NGRITJA E DUARVE BËHET VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR! (2)

21.11.2015

NGRITJA E DUARVE BËHET VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR! (2)


NGRITJA E DUARVE BËHET VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR! (2)

Mr. Ejup Haziri

DHËNIA PËRPARËSI SAHABËVE MUXHTEHIDË
Ebu Hanife dhe juristët e shkollës juridike hanefite në çështje të cilat ka më shumë se një mendim, atëherë para vetit kanë vendosur rregulla, e që dy prej tyre janë më të rëndësishme.
E para: Preferimi dhe zgjedhja e mendimeve nga sahabët të cilët ishin muxhtehidë (njohës të mirë të fesë), duke iu dhënë atyre përparësi para tjerëve që nuk ishin muxhtehidë. Sahabët e njohur si Enes ibën Maliku dhe Ebu Hurejre tek hanefitë nuk konsiderohen muxhtehidë. Prandaj, në transmetimet e përcjellura prej tyre, hanefitë shikojnë gjithnjë mos ka ndonjë transmetim tjetër nga ndonjë sahabij muxhtehid dhe nëse ka atëherë këtyre të fundit u japin përparësi. Për këtë arsye tek ngritja e duarve dhe çështjet tjera hanefitë nuk bazohen në transmetimet e Ebu Hurejres, Enes ibën Malikut dhe të tjerëve që ishin në të njëjtën kategori.
Këtë do ta ilustrojmë edhe me tregimin e njohur e të popullarizuar mes imam Evzaiut dhe imam Ebu Hanifes ku ishin takuar në Mekke, të cilin e përcjell ibën Ujejne dhe thotë: “Evzaiu e pyeti Ebu Hanifen: “Çfarë keni ju që nuk i ngritni duart gjatë shkuarjes në ruku dhe ngritjes prej saj?” “Sepse një gjë e tillë nuk është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut!”-iu përgjigj Ebu Hanife. Evzaiu shtoi: “Si nuk është vërtetuar, 
وَقَدْ حَدَّثَنِي الزُّهْرِيُّ عَنْ سَالِمٍ عَنْ أَبِيهِ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ تَعَالَى عَلَيْهِ وَسَلَّمَ كَانَ يَرْفَعُ يَدَيْهِ إذَا افْتَتَحَ الصَّلَاةَ ، وَعِنْدَ الرُّكُوعِ ، وَعِنْدَ الرَّفْعِ مِنْهُ 
kur më ka treguar mua Zuhriu, nga Salimi, e ky nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut i ngriste duart e tij kur ia fillonte namazit, gjatë rukusë dhe ngritjes prej saj.” 
Atëherë Ebu Hanife i tha: 
حَدَّثَنَا حَمَّادٌ عَنْ إبْرَاهِيمَ عَنْ عَلْقَمَةَ وَالْأَسْوَدِ عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ مَسْعُودٍ أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ كَانَ لَا يَرْفَعُ إلَّا عِنْدَ افْتِتَاحِ الصَّلَاةِ ، ثُمَّ لَا يَعُودُ لِشَيْءٍ مِنْ ذَلِكَ
“Na ka treguar Hamadi nga Ibrahimi, ky nga Alkame dhe Esvedi e këta nga Abdullah ibën Mes’udi, se i Dërguari i Allahut i ngriste duart vetëm gjatë tekbirit fillestar, dhe nuk e ka përsëritur këtë më në asnjë vend.”
Evzaiu i tha: “Unë po të përcjell (transmetimin) nga Zuhriu, nga Salimi e nga babai i tij, e tij po më përcjell mua nga Hamadi dhe Ibrahimi. Ebu Hanife iu përgjigj: “Hamadi ishte më i ditur në fikh se Zuhriu. Ibrahimi ishte më i ditur në fikh se Salimi. Alkame nuk ishte më pak (në dije) se ibën Omeri, ndonëse ky i fundit ishte sahabij dhe ai ka vlera, sikurse që ka vlera edhe Esvedi. Ndërsa Abdullahu (ibën Mes’udi) është Abdullah .” Evzaiu heshti dhe nuk pati përgjigje. Këtu shihet qartë se Ebu Hanife preferon dhe përzgjedh transmetuesit që kishin dije të thellë në dispozitat fetare (fekihë), ndërsa Evzaiu preferon senedin e lartë. 
Kjo është edhe arsyeja se përse Ebu Hanife i parapëlqen transmetimet nga sahabët e njohur si Abdullah ibën Mesudi, Ali ibën ebi Talib dhe nga Omer ibën Hatabi, sepse këta ishin nga sahabët më të dalluar dhe që të tre ishin njohës të mirë të dispozitave fetare. Prandaj, nuk është e rastësishme përzgjedhja e argumenteve nga Ebu Hanife dhe juristët tjerë në këtë çështje.


E dyta: Transmetuesit e shumtë (të një mendimi) nuk nënkupton që ai mendim të jetë i përzgjedhur (كثرة الرواة لا تفيد الرجحان- كثرة الرواة لا أثر لها في باب الترجيحات). 
Këtë çështje dijetari i njohur hanefit, Bedrudin el-Ajni e shtjellon bukur dhe gjatë në komentin që i bën Sahihut të Buhariut dhe Sunenit të Ebu Davudit. Ai mes tjerash thotë se bazimi në transmetuesit e shumtë bëhet vetëm atëherë kur të arrihet saktësia e dy argumenteve apo vetëm atëherë kur të vërtetohet çështja përmes argumentit. Me fjalë tjera, atëherë kur shfaqet se cili është argumenti më i fuqishëm, e jo t’i jepet përparësi transmetimeve apo transmetuesve të shumtë rreth një çështjeje të caktuar. Ajniu sjell shumë shembuj nga hadithet e shumta ku argumenton se në shumë çështje u është dhënë përparësi transmetimeve me transmetues të paktë, përkundër transmetimeve me transmetues të shumtë, siç është çështja tek leximi i besmeles me zë të vogël, ku për këtë çështje transmetojnë dy sahabinj: Enes ibën Maliku dhe Abdullah ibën Mugaffel, ndonëse hadithet për leximin me zë të besmeles transmetohen përmes katërmbëdhjetë (14) sahabij, mirëpo përkundër që janë të shumtë transmetuesit, versionet e tyre janë të dobëta.

BANORËT E KUFËS NË PRAKTIKË NUK NJIHNIN MENDIM TJETËR!
Që nga çlirimi i Kufës dhe emigrimi i sahabëve në të, ku sigurisht se qindra prej tyre zgjodhën të qëndrojnë në të, që njerëzve t’ua mësojnë Islamin, një numër i atyre që përzgjodhën Kufën për vendbanim ishin sahabë të zgjedhur dhe muxhtehidë, si rasti i Abdullah ibën Mes’udit dhe të tjerëve.
Ata që në fillim fillaun t’ua mësonin njerëzve fenë, ashtu siç kishin dëgjuar e parë nga vet i Dërguari i Allahut, e kjo lehtë mund të kuptohet se kur banorët e Kufës e kishin pyetur Abdullah ibën Mesudin, ai kishte thënë:
حَدَّثَنَا هَنَّادٌ حَدَّثَنَا وَكِيعٌ عَنْ سُفْيَانَ عَنْ عَاصِمِ بْنِ كُلَيْبٍ عَنْ عَبْدِ الرَّحْمَنِ بْنِ الْأَسْوَدِ عَنْ عَلْقَمَةَ قَالَ قَالَ عَبْدُ اللَّهِ بْنُ مَسْعُودٍ أَلَا أُصَلِّي بِكُمْ صَلَاةَ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَصَلَّى فَلَمْ يَرْفَعْ يَدَيْهِ إِلَّا فِي أَوَّلِ مَرَّةٍ
Na ka treguar Hennad i cili ka thënë: Na ka treguar Vekiu, nga Sufjani, nga Asim ibën Kulejb, nga Abdurrahman ibën el-Esved, nga Alkame, i cili thotë: “Abdullah ibën Mesudi tha: “A doni të demonstroj pranë jush namazin e të Dërguarit të Allahut–salAllahu alejhi ve sel-lem-? Ai u fal dhe duart nuk i ngriti përveç se në herën e parë (në tekbirin fillestar).” 
Pra, me fjalë tjera, ai demonstroi pranë tyre mënyrën e faljes së Pejgamberit a.s. ashtu siç e kishte parë të falej dhe ky sahabij i përgjedhur ngriti duart vetëm në fillim të tekbirit fillestar, por jo më. Prandaj, ky veprim, që i atribuohet Ebu Hanifes, për ngritjen e duarve vetëm në fillim të tekbirit fillestar, por jo më gjatë namazit, nuk është mendim i tij personal, por është mendim i trashëguar nga gjithë juristët që nga koha e tij e deri tek koha e Abdullah ibën Mesudit dhe praktika e banorëve të Kufës ishte e tillë që nuk praktikonte mendim tjetër, për shkak të transmetimeve të përzgjedhura nga sahabët e njohur si Abdullah ibën Mesudi, Omer ibën Hatabi, Ali ibën ebi Talibi dhe të tjerë që ishin të kategorisë më të lartë prej sahabëve në njohjen e dipozitave fetare. Ka disa injorantë që mendojnë se hadithet tjera që flasin për ngritjen e duarve, përveç tekbirit fillestar, nuk kanë qenë të njohura për banorët e Kufës, prandaj ata zgjodhën atë mendim. Ky padyshim që është një pretendim i pabazuar dhe i paargumentuar, sepse të gjitha argumentet flasin dhe tregojnë qartë se hanefitët dinin për transmetimet e ndryshme rreth ngritjes së duarve. Vet takimi i Ebu Hanifes me Evzaiun tregon qartë se ai i njihte opinionet e ndryshme të transmetuara në lidhje me çështjen e duarve, por arsyeja pse ai kishte përzgjedhur mendimin se duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar, e jo më gjatë namazit, ishte mbështetja e tij në sahabët që ishin të kategorisë më të lartë në njohjen e dispozitave fetare. 
Pastaj përzgjedhja e Sufjan Thevriut që duart të ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar është edhe një argument shtesë për vërtetësinë e këtij mendimi të argumentuar. Sufjani padyshim llogaritet njëri ndër personalitetet më të rralla që kishte njohuri të jashtëzakonshme në hadith. Ai para vetit kishte të gjitha transmetimet për ngritjen apo mosngritjen e duarve, por ai përzgjodhi në bazë të fuqisë së argumentimit se duart duhet të ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar.
E përveç kësaj, siç transmetohet, edhe Maliku kishte mendimin se duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar. E, Maliku nuk jetoi në Kufë, por pikërisht në qytetin e Pejgamberit a.s. Prandaj, atij sigurisht se i kishin arritur hadithet për ngritjen e duarve, por ai përzgjodhi si mendim kryesor, përkundër dy mendimeve tjera, që duart të ngriten vetëm në tekbirin fillestar.

PRAKTIKA E BANORËVE TË MEDINËS RRETH NGRITJES SË DUARVE
Maliku për ngritjen e duarve ka tri opinione; në një vend thotë se duart ngriten në çdo rënie e ngritje, duke u bazuar në hadithin e ibën Omerit. Në të dytin thotë se duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar, dhe në të tretin thotë se duart nuk ngriten fare. Mendimi i dytë është mendim i zgjedhur i tij dhe i pasuesve të tij, madje ky mendim përcillet nga nxënësit e tij, siç është i mirënjohuri ibën el-Kasim. Gjithashtu këtë mendim e mbështesin dhe e konfirmojnë edhe kolosët e shkollës së tij dhe njëherit ky është mendimi i përzgjedhur nga shumica malikite sot. 
Ibën AbdulBerri, që është njëri nga kolosët më të mëdhenj të shkollës malikite, në lidhje me këtë çështje në librin e mirënjohur “el-Istidhkar”, pasi që përmend mendimet e ndryshme nga Maliku, thotë: “Ajo që anojnë dijetarët e shkollës sonë është se duart ngriten vetëm në tekbirin fillestar, por jo diku tjetër (gjatë shkuarjes në ruku apo lëshimit në sexhde).” 
Ibën el-Kasim transmeton nga Maliku i cili ka thënë: “Duart ngriten gjatë tekbirit fillestar të namazit, e nuk ngriten më në asnjë vend.” Po ashtu nga el-Kasimi përcillet se Maliku ngritjen e duarve në namaz e shihte si diçka të dobët, dhe se për të kishte thënë: “E nëse duhet të ngriten duart, atëherë kjo bëhet vetëm në tekbirin fillestar.” 
Se imam Maliku e ka pasur këtë mendim për mosngritjen e duarve, me përjashtim të tekbirit fillestar, dëshmojnë edhe shumë transmetime nga nxënësit e tij, sikundër edhe nga juristët e shkollës së tij. Ahmed ibën Seid-i përcjell fjalët e Ahmed ibën Halid-it ku thotë: “Në mesin tonë kishte grup dijetarësh që ngritnin duart e tyre në namaz, duke u bazuar në hadithin e ibën Omerit dhe në transmetimin e njëjtë nga Maliku, mirëpo kishte edhe grup dijetarësh që nuk ngritnin duart e tyre përpos gjatë tekbirit fillestar, duke u bazuar në transmetimet e ibën el-Kasimit. Grupi i parë nuk e akuzonte të dytin e as grupi i dyti s’e akuzonte të parin.”
Dijetari i njohur malikit Ebu Omer Ahmed ibën Abdullah ibën Hashim nuk i ngrinte duart gjatë shkuarjes në ruku, ngritjes prej saj dhe lëshimit për në sexhde, e atë e kishin pyetur: “Përse nuk i ngrit duart në mënyrë që ne të pasojmë ty?” Ai u përgjigj: “Unë nuk i kundërshtoj transmetimet e ibën el-Kasimit, sepse komuniteti tek ne sot është i tillë (që nuk i ngrit duart), e kundërshtimi i komunitetit në ato çka janë të lejuara nuk është prej cilësive të dijetarëve.” 
Transmetimi i ibën el-Kasimit është shumë i njohur dhe në bazë të tij vepron shkolla malikite dhe njëherit ky është vendimi zyrtar për këtë çështje sipas kësaj shkolle. Madje, edhe opinioni i njohur i Malikut është se duart nuk ngriten në asnjë vend tjetër, përveç tekbirit fillestar, dhe se për ngritjen e duarve, me përjashtim të tekbirit fillestar, Maliku decidivisht qe shprehur: “Unë nuk di se duart duhet të ngriten gjatë namazit, as gjatë rënies e as gjatë ngritjes, përveç tekbirit fillestar.” 
Këtu shtrohet pyetja: “Përse Maliku kishte një qëndrim të tillë, se duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar?” Nga e mori një qëndrim të tillë? A nuk kishte pranë vetes transmetimet e ibën Omerit, Ebu Hurejres apo të Ebu Humejd es-Saidij? Përse nuk veproi sipas këtyre transmetimeve? Nëse, sipas disave, Ebu Hanifes nuk i paskan arritur hadithet që “konfirmojnë” ngritjen e duarve në çdo rënie e ngritje, a mund të thuhet e njëjta gjë për Malikun, i cili jetoi në vendin e shpalljes dhe që quhej “imami i vendit të hixhretit”? A refuzoi hadithet Maliku dhe ishte kundër sunetit? Pyetjet mund të jenë zingjir i gjatë, e përgjigja është shumë e shkurtër, ndoshta edhe më e shkurtër se vet pyetja?! Maliku veproi ashtu, sepse Medinën dhe popullin e saj i gjeti duke vepruar sipas një suneti të tillë, ku ngritnin duart vetëm gjatë tekbirit fillestar, e më pas jo. I dha përparësi praktikës medinase dhe transmetimit të Abdullah ibën Mesudit, para transmetimit të hadithit nga ibën Omeri, ndonëse konsiderohet zinxhiri i artë i transmetuesve. Medinasit nuk i kishte gjetur duke praktikuar ngritjen e duarve në çdo rënie e ngritje! Afërsia e tij me Pejgamberin është më e afërt se një shekull, për dallim me Shafiun, Ahmedin, Buhariun, Muslimin dhe të tjerët, që disa prej tyre i ndajnë edhe dy shekuj me Pejgamberin e Zotit. Maliku mbështetet edhe në veprimet e banorëve të Medinës. Ai shpeshherë refuzon transmetimet për shkak se veprimet e banorëve të Medinës ishin të kundërta.
Ai veçanërisht i jep përparësi praktikës së pashkëputur të banorëve të Medinës, sepse ajo ishte qendra e shpalljes dhe aty u konsoliduan edhe dispozitat gjatë kohës së Pejgamberit a.s. Në të vdiq i Dërguari i Allahut, e sahabët pas tij praktikuan veprimet e tij dhe kështu u ndërlidh veprimi i të mëvonshme (halefëve) me të mëparshmit (selefët). Madje, Maliku dhe juristët e shkollës së tij i japin përparësi praktikës së banorëve të Medinës para haditheve ahad, ndaj edhe shumë hadithe të këtij lloji i kanë refuzuar për shkak të praktikës së medinasve, por edhe të llojeve tjera, sikurse edhe ato autentike për shkak se binin në kundërshtim me praktikën medinase. Shembull për këtë është hadithi që tregon për të drejtën e përzgjedhjes mes shitësit dhe blerësit për vazhdimin e kontratës apo anulimit të saj, përderisa nuk janë ndarë, duke u bazuar në hadithin në vijim:
قالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: الْبَيِّعَانِ بِالْخِيَارِ مَا لَمْ يَتَفَرَّقَا، فَإِنْ صَدَقَا وَبَيَّنَا بُورِكَ لَهُمَا فِي بَيْعِهِمَا، وَإِنْ كَتَمَا وَكَذَبَا مُحِقَتْ بَرَكَةُ بَيْعِهِمَا.
I Dërguari i Allahut [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të] ka thënë: “Shitblerësit (dy kontraktuesit) mund të zgjedhin përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri, nëse e thonë të vërtetën dhe e shfaqin atë, do t’iu jepet atyre begati (bereqet) në shitblerjen e tyre, e nëse e fshehin të vërtetën dhe gënjejnë, atëherë s’do të ketë begati në shitblerjen e tyre.” 
E tërë polemika është në çështjen e kuptimit të hadithit se a është për qëllim ndarja në fjalë apo ndarja fizike ndërmjet dy kontraktuesve. Maliku është i mendimi se hadithi në fjalë simbolizon për ndarjen në fjalë, jo atë fizike, dhe se atëherë kur të arrihet kontrata nuk lejohet anulimi apo shfuqizimi i saj, e ky mendim është edhe i Ebu Hanifes, përderisa imamët tjerë mendojnë se për qëllim është ndarja fizike dhe se përderisa nuk janë ndarë, kanë të drejtë në shfuqizimin e kontratës. 
Malikun sikurse edhe Ebu Hanifen i kanë akuzuar se kanë sulmuar direkt sunetin e Pejgamberit a.s., sepse hadithi është i qartë dhe nuk tregon se bëhet fjalë për ndarje verbale mes tyre, mirëpo për ndarje fizike, ndërsa Maliku i është përgjigjur se praktika medinase nuk njeh tjetër formë përpos atë që e kemi thënë se për qëllim është ndarja me fjalë dhe kështu është trashëguar kjo formë nga Pejgamberi a.s. deri tek ne. E, Ebu Hanife kishte parashtruar për kundërshtarët edhe këtë pyetje: “Çfarë të bëjmë nëse shitësi e blerësi janë në anije, si arrihet e drejta e përzgjedhjes (kur nuk ekziston mundësia e ndarjes fizike)?”
Shtrohet pyetje përse Maliku nuk e kuptoi hadithin si disa tjerë? Sepse ai i gjeti medinasit duke praktikuar të drejtën e përzgjedhjes mes shitësit dhe blerësit në formën që e shpjegoi. Sikurse edhe tek ngritja e duarve vetëm gjatë tekbirit fillestar, ku kishte gjetur medinasit duke praktikuar një sunet të tillë. Prandaj, këtu del në skenë edhe një gjë që është e rëndësishme, e që ka të bëjë me dy shkollat më të hershme, e që janë shkolla hanefite dhe ajo malikite, sepse në këtë çështje të dyja kanë një mendim. Mendimi i gjeneratave të mëhershme zakonisht është më i qëlluar se i atyre të mëvonshme, sepse afërsia e tyre me Pejgamberin a.s. është vetëm disa dekada. Andaj, mendimin e shkollës hanefite për mosngritjen e duarve, përveç tekbirit fillestar e forcon edhe më tej mendimi i përzgjedhur i shkollës malikite.

/KBI-Bujanoc.com/

3184 Shikime