Dashuria dhe fejesa

24.02.2014

Dashuria dhe fejesa


Dashuria dhe fejesa

Falënderimet më të sinqerta i përkasin Zotit të Madhëruar, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetin Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Duke trajtuar një temë të tillë, ne besojmë se do i shërbejmë një shtrese të gjerë të shoqërisë sonë islame.

Studiuesit e demografisë, sa herë që përmendin botën arabe dhe atë islame, e etiketojnë atë me termin “Bota e rinisë”. Ndërkohë që me termin “Bota e të moshuarve” etiketohet perëndimi në përgjithësi. Në perëndim, përqindja që zënë të rinjtë është vetëm 40 %. Ndërkohë që rinia në botën arabe dhe atë islame zë mbi 60 % të popullsisë.

Kur flasim mbi moshën e re, kemi si synim moshat nën tridhjetë vjeç. Pikërisht edhe tema mbi të cilën do të diskutojmë, prek pikërisht këtë grup moshë e në veçanti ata, që janë në prag të martesës.

Shumë të rinj dhe të reja, kanë nevojë të njihen dhe informohen mbi çështje të tilla si vendimi për martesë, fejesa, martesa etj... Sa herë që më jepet rasti të kontaktoj me të rinj dhe të reja, pyetjet mbi një jetë bashkëshortore dhe familjare të lumtur janë të shumta.

Para se një çift të bashkohen në një strehë të vetme, pra duke u martuar, Islami ka caktuar disa faza dhe etapa, me qëllim që këtij çifti t’i garantohet një jetë sa më normale dhe e lumtur. Gjatë fejesës, si djali dhe vajza informohen mbi njëri-tjetrin, u jepet  rasti të njihen më mirë, shihen, bisedojnë dhe në fund, merret vendimi për t’u martuar ose jo.

 

Teoritë mbi të cilat realizohet një lidhje martesore

Nëse një djalë, njihet me një vajzë, takohet me të dhe të dy vendosin të martohen, cilat janë ato kritere dhe standarde që e bëjnë këtë djalë ta pranojë vajzën për bashkëshorten e ardhshme dhe anasjelltas?

Teoria e parë, është teoria e standardeve. Secili prej nesh, është rritur në një familje, ambjent dhe atmosferë të caktuar, ku ai ka përftuar disa vlera, tradita, sjellje dhe edukatë të caktuar. P.sh, në këtë ambjent ku është rritur, ai ka mësuar se feja është diçka themeltare. Në këtë ambjent ai ka mësuar, se morali dhe ndershmëria, ia shtojnë dinjitetin dhe personalitetin njeriut. Gjatë fazës së njohjes mes djalit dhe vajzës, secili prej tyre përpiqet të zbulojë vlerat, edukatën dhe zakonet e palës tjetër dhe sa janë ato të ngjashme dhe të përshtatshme me të tijat. Nëse ata ndajnë vlera, tradita dhe morale të përbashkëta, të dy e pranojnë njëri-tjetrin.

 

Teoria e dytë, është teoria e ngjashmërive. Kjo teori është për ata të rinj, që janë të moralshëm, të ndershëm, të suksesshëm, bujarë etj... por nga ana tjetër janë nevrikë. Nëse këta gjejnë një vajzë të moralshme, të ndershme, të suksesshme, bujare por dhe nevrike, një vajzë e tillë bëhet tërheqëse. Ndonjëherë, një i ri që është bujar, me të gjetur një vajzë me këtë veti, e pranon atë. Herë të tjera, një djalë me natyrë të qetë, me të zbuluar një vajzë me të njëjtën natyrë, e kërkon dhe e pranon për bashkëshorte. Një zemërgjerë, kërkon një vajzë të tillë. Një koprrac, kërkon një vajzë koprrace. Një fjalë e urtë arabe thotë: ”Çdo shpend, jeton mes llojit të tij”.

Zoti thotë në Kuran rreth këtij fakti: ”Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme.” (Nur: 26)

Në këtë teori, nuk bëjnë përjashtim dhe njerëzit e ligj. Zoti thotë rreth këtyre: ”Gratë e pandershme janë për burrat e pandershëm dhe burrat e pandershëm janë për gratë e pandershme.“. (Nur: 26)

 

Teoria e tretë, është ajo e vetive plotësuese. Këtu bëjnë pjesë ata të rinj, të cilët kërkojnë tek pala tjetër atë, që i mungon atij vetë. Këta plotësojnë veten, me anë të palës tjetër. Kështu, ka të rinj që janë të shkurtër, por që bashkëshorten e duan të gjatë. Mund të jetë djalë i shëndoshë, por që bashkëshorten e kërkon të jetë e dobët. Mund të jetë një vajzë serioze dhe pa shumë fjalë, por që kërkon për bashkëshort një djalë gazmor dhe shakaxhi. 

 

Teoria e katërt, është ajo e analizës. Kjo teori, është kur një vajzë është shumë e lidhur me babanë e saj dhe personalitetin e tij. Kur një i ri, kërkon dorën e dhe të dy ulen së bashku që të prezantohen, vajza zbulon se personaliteti i këtij djali, është i përafërt me atë të babait të saj. Kështu, ajo jepet dhe lidhet me këtë djalë, për shkak të dashurisë dhe lidhjeve të forta, që ajo ka me babanë e saj.

Kjo mund të ndodhë dhe me djalin, i cili zbulon se vajza, të cilës i ka kërkuar dorën, ka shumë tipare dhe veti të përafërta me nënën e tij, me të cilën është shumë i lidhur. Kështu, ai e do vajzën, për shkak të lidhjes dhe dashurisë që ka për nënën.

 

Teoria e pestë, është ajo e të qënit pranë njëri-tjetrit. Shpeshherë një djalë njihet me një vajzë dhe më vonë martohen, për shkak se ata banojnë pranë njëri-tjetrit, në një lagje, rrugë apo pallat. Ata mund të jenë edhe kolegë në punë, ose në shkollë.

Sot, me zhvillimet teknologjike, ka ndryshuar plotësisht koncepti i të qënit afër me dikë. Sot, e ke pranë dikë, e shikon dhe bisedon me të edhe pse distanca mes jush është me mijëra kilometra. Me anë të internetit është bërë e mundur, që personat që jetojnë në anën tjetër të globit, t’i shohësh dhe të bisedosh me ta, sikur i ke para vetes.

 

Teoria e gjashtë, është ajo e joshjes dhe tërheqjes fizike. Sipas statistikave, shumica e djemve dhe e vajzave në mbarë botën, lidhen, dashurohen, fejohen dhe martohen, në bazë të kësaj teorie. Sot është bërë zakon, që një djalë të fejohet ose martohet me një vajzë, për shkak të fizikut të saj plot hire. Kjo ndodh edhe me vajzat, të cilat fejohen dhe lidhen me djem, thjesht duke gjykuar hijeshinë e fizikut të tyre. Një teori dhe kriter i tillë, ka përfshirë të gjithë botën. Ashtu siç bota është e përfshirë nga globalizmi politik, kulturor, ekonomik etj... është e përfshirë dhe nga globalizmi fizik. Të shumta janë kanalet televizive, gazetat, librat dhe revistat, të cilët i bëjnë reklamë trupit dhe fizikut të përsosur. Të rinjtë dhe të rejat, kanë filluar t’i kushtojnë më shumë rëndësi trupit dhe fizikut të tyre, seç i kushtojnë anës shpirtërore, besimit, kulturës, arsimimit etj... Kjo ka ndodhur për shkak të ndikimit të fuqishëm të kulturës perëndimore, e cila po importohet nga brezat e rinj.

Grekët e lashtë kishin një perëndi që e adhuronin, e cila ishte perëndia e bukurisë, Venusi.

Ne si myslimanë, nuk është se e refuzojmë një lidhje dhe martesë me bazë tërheqjen dhe joshjen fizike. Madje ne e përkrahim, por ajo nuk duhet të bëhet në kurriz të fesë, moraleve dhe vlerave njerëzore.

 

Pasi përmendëm teoritë kryesore mbi të cilat bazohen lidhjet, fejesat dhe martesat, pyetja që lind është: Cila nga teoritë e mësipërme është më e sakta dhe e duhura? Cilën prej tyre duhet të zgjedhë një i ri dhe e re për të zgjedhur shokun e jetës?

Për asnjërën nga këto teori, nuk mund të themi, se kjo është më e mira apo më e pavolitshmja. Për të thënë se cila është më e mirë dhe e volitshme, duhet që të shtojmë disa kritere të tjera, kritere të cilat i përmend vetë i dërguari i Allahut.

Në dy hadithe, ai përmend dy teori, njërën për të rinjtë dhe njërën për të rejat.

Për sa i përket kritereve që duhet të ekzistojnë tek një vajzë, Profeti a.s ka thënë:”Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe”!

Kurse për sa i përket kritereve që duhet të plotësojë një djalë, për të qenë bashkëshort i një vajze, Profeti a.s ka thënë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh”.

Kështu, një i ri mund ta zgjedhë shoqen e jetës sipas cilësdo nga teoritë e mësipërme, nëse ka parasysh dhe respekton kriterin, që përmend i dërguari i Zotit në hadithin e mësipërm për djemtë:Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe”!

Në këtë hadith, Profeti a.s nuk e ka neglizhuar dhe shpërfillur joshjen dhe tërheqjen fizike. Ai nuk e ka shpërfillur as teorinë e analizës, të qënit pranë, vlerave dhe vetive plotësuese dhe ngjashmërive.

Kështu, kurdo që i përmbahemi kriterit të caktuar nga Profeti Muhamed a.s, mund ta zgjedhim shokun e jetës sipas shijeve dhe teorive të mësipërme.

Një herë ndodhesha në Kairo për një ligjëratë. Pasi përfundova ligjëratën, më erdhi një vajzë dhe më tha:”Jam në një hall të madh. Unë jam tridhjetë e dy vjeçe dhe sa herë që prindërit e mi më propozojnë një djalë për t’u fejuar, madje ndërmarrin dhe hapa konkretë, unë refuzoj.  Unë jam shumë e lëkundur për sa i përket vendimit të fejesës dhe martesës, pasi kam frikë se do të dështoj. Çfarë më këshillon të bëj”?

Unë i thashë: ”Kur prindërit e tu të kanë propozuar një djalë, përse nuk pranon të paktën që të njihesh dhe të prezantohesh me të”?

Ajo u përgjigj: ”Unë nuk kam asnjë problem mbi këtë çështje, por i frikësohem dështimit që mund të pasojë më vonë”.

Unë i thashë: ”Me qëllim që si fejesa ashtu dhe martesa të mos dështojë më vonë, duhen respektuar disa rregulla dhe parime. Pastaj fillova t’i flas mbi disa parime dhe pyetje, me të cilat mund të zbulohet personaliteti i personit që ka kërkuar dorën e vajzës dhe anasjelltas. Me anë të këtyre pyetjeve, garantohet suksesi i fejesës dhe më pas i martesës.

Vajza më tha: ”Por unë kam një problem tjetër”!

“Çfarë problemi?” - e pyeta unë.

Ajo më tha: ”Në fakt, unë nuk jam myslimane, por jam e krishterë dhe problemi më i madh në fenë tonë është, se po u martova, nuk mund të divorcohem sido të jenë kushtet dhe rrethanat. Unë duhet të jetoj me atë burrë, sido që të jetë ai dhe për gjithë jetën”.

Nga ana ime, unë fillova t’i ofroj disa zgjidhje, por ajo e refuzonte secilën prej tyre. Në fund i thashë: ”Tani do të propozoj zgjidhjen e vetme që ka mbetur”.

Ajo pyeti: ”E çfarë do më propozosh”?

Unë i thashë: ”Të propozoj të konvertohesh në myslimane”.

Ajo pyeti: ”Çfarë?! E përse duhet ta bëj këtë?! Çfarë do të ndryshojë nëse bëhem muslimane” ?!

Unë i thashë: ”Në Islam, nëse njihesh me një djalë, fejohesh, martohesh, jeton me të për disa vite dhe e shikon se e ke të vështirë të vazhdosh, ti si femër ke të drejtë të kërkosh divorcin”.

Ajo pyeti e habitur: ”Çfarë duhet të bëj që të jem myslimane”?

Unë i thashë: ”Është shumë e thjeshtë. Duhet të dëshmosh që nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij” dhe ajo e pranoi këtë zgjidhje.

 

Kriteret e një bashkëshorteje të denjë, të përcaktuara në hadithin e mësipërm të Profetit a.s, janë vendosur, me qëllim që të garantohet një martesë e suksesshme dhe jetë familjare e lumtur. Nga programet e shumta televizive, konsulencat që më vijnë, trajnimet etj... kam zbuluar, se martesat më të suksesshme janë ato, që janë realizuar duke zbatuar kriteret dhe porositë e profetit Muhamed a.s.

Nëse një i ri martohet me një vajzë, vetëm se ajo është fetare edhe pse ajo nuk është e bukur, e fisshme dhe nga një familje e pasur, a mund të jetë një martesë e tillë e suksesshme?

Përgjigja është: “Po, mund të jetë martesë e suksesshme, nëse ky i ri ka aftësitë dhe gatishmërinë e duhur, që të përshtatet me këtë vajzë, me të cilën është martuar vetëm për faktin që ajo është fetare. Padyshim që kjo ka të bëjë me psikologjinë e këtij të riu, edukimin dhe durimin e tij”.

Edhe pse Profeti a.s i ka kushtuar më shumë rëndësi përkushtimit fetar të pretendentes për martesë, ai nuk i ka shpërfillur dhe neglizhuar kriteret e tjera, si pasuria, bukuria dhe niveli shoqëror. “Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t’u mbushshin duart me dhe”!

Kështu, Profeti a.s ka përmendur katër kritere të rëndësishëm, ku përkushtimi fetar duhet të zërë vendim më të madh. Në vend që secilin nga këto katër kritere ta vlerësojmë me 25 pikë, le ta vlerësojmë përkushtimin fetar me dyzet pikë, kurse të tjerët me pesëmbëdhjetë. 

Nëse ka të rinj, të cilët janë shumë të dhënë pas bukurisë, elegancës dhe hijeshisë fizike, le t’i shtojë pikët e pamjes dhe bukurisë së vajzës. Kështu, nëse i jep fesë dyzet pikë, le t’i japë kriterit të hijeshisë tridhjetë pikë.

Nëse një i ri është i dhënë pas pasurisë, le t’i shtojë pikët e këtij kriteri tek vajza me të cilën kërkon të martohet. Nëse dikush tjetër është i dhënë pas kriterit të nivelit shoqëror dhe e kërkon bashkëshorten e tij, të jetë nga një familje e fisshme, le t’i shtojë pikët e këtij kriteri dhe të zbresë pikët e bukurisë dhe pasurisë.

Çdo i ri, le t’i vlerësojë kriteret e përcaktuara nga Profeti a.s, sipas karakterit, prirjeve dhe pikës së tij të dobët. Çdo i ri është i lirë që marrëdhëniet e tij shoqërore dhe familjare t’i ndërtojë sipas prirjeve dhe parimeve të tij, por duke respektuar fillimisht kriterin e përkushtimit fetar.

Një herë ndodhesha në Aman, kryeqytetin e Jordanisë për një ligjëratë. Pas ligjëratës, një i ri mu afrua dhe më tha: ”Unë dhe gruaja ime kur u martuam nuk ishim të përkushtuar në fe, megjithatë ndiheshim të lumtur dhe të gëzuar. Pas pesë vitesh martesë, unë fillova të përkushtohem në fe dhe i kërkova bashkëshortes, që të falej dhe të vishte hixhabin. Ajo filloi të falej, por gjithësesi nuk pranon të veshë hixhabin. Unë nuk e di çfarë të veproj, mos duhet ta divorcoj”?!

Unë i thashë: ”Nëse secili që ndryshon fenë apo ideologjitë e tij, divorcohet nga bashkëshortja dhe braktis fëmijët, do të ndodhte katastrofë në shoqëri”.

Ashtu siç lëkundet pasuria dhe bukuria, ashtu lëkundet edhe besimi, i cili herë forcohet dhe herë të tjera dobësohet. Secilit prej nesh i ndodh, që të ndjejë se besimin e ka shumë të fortë disa kohë, ndërkohë që pas disa kohësh ai e ndjen, që  besimi i është dobësuar.

Për këtë, Profeti a.s ka thënë:”Një besimtar, nuk quhet i tillë në çastin kur kryen imoralitet...”

Pra, në momentin kur një besimtar vepron një gjynah të rëndë, besimi i tij është në nivelet më të ulëta, gjë e cila ia mundësoi këtë vepër të ligë. Me ta përfunduar këtë vepër, ai pendohet, kërkon falje dhe i lutet Zotit.

Kur ti u martove me bashkëshorten tënde, e zgjodhe sipas modelit tënd dhe sipas teorisë së ngjashmërive. Të dy ju nuk faleshit dhe besimin e kishit të dobët. Ty, Zoti të nderoi me përkushtimin në fe, gjë e cila i mungon bashkëshortes tënde. Me qëllim që edhe ajo të përkushtohet dhe të përfitojë nga udhëzimi i Zotit, kjo kërkon kohë dhe përpjekje. Zemra nuk është një kyç, që hapet dhe mbyllet me çelës dhe sipas dëshirës. Zemrat e njerëzve janë mes dy gishtave të Zotit dhe Ai i ndryshon sipas dëshirës.

 

 

Mosha më e përshtatshme për t’u martuar

 

Një herë ndodhesha në Britani, për të trajnuar të rinjtë dhe të rejat mbi fejesën. Numri i të rinjve ishte pesëdhjetë, dhe po aq ishte i të rejave. Gjatë trajnimit, një nga vajzat u ngrit dhe më pyeti: ”Cila është mosha më e përshtatshme për t’u martuar”?

Unë iu përgjigja: ”Mosha më e mirë dhe më e përshtatshme për t’u martuar, është mosha e pjekurisë. Nëse djali apo vajza janë të pjekur dhe të gatshëm për të mbajtur përgjegjësi, atëherë kjo është mosha më e përshtatshme”.

Një djalë mund të jetë tridhjetë vjeç, por nuk është i aftë për martesë, pasi nuk është i pjekur. Një i ri që është euforik, sillet dhe reagon si fëmijë, mendon dhe llogjikon si i vogël, nuk është i aftë për t’u martuar.

Ndonjëherë mund të gjejmë një të ri që është vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, por është i pjekur, i ndërgjegjshëm, flet dhe reagon si të ishte dyzet vjeç. Një i ri i tillë, është i aftë të martohet kurdo.

Ka vajza që janë vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, por arsyeja dhe llogjika me të cilën shfaqen, të bën të ndjesh, se je para një gruaje të madhe. Një vajzë e tillë është e pjekur dhe e aftë për martesë. Ndërkohë, që një vajzë tjetër, edhe pse është njëzet e pesë apo tridhjetë vjeçe, nuk është e gatshme dhe e aftë për t’u martuar. Kjo ndodh, pasi ajo nuk është e pjekur dhe vazhdon të mendojë dhe të sillet si fëmijë.

Dikush e pyeti dijetarin e njohur Ibnul Kajjim: ”Kush është më i mirë, uji apo buka”?

Ibnul Kajjimi i tha: ”Uji është më i mirë dhe i dobishëm për të eturin, kurse buka për të uriturin”.

Po të shohim, Profeti a.s përmend katër cilësi dhe kritere, që duhen respektuar në pretendenten për bashkëshorte, ndërsa ng ana tjetër përmend vetëm dy kritere për djalin, që kërkon dorën e një vajze. Profeti a.s ka thënë: ”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh”.

Përse vallë nuk e përmend kriterin e bukurisë tek i riu, që ka kërkuar dorën e një vajze? Mos vallë djemtë i kushtojnë më shumë rëndësi pamjes dhe hijeshisë, se ç’i kushtojnë vajzat?

Përgjigja është se, siç i kushtojnë djemtë rëndësi pamjes së jashtme, po aq rëndësi i kushtojnë edhe vajzat.

Atëherë, përse kur Profeti a.s caktoi kriteret e bashkëshortes, përmendi dhe bukurinë e saj, ndërkohë që kur caktoi kriteret e bashkëshortit, për vajzën, nuk e përmendi hijeshinë dhe pamjen e tij?!

Këndvështrimi dhe koncepti që ka djali për bukurinë dhe hijeshinë, është i ndryshëm nga koncepti i vajzës. Djemtë, e shohin bukurinë në pamjen e jashtme, fizike. Padyshim që atij i intereson dhe morali, bukuria shpirtërore e vajzës etj... Por, fillimisht ai jepet pas bukurisë dhe hireve të fizikut.

Ndërkohë që vajza ka një koncept dhe perceptim të ndryshëm përsa i përket bukurisë dhe hijeshisë. Për vajzat, pamja e jashtme dhe hijeshia, ka rëndësinë e saj, por ajo kurrë nuk i afrohet hijeshisë shpirtërore, moralit dhe përkushtimit në fe. Kështu, feja e sheh bukurinë në moralet dhe edukatën e djalit.

Prandaj shohim, që Profeti a.s e ka caktuar kriterin e bukurisë dhe hijeshisë, por sipas konceptit të secilës palë, si të djalit ashtu dhe të vajzës.

Një djalë i hijshëm dhe i moralshëm, hyn në një dhomë ku ndodhen tre vajza, bisedon me ta për dhjetë minuta dhe del. Pas kësaj, pyeten tre vajzat, se çfarë u pëlqeu tek ky djalë.

Vajza e parë thotë: ”Mua më pëlqeu mënyra e të folurit”.

E dyta thotë: ”Mua më pëlqeu qetësia që e karakterizonte”.

E treta thotë: ”Mua më pëlqeu mënyra si mendonte”.

Të tre këto vajza folëm mbi hijeshinë, por sipas konceptit të secilës. Njëra prej tyre e shihte bukurinë tek qetësia e djalit, tjetra e shihte tek mënyra si mendonte dhe tjetra tek mënyra si fliste dhe bisedonte.

Sot në perëndim, bëhen shumë studime dhe hulumtime mbi metodat dhe rrugët, se si ta bëjnë më të suksesshme periudhën e fejesës.

Një nga këto studime, unë e kam në dorë dhe ky studim titullohet “Ndikimi i përgjumur”. Qëllimi dhe objektivi i këtij studimi ishte, të zbulojë periudhën më të volitshme të fejesës, gjatë së cilës të fejuarit e njohin-njëri tjetrin. Studimi u krye në Amerikë dhe u zbulua se periudha e fejesës më e përshtatshme dhe e cila garanton një martesë të lumtur, duhet të jetë tetëmbëdhjetë muaj.

Veçse këtu duhet pasur parasysh koncepti i fejesës në perëndim dhe në Islam. Në perëndim, të fejuarit mund dhe të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, mund të kenë kontakte seksuale etj...

Nëse në Amerikë, fejesa nuk duhet të zgjasë më shumë se tetëmbëdhjetë muaj, po në Islam, sa duhet të zgjasë? Sa duhet të jetë periudha e fejesës, me qëllim që të gjykojmë nëse martesa do të jetë e suksesshme apo jo?

Në fakt, në Islam nuk përcaktohet periudha e fejesës. Në Islam përcaktohen disa kritere dhe standarde, të cilat nëse realizohen, periudha e fejesës mund të zgjasë edhe një jave të vetme dhe pas një jave finalizohet me martesë. Nëse këto kritere dhe standarde arrihen në një muaj, atëherë një muaj është i mjaftueshëm. Nëse ato arrihen në një vit, atëherë një vit është i mjaftueshëm.

Kështu shohim, që në Islam nuk kemi një ligj të përcaktuar mirë, sipas të cilit periudha përcaktohet një herë e mirë për të gjithë martesat dhe fejesat dhe nuk tejkalohet.

Gjatë fejesës ndodhin një sërë zhvillimesh si: prezantimi mes djalit dhe vajzës, mbledhja e informacionit për secilin, studiohet projekti i martesës, konsultimi, falja e namazit të istihares etj... Të gjithë këto, kërkojnë kohën e duhur. Nëse djali dhe vajza i kryejnë të gjithë këto brenda një jave, atëherë ata janë të gatshëm për t’u martuar. Një çift tjetër u duhet një vit që t’i kryejnë të gjithë këto zhvillime.

Kështu, çështja e periudhës së fejesës është diçka relative, ajo varet nga vendi, koha, njerëzit dhe rrethanat.

 

 

Sfidat me të cilat përballen të fejuarit

 

Zakonisht, të fejuarit përballen me një sërë sfidash dhe vështirësish gjatë periudhës së fejesës. Më poshtë, ne do i përmbledhim disa nga këto sfida:

 

Sfida e parë, ka të bëjë me dallimin mes fantazisë dhe realitetit. Leximi i librave dhe revistave, shikimi i filmave dhe telenovelave romantike, bën që një i ri të formojë një model të caktuar të vajzës me të cilën do të fejohet. Kjo ndodh edhe me vajzat, ku ato ëndërrojnë dhe fantazojnë mbi princin e kaltër të ëndrrave të tyre, i cili i afrohet me kalin e tij të bardhë, e merr dhe të dy fluturojnë drejt vendeve më të bukura. Që në adoleshencë, si djali ashtu dhe vajza, fillojnë të ëndërrojnë mbi personin, me të cilin do të fejohen dhe martohen më pas. Ata ëndërrojnë mbi vetitë e të fejuarit/fejuarës, hijeshinë, personalitetin dhe virtytet.

Një miku im i ka kaluar të dyzetat dhe akoma është beqar. Kjo, për shkak se ai ka caktuar njëzet e tre kritere për vajzën me të cilën do të martohet. Një herë unë i thashë: ”Për Zotin, po të hysh edhe në xhenet nuk do e gjesh një vajzë të tillë”.

Kur dikush e pyet përse nuk martohet, ai përgjigjet: ”Akoma nuk e kam gjetur vajzën, e cila u përgjigjet të gjithë kërkesave të mia”.

Askush prej nesh nuk është martuar me vajzën (dhe anasjelltas) që i përshtatet plotësisht. Kështu, ne duhet të ndërgjegjësohemi që përveç ëndrrave, fantazisë dhe dëshirave të pafund, kemi dhe realitet.

Problemi më i madh gjatë fejesës është, se të dy të fejuarit e pranojnë njëri-tjetrin në bazë të fantazisë dhe imagjinatës së tyre. Me t’u martuar, ata zbulojnë të vërtetën dhe shohin, se ajo që kishin ëndërruar mund t’i afrohet vetëm 50 – 60 % personit me të cilin janë martuar tashmë.

Në Kuvajt, ne ndërmorëm një studim mbi shkaqet kryesore të divorceve tek çiftet e reja në shoqërinë tonë. Ne zbuluam se një ndër shkaqet më kryesore, ishte se aktualiteti, me të cilin u përballën pas martese, ishte plotësisht i ndryshëm nga ajo që kishin ëndërruar dhe imagjinuar.

Ëndrrat dhe fantazitë janë të mbushura gjithë romancë, dashuri, gëzim dhe hare. Ndërkohë që aktualiteti dhe realiteti është i mbushur me problemet dhe hallet e përditshme.

Përplasja më e madhe mes ëndrrave dhe realitetit ndodh kryesisht në fillimet e martesës. Kjo, pasi djali për njëzet vite apo më shumë, është rritur dhe edukuar në një familje të caktuar, ka banuar në një mënyrë të caktuar, është ushqyer dhe fle sipas mënyrës së tij. Ky i ri është lidhur dhe martuar me një vajzë, e cila edhe ajo është edukuar në një mënyrë të caktuar, ushqehet dhe fle sipas mënyrës së saj.

Një herë, më erdhi një çift dhe kërkuan të divorcohen. Ngaqë nuk kishin veçse dy vite të martuar, unë i pyeta: ”Po cili është shkaku i divorcit? Ju keni vetëm dy vite që jeni martuar”?!

Djali më tha: ”Për Zotin unë dhe gruaja ime nuk kemi asgjë të përbashkët”.

Unë i thashë: ”Mirë, por më jep një shembull.”

Ai më tha: ”Kur fle, unë dua që dhoma të jetë tërësisht e errët, dua errësirë të plotë, sikur të jem brenda një sënduku të zi ku nuk depërton asnjë fije dritë. Ndërkohë që bashkëshortja ime e ka të pamundur të flejë në një ambjent të tillë. Ajo është mësuar në familjen e saj, që të flejë nën dritën e dobët të një llambushke. Kështu, as unë nuk mund të fle me të dhe as ajo nuk mund të flejë me mua.

Unë e dua çajin pa sheqer, ajo e pëlqen me sheqer. Sallatën unë e dua pa domate, ndërkohë që ajo e pëlqen me domate...”

Në aparencë, këto dallime duken shumë meskine, por në jetën e përditshme ato marrin përmasa të frikshme. Problemi i këtyre dallimeve, qëndron tek konflikti mes fantazisë dhe realitetit.

Sa më shumë që ta afrojmë fantazinë me realitetin, aq më shumë e bëjmë të suksesshme fejesën dhe martesën. Diçka të tillë ne mund ta realizojmë në dy mënyra:

1 – Të mbledhim informacionin e duhur dhe të nevojshëm mbi personin, që ka kërkuar dorën e vajzës(dhe anasjelltas). Sa më shumë informacion të mbledhë një vajzë mbi djalin, që ka kërkuar dorën e saj, aq më shumë i afrohet realitetit duke iu larguar fantazisë. Në këtë mënyrë, ajo shmang surprizat dhe befasitë pas martesës.

2 – Të dy pretendentët për t’u fejuar, duhet të prezantohen sa më mirë dhe çiltërsisht me njëri-tjetrin. Kjo arrihet duke i drejtuar njëri-tjetrit dhjetë pyetjet, të cilat do i përmendim më poshtë.

 

Sfida e dytë, ka të bëjë me lidhjet dashurore para martese.  Ne shpesh herë gjendemi përballë dilemave të tilla “A lejohet dashuria në Islam?” Trajtohen tema të shumta mbi dashurinë para dhe pas martese. Dy persona që duheshin para martese, a mund të kenë një jetë martesore të lumtur dhe të suksesshme, apo janë të prirur për një jetë me vuajtje dhe të dështuar.

Kohët e fundit më erdhi një e-mail nga një vajzë, e cila ishte njohur me një djalë në chat. Gjatë bisedave të gjata, diskutimit dhe prezantimit, ajo kishte filluar ta dojë këtë djalë. Ajo kërkonte të dijë nëse është më mirë që t’i hapet, t’ia tregojë ndjenjat e saj dhe t’i kërkojë të fejohen, apo të heshtë.

Sot, probleme të tilla janë të shumta dhe kanë marrë përmasa të frikshme.

Nga dijetarët dhe juristët myslimanë, dëgjojmë gjithçka që ka të bëjë me fenë, por kurrë nuk pranojnë të flasin mbi dashurinë.

Si pa dashje, është krijuar një trekëndor mbi të cilin nuk flitet: Dashuria, bukuria dhe seksi. Në përgjithësi, ne si muslimanë nuk i trajtojmë dhe nuk flasim rreth këtyre tre temave të rëndësishme. Gjithmonë u vijmë rrotull, por pa i ngacmuar.

Le t’i kthehemi sërish pyetjes, që ndoshta mundon shumë nga myslimanët: Si gjykohet dashuria në Islam, haram apo hallall?

Shkurtimisht, themi që dashuria është hallall. Dijetari i madh musliman, Ibnul Kajjim El-Xheuzije thotë: ”Fjala “dashuri” (në arabisht hub) përbëhet nga dy bashkëtingëllore “H” dhe “b”. Për sa i përket bashkëtingëllores së parë “H” ajo shqiptohet dhe del nga fundi i fytit. Ndërkohë që “b” del nga buzët. Vetë shkronjat me të cilat shprehet dashuria, Zoti i ka zbukuruar dhe hijeshuar”.

Gjatë një trajnimi, një nga pjesëmarrësit më tha: ”Ju flisni mbi dashurinë para martese dhe dashurinë pas martese. Por Zoti në Kuran nuk e ka përmendur fjalën “dashuri” kur ka përshkruar marrëdhëniet mes dy bashkëshortëve. Atëherë, përse ju e përmendni fjalën “dashuri” ndërkohë që vetë Zoti ka përmendur prehjen dhe mëshirën”?

Unë i thashë: ”A e pranon dialogun”?

Ai më tha: ”Sigurisht..”

Unë: ”Pikësëpari, Kurani famëlartë e përmend fjalën “dashuri” por në një kontekst tjetër. Për shembull: “Zoti i do ata, që flasin drejt” “Zoti nuk i do shkatërruesit

Ai ndërhyri dhe tha: ”Unë e kisha fjalën për sa i përket marrëdhënieve bashkëshortore”.

Unë i thashë: ”Duhet të jesh i duruar. Siç e pe, vetë Kurani famëlartë e ka përmendur fjalën “dashuri”.

Veç kësaj, sipas teje, a përmendet dashuria në traditën profetike?”

Ai tha: ”Nuk di gjë.”

Unë i thashë: ”Vetë i dërguari i Zotit ka folur mbi marrëdhëniet e tij dhe dashurinë, që ndjente për gruan e tij, Hadixhen. Profeti a.s ka thënë:”Unë jam i dashuruar pas saj”.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s përmend dashurinë e tij për Aishen. Amr ibnul Asi e pyeti Profetin a.s: ”Kush është personi më i dashur për ty o i dërguar i Zotit?”

Profeti a.s iu përgjigj:”Aisheja”.

Amr ibnul As i tha: ”Kisha si qëllim kush është më i dashuri nga burrat”.

Profeti a.s i tha:”Atëherë është babai i saj, Ebu Bekri”.

Tekstet ku përmendet dashuria në traditën profetike, janë të shumtë.

Megjithatë, pjesëmarrësi në trajnim insistoi, se dashuria nuk është përmendur në Kuranin famëlartë. Në fund, unë i thashë që një nga kuptimet e fjalës “miqësi” (mevedde) që përmenpSQnbsp;det në Kuran, është dashuria.

Në fund, për t’iu përgjigjur pyetjes nëse dashuria është hallall apo haram, themi që ajo është hallall. Ne duhet ta dallojmë dashurinë si ndjenjë dhe dashurinë si sjellje dhe veprim.  Në perëndim, nuk e bëjnë këtë dallim, kurse ne si muslimanë po. Dashuria si ndjenjë është hallall. Nëse një vajzë ka simpati dhe e do një djalë, deri këtu nuk kemi të bëjmë me diçka haram. Nëse një djali i pëlqen një vajzë, e do dhe ka simpati për të, kjo është diçka hallall. Ajo që e bën këtë dashuri haram, është kur këto ndjenja përkthehen në sjellje dhe vepra. Nëse dy të rinj që duhen, dalin në bregdet dhe të kapur për dore shëtisin, ky veprim padyshim që është haram. Në një rast të tillë, dashuria u kthye nga ndjenjë në vepër dhe sjellje.

Nëse një vajzë e puth një djalë, me të cilin është lidhur dhe e do, kjo vepër padyshim që është haram. Vetëm martesa është ajo, që e lejon dashurinë të kthehet nga ndjenjë në sjellje, në kuadrin e hallallit dhe të lejuarës.

Profeti a.s ka thënë:”Për dy të dashuruar, nuk ka gjë më të mirë se martesa”.

Këtë hadith, Profeti a.s e tha, kur një prind vajti tek ai dhe i tha: ”O i dërguari i Zotit! Dy veta kanë kërkuar dorën e vajzës time. Njëri prej tyre është i pasur, kurse tjetri i varfër. Ne duam që vajzën tonë ta martojmë me të pasurin. Çfarë më këshillon ti?”

Profeti a.s e pyeti: ”Po vajza, me kë pëlqen të martohet?”

Prindi i tha: ”Me të varfrin.”

Atëherë Profeti a.s i tha: ”Për dy të dashuruar, nuk ka gjë më të mirë se martesa.”

Në këtë rast, Profeti a.s e vlerësoi dhe i dha përparësi ndjenjave të vajzës dhe jo pasurisë. Kjo zgjidhje që Profeti a.s ofroi për prindërit e vajzës, studiohet në universitetet më të famshme të sociologjisë dhe psikologjisë.

Vallë çfarë do të ndodhte, nëse prindërit e detyrojnë vajzën të martohet me një të pasur, që ajo nuk e do, ndërkohë që ajo është e lidhur me një të varfër? A mund të vazhdojë një martesë e tillë? A mund të ndihet e lumtur ajo vajzë?

Në përgjithësi, një martesë e tillë ka jetë të shkurtër. Pas dy-tre viteve, ky çift do të detyrohet të divorcohet, pasi të dy palët janë martuar me imponim.

Fakti që familja e vajzës e dinte, se ajo dashuron të varfrin është një fakt shumë mbresëlënës. Kjo tregon, se familjarët kishin marrëdhënie shumë të mira me vajzën e tyre.

Prej këtu lind pyetja: A konsiderohet si turp dhe e pahijshme, që një vajzë t’iu rrëfejë prindërve që ajo e dashuron dhe i pëlqen një djalë? A konsiderohet si me vend që ajo tu kërkojë prindërve ta ndihmojnë për këtë zgjedhje, nëse është e duhur apo e gabuar? A kemi ndërtuar marrëdhënie kaq të mira me fëmijët tanë, që hallet dhe shqetësimet e tyre t’i ndajnë me ne?

Në fakt, ajo që ndodh rëndom është, se nëse vajza u rrëfen prindërve, se ajo e pëlqen një djalë, diçka e tillë konsiderohet si një krim i pafalshëm.

Tek ne në Kuvajt, në universitete studiojnë bashkë djemtë dhe vajzat. Gjatë vitit shkollor, një vajzë njihet me një student dhe me kalimin e ditëve këto marrëdhënie filluan të forcohen, derisa ajo filloi të ndjejë simpati dhe ta dashurojë. Duke qenë se të dy ndjenin të njëjtën gjë për njëri-tjetrin, ata vendosën që këtë lidhje ta kurorëzojnë me martesë.

Kështu, një ditë, vajza iu drejtua të ëmës, e cila shquhej për zgjuarsinë, mençurinë dhe urtësinë e saj dhe i tha:”O nënë! Unë dua të tregohem e çiltër me ty. U bënë disa kohë që unë kam lidhje me një të ri dhe ai kërkon të vijë të kërkojë dorën time”.

Këtë histori, ma ka rrëfyer mua personalisht nëna e kësaj vajze. Ajo më tha: ”Kur më tregoi kush ishte ky djalë, unë u shokova. Unë e njihja atë dhe të gjithë familjen e tij. Ai rridhte nga një familje e degjeneruar, babai ishte konsumues i alkoolit dhe kishte lidhje jashtëmartesore me disa gra. Djali, të cilin donte vajza ime, ishte kopje e të atit.

Megjithatë, unë fillova të mendohem rreth një zgjidhje të përshtatshme”.

Nëse kjo nënë do e kishte refuzuar që në fillim këtë djalë, vajzës do i shtohej më shumë dashuria, vlerësimi dhe respekti për të. Kjo nënë e urtë dhe e zgjuar, e priti këtë bombë shoqërore me zemërgjerësi.

Ajo i tha vajzës së saj: ”O bija ime! Padyshim që unë dhe babai yt e presim me padurim ditën, kur ti të vishesh nuse dhe të krijosh familjen tënde. Ndoshta ajo ditë dhe ai çast ka arritur, por fillimisht unë të propozoj që si ti edhe unë të informohemi më mirë rreth këtij djali dhe familjes së tij”.

Vajza iu përgjigj:”O nënë! Ka muaj që unë e njoh këtë djalë dhe nuk kam dëgjuar veçse gjëra të mira rreth tij”.

E ëma i tha: ”Në këtë rast, ti nuk je para një projekti tregtar, nëse nuk të ecën e mbyll aktivitetin dhe gjithçka përfundon. Ti ndodhesh përballë projektit të martesës dhe krijimit të familjes tënde. Prandaj, le të interesohemi të dyja mbi familjen e tij”.

Tregon kjo nënë:”Pas dy javësh, e mora vajzën dhe dolëm të dyja për shëtitje. Gjatë rrugës e pyeta, nëse ajo ishte interesuar rreth djalit dhe familjes së tij apo jo. Ajo u përgjigj se e njihte mirë atë djalë. Kështu, i thashë:”Unë kam pyetur mbi familjen dhe prindërit e tij dhe sikur më kanë treguar gjëra të papëlqyeshme rreth babait të tij. Prandaj është mirë, që edhe ti të interesohesh dhe të pyesësh, nëse këto fjalë që janë përhapur janë të vërteta apo janë thjesht trillime. Ndoshta burimet e informacionit tek të cilat mbështetesh ti, janë më të sakta se burimet e mia”.

Përveç kësaj, sa herë më jepej rasti dhe bisedonim rreth kësaj teme, unë e nxisja që ajo të interesohej mbi djalin dhe familjen e tij.

Një muaj më vonë, ajo më erdhi dhe më tha:”O nënë! U bë një muaj që unë të kam folur mbi fejesën me filanin, por tani unë preferoj që ta lë me kaq”.

Nëna e pyeti: ”Po përse, çfarë ka ndodhur? Ëndrra ime e vetme është të të shoh të veshur nuse!”

Vajza:”Në fakt, unë u interesova mbi vetë djalin, nënën, babanë dhe gjithë familjen dhe kam zbuluar gjëra që nuk janë të mira. Prandaj dua që t’i ndërpres të gjithë lidhjet e mia me të.”

Gjatë një trajnimi, unë po ua rrëfeja këtë ndodhi një grupi pjesëmarrësish. Pasi përfundova, njëra prej tyre më kundërshtoi dhe më tha: ”Unë e shoh si gabim që ju të na e rrëfeni këtë ndodhi dhe mendoj, se reagimi i kësaj nëne ka qenë i gabuar. Ajo duhet t’i fliste drejt dhe t’i tregonte të metat e djalit dhe të familjes së tij. Ajo duhej t’i thoshte, që lidhjet e saj me këtë djalë janë haram dhe duhet t’i ndërpriste menjëherë”.

Unë i thashë: ” O motra ime! Çdo nënë e di më mirë, si duhet të sillet dhe të reagojë në raste të tilla me fëmijët e saj. E rëndësishme është, që kjo nënë të arrijë një rezultat të kënaqshëm nëse i ndodh diçka e ngjashme me vajzën. Nëse ti je mësuar që të komunikosh me fëmijët e tu në këtë formë dhe ato të binden, duke i ndërprerë menjëherë lidhjet me djalin apo vajzën që duan, atëherë nuk ka asnjë problem. Nëse ti ke një vajzë që të bindet kaq verbërisht dhe arrin t’i mposhtë ndjenjat e saj, je e lirë që t’i imponohesh si të duash”.

Rreth faktit se cila martesë është më e suksesshme, ajo që ka lindur si rezultat i një lidhjeje dashurore apo asaj që dashuria ka ardhur pas martese, janë bërë dy studime. Njëri studim është bërë në Gadishullin Arabik, kurse tjetri është bërë në Amerikë. E veçanta është se të dy studimet, vërtetuan se dashuria që lind pas martese, garanton një martesë dhe jetë bashkëshortore më të lumtur dhe më të suksesshme se dashuria para martese. 

Dashuria para martese, nuk mund të quhet dashuri, por thjesht marrëdhënie dhe lidhje romantike. Dashuria e vërtetë mund të jetë vetëm pas martese.

Hadixheja e ndjeu që kishte simpati për Profetin a.s dhe para se të ndërmarrë ndonjë hap, ajo e provoi besnikërinë dhe moralin e tij. Ajo e dërgoi shërbëtorin e saj Mejsere ta shoqërojë Profetin a.s në një udhëtim tregëtie për në Sham, me qëllim që të zbulojë karakterin e tij. Me t’u kthyer Mejsere nga tregtia, Hadixheja e pyeti:”Më trego çfarë ke parë.”

Mejsere i paraqiti një raport të plotë mbi gjithçka kishte parë tek Profeti a.s gjatë atij udhëtimi.

Kur e dëgjoi, Hadixheja tha: ”Këtë dashuri dhe simpati, do e kurorëzoj me martesë”.

Ajo ndërmori hapat e duhur, derisa u martua me Profetin a.s.

 

Sfida e tretë, ka të bëjë me mashtrimet dhe informacionin e rremë gjatë fejesës. Ndonjëherë, ndodh që vetëm pas martese djali ose vajza zbulojnë që partneri i tyre i ka mashtruar gjatë fejesës. Këta bashkëshortë ose bashkëshorte mashtruese, kanë shfrytëzuar periudhën e fejesës, periudhë në të cilën është vështirë të zbulohet hileja dhe mashtrimi.

Duke dashur që të sigurojmë një martesë të suksesshme, fillimisht duhet të sigurojmë një fejesë të suksesshme. Të prishësh një martesë, është shumë më e vështirë, se të prishësh një fejesë. Prandaj, Islami ka caktuar fejesën, me qëllim që si djali ashtu dhe vajza, të mbledhin informacionin e duhur, nëse pala tjetër i përshtatet apo jo.

Duke qenë se sot jetojmë një një atmosferë, ku mashtrimi, dredhitë dhe informacioni i rremë është i përhapur kudo, duhet të tregohemi të matur në përzgjedhjen dhe miratimin e shokut të jetës.

Gjatë kohës që punoja në gjykatë, më erdhi një burrë, i cili kërkonte të divorcohej nga bashkëshortja e tij. Kur e pyeta mbi shkakun e divorcit, ai më la gojëhapur. Ai më  tha:”Një ndër kriteret që kërkoja tek bashkëshortja ime e ardhshme, ka qenë që të jetë bionde dhe me sy të gjelbër. Kur vajta të kërkoj dorën e bashkëshortes time, pashë që ngjyra e syve të saj ishte e gjelbër. Motrat dhe nëna më konfirmuan që edhe flokët i kishte bionde. Duke qenë se e doja të bukur, bionde dhe me sy të gjelbër, unë e pranova dhe i kërkova dorën. Por pas martese, zbulova se ngjyra e verdhë e flokëve ishte fallco, d.m.th ajo i kishte të lyer flokët. Kurse për ngjyrën e syve ajo kishte përdorur lente. Që ditën që u prezantuam për herë të parë, unë e pyeta mbi këto hollësi dhe ajo pohoi se flokët i kishte bionde dhe sytë të gjelbër...”

Një herë tjetër, më erdhi një vajzë, e cila kërkonte të divorcohej nga i shoqi, me të cilin sapo ishin martuar. Kur e pyeta mbi shkakun, ajo më tha se i shoqi e kishte gënjyer si për moshën ashtu dhe për prejardhjen familjare. Ai e kishte falsifikuar certifikatën e tij të lindjes duke e ulur moshën nga 41 vjeç në 31 dhe po ashtu kishte falsifikuar dhe trungun familjar, duke pretenduar se rridhte nga një familje dhe fis i fisshëm. 

Si ta zbulojmë nëse pala tjetër na gënjen ose jo?

E para, duhet të mbledhim informacion sa më të detajuar.

E dyta, nëse e zbulojmë mashtrimin dhe dredhinë, duhet të kërkojmë sqarim. Le ta konkretizojmë këtë me një shembull. Një djalë kërkon dorën e një vajze dhe i thotë, se ai nuk është i martuar. Nga informacionet e saj, vajza zbulon se ai është i martuar, madje me dy gra njëherazi. Çfarë duhet të bëjë një vajzë e tillë? A duhet që ajo ta prishë fejesën, apo të martohet?

Shumë vajza hezitojnë dhe lëkunden në një situatë të tillë. Ata u frikësohen fjalëve dhe paragjykimeve të njerëzve, në rast të prishjes së fejesës. Në disa shoqëri, në rast të prishjes së fejesës, gjithmonë faji i vihet vajzës. Ky është një krim i pafalshëm, që ekziston tek disa familje dhe shoqëri. Kjo është në kundërshtim të hapur me ligjet dhe normat e Sheriatit islam.

Kështu, unë e këshilloj një vajzë të tillë, që t’i hapet dhe të kërkojë sqarime nga i fejuari. Ajo dhe familja e saj duhet ta ftojnë të fejuarin në shtëpi dhe t’i thonë, që nga informacionet e tyre del, që ai është i martuar ose çfarëdo të mete tjetër. Është mirë që si vajza ashtu dhe familja të përballen dhe t’i sqarojnë me vetë djalin këto probleme. Mund të ndodhë, që informacioni të jetë i gabuar dhe djali e hedh poshtë duke vërtetuar të kundërtën, ose informacioni është i saktë dhe ai e pranon. Në një rast të tillë, si vajza dhe familja e saj, e kanë më të lehtë të gjykojnë dhe të marrin një vendim të drejtë.

 

A duhet të flasim mbi të kaluarën tonë?

Shpesh herë, më vijnë pyetje dhe konsulenca të shumta, rreth të kaluarës së djemve dhe të vajzave. Një djalë ose një vajzë, në të kaluarën e tyre kanë vepruar gjynahe, kanë pasur lidhje dashurore dhe ndoshta dhe marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. Në rast se ata ndodhen pa

3373 Shikime