Islami lufton dhunën dhe synon paqen!

26.02.2022

Islami lufton dhunën dhe synon paqen!


Islami lufton dhunën dhe synon paqen!

www.kbi-bujanoc.com

Në kundërshtim me atë që paraqesin disa njerëz sot, islami është një fe e cila interesohet për paqen, e nxit, bën thirrje për paqe dhe e konsideron atë një objektiv rrënjësor të mesazhit të tij. Kjo duket qartë në mësimet, dispozitat dhe etikën islame. Paralelisht me këtë, islami është kundër luftës, e urren atë dhe bën ç’mos që ajo të mënjanohet.

Por edhe nëse shpërthen lufta, islami e ka ngushtuar rrethin e saj për sa më pak dëme dhe pasoja negative. Islami dhe selami (paqja) kanë të njëjtën rrënjë: Nga ana gjuhësore, si fjala Islam ashtu dhe selam (paqe) rrjedhin nga e njëjta rrënjë (selime).

Zoti në Kuran, thotë:”O besimtarë! Pranojeni paqen me të gjitha rregullat dhe mos shkoni pas gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar.” (Bekare, 208) Në arabisht, fjala “silm” është interpretuar si “paqe”, e cila është antonim i luftës. Bazuar në këtë, ky ajet u bën thirrje besimtarëve që ta pranojnë paqen si tërësi dhe të mos e refuzojnë nëse u ofrohet.

Fjala “silm” është interpretuar edhe “islam” dhe në këtë rast, u bëhet thirrje besimtarëve ta pranojnë islamin tërësisht, kredon, ritualet, moralet dhe legjislacionin. Duke hyrë në islam, besimtari hyn në paqen e vërtetë, paqen me veten, me familjen, shoqërinë dhe mbarë njerëzimin. Paqja, përshëndetje e myslimanëve Vlen të cekim se islami i motivon besimtarët drejt paqes, duke e kultivuar konceptin e paqes me forma nga më të ndryshmet, gjë të cilën nuk e gjen në asnjë fe apo ideologji tjetër.

Esselam (paqedhënësi) është nga emrat dhe cilësitë e Zotit, me të cilin besimtari i lutet, përgjërohet dhe i afrohet Atij. Thotë Zoti në Kuran:”Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to...” (Araf, 180) Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi...” (Hashr, 23) Vetëm tek myslimanët gjendet emri Abdusselam, robi i Paqedhënësit, pra robi i Zotit. Xheneti aq i dëshiruar nga çdo mysliman dhe për të cilin ai hedh çdo hap, ndryshe quhet dhe “daru selam” (shtëpia e paqes).

 

Thotë Zoti në Kuran:”Ata do të kenë Shtëpinë e paqes te Zoti i tyre. Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë.” (En’am, 127) Fjala më e dëgjuar në xhenet, do të jetë pikërisht fjala “paqe”. Ajo do të jetë dhe përshëndetja e besimtarëve atje. “Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar.” (Ahzab, 44) “dhe lutja e tyre aty do të jetë “Qofsh i lavdëruar, o Zot!”. Përshëndetja e tyre do të jetë “Paqe” dhe lutja e tyre e fundit.” (Junus, 10) “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe!” (Vakia, 25-26)

Ashtu siç paqja është përshëndetja e besimtarëve në xhenet, është dhe përshëndetja e tyre në këtë botë. Paqja, mëshira dhe bereqeti i Zotit qoftë me ju. Përhapja e paqes, është një ndër veprat më të vlerësuara në islam, për të cilën flasin një sërë hadithesh. Myslimani nuk e dëshiron luftën dhe i lutet Zotit për paqe. Myslimani, sa herë që qëndron ulur në namaz, përshëndet me selam (paqe) profetin e tij Muhamedin a.s, veten e tij dhe të gjithë umetin duke thënë:”Paqja qoftë mbi ty o profet, bashkë me mëshirën dhe bereqetin e Zotit. Paqja qoftë mbi ne dhe të gjithë robërit e mirë të Zotit.” Edhe namazin, ai e mbyll duke përshëndetur me paqe supin e djathtë mandej supin e majtë, duke njoftuar se namazi u krye totalisht në paqe. Pasi del nga namazi, ai përqafon jetën dhe njerëzit në paqe. Kështu, ai është në paqe gjatë kryerjes së ritualit, në paqe në jetën e përditshme.

Myslimani nuk e dëshiron dhe nuk e uron lutën për hir të luftës. Përkundrazi, ai dëshiron dhe uron paqen dhe mirëqenien. Por nëse lufta bëhet obligim, ai përballet me të me trimëri dhe durim, duke shpresuar ose fitoren ose martirizimin. Thotë Zoti në Kuran:”Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 216)

611 Shikime