Anija e shpëtimit tonë e ka emrin Islam

21.01.2016

Anija e shpëtimit tonë e ka emrin Islam


Anija e shpëtimit tonë e ka emrin Islam

Të dashur vëllezër dhe motra të nderuara,

Së pari falënderojmë Allahun për të gjitha mirësitë që na i ka dhuruar, e më pastaj, salavat dhe selam i dërgojmë më të mirit të njerëzimit, Muhammedit s.v.a.s. Lusim Allahun e plotfuqishëm që familjen dhe shokët e tij t’i çmojë dhe vlerësojë, me dhuntitë e Tij më të begatshme, duke mos lënë anësh as edhe ata shpirtra të denjë, e që për objektiv patën vetëm kënaqësinë e Tij dhe rruajtjen e rrugës së ndershme dhe profetike.

Të nderuar vëllezër, sot për para jush do të mundohem të shtroj një temë nga Kur’ani i Madhërishëm, duke u kapur për disa versetesh kuranore, e për të thithur nektarin e mesazhit që nxirret nga rrugëtimi i gjatë profetik e historik i disa figurave kyçe të njerëzimit në përgjithësi, dhe të fesë sonë në veçanti, siç i patëm pejgamberët e Zotit, të cilët zënë një vend të veçantë në faqet e Kur’anit fisnik.

Për të mos e anashkaluar, do të doja ta shtoja edhe këtë. Kur’ani nuk është një libër historik, ndonëse në përmbajtjen e tij përfshinë një sërë ngjarjesh e rrëfimesh historike. Ai është përplot histori, por nuk ka karakterin e një libri të historisë. Mesazhi i historive apo rrëfimeve kuranore nuk është që të paraqes një sfide artistike e narrative, siç kjo shihet në librat e zhanrit të historisë apo letërsisë, dhe as që merret me detaje, porse me to ai synon të paraqes klimën më të shëndosh dhe mënyrën më të bukur për udhëzimin e njerëzimit. Me fjalë të tjera, historitë apo rrëfimet kuranore luajnë rolin e kandilave apo llambave për të parë sa më qartë në të kaluarën dhe për të marrë mësimin prej saj në të tashmen, si dhe për ta forcuar të ardhmen.

Ne sot kemi ndezur një kandil dhe, nëse do Zoti, do të futemi drejtë një periudhe shumë më të largët nga ne, ndoshta me miliona vite. Kjo periudhë ka të bëj me kohën e profetit të njohur në Islam, por edhe në fetë e tjera, e që është Nuhi a.s.

Ndoshta te një pjesë e madhe prej nesh do të lindte një pyetje shumë e natyrshme dhe të thoshim se ç’lidhje ka Nuhi a.s., me realitetin dhe kohën tonë, e aq më pak në realitetin shqiptar tonin?! Por, nuk mendoj se një logjikë e këtillë do të ishte mirë e peshuar. Pesha e një mendimi do të varej nga shkëlqimi që ai rrezaton, qoftë edhe duke zënë fill në të kaluarën.

Nuhi a.s. ishte një pejgamber i Zotit, i cili popullin e vet e ftoi në Islam dhe në besim të shëndosh, duke kërkuar që të adhurohet vetëm Allahu. Ai këtë e bëri, ashtu siç na rrëfen Kur’ani, natën dhe ditën.  Kur ai i kaloi 950 vite duke ftuar në Islam, mbase edhe i shtyrë në moshë dhe shumë i lodhur, ai, duke dialoguar me Zotin, tha: “O Zoti im, unë e ftova popullin tim natën dhe ditën.” (Nuh, 5).

Mirëpo, edhe përskaj asaj se ky profet kaloi një kohë bukur të gjatë në misionin e tij për ta thirr njerëzimin në besim, atij, për fat të keq, iu bashkëngjitën, jo më shumë se 80 persona. Vallë, a mund të konsiderohet kjo si një dështim për një profet të Zotit? Jo, assesi. Përkundrazi, sepse këta persona më pas e sheshuan dhe e mbollën sërish farën njerëzore në sipërfaqen e tokës, pasi që ndodhi katastrofa.

Të nderuar vëllezër,

Të lexosh rrëfimin kuranor mbi jetën dhe veprën e këtij profeti të madh dhe atë ta përmbledhësh me pak fjalë, sidomos në këto kushte të kësaj hutbeje, do të ishte, thuajse, e pamundur. Por ajo që ne synojmë të kapim me këtë rast, është fakti se si arriti që ky pejgamber ta popullojë edhe njëherë tokën? Cila ishte metoda e tij në thirrjen islame dhe në shpëtimin e njerëzimit?

Ai, në fakt, shpëtoi njerëzimin nga zhdukja. Durimi dhe puna e tij e palodhshme, rezultoi me sukses. Mjeti shpëtues i Nuhit a.s. ishte anija. Për rrethanat kur jetoi ky pejgamber dhe populli i tij, anija ishte një shpikje e re. Askush deri më atëherë nuk kishte parë një gjë të tillë, sidomos kur ajo u ideua dhe u projektua në një vend shkretinor, ku të gjithë që e shihnin duke punuar në këtë projekt, habiteshin, madje e tallnin dhe e  llogaritnin për të marr. Ja se ç’thotë Kur’ani për këtë: “Dhe ai ndërtonte anijen, ndërsa paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij, përqeshej me të. Ai u thoshte: Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju…” (Hud, 39).

Dhe vërtetë, kur më u humbën shpresat se populli i Nuhit do të udhëzohet, u shfaq shenja që Zoti kishte caktuar për besimtarët, përmes së cilës u bë e qartë se kishte ardhur koha e lundrimit të anijes dhe të ardhjes së katastrofës. Besimtarët, së bashku me të gjitha gjallesat e tjera të ­çiftëzuara, filluan lundrimin, kurse pabesimtarët përjetuan cunamin e vërtetë të quajtur Tufan. Gjithçka mbuloi uji. Nuk mbeti asnjëri në sipërfaqe të tokës, jashtë besimtarëve që ishin në anije. Triumfuan besimtarët. Zëri i Nuhit dhe i besimtarëve jehonte në falënderim dhe madhërim. Ata vazhduan të lundrojnë gjersa Zoti bëri emër që të ndalet Tufani dhe të qetësohet toka. Me ç’rast, jeta vazhdoi dhe besimi në Zotin Një dhe të Vetëm asnjëherë nuk u ndërpre. Ja, kjo është puna dhe suksesi i Nuhit a.s. Ndonëse, në kohën e tij pak njerëz e ndoqën, megjithatë,  me durimin dhe vizionin që pati, ai shpëtoi dhe ruajti gjenezën njerëzore.

Vëllezër të mi të dashur, për të mos u marr edhe më tepër kohë, do të doja të bëja një lidhje me atë që thamë deri më tani dhe me kohën dhe realitetin tonë shqiptar. Fillimisht t’i parashtrojmë disa pyete: Çfarë lidhje mund të ketë kjo ngjarje me ne? Cili duhet të jetë mesazhi i kësaj ngjarjeje për ne? Çfarë roli kemi ne në kontekst të thirrjes islame? Cili është mjeti ynë shpëtues dhe a kemi gjasa të shpëtojmë? Dhe për kohën tonë, ç’mund të quajmë tufan, apo cila mund të jetë ajo katastrofë, e që do të na shkatërronte në rast se do ta lëshonim udhëzimin hyjnor? Etj.

Ne ishim një popull që Zotin e besonim me shumë të meta dhe duke i shoqëruar Atij rival. Mirëpo, deshi Zoti dhe u udhëzuam me Islamin dhe mesazhin e profetit Muhamed. Tani, Zoti ynë është Allahu; feja jonë është Islami; libri ynë është Kur’ani, ndërsa pejgamberi ynë është Muhammedi a.s. Ne filluam që ta ndërtojmë anijen që para gjashtë shekujsh, ndonëse edhe me ne u tallën, mbase dikush edhe sot vazhdon të tallet! Mendonin se anija jonë nuk do të mund t’ju rezistojë kushteve dhe rrethanave, por falë punës dhe vizionit që patëm, ia dolëm. Zoti na ndihmoi dhe ja tani jemi futur në procese të reja dhe synojmë të integrohemi edhe në organizma dhe shoqëri që, në gjuhë dhe fe, nuk ngjasojnë me ne.

Anija e shpëtimit tonë është Islami. Sa herë që të ndjemi të kërcënuar dhe të shohim me sy tufanet, duhet të afrohemi pranë tij. Anije tjetër për të shpëtuar nuk ka, ndonëse dikush mundohet të na mashtrojë. Ata që mendojnë se do të shpëtojnë, duke u ngjitur në majat më të larta të qytetërimit perëndimor, duke lënë kështu rrugën dhe traditën tonë islame, e kanë shumë gabim. Kështu mendoi edhe djali i Nuhit a.s. Ai mendoi se do të ngjitet në majën më të lartë të një kodre, duke shpresuar se do të shpëtojë, por një gjë e tillë ishte e kotë. Ai vetëm se e mashtroi veten dhe ata që e ndoqën pas.

Vëllezër, ne sot ndjehemi të kërcënuar nga idetë e disa intelektualëve tanë, të cilët na ftojnë që për standard jetësor të mos e kemi fenë dhe tërë atë që ajo bart. Ne jemi lodhur duke na ftuar që të besojmë në gjëra të pavlera, ndërkohë që emrin e Zotit na e kanë larguar nga zhargoni ynë i përditshëm. A thua vallë do të na e largojnë atë edhe nga zemrat tona? A thua vallë do të tolerojmë që të na bëjnë të harrojmë se kush ishim? Jo, ne nuk duhet të lejojmë të kemi një fat të këtillë zhgënjyes. Ne nuk dëshirojmë të kemi fatin e popujve pa identitet, pa fe dhe pa busull për të jetuar. Ne kemi rrugën dhe historinë tonë të lavdishme. Mjafton që të mos mashtrohemi. Ardhmëria u takon popujve që njohin vetveten dhe dinë t’i shpëtojnë njerëzit nga devijimi dhe shkatërrimi, ndërsa, pos Islamit, si sistem dhe standard shpëtues, nuk mendojmë se ka.

Si mesazh të fundit do ta themi edhe këtë: tregimi i Nuhut a.s. është tregim për të gjithë ne. Nuk u krijuam në këtë botë vetëm të hamë dhe të pimë, por jemi krijuar që të përmirësojmë jetën në këtë tokë dhe të vazhdojmë më thirrjen e njerëzve në të drejtën dhe të vërtetën. Islami është rruga jonë. Islami është feja, jeta dhe shpëtimi ynë.

Dhe krejt në fund, mjafton t’i bindemi këtij vargu kuranor, ku Zoti i Madhërishëm thotë: “E kush kërkon fe tjetër, pos fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.”

Mehas Alija

/KBI-Bujanoc.com/

3630 Shikime