Muhamedi a.s. – simboli i paqes

23.12.2015

Muhamedi a.s. – simboli i paqes


Muhamedi a.s. – simboli i paqes

“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” (Enbija, 107) “Vërtetë, ti je në një shkallë të lartë të moralit…Andaj, mos u pajto me gënjeshtarët. Ata kanë dëshirë që ti të bëjshë lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka”. (Kalem, 4, 8-9)

Pejgamberi Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të, është simbol i mëshirës dhe i paqes universale, që theksohet në shprehjen kuranore rahmeten lil alemin (mëshirë për botërat), e cila tërhek vëmendjen tonë drejt esencës pejgamberiane të Muhamedit a.s., dhe nuk e përkufizon atë thjeshtë vetëm në një pranues të revelatës hyjnore-Kur’anit, por prezencën e tij në këtë botë e paraqet simbol të gjallë të mëshirës. Thënë qartë, ky epitet nuk ka vetëm kuptimin letrar ose linguistik të Kur’anit, por shumë e më shumë ka kuptimin e mëshirës aktuale të Muhammedit a.s., e cila paraqet thellësinë dhe qëndrueshmërinë e identitetit njerëzor.

Jomëshira është dominuese në kohën kur ne jemi duke jetuar. Modernizmi më herët, kurse tash postmodernizmi dëshiron të arrijë nivelin më të lartë të akumulimit në njeriun të vlerave universale njerëzore pa vlera universale. Dëshirohen të ndalen luftërat religjioze dhe të arrihet liria fetare atje ku religjionet nuk përfillen ose ata keqpërdoren. Ne kemi parë në mesjetë dhe më herët një pamëshirë shumë të theksuar dhe holokauste tragjike të cilat pretendonin një gjenocid të ashpër. Gjë kjo, të cilën historia njerëzore e ka përjetuar shumë shpesh, për fat të keq e përjeton edhe sot. Krizën e vlerave të përgjithshme si e mira, e bukura, fisnikja, etikja, e vlefshmja etj., që ecin bashkë me materializmin e përgjithshëm të botës, e hasim në çdo moment apo në çdo hap të kohës dhe vendit ku jetojmë.

Një perenialist i shekullit 20, Rene Guenoni, kritikën e tij me një theks të veçant e kohëzon në krizën e shkencës, filozofisë, drejtësisë dhe të politikës moderne. Kritika e tij ndaj shkencës dhe filozofisë moderne nuk buron nga fakti që ato (shkenca dhe filozofia) kanë përparuar, e as nga ajo që nuk kanë ngelur prapa, por, kritikon reduktimin e tyre, ndarjen nga natyra (physis) dhe përfundimin në një farë forme miti (mythos). Kështu që, për shkak të mungesës së parimeve metafizike, gjegjësisht, për shkak të humbjes së lidhjes me parimet e nivelit më të lartë (çlirimit nga metafizika tradicionale në dobi të metafizikës së njeriut të lirë), ai flet për botën me baraspeshë të prishur, e cila formon njeriun paranoid, neurotik dhe agresiv. Në një botë të këtillë, krahas shkencës, filozofisë, drejtësisë, politikës edhe religjioni kalon nëpër një krizë shumë serioze.

Gjithashtu dijetarët e botës së sotme shkencore, kur i kthehen çështjes së krizës morale-etike në shkencë, ata vlerësojnë se, shkenca e ka patjetër të integrohet në metafizikë nga lartë (amenu-dimensioni vertikal), e jo nga poshtë, pasi vetëm në atë formë faktet e padyshimta shkencore mund të fitojnë edhe kuptimin shpirtëror të tyre. Por edhe kur bisedohet për mosekzistimin e harmonisë mes njeriut dhe natyrës (krizës ekologjike), si përgjegjëse e tregojnë dhe e argumentojnë, pasi edhe ashtu është, humbjen e diturës metafizike (lidhjes vertikale-shpalljes).

Përballë një panorame të këtillë do të ishim shumë të kënaqur të mendonim se për çka do të kishim nevojë që të na mundësonte të dilnim nga kjo botë përplotë me krizë morale. Ne kemi nevojë për një zemër, edhe atë të fortë. Për një zemër mëshira e së cilës do të ngërthente në vete tërë njerëzimin pa asnjë farë lloji përjashtimi. Ajo do të ishte pjesë e manifestimit të mëshirës së Zotit, e cila nuk do të përjashtonte asgjë nga ky univers. Mëshira që do të përfshinte tërë njerëzimin, muslimanë dhe jomuslimanë, dhe tërë gjallesat e tjera. Kjo mëshirë e këtij lloji që është shumë e nevojshme, gjindet në personalitetin e Muhammedit a.s.

Universaliteti i karakterit mëshirues të Muhammedit a.s. manifestohet në jetën e tij në disa dimensione. Dimensioni i parë është ai vertikal, sipas të cilit

krijesa më e bukur e Allahut, gjegjësisht, për rastin konkret, Pejgamberi duke ruajtur origjinalitetin dhe unin e tij të pastërt shpirtëror, njerëzimin në përgjithësi e udhëzon, jo vetëm teoretikisht, por edhe praktikisht dhe realisht, të pijë ujë nga ai burim i pastërt, i pandotur, që është qiellor, hyjnor, transcendental, metafizik, me një fjalë që është një burim i mbrojtur me dëshirën e Allahut të Gjithfuqishëm. Këtë dimension të tij Kur’ani e paraqet si më poshtë:

“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm mëshirë për të gjitha krijesat” (Enbija, 107)

“Vërtetë, ti je në një shkallë të lartë të moralit” (Kalem, 4)

“Andaj, mos u pajto me gënjeshtarët. Ata kanë dëshirë që ti të bëjshë lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka”. (Kalem, 8-9)

Pejgamberi a.s. duke poseduar një bazament kaq të fortë dhe kaq të shëndoshë, arriti që edhe në Arabinë e atëhershme, ku ndoshta në një aspekt, do të ishte shumë më vështirë se sa sot, t’i shpëtojë vlerat shpirtërore, fetare, morale nga kthetrat e politeizmit të asaj kohe, t’i çlirojë njerëzit nga robëria e skllavërisë, t’ia mundësojë shoqërisë të shohë dritën e jetës dhe të besimit, me një fjalë të pastrojë “oqeanin shkretinor”, në të cilin jetonin shoqëria e atëhershme, nga pisllëqet që e kishin kapluar atë qytet të Mekes dhe popullatën e saj, të cilët ishin të dominuar në mendime nga mitologji të ndryshme, në bindje nga reduktimi i tepërt, kurse në shpirt nga egoizmi dhe ndjenja pragmatike. Nëpër librat e historisë është e shënuar se, në natën e lindjes së tij saraji persian është shkatërruar, 360 idhuj brenda në Qabe janë bërë rafsh me tokën, qielli është shndërritur me një nur, zjarri i shenjtë persian është shuar. Dhe vërtetë ajo që u shkatërrua ishte idhujtaria, ajo që u prish ishte salltanati persian, ajo që shndrriti ishte njerëzia, ajo që u tha ishte autoriteti idhujtar, kurse ajo që mori fund ishte zjarri i pabesisë dhe i blasfemisë.

Mbjatja e freskët e këtij dimensioni vertikal pejgamaberian në vetëdijen e besimtarit, mundëson që ai të ketë mundësi të zbret në thelbin e esencës së ndjekjes së rrugës së Pejgamberit a.s. Është më se e vërtetë, apo është një e vërtetë e pamohueshme se njeri tjetër më pejgamber nuk ka mundësi të bëhet, por detyrë e besimtarit është që të mundohet të përkap dhe të përvetësojë

esencën e qëllimit të dërgimit të Pejgamberit a.s. Për fat të keq, si në të kaluarën ashtu edhe sot, shumë besimtarë muslimanë Pejgamberin e kanë rrëzuar në nivelin e vet dhe mundohen të “shesin” jetë pejgamberiane sipas konceptit të vet, apo mundohen që Pejgamberin ta paraqesin ashtu që do ti ngjante atij, pra duke dashur që ta argumentojë veten me të, e jo vetveten t’ia nënshtrojë praktikës pejgamberiane. Pra, kjo i ngjanë sikur një njeri që ka blerë një çekan të shitet si mjeshtër i ndërtimtarisë, një tjetër që ka blerë gërshërë të shitet sikur është një berber, një njeri që ka parë një film dhe del e bëhet artist etj.

Gjithashtu, autoriteti i Pejgamberit a.s., nuk guxon të përdoret për të ofenduar, nënçmuar apo fajësuar tjetrin, ne çfarëdo lloji që të jetë ajo, e sidomos me pabesi etj.

Dimensioni i dytë është ai horizontal. Ky dimension posedon edhe dy dimensione brenda vetes: raporti i Pejgamberit me muslimanët dhe raporti i tij me jomuslimanët. Ndoshta në këtë rast do të ishte më mirë të thuhet, raporti i Pejgamberit a.s. me “tjetrin”, gjithmonë duke patur parasysh kuptimin e përgjithshëm të njeriut.

Dimensioni horizontal baraspesha e të cilit është esencialisht e lidhur me atë vertikal, gjegjësisht që njeriu të jetë i mirë me të tjerët, ai e ka patjetër të jetë i ushqyer nga lidhja vertikale e tij me Zotin. Me fjalë të tjera, humbja e njohjes metafizike pason me humbjen e harmonisë mes njerëzve dhe mes njeriut e natyrës. Pejgamberi a.s. me epitetin që ia ka dhënë Kurani usvetun hasaneh (shembull më i mirë), me epitetin el-emin (i besueshëm) të marrur madje edhe nga mekasit politeistë, dhe me shumë fjalë të tij, si “nuk është prej nesh ai që bie të flejë i ngopur, kurse komshiu i tij është i uritur”, “nuk është besimtarë ai nga dora e të cilit nuk janë të qetë dhe të sigurt të tjerët” etj., tregon raportin e tij me tjetrin, raport ky i cili thellësisht është i bazuar në besimin në Allahun xh. sh.

Njëri prej dokumenteve, përveç atij të Medines (Vethikatu’l-medine), i cili përbën edhe kushtetutën e parë në historinë Islame dhe në historinë e njerëzimit në përgjithësi dhe përmban 47 pika dhe disa nënpika të tjera, sipas të cilave garantohet liria e besimit, liria e të jetuarit dhe pasuria e jomuslimanëve ,

dhe përveç çlirimit të qytetit të Mekës, është edhe dokumentacioni që tregon marrëveshjen e Pejgamberit a.s. me delegacionin e Nexhranit , i cili delegacion ka qenë i përbërë prej 60 personave. Në vitin e 9 hixhri të krishterët e Nexhranit, në mesin e të cilëve ka patur edhe gjykatës dhe klerikë, vijnë në Medine për t’u takuar me Muhammedin a.s. Në takim me Pejgamberin, ata u pranuan pas namazit të drekës në xhaminë e Medines. Gjatë takimit, kur edhe për ata erdhi koha e adhurimit (ibadetit), ata kërkuan leje të dalin jashtë xhamisë për adhurim, kurse Pejgamberi a.s., duke dalur jashtë vetë me shokët e tij, u lejoi atyre që adhurimin e tyre ta realizojnë në xhami. Më vonë mes tyre u bë një marrëveshje, sipas të cilës të krishterët e Nexhranit fituan të drejtën që pasuria, nderi, besimi dhe praktika fetare, familjet e tyre, tempujt e tyre, nexhranasit dhe ata që janë përreth tyre, të jenë nën mbrojtjen e Allahut dhe të Muhammedit a.s.

Një moment tjetër me rëndësi është kur Pejgamberi a.s. ka qenë duke ndenjur me disa sahabe të tij, aty pranë kalon një grup njerëzish me një xhenaze, dhe Pejgamberi duke u ngritur në këmbë merr një qëndrim respekti ndaj tyre. I thonë: o i dërguar i Allahut ai i vdekuri është një hebre. Pejgamberi duke dashur të tregoj se edhe ai i vdekuri është një njeri, thotë: ai a nuk ka shpirt? Pra kur është fjala për respektin e Pejgamberi a.s. ndaj njeriut, duhet patur parasysh se ai respektin e njeriut nuk e lidhë me përkatësinë e tij etnike, religjioze, me identitetin e tij socio-kulturor, por vetëm me parimin se edhe ai është një njeri i krijuar nga ana e Allahut xh.sh.

Këto janë disa nga argumentet e shumta që tregojnë se, Pejgamberi a.s., duke qenë i bazuar në besimin dhe besën e dhënë Allahut xh. sh., në zemërgjërësinë e tij ka patur vend edhe për ata që nuk e kanë quajtur veten musliman, pra për të krishterët dhe për jomuslimanët e tjerë. Ky është një moment që në atë kohë ka qenë e paimagjinueshme. Në atë kohë kur të tjerët, gjegjësisht të krishterët, hebrenjtë etj., tjetrin e llogaritnin të pa fe, njeri të dorës së dytë, apo për Muhammedin a.s. flitnin fjalët edhe më të ndyta , ky i fundit paraqitet me koncept dhe bindje të qartë në Zotin, me qëndrim të qartë ndaj tjetrit etj. Ndërkaq, sot, në kohën postmederne, ku dominante është ideja e

multikulturalizmit, dialogut, tolerancës, mirëkuptimit, nga mungesa e të cilave bota është në vuajtje, praktika pejgamberiane dita ditës del në pah me freskinë e saj shpirtërore, burimi i të cilës është edhe te njerëzit e parë të njerëzimit, sikur që është rasti me Habilin, i cili vëllaut të vet i drejtohet me këto fjalë:

“Dhe, nëse ti e zgjat dorën për të më mbytur, unë nuk e zgjas dorën për të të mbytur ty. Unë i frikësohem Allahut, Zotit të botërave”. (Maide, 28)

Duke u nisur nga thënia e profesor R. Hafizoviçit: “Kuptimi kur’anor në fëmijërinë e tij ishte sinaje-sinaike, në rininë e tij ishte hebraike-galileje, kurse në pjekurinë e tij ishte arabe” , them që pejgamberët deri te Musai a.s. kanë përgatitur nivelin fëmijëror fetar, pejgamberët deri te Isai a.s. nivelin rinor, kurse Muhammedi a.s. ka përgatitur pjekurinë fetare, religjioze, shpirtërore të njeriut. Në Islam thuhet, feja islame jo vetëm që është plotësim i religjioneve të mëparshme dhe se Muhammedi a.s. është vulë e pejgamberisë, porse misionet paraprake pejgamberiane, ai i Ibrahimit, i Musait, i Isait, janë të përfunduara me misionin e Muhammedit a.s. Nga e gjithë kjo kuptohet se të gjithë pejgamberët e më parshëm kanë luajtur rol në përsosshmërinë e fesë së Zotit, gjegjësisht të frymëzimit ezoterik, vula e të cilëve është ky Pejgamber i fundit. Përsosshmëria fetare me Muhammedin a.s. shihet edhe në ajetin e mëposhtëm kuranor: “Dhe, kur Isai, Bir i Merjemes tha: O beni israilë, unë jam i dërguari i Allahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed. E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: kjo është një magji”. Nga kjo përsosshmëri pejgamberiane lind edhe përsosshmëria në aspektin moral dhe etik të modelit njerëzor në Pejgamberin a.s. Pra, ky është dimensioni historik i pejgamberisë së Muhammedit a.s., i cili përbën edhe dimensionin e tretë të jetës së tij.

Është e një rëndësie të veçantë të përmenden edhe raportet e Pejgamberit me rrethin, gjallesat, gjësendet etj., të cilat tregojnë një aspekt tjetër të asaj që quhet mëshirë universale e të Dërguarit të Allahut. Ai jo vetëm në gjendje normale, por edhe në situata të tendosura dhe lufte, përveç që urdhëronte të mos vriten fëmijët, gratë, pleqtë, ai porosiste që të mos priten drujt për kot, të mos therren kafshët pa nevojë etj.

Kështu që, lirshëm mund të themi se, prezenca e pejgamberit në mesin e njerëzve shpalljes hyjnore ia ka mundësuar kapshmërinë njerëzore dhe e ka përfituar vlerën funksionale brendahistorike. Këtë përmasë individuale të shpalljes, që prej ditëve të para Pejgamberi a.s. ua ka bartur shokëve të vet dhe si pasojë shpallja është socializuar, ndërsa me gjeneratat e njëpasnjëshme të muslimanëve shpallja ka përfituar përmasën e një kulture dhe qytetërimi të caktuar. Tradita profetike jo vetëm që u përgjigjej sfidave kohore të kohës së vet por ndërtoi edhe vizione të drejta, të mira dhe të bukura për ardhmërinë e gjinisë njerëzore. Pejgamberi a.s. si njeri në mesin e njerëzve ishte i zgjedhur për të qenë shembull i vlerave dhe virtytit, obligimi parësor i tij ishte që krahas thirrjes në besimin në një Zot, të mbështesë botëvështrimin e ri të elementeve, të botës, në realitet tërë qënies. Kur’ani si libër i shpallur i Zotit, vërtetohet nga zemrat ndërsa e thirr mendjen të mendojë, i përmend periudhat e historisë njerëzore prej Ademit a.s. deri te Muhammedi a.s.. Në këtë mënyrë shpallja hedh dritë të re në historinë dhe me ardhjen e saj feja dhe vetëdija për Zotin e ndryshojnë botëvështrimin tonë për vendin ku jemi dhe për rrethin.

Me një fjalë, mëshira e Pejgamberit a.s. krijon kushte të reja ku ne mund të gjejmë relacione më të mira dhe mund të kuptojmë njëri tjetrin në një mënyrë më të mirë. Shikuar nga kjo perspektivë, Muhammedi a.s. për ne paraqet Pejgamberin që transformoi botën njerëzore nga një jetë e zakonshme në kondita më të mira dhe na ofroi një rrugë të re për të kuptuar njëri tjetrin më mirë. Pra, ai ishte njeriu-pejgamber, i cili para nesh ka hapur një koncept të ri etik dhe moral, për të cilin bota sot ka nevojë më shumë se kurdoherë.

E lusim Allahun xh.sh që të na bëjë të denjë për të qenë ummet i Muhmmedit a.s., me të cilën do të ishin më të vyeshëm për popullin tonë. 

Prof. dr. Qani Nesimi

/KBI-Bujanoc.com/

 

3281 Shikime