A lejohet recitimi i Kur'anit për të vdekurin

23.12.2014

A lejohet recitimi i Kur'anit për të vdekurin


A lejohet recitimi i Kur'anit për të vdekurin

A lejohet recitimi i Kur'anit për të vdekurin, tek varrezat (çështja e dhurimit të sevapeve)?

Përgjigja:

Isal ul-thewab (dhurimi i sevapit dikujt, qoftë gjallë ose i vdekur) është i lejuar dhe në fakt mustehab (pëlqyer/preferuar).
Në parim, janë dy forma të Isal ul-thewab:
1. Dhurimi i sevapit të veprave të bamirësisë.
2. Dhurimi i sevapit të veprave fizike që nuk kanë lidhje me pasurinë, p.sh., namazi, agjërimi, dhikri (përmendja Zotit), recitimi i Kur’anit, të bërit tavaf qaben, etj.

Forma e parë [e dhurimit] është e pranuar unanimisht nga Ehli Sunneti dhe Xhemati. Forma e dytë është korrekte sipas medhhebit Hanefij, Hanbelij, si dhe disa dijetarëve Shafi’ij dhe Malikij.

Sa për duanë (që është e ndarë nga ato sipër), ekziston konsensus (ixhma) në mesin e dijetarëve në arritjen e sevapit dhe dobisë tek i vdekuri. [Shih veprën El-Edhker të Imam Neveviut]

Hafiz ibn el-Kajjim (r.a.) thotë që nëse dikush e pranon Isal eth-Thewab në formë sadakaje, por e mohon atë fizike, atij do t’i thuhet; “Cili është argumenti për të treguar që recitimi i Kur’anit nuk i arrin të vdekurit?”

Imam el-Kurtubiu (r.a.) thotë: “Siç u bën dobi sevapi i veprave të bamirësisë të vdekurve, njashtu, edhe leximi i Kur’anit, Duaja, Istighfari u bën dobi, sepse të gjitha këto konsiderohen Sadaka në Sheriat” (el-Tedhkireh, fq. 71)

Ai pastaj përmend dy transmetime të shënuara në Sahih Muslim që vërtetojnë që madje edhe namazi e edhe dhikri për Allahun (tesbih, tekbir and tehlil) janë klasifikuar si sadaka nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.). Prandaj, nuk mbetet vend për diskutim në i arrit të vdekurit shpërblimi për recitimin e Kur’anit apo jo.

Përpos këtyre sipër, ne, për arsye akademike, do të citojmë disa argumente që mbështesin të dy format e Isal el-Thevab.

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka bërë kurban dele gjatë haxhit të tij lamtumirës dhe ka bërë dua për të gjithë (të gjallët, të vdekurit, dhe ata që do vijnë më vonë) që do t’i besojnë Pejgamberisë së tij. (Sahih Bukhari)

Imam Buhariu (r.a.) transmeton nën autoritetin e ‘Abdullah ibn Abbas (r.a.) që Sa’d ibn ‘Ubadeh (r.a.) ishte larg kur nëna e tij ndërroi jetë. Kur ai u kthye, e pyeti Pejgamberin (s.a.v.s.), “A do t’i bëj dobi nëse unë jap sadaka në emër të saj” Pejgamberi (s.a.v.s.) iu përgjigj pozitivisht. (Sahih Buhari, hadithi 2762)

Hafiz ibn Haxher el-’Askalani (r.a.) thotë në komentimin e tij monumental të Sahihut të Buhariut, Fet’h ul-Bari; “Ky hadith vërteton lejueshmërinë e sadakasë për të vdekurit dhe që sevapi do t’i arrij ata.” (Fet’h ul-Bari, 5:477)

‘Abdullah ibn Abbas (r.a.) transmeton që një njeri njëherë e pyeti të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.); “O i Dërguari i Allahut! Babai im ka ndërruar jetë dhe nuk e ka kryer haxhin, a mund ta kryej unë haxhin në emër të tij?” I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e pyeti atë; “Nëse babai yt do kishte ndonjë borxh, a do ia paguaje ti?” Ky njeri iu përgjigj; “Po.” Me këtë rast, Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: “Atëherë, feja e Allahut ka më shumë përparësi.’ (Sunen en-Nesai)

Një rast tjetër i llojit të ngjashëm është shënuar nga Imam Buhariu në Sahihun e tij (Hadithi 6698). Hafiz ibn Kajjim, studenti i famshëm i hafiz Ibni Tejmijes (r.a.), pasi citon hadithin e sipërm, deklaron: “Të gjitha këto citime pajtohen me faktin që kur i gjalli i transferon çfarëdo vepre në favor të të vdekurit, shpërblimi do t’i arrij atij (do t’i bëj dobi)” (Kitab el-Ruh, fq. 161)

El-Lexhlaxh (r.a.), një sahabi i Pejgamberit (s.a.v.s.), i kishte lënë amanet birit të tij që pasi ai të ik nga kjo botë, ky t’ia recitoj fillimin dhe fundin e Sures el-Bekareh në pjesën e përparme të varrit. El-Lexhlaaxh (r.a.) pastaj tregon që ai e ka dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.). [Imam Taberani, el-Mu’xhem el-Kebir; Hafiz Hejthemi i konsideron transmetuesit e këtij hadithi të besueshëm në Mexhma‘ uz-Zewa‘id 3:44]

Kjo është shënuar poashtu të jetë praktika e sahabiut ‘Abdullah ibn Umer (r.a.).[ Imam Bejhekiu, Sunen el-Kubra 4:56] Ky transmetim është klasifikuar si hasen (i mirë) nga Imam Neveviu (ra) dhe Hafiz ibn Haxheri (ra). [El-Edhker, fq. 212, hadithi 493; El-Futuhat el-Rabaanijje, 3:194]

Al-lameh el-Kurtubi thotë; “Disa prej ulemave tonë e kanë bazuar lejueshmërinë e transferimit të sevapeve të leximit të Kur’anit në hadithin që gjendet në Sahih Buhari dhe Sahih Muslim, në të cilin përmendet që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kishte vendosur degë mbi dy varre, dhe ai (s.a.v.s.) ka thënë: “Mbase ndëshkimi i tyre do të lehtësohet gjersa degët të mos thahen.” [Ulemaja kanë sqaruar që arsyetja për këtë është tesbihu që recitojnë gjethet e freskëta]

Imam el-Kurtubi më tutje thotë; “Nëse tesbihu i lisave mund t’u bëj dobi të vdekurve, atëherë pse nuk mundet recitimi i Kur’anit nga një besimtar i Allahut?” [el-Tedhkireh, fq. 70]

Hafiz ibn Haxheri (r.a.), në një përgjigje për pyetjen drejtuar atij [në lidhje me atë] se a i arrin shpërblimi i recitimit të Kur’anit të vdekurit, ka thënë që është e preferuar për dikë ta bëj këtë formë (të Isal el-Thevab) me bollëk (shumë). [Shih Shejh ‘Abdullah bin es-Siddik el-Ghumari, Tewdih el-Bejan li Wusul Thewab el-Kur’an, fq. 2] Përpos këtyre, ka shumë transmetime tjera të kësaj natyre.

Prandaj, bëhet e qartë përmes haditheve të sipërpërmendura që Isal el-thewab është tërësisht e lejuar në të gjitha format e saj, dhe në fakt është vepër shumë e pëlqyer. Ky është qëndrimi i shumicës dërmuese të dijetarëve klasik (muhadithin & fukaha) të Islamit. [Ibn Kajjim, Kitab er-Ruh, fq. 153; Fet’h el-Bari, 5:477; Imam Sujuti, Sherh es-Sudur, fqt. 402, 403, Dar ibn Kethir; el-Hidajeh, 1296-297; Fet’h el-Kedir, 3:65-66; Radd el-Muhtar 2:243]

Nëse pas kuptimit të këtyre sipër, dikush ende mohon vlefshmërinë e formës fizike të Isal el-Thevab, atëherë kjo metodë në vijim në asnjë mënyrë nuk mund të mohohet. E kjo është që pasi dikush të kryej një formë fizike të adhurimit (d.m.th. namaz, agjërim, recitim Kur’ani, etj), ai duhet t’i lutet Allahut të plotfuqishëm që Allahu, së pari, të pranoj këtë vepër të tij tç mirë, dhe pastaj ai duhet t’i lutet Allahut që t’i dhuroj sevapin filan personit. Në këtë mënyrë, nëse Allahu pranon duanë, sevapi automatikisht do t’i dërgohet atij personi, qoftë gjallë ose vdekur.

Kjo metodë është përshkruar nga dijetarë të mëdhenj si Imam Neveviu dhe Hafiz ibn Haxheri, ashtu që të mënjanohet gjithë dallimi në qëndrimet e dijetarëve. Ne tashmë kemi përmendur që nuk ka dyshim në përfitimin e të vdekurit nga duaja e të gjallit. Në një transmetim në Sahih Muslim, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka përmendur që tri gjëra do t’i bëjnë dobi të vdekurit, njëra nga këto tri është duaja e fëmijëve të tij të devotshëm. (Sahih Muslim, fq. 4199)

Së fundmi, do donim të përmendim që kjo çështje nuk është çështje e lidhur me besimin (aciden), por është çështje dytësore, që poashtu ka mospajtime në mesin e dijetarëve. (Fatawa ibn Salah 1:149) Kështu që, askush nuk mund të pretendoj se grupi tjetër është duke bërë një veprim bidati, duke pasur parasysh që shumica dërmuese e dijetarëve i pranojnë (si valide) të gjitha format e Isal el-Thewab. (Kitab el-Ruh)

Incidenti i Imam Ahmed ibn Hanbelit (ra) është shënuar nga Imam Ebu Bekr el-Khalal (ra) në Kitab el-Xhami si dhe në libërthin e tij të titulluar Amr mi’l Ma’ruf we Nahi ‘an-il-Munker, dhe sipas këtij transmetimi, Imam Ahmedi aprovoi recitimin e fillimit dhe fundit të Sures el-Bekareh për të vdekurin. [Shih Ether el-Hadith, nga Shejh Muhammed ‘Awwameh, fq. 162-163]

Sa për pyetjen specifike për vlefshmërinë e recitimit të Kur’anit prej shtëpisë, mjafton të thuhet që nuk ka dallim – në këtë rast – në mes recitimit në varreza dhe recitimit në shtëpi, siç nuk ka dallim në mes të duasë që bëhet për të vdekurin në varreza ose nga shtëpia [sepse Allahu i dëgjon të gjitha, pa marrë parasysh vendin; sh.p.]. Për më tepër, na lejoni që tu pyesim ju: cili është argumenti për mosvlefshmërinë e recitimit të Kur’anit prej shtëpisë dhe dhurimi i sevapit për të vdekurin?

Dhe Allahu e di më së miri!

Shejh Muhammed ibn Harun ‘Abbas ‘Umer
Përktheu: Fatih Ibrahimi

/KBI-Bujanoc/

3583 Shikime