A ka mundësi xhindët t’i dëmtojnë njerëzit dhe si duken ato?!

17.12.2013

A ka mundësi xhindët t’i dëmtojnë njerëzit dhe si duken ato?!


A ka mundësi xhindët t’i dëmtojnë njerëzit dhe si duken ato?!

Bismi’il-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim Sa i përket asaj se a i dëmtojnë xhindët njerëzit, kjo gjë dëshmohet të ndodhë dhe vërtet ndodh. Mbrojta ndaj një fenomeni të tillë bëhet përmes leximit të Kur’anit Fisnik dhe dhikreve të përshkruara në Sher’iatin Islam.

Shejh Ibn Uthejmin (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) ka thënë:

“Padyshim se xhindët mund t’i dëmtojnë njerëzit, madje edhe mund t’i mbysin. Ata mund ta dëmtojnë një person duke e gjuajtur me gurë ose duke tentuar që ta tmerrojnë atë, e edhe përmes gjërave të tjera, të cilat janë të dëshmuara në sunnetin e Pejgamberit tonë të dashur s.a.v.s. dhe nga ngjarje të vërteta të jetës së përditshme.

Është transmetuar se Pejgamberi ynë i dashur s.a.v.s. i kishte dhënë leje një sahabiu që të shkonte në shtëpi gjatë një kampanje ushtarake – më duket se ka qenë gjatë luftës së Hendekut – meqë ai ishte i ri dhe sapo ishte martuar. Kur ai mbërriti në shtëpi, pa se bashkëshortja e tij po rrinte tek dera, gjë e cila e nevrikosi. Ajo i tha që njëherë të hynte në shtëpi dhe të shikonte. Kur ai hyri brenda, pa se në shtratin e tyre po rrinte një gjarpër i mbështjellur gullumuq. Djaloshi me vete kishte një shtizë, kështu që e sulmoi gjarpërin dhe e goditi, por në të njëjtën kohë edhe gjarpëri e sulmoi atë. Transmetohet se në të njëjtën kohë vdiqën që të dy. Nuk dihej se cili vdiq i pari, gjarpëri apo djaloshi. Kur dëgjoi Pejgamberi s.a.v.s. për këtë rast, ai e ndaloi mbytjen e gjarprinjve të padëmshëm që gjenden nëpër shtëpia (pra, meqë ata mund të jenë xhindë dhe mund të jenë të padëmshëm – shën. i përkth.), përveç atyre që janë të gjymtuar ose janë të mbuluar me vija-vija dhe keqdashës.

Kjo na bën me dije se xhindët mund t’i sulmojnë njerëzit dhe se mund t’i dëmtojnë ata, meqë një gjë e tillë vërtetohet nga ngjarje të jetës së përditshme. Ekzistojnë shumë raportime që bëjnë me dije se një njeri mund të jetë duke ecur nëpër shkretëtirë dhe një gur mund t’i gjuhet atij, mirëpo ai nuk sheh askë aty, ose ai mund të dëgjojë zëra ose shushurima sikurse ajo e drunjve e edhe gjëra të tjera që mund ta frikësojnë dhe shqetësojnë atë.

Gjithashtu, xhindi mund të hyjë edhe në trupin e njeriut, ose nga dashuria për të ose me qëllim që ta dëmtojë atë, e edhe për ndonjë arsye tjetër. Kjo gjë bëhet me dije nga ajeti i mëposhtëm:

…  ۚ  الَّذِينَ يَأْكُلُونَ الرِّ‌بَا لَا يَقُومُونَ إِلَّا كَمَا يَقُومُ الَّذِي يَتَخَبَّطُهُ الشَّيْطَانُ مِنَ الْمَسِّ 

“Ata që e hanë kamatën nuk ngrihen ndryshe, pos siç ngrihet i çmenduri nga të prekurit e djallit …” (Kur’an, El-Bekare: 275)

Në raste të tilla, xhindi mund të flasë nga brenda atij personi (kuptohet duke shfrytëzuar trupin dhe gjuhën e atij personi – shën. i përkth.) dhe i adresohet atij që është duke i lexuar Kur’an personit në fjalë (pra që është duke i bërë rukje); lexuesi mund të merr premtim nga xhindi që ky i fundit të mos kthehet kurrë më dhe për gjëra të tjera lidhur me të cilat ekzistojnë shumë raportime që janë të shpërndara nëpër popull.”

Përktheu: Daim Abazi

3166 Shikime