisë, dhe për të dërguarin e fundit, Pejgamberin e mëshirës, dhe shpëtimtarin e njerëzimit Muhamedin a.s., është prej punëve më të mira dhe veprimeve më të mëdha që na ofron te Zoti, sepse ajo paraqet gëzimin dhe dashurinë për Muhamedin a.s. , kurse dashuria ndaj Muhamedit a.s. është prej bazave të imanit.
Për këtë kuptim thotë vetë Muhamedi a.s. : “ Nuk ka besim të plotë dikush prej juve deri sa të jem te ai, më i dashur se prindi i tij, fëmiu i tij dhe nga të gjithë njerëzit”. Transmeton buhariu.
Thotë Ibnu Rexhebi: Dashuria ndaj pejgamberit a.s. është prej bazave të besimit , dhe ajo është e lidhur (krahasuar) me dashurinë ndaj Zotit xh.sh. 
Allahu i lartëmadhëruar e ka lidhur (barazuar) atë, dhe ka kërcënuar të gjithë ata qe i japin përparësi këtyre dy dashurive, me ndonjë dashuri të diçkafit tjetër si; ajo e familjes, pasurisë etj.
Thotë Allahu në Kur’an: 
“Thuaj (O Muhamed ),Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregëtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, ( të gjitha këto ) janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa Allahu të sjellë vendimin e Tij “. Tewbe 24

Kur Omeri r.a. i tha Pejgamberit a.s. O i dërguar i Allahut; Ti je për mua, më i dashur se gjithçka përveç vetës time. I tha Pejgamberi a.s. : “Jo, Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij. Derisa të jem te ti me i dashur edhe se vetja jote. Omeri i tha Pejgamberit: Tash pasha Allahun Ti je më i dashur te unë edhe se vetja ime. Pejgamberi a.s. i tha: Tash o Omer ( u plotësua imani yt )”. Transmeton Buhariu.

Manifestimi për lindjene Tij është gëzim për ne, dhe të gëzohemi ne për të është e ligjësuar me sheriatin islam, dhe është prej parimeve në këtë sheriat.
Allahu i lartëmadhëruar e ka bërë të ditur vlerën e të dërguarit të tij,e me këtë e ka njoftuar tërë ekzistencën me emrin e tij, shpalljen e tij, pozitën e tij, vlerën e tij etj., ku gjithësia në tërësi është në gëzim të përhershëm dhe absolut me dritën e Zotit, shpëtimin e Tij, dhe begatine e Tij për gjithësinë me anë të këtij Pejgamberi.

Të parët tanë të devotshëm nga gjeneratat e hershme të Islamit prej shekullit të katërt dhe të pestë kanë inicuar me manifestimin e lindjes së Pejgamberit më të madh a.s. me ngjalljen e natës së lindjes së tij me të gjitha llojet e bamirësisë, si shpëndarjen e ushqimit , lexim të Kur’anit, përmendjeve të Zotit, thurrjen e poezive dhe fjalëve lavdëruese për Muhamedin a.s. etj.
Shumica absolute e dijetarëve Islam të të gjitha kohërave kanë argumentuar për ligjshmërinë fetare të manifestimit për ditëlindjen e Muhamedit a.s. 
Kurse një numër i konsideruar prej Fukahave dhe dijetarëve të tjerë edhe kanë shkruar për këtë dhe kanë sqaruar me argumente të vërteta dhe të qarta për këtë veprim si vepër e preferuar dhe e lavdëruar për besimtarët, saqë nuk mbetet vend – për atë që ka mend logjikë dhe kuptim të drejtë – për të kundërshtuar atë që kanë vazhduar të parët tanë të drejtë, për manifestimin e lindjes së Pejgamberit Muhamedit a.s. si vepër e preferuar dhe e lavdëruar.
Dijetari Ibnul haxh i njohur si kundërshtarë i risive ka shkruar gjatë për këtë, ku ndër të tjerat ka thënë: Manifestimi në këtë kuptim nuk ndryshon nga kuptimi i tij gjuhësorë; Pasi ka për qëllim nga manifestimi i lindjes së Muhamedit a.s.: Tubimin e njerëzve ne përmendjen e Zotit, recitimet për lavdërimin e Muhamedit a.s. , shpërndarjen e ushqimit në emër të sadakës, e gjithë kjo për shfaqjen e dashurisë tonë për të, dhe gëzimin tonë për ditën e ardhjes së tij.
Në këtë kuptim hyn edhe ajo që kanë adaptuar njerëzit me blerjen e ëmbëlsirave dhe dhuratat me to në kohën e Mevludit, pasi që dhuratat në esencë janë çështje e kërkuar me fe, dhe nuk ka asnjë argument që i lejon në ndonjë kohë dhe i ndalon në ndonjë kohë tjetër.
E nëse i bashkangjiten kësaj qëllimet e tjera të mira si futja e gëzimit te antarët e familjes, pastaj te të afërmit tanë, atëherë bëhet vepër e preferuar e kërkuar. 
Pastaj nëse është shprehje e gëzimit për lindjen e Muhamedit a.s. bëhet edhe më e fortë ligjshmëria e tij në preferencë dhe bëhet më e kërkuar, sepse për mënyrat e veprimit janë dispozitat e qëllimeve, dhe po të thuhet për moslejim ose për ndalim të këtij veprimi atëherë do të ishte shtrëngim i dëmshëm dhe i urrejtur.

Shtrojnë pyetjen disa se pse gjeneratat e para të muslimanëve nuk patën këso manifestimesh?
Edhe nëse e pranojmë këtë kështu; Kjo nuk mund të jetë shkak për ndalimin e tyre, sepse nuk dyshon asnjë i mençur në gëzimin e atyre gjeneratave për Muhamedin a.s. por shprehja e gëzimit ka disa mënyra për ta shprehur dhe shfaqur atë, dhe këtu nuk ka pengesë në mënyrat dhe metodat e shprehjes së gëzimit, sepse këto metoda nuk janë esenca ose baza e adhurimit, kurse vetë gëzimi për Muhamedin a.s. është adhurim - dhe çfarë adhurimi .. - kurse shprehja e këtij gëzimi është metodë e lejuar.
- gjithkush ka mënyrën e tij-.

Sido që të jetë, transmetohet në hadithet profetike që argumenton për manifestimin e sahabëve të ndershëm për Muhamedin a.s., me pëlqimin dhe lejimin e tij ( Muhamedit a.s.).
Transmeton Burejde el-eslemij r.a. ku thotë: “ Doli i dërguari i Allahut në një prej luftërave të tija dhe kur u kthye i erdhi një robëreshë zezake dhe i tha: O i dërguar i Allahut, Unë kam vendosur ( nedhr ) nëse te kthen Zoti shëndosh e mirë që ti bie defit para teje dhe të këndoj. i tha asaj i dërguari i Allahut: Nëse ke vendosur (ke bërë nedhr) atëherë bjeri, e nëse jo mos i bjer. ( Transmeton Imam Ahmedi, dhe Tirmidhiu, dhe thote: Ky hadith eshte Hasen sahih garib ).
Nëse pra rënia e defit është shprehje dhe publikim i gëzimit për ardhjen e Pejgamberit a.s. prej luftës një gjë e lejuar dhe e ligjësuar që e pëlqeu pejgamberi Muhamedi a.s. dhe e urdhëroi që të realizon premtimin e nedhrit, atëherë shprehja dhe publikimi i gëzimit për ardhjen e Muhamedit a.s. në këtë botë me def dhe gjëra tjera prej dukurive të gëzimit të lejuar është më e ligjësuar dhe më e preferuar.

Allahu i lartëmadhëruar ia lehtëson dënimin Ebu Lehebit çdo të hënë ( dhe kush ishte ebu lehebi me kufrin dhe inatin e tij dhe luftimin e tij Muhamedin a.s. ) për gëzimin e tij për lindjen e Muhamedit a.s.,
Sepse Ebu Lehebi e liroi robëreshën e tij e cila i dha lajmin për lindjen e Muhamedit a.s. ashtu siç transmeton Buhariu, atëherë çfarë do të jetë shpërblimi i Zotit për gëzimin e besimtarëve për lindjen dhe ndriçimin e tij në gjithësi.
Pejgamberi i Allahut na e ka bërë synnet vetë Ai esencën e falënderimit të Allahut për lindjen e tij të ndershme.

Është vërtetuar nga vetë Ai se Muhamedi a.s. agjëronte ditën e hënë dhe thoshte: “Kjo është dita në të cilën kam lindur”. Transmeton Muslimi nga Ebi Katade r.a.
Ky falënderim është nga vetë Muhamedi a.s. për dhuntinë e Zotit për të dhe për Ymetin e tij, për vetën e tij.
Prioritet pra për ymetin islam është që ta pasojmë Pejgamberin a.s. me falenderim Allahun e lartëmadhëruar me të gjitha metodat e falënderimit, ku prej tyre është: Dhënia e ushqimit, lavdërimet për të, ulja për përmendje të Zotit, agjërimi, falja e namazeve nafile e të tjera, dhe gjithçka që mund të përfshin ky gëzim.
Transmeton Dijetari Essalihiju në divanin e tij të mbushur me jetën profetike “ Subul elhuda ve rreshad fi hedji hajril ibad” transmeton nga disa Salihin ( njerëz të devotshëm ) të kohës së tij se: E kishte parë të dërguarin e Allahut në ëndërr, dhe ju kishte ankuar se disa nga dijetarët thonë se manifestimi për ditëlindjen e tij është risi? I kishte thënë Pejgamberi a.s. “ Kush gëzohet për ne gëzohemi për te “.

Me gjithë këto, nuk lejohet në këto manifestime çdo gjë që është e ndaluar me fe, dhe duhet tu tërhiqet vërejtja atyre që i bëjnë ato që ti evitojnë të gjitha ato ndalesa që të mos e humb qëllimin ky manifestim se për cfarë është bërë.

Qendra për fetva e Egjiptit nr. 140

Përktheu: mr. Ragmi Destani

Në vijim do të paraqesim edhe Fetëvanë tjetër që sqaron për të gjitha ditët përkujtimore dhe me vlerë në Islam:

DISPOZITA E MANIFESTIMIT PËR CEREMONITË E NDRYSHME FETARE
Qendra për fetva e Egjiptit nr. 2508

Manifesimi për ceremonitë fetare të ndryshme është çështje e preferuar nëse në to nuk ka diçka që ndalohet fetarisht.
Feja jonë e pastër urdhëron për përkujtimin e ditëve të Zotit. Thotë Allahu në Kur’an’an: “ Dhe përkujtoji ata me ditët e Allahut”. Kaptina Ibrahim 5

Gjithashtu transmetohet në synnetin e profetit tonë se Pejgamberi s.a.v.s. agjëronte ditën e hënë prej çdo jave dhe thoshte: “ Kjo është dita në të cilën kam lindur “.
Gjithshtu transmeton Buhariu dhe Muslimi se: “ Muhamedi s.a.v.s. kur erdhi në Medine i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashuras. I pyeti ata dhe u tha: Çka është kjo ditë që po agjëroni? I thanë: Kjo është ditë e madhe, E shpëtoi Allahu në këtë ditë Profetin Musa a.s. dhe popullin e tij, kurse e fundosi Faraonin dhe popullin e tij. Tha Muhamedi s.a.s.v. : Ne kemi të drejtë më shumë se ju te Musa. Muhamedi a.s. e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi që të agjërohet”.

Nga kjo kuptohet se: Manifestimi për ceremonitë fetare në pasqyrën e sipërpërmendur është çështje e ligjësuar me sheriat dhe nuk ka asnjë ndalesë dhe asnjë risi, por ajo është prej madhërimit të dispozitave të Allahut. Allahu në Kur’an Thotë: “ E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave “. Kaptina El Haxh 32

Qendra për fetva e Egjiptit nr. 2508

Përktheu : Mr. Ragmi Destani    /KBI-Bujanoc/

3708 Shikime