Misterët e gjumit dhe shëndeti i njeriut

16.02.2014

Misterët e gjumit dhe shëndeti i njeriut


Misterët e gjumit dhe shëndeti i njeriut

“Dhe gjumin ua kemi bërë prehje.” (Nebe, 9) “Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë si shenjë sigurie nga ana e Tij.” (Enfal, 11) “Allahu e ka bërë natën që ju të pushoni, ndërsa ditën e ka bërë të ndritshme për të parë. Vërtet Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve.” (Gafir, 61) “Ai jua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) natën.” (En’am , 60) “Ai jua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë.” (Zumer, 42)

Allahu e përmend gjumin në Kuran, në kontekstin e dhuntisë dhe begatisë, ose në kontekstin e argumentit dhe pushtetit të Tij, në krijimin e gjumit si fenomen i cili na mbyll sytë bashkë me arsyen. Gjumi ia humb njeriut vetëdijen dhe aftësinë perceptuese. Pas gjumit, njeriu ngrihet i lehtë, pasi e ka shkarkuar lodhjen dhe i janë ripërtërirë forcat dhe energjitë.

Ne harxhojmë rreth 8 orë në ditë, 56 orë në javë, 240 orë në muaj dhe 2920 orë në vit në gjumë. Në kalojmë në gjumë rreth 1/3 e jetës sonë, d.m.th një 75 vjeçar mendohet të ketë fjetur rreth 25 vjet.

Çfarë ndodh me trupin tonë kur ne flemë? 

Sytë qëndrojnë të mbyllur duke pakësuar sasinë e dritës që hyn përmes tyre. Errësira ndikon në prodhimin e hormonit melatoninë i cili ul temperaturën e trupit dhe sjell ndjesinë e gjumit. Është pikërisht e rëndësishme të flemë me dritë të mbyllur për të mos penguar prodhimin e këtij hormoni.

Gjatë kësaj kohe stimulohet nervi Vagus, nervi i 10 kranial, i cili lëshon degë në të gjitha organet e trupit. Muskujt e të gjithë trupit relaksohen, duke na dhënë ndjesinë e një mirëqenieje të përgjithshme, frymëmarrja bëhet ritmike dhe ngadalësohet duke pakësuar sasinë e oksigjenit që hyn në trupin tonë. Temperatura e trupit bie, madje ajo fillon të bjerë që në fillim të mbrëmjes dhe arrin maksimumin e rënies në orët e para të meëngjesit, kur gjumi është më i thellë kur arrin rreth 1-1.5 gradë më ulët se norma. Kjo bën që metabolizmi bazal i trupit të bjerë. Zemra e ngadalëson ritmin e saj duke çuar më pak gjak në organet e tjera. I vetmi organ që qëndron zgjuar gjatë gjithë kësaj periudhe është truri.

Shkencëtarët kanë mundur ta matin aktivitetin e trurit duke ngjitur në kokë disa elektroda dhe duke i lidhur ato me një aparat të quajtur elektroencefalograf, EEG. Ky aparat përdoret për të matur punën e trurit. Ai tregon disa vija të valezuara të cilat njihen si valët e trurit.

NREM Stadi 1: Është stadi mes zgjimit dhe gjumit. Muskujt janë aktivë, sytë rrotullohen ngadalë dhe hapen hërë pas here. Mund të kemi kontraksione të lehta të papritura. Shumë njerëzve u ndodh të kenë halucinacione hipnogjene, imazhe apo zëra që nuk lidhen me realitetin.

NREM Stadi 2: Në EEG predominojnë valët theta. Në këtë stad zgjimi fillon të bëhet i vështirë. Rrahjet e zemrës bien dhe gjithashtu bie lehtësisht temperatura e trupit.

NREM Stadi 3: Praktikisht ndahet në stadin 3 dhe 4 ku kemi valë të ngadalta në EEG që quhen valët e ngadalta të gjumit. Personi që fle shkëputet nga mjedisit që e rrethon. Zgjimi është edhe më i vështirë. Frymëmarrja është e rralluar dhe aktiviteti muskular i kufizuar.

Faza REM: Në momentin që personi hyn në fazën REM shumica e muskujve janë të paralizuar. Kjo quhet faza paradoksale e gjumit sepse edhe pse aktiviteti i trurit i matur në EEG është pothuaj i njejtë me atë kur jemi zgjuar, është më e vështirë se në çdo fazë tjetër për ta zgjuar një person nga gjumi. Konsumi i oksigjenit nga truri është edhe më i lartë se kur jemi zgjuar. Një i rritur hyn në fazë REM rreth çdo 90 min gjumi, dhe gjysma e dytë e kohës që flemë dominohet pikërisht nga kjo fazë.

Gjumi i thellë

Koma dhe stadet e saj:

Fjala koma vjen nga greqishtja e lashtë që do të thotë gjumë i thellë. Përkufizimi mjekësor i komas është: Një gjendje pavetëdijeje e cila zgjat më tepër se 6 orë dhe prej të cilës një person nuk mund të zgjohet as nga stimujt e dritës dhe zhurmës dhe as nga ngacmimet e dhimbshme. Gjatë kësaj gjendjeje personi është i paaftë të kryeje lëvizje të vullnetshme.

Komat mund të zgjatin nga disa ditë në disa javë. Në rastet kur koma është e thellë mund të zgjasë për më tepër se 5 jave por njihen edhe raste kur komat kanë zgjatur për disa vjet. Në rastet kur pacientët hyjnë në koma vetëm disa prej tyre arrijnë të dalin gradualisht prej saj, disa të tjereë hyjnë gradualisht në gjendje vegjetative dhe të tjerë nuk çohen kurrë, pra vdesin. Gjendjet vegjetative mund të zgjatin me vite dhe me dekada të tëra. Koha më e gjatë e regjistruar ndonjëherë ka qenë 42 vjet.

Këto që theksuam na bëjnë që ta kuptojmë më lehtë edhe një mrekulli madhështore të Allahut të xh.sh., në ndodhinë e djelmoshave të shpellës të përshkruar në suren Kehf në Kuran. Në këtë rrëfim të çuditshëm manifestohet një mrekulli e madhe Hyjnore.

Djelmoshat hynë në shpellë dhe u lutën Zotit t’ju falë nga mëshira dhe ndihma e Tij. “O Zot ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe na përgatit udhëzim të  drejtë në tërë çështjen tonë!”

“Ne u vumë mbulojë në veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë.”(El- Kehf: 10-11). Dhe Zoti ua pranoi lutjen, duke ua rrethuar ambientin ku fjetën plot me mëshirë.

Djelmoshat e shpellës kishin një ëndërr të madhe, të ndihmojnë banorët e qytetit ku jetonin dhe të përhapnin monoteizmin mes tyre. Djelmoshat hynë në shpellë, e cila dukej sikur ishte projektuar për ta. Aty dukej qartë kujdesi i Zotit të Lartësuar, për djelmoshat e rinj. Ajo i ngjante një apartamenti me ajër të kondicionuar. Ata do të qëndrojnë për treqind vite në një shpellë prej 90 metrash katrorë.

Në hyrje të shpellës, është një hapësirë e ngjashme me dhomën e pritjes në shtëpitë tona.         Pasi ngjit disa shkallë, gjendet një hapësirë tjetër ku fjetën djelmoshat. Në një skaj ndodhej një vrimë, e cila furnizonte shpellën me ajër dhe në një pjesë të ditës aty depërtonin dhe rrezet e diellit, por jo vendin ku fjetën djelmoshat. Gjatë verës, kur jashtë temperatura ishte shumë e lartë, ajri i nxehtë freskohej derisa arrinte tek djelmoshat dhe e kundërta gjatë dimrit.

Allahu i madhërishëm thotë në Kuran: “Ti o Muhamed, veç ta kishe parë Diellin kur lindte, se si anohej nga e djathta e shpellës së tyre dhe, kur perëndonte, ata i linte në anën e majtë, ndërkohë që ata gjendeshin në mesin e saj.” (El-Kehf: 17)

Pozicioni i shpellës ndodhej në jug-lindje dhe rrezet e diellit nuk depërtonin direkt brenda saj. Nëse do i kërkohej arkitektit më të mirë të projektonte një pallat ku të jetonin disa njerëz për treqind vite pa dalë fare, nuk do e bënte dot.

Allahu i madhërishëm thotë në Kuran: “Ne i rrotullonim ata herë në krah të djathtë e herë në të majtë” (El Kehf: 18)

Është vërtetuar shkencërisht se njeriu rrotullohet dhe kthehet nga njëri krah në tjetrin, mesatarisht tridhjetë herë gjatë natës. Kjo, sepse struktura skeletore ushtron presion ndaj muskujve, të cilët ushtrojnë presion ndaj venave. Për këtë shkak, kur qëndrojmë pak si gjatë në një krah, ne ndjejmë mpirje dhe në mënyrë të pavullnetshme ndërrojmë krah. Nëse një i sëmurë ka humbur ndjenjat dhe është në gjendje kome, ose e ka të pamundur të lëvizë, infermierët e lëvizin vetë sa në të djathtën në të majtën.

Nëse njeriut i duhet të rrotullohet tridhjetë herë në natë, vallë sa herë i duhet të rrotullohet në vit, po gjatë treqind vitesh?

Sa do që shkenca hulumton, zbulon dhe përpiqet të shpjegojë fenomenin e quajtur gjumë, ky edhe më tej mbetet enigmë dhe sigurisht shkencës i nevojitet edhe shumë kohë që ta thotë fjalën e vet të fundit mbi fenomenin e gjumit. /KBI-Bujanoc.com/

2361 Shikime