Ne vigjilie te Nates se Israse dhe Miraxhit

14.05.2015

Ne vigjilie te Nates se Israse dhe Miraxhit


Ne vigjilie te Nates se Israse dhe Miraxhit

(Pjese te shkeputura nga libri “Te Deguarit e Allahut” nga z. Ahmed Behxhet, perktheu Sabri Bajgora)

Erdhën kohë të vështira për Pejgamberin a.s., kohë në të cilat Islami dukej i huaj, i vetmuar e i pa përkrahës, ashtu siç ndihej i vetmuar e i pa përkrahës edhe vetë i Dërguari i Allahut.
Përafërsisht, në ato çaste të vështira, të rënda e të ndera, kur dukej se edhe njerëzit kishin filluar t’ia kthenin shpinën Pejgamberit a.s., pasoi ndërhyrja hyjnore. 
Ndodhi mrekullia e madhe e Muhamedit a.s. - Israja dhe Mi’raxhi.
Kjo mrekulli në fakt nuk ka kurrfarë lidhje me Thirrjen Islame. Israja dhe Mi’raxhi nuk erdhën për ta mbështetur a përforcuar Thirrjen, por erdhën për ta forcuar e mbështetur personalisht Pejgamberin a.s., për ta nderuar vetëm atë, për ta fisnikëruar vetëm atë.
Me këtë ndodhi të mbinatyrshme, Allahu sikur dëshironte t’i thoshte të dërguarit të Tij:
- Nëse banorët e Tokës nuk të lavdërojnë, megjithatë banorët e Qiellit e dinë madhështinë e lavdisë sate.
- Nëse njerëzit e refuzojnë Thirrjen tënde dhe të refuzojnë, megjithatë Allahu të ka zgjedhur ty, të ka nderuar e të ka ftuar tek Ai, për t’i dëftuar disa prej shenjave dhe argumenteve të madhështisë së Tij.
Mrekullia e Israsë dhe e Mi’raxhit shkëlqeu me tërë madhështinë e saj në historinë e ndritshme të pejgamberëve, si një mrekulli e rrallë dhe e pashembullt me ndonjë ndodhi të ngjashme të ndonjë pejgamberi tjetër.
Kemi parë tek pejgamberët disa pre të cilëve Allahu i ka quajtur të dashurit dhe miqtë e Tij si Ibrahimi a.s.; kemi parë tek disa pejgamberë të cilëve u ka folur Allahu pa ndërmjetës, si Musai a.s., mirëpo, tash, për herë të parë jemi para një të Dërguari, të cilin e fton pranë Vetes, Vetë, Allahu i Plotfuqishëm.
Ky i Dërguar ngrihet së bashku me Xhibrilin a.s., me trup e me shpirt dhe arrijnë deri në një pikë të udhëtimit, ku Xhibrili a.s. ndalet tek vendi i tij, ndërsa udhëtimin e vazhdon i vetëm, i Dërguari a.s.
Kjo është gradë prej gradave më të larta të nderimit e të fisnikërimit, para së cilës ndalen së shkruari edhe penat, në pamundësinë përshkrimit të saj, apo qoftë edhe vetëm përpjekjen për përshkrimin e saj.
Në tregimet e pejgamberëve të mëparshëm kemi parë të dërguar teksa i kërkonin Allahut që t’i dëftojë se si i ngjall të vdekurit, pas së cilës kërkesë Allahu e pyet se a ke dyshim në këtë, kurse Ibrahimi a.s. i përgjigjet që beson bindshëm, por dëshiron që t’i qetësohet e prehet zemra e tij.
Kemi parë të dërguar që i shtyrë nga dashuria e madhe ndaj Allahut e pyet Atë:
“Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të shikoj!” - (El-A’ëraf, 143)
Allahu i përgjigjet Musait a.s. se është e pamundur që një krijesë njerëzore ta shohë Atë, duke ia bërë me dije se krijesa nuk mund ta durojë shfaqjen e Krijuesit me sytë e tij.
Ndërsa Muhamedi a.s. nuk i kërkoi Zotit të tij ndonjë mrekulli a veprim të mbinatyrshëm, as kërkoi ta shihte e as t’i qetësohej e prehej zemra.
Dashuria e tij ndaj Allahut ishte e një lloji të veçantë, thellësinë e së cilës është vështirë ta kuptojnë a ta shpjegojnë njerëzit.
Kjo dashuri e tij ndaj Allahut nuk ishte e atij lloji që shkakton pyetje. Dashuria e tij kishte tejkaluar shkallën e pyetjeve në shkallën e Islamit dhe të kënaqësisë. E tërë ajo që e shqetësonte Pejgamberin a.s. ishte kënaqësia e Allahut ndaj tij.
I Dërguari a.s. duke dalë nga Taifi, i refuzuar, i dëbuar dhe i plagosur tha:
- “Nëse Ti o Zoti im nuk je i hidhëruar ndaj meje, atëherë aq që më bën për të tjerët”.
Shiko shkallën e kësaj dashurie, shkallën më kulmore të modestisë duke thënë: “Nëse Ti o Zoti im nuk je i hidhëruar ndaj meje...”, sikur nuk lakmonte në kënaqësinë e Tij, por vetëm llogariste në mos hidhërimin e Allahut ndaj tij.
Edukata e Resulullahut s.a.v.s. me Zotin e tij ishte edukatë e denjë për të parin e muslimanëve dhe më të përsosurin e tyre në moral.
Është e drejtë meritore për të parin e muslimanëve që t’i realizohet kërkesa e tij edhe pa e kërkuar atë, dhe të nderohet pa e pritur një gjë të tillë dhe t’i për¬gjigjet kërkesave të bëra nga pejgamberët para tij e që nuk janë pranuar e reali¬zuar.
Kjo ishte mrekullia e Israsë dhe e Mi’raxhit.
Ishte mrekulli që kishte për qëllim nderimin e personalitetit të Pejgamberit a.s.
Ishte mrekulli që nxit lëvizjen e mendjes dhe të zemrës së bashku.
Të gjithë të dërguarit e Allahut, pa përjashtim, ishin të fuqizuar e të përkrahur me mrekulli të ndryshme që ndodhën në tokë, madje edhe pejgamberët të cilët janë ngritur në qiell si Idrisi dhe Isai a.s., ngritja e tyre ishte me qëllim të shpëtimit nga mbytja ose kryqëzimi. Mrekullia e ngritjes së tyre në qiell njëko¬hësisht ishte edhe fundi i aktiviteteve të tyre në tokë.
Ndërsa, kjo është hera e parë që ndeshemi me një mrekulli, epiqendra e së cilës është qielli. Mrekulli që personifikohet me një të dërguar që ngrihet në qiell me trup e me shpirt, duke qenë i gjallë. Në këtë natë, Allahu xh.sh. i dëftoi të Dërguarit të Tij disa nga shenjat e Tij të mëdha, e pastaj ky i dërguar rikthehet në tokë, që t’i ekspozohet maltretimeve dhe persekutimeve nga ana e banorëve të tokës.
Muhamedi, i biri i Abdullahut, ishte njeriu i parë që kaloi kufijtë e planetit Tokë, tejkaloi planetë, yje e galaktika, duke u ngritur lart...
Ne në kohën tonë kemi qenë dëshmitarë të ngritjes së njeriut të parë në gjithësi. Hapësira e vetme të cilën njeriu arriti ta pushtojë deri tash, pas plotë 14 shekujsh të Shpalljes, ishte ajo në mes të tokës dhe hënës, dhe aterrimit në truallin e Hënës - trupit më të afërt qiellor prej nesh. Ndërsa para 14 shekujsh, Pejgamberi a.s. u ngrit në sferat më të larta të gjithësisë, duke kaluar botë pas bote, galaktikë pas galaktike, deri sa arriti në pikën më kulmore të saj, në Sidretu-l Munteha.
Arriti deri aty ku përfundon e ekzistenca e krijuar dhe fillon bota e gajbit (të fshehtës-të panjohurës). A nuk është Xheneti pjesë e kësaj bote të fshehtë? Ai arriti në Xhenet, një xhenet të cilin Allahu e quan “Xhennetul Me’va”.
Arriti deri në atë stad në të cilin ndërpriten njohuritë e krijesave, realitetin e së cilës botë nuk e di askush tjetër pos Allahut.
Mrekullia e Israsë është një mrekulli, ndërsa ajo e Mi’raxhit mrekulli tjetër në vete, ndonëse që të dyja kanë ndodhur në të njëjtën natë.
Këto dy mrekulli përmenden në Kuran në dy kaptina të ndryshme:
Allahu në shenjë të mrekullisë së Israsë thotë:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit).” - (El-Isra’ë, 1)
Ndërsa në shenjë të mrekullisë së Mi’raxhit thotë:
“Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhenetul Me’va (kopsht strehimi i...) Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” - (En-Nexhm, 13-18)
Në natën e Israsë dhe të Mi’raxhit, i Dërguari i Allahut bëri tavaf rreth Qabesë duke u lutur dhe Allahu i plotfuqishëm e shikoi robin e Tij me syrin e mëshirës.
I Gjithëmëshirshmi i lëshoi urdhrin hyjnor Shpirtit Besnik-Xhibrilit a.s.që ta shoqëronte robin dhe të dërguarin e Tij nga Mesxhidul Harami (Qabeja) deri në Mesxhidul Aksa, e pastaj së bashku me të të ngrihej në qiell që t’i shihte disa nga argumentet dhe shenjat e mëdha të Zotit të tij.
* * *
Në njërën prej shtëpive të ndershme dhe të varfra të Mekës, i Dërguari i Allahut po flinte...
Ishte mesnatë...
Tashmë qe lëshuar urdhëresa hyjnore për qetësinë dhe heshtjen që ato të shtrinin flatrat e tyre mbi shkretëtirë.
Qetësia dhe heshtja zbatuan urdhëresën hyjnore. Në këtë natë heshtën zërat e çuditshëm të shpezëve të natës. Ato kishin curruar veshët e tyre dhe po dëgjo¬nin. Edhe bishat e egra të shkretëtirës ishin qetësuar. Asnjë prej tyre nuk pipë¬tinte. Zemrat e tyre po dridheshin nga dashuria hyjnore.
Edhe uji i Zemzemit vazhdoi të rridhte lehtë, pa zhurmë. Madje edhe erërat frynin në heshtje e në qetësi duke mos lëshuar fishkëllimat e tyre. Edhe ato ki¬shin hapur veshët për të dëgjuar. Çdo krijesë po parandiente se diçka e madhe do të ndodhte atë natë në Tokë. Brendia e Tokës filloi të dridhej nga mëshira e frikërespekti, ndërkohë që Xhibrili a.s. po shkelte lehtë truallin e shkretëtirës dhe po hynte në shtëpinë e Resulullahut s.a.v.s.
Xhibrili a.s. u ndal te koka e Pejgamberit a.s. dhe i hodhi një shikim plot dashuri.
Shikimi i tij e zgjoi Resulullahun s.a.v.s., i cili hapi sytë dhe me të shpejt u ngrit nga shtrati i tij.
- Es-Selamu alejke, o i Dërguar fisnik! Allahu i Madhërishëm dëshiron që ti sonte t’i shohësh disa nga shenjat (argumentet) e Tij në këtë gjithësi (ekzistencë) - i tha Xhibrili a.s. 
Xhibrili a.s. filloi të ecte, e pas tij u nis Muhamedi a.s.. Kur dolën prej shtëpisë, Muhamedi a.s. e pa “Burakun”. Ishte kjo një krijesë që i ngjante një shpendi. Krahët e tij ishin sikur krahët e skifterit. Ishte një krijesë e krijuar nga Allahu, prej elementeve të vetëtimës dhe për këtë arsye u quajt “Burak”. Vetë¬tima është energji. Energjia është dritë. E drita është krijesa që e ka shpejtësinë më të madhe të mundshme të njohur mbi tokë. Rrezet e dritës për një sekondë kalojnë rreth 300 mijë km dhe është e ditur se çdo send që lëviz me shpejtësinë e dritës, shndërrohet në dritë. Ky është Ligji i shkencës.
Disa dijetarë kanë përzgjedhur mendimin se fuqia e dritës dhe shpejtësia e saj është shfrytëzuar për udhëtimin e Pejgamberit a.s.. 
Natyrisht që edhe zemrat tona qetësohen me këtë mendim, ndonëse paqartë-sitë e mbërthejnë mënyrën e cila është shfrytëzuar gjatë këtij udhëtimi.
Kurani nuk e ka cekur mjetin e udhëtimit i cili u shfrytëzua për këtë udhëtim që nga fillimi e deri në largësitë më të skajshme të tij, udhëtim që i shërbeu Resulullahut s.a.v.s. të shihte disa nga argumentet e mëdha të Allahut. Ndonëse hadithet e Pejgamberit a.s. flasin se i Dërguari a.s. kishte hipur në “Burak”, që është një lloj gjallese e cila hapat e parë i vendos aty ku arrin fundi i shikimit të tij, megjithatë më shumë të len të kuptosh se në pyetje është metafora shpre¬hëse për shpejtësinë e hatashme të “Burakut”.
Ne nuk do të ndalemi këtu për të diskutuar rreth “anijes kozmike” e cila u shfrytëzua për këtë udhëtim. Gjithashtu nuk do të ndalemi për të pyetur se në ç’mënyrë i Dërguari i Allahut kishte çarë dhe kishte kaluar shtresat e gjithësisë, pa ndonjë trajnim paraprak, dhe as sa zgjati koha e këtij udhëtimi. Ne nuk do të pyesim as për shpejtësinë e lëvizjes së “Burakut”. Ne nuk do të çuditemi nga ky pushtim i gjithësisë dhe kalim i saj. Nuk do të pyesim për asnjërën nga këto, sepse tashmë e kemi një përgjigje të mjaftueshme dhe kuptimplote.
Ishte dëshirë dhe vullnet i Allahut të ndodhte kjo.
Ai vetëm urdhëroi: “Bëhu!” - dhe kjo u bë.
Disa nga dijetarët nuk janë të pajtimit me faktin nëse udhëtimi i Israsë dhe i Mi’raxhit ishte vetëm me shpirt, apo me trup e me shpirt, së bashku.
Mendimi më i pranueshëm dhe i vërtetë flet se ky udhëtim ishte me trup e me shpirt, ndërsa në polemika mospajtuese e kundërthënëse ranë ata të cilët me logjikën e tyre të cekët njerëzore, nuk arritën të shpjegonin dot këto dy udhëtime. Ata ranë në kurthin e pyetjeve: Si? - Qysh? - Në ç’mënyrë?...etj, duke vënë kështu në dyshim fuqinë dhe mundësinë e Allahut. Këta u përpoqën ta nënshtrojnë e shpjegojnë këtë fuqi sipas shkaqeve tona të rëndomta dhe sipas ligjeve shkencore që aktualisht mbretërojnë, apo thjesht edhe sipas parametrave dhe logjikës gjysmake e të mangët njerëzore.
I Lartësuar dhe i zhveshur nga çdo e metë dhe mangësi qoftë Allahu, nga ato që i përshkruajnë jobesimtarët.
A thua si mund të pyesin njerëzit për mundësinë e ngritjes së të Dërguarit a.s. me trup e me shpirt në pikën më kulmore të qiellit e pastaj për kthimin e tij në shtratin ende të nxehtë?!
Përse gjithë ky dyshim dhe skepticizëm në mrekullinë e Israsë dhe të Mi’raxhit, kur fuqia e Allahut është e pranishme edhe në shumë procese natyrore përreth nesh dhe në ne?
Cila mrekulli këtu mund të krahasohet me mrekullinë e shndërrimit të një pike të ngjizur, në njeri, ose të shndërrimit të farës në pemë, ose mrekullia e gjallërimit të tokës me ujë, ose shuarja e etjes me të, ose edhe mrekullia e dashurisë e cila i lidh dy zemra, pa u njohur më parë?
* * *
“Buraku” u përkul për Pejgamberin a.s., i cili së bashku me Xhibrilin a.s. hi¬pën mbi të. “Buraku” çau përpara si një shigjetë drite mbi kodrat e përgju¬mura të Mekës duke përshkuar dunat e shkretëtirës në drejtim të veriut. 
Xhibrili a.s. bëri me shenjë kah kodra e Sinait dhe “Buraku” u ndal. Ai tha: Në këtë pjesë të bekuar, Allahu i ka folur Musait a.s., pastaj Buraku u nis sërish derisa arriti në Bejtul Makdis.
I Dërguari a.s. zbriti nga ky mjet fluturues, i cili ecte me shpejtësi më të madhe se ajo e dritës për miliona herë, pa u shndërruar në dritë.
Pasi zbritën në tokë, i Dërguari i Allahut së bashku me Xhibrilin, hynë në Bejtul Makdis.
Kur hyri brenda në Mesxhidul Aksa, i pa aty të gjithë të dërguarit e Allahut duke e pritur atë. Allahu x.sh. i kishte ringjallur të gjithë pejgamberët nga vdekja dhe i kishte tubuar në Mesxhidul Aksa.
Engjëjt i ofruan dy enë; në njërën kishte qumësht kurse në tjetrën një pije tjetër. Ai e zgjodhi qumështin dhe e piu.
Iu tha: Zgjodhe natyrshmërinë, prandaj edhe Ymeti yt do ta zgjedhë këtë natyrshmëri.
Të dërguarit e tjerë u afruan rreth Resulullahut s.a.v.s. dhe ndërkohë hyri koha për namaz. Të dërguarit u pyetën në mes vete: A thua cili do t’u printe si imam në namazin e tyre? A do të ishte Ademi, Nuhi, Ibrahimi, Musai apo Isai a.s.? Atëherë Xhibrili a.s. me një zë kumbues iu drejtua Muhamedit a.s. me fjalët: “Allahu të urdhëron që t’ua falësh namazin të dërguarve të Tij!”
I Dërguari i Allahut u ngrit, ua fali namazin të dërguarve të tjerë. Të gjithë ata ishin muslimanë, e Muhamedi a.s. i pari i tyre.
Ishte e logjikshme që Muhamedi a.s. të ishte imam-prijës i pejgamberëve në namaz, ashtu siç ishte libri i tij Kurani plotësues dhe mbikëqyrës i librave të mëhershëm.
U lexoi atyre Kuran dhe duke lexuar, qau. Modestia, përulësia dhe thjesh¬tësia e tij, i bëri të qanin të gjithë pejgamberët e tjerë. Kur pejgamberët ranë në sexhde pas imamit të tyre, në të njëjtën kohë në sexhde ndaj Allahut ranë yjet dhe pemët.
Namazi u krye, ndërkohë që të gjithë të dërguarit e Allahut u kthyen secili prej tyre në qiellin e përcaktuar nga ana e Krijuesit.
I Dërguari i Allahut së bashku me Xhibrilin, dolën nga xhamia dhe sërish hipën mbi “Burak”.
Si një shigjetë drite, “Buraku” me shpejtësi të paparë çau lart drejt hapësirës së qiellit, pastaj lart e më lart…
Kaloi pranë qiellit të parë dhe aty e takoi Ademin a.s..
Atëherë Allahu xh.sh. urdhëroi:
- Le të ngrihet robi Im edhe më lart!
Dhe robi i Allahut, Muhamedi, i biri i Abdullahut u ngrit edhe më lart.
Kaloi qiell pas qielli.
I kaloi ata qiej me trup e me shpirt. Ai veç po përgatitej të qëndronte para Madhërisë hyjnore.
Po ngrihej shpirtërisht dhe fizikisht me shpejtësi më të madhe sesa shpej¬tësia e “Burakut”.
Tejkaloi pozitën shpirtërore të Ademit a.s. në qiellin e parë, tejkaloi edhe vendqëndrimin e Jahjasë dhe të Isait a.s. në qellin e dytë.
Atëherë Allahu xh.sh. urdhëroi:
- Le të ngrihet robi Im edhe më lart!
Dhe robi e pejgamberi i Tij u ngrit lart e më lart. E kaloi edhe qiellin e tretë, të katërt, të pestë, të gjashtë, të shtatë…, e kaloi tërë gjithësinë me trup e me shpirt, me qenie, në realitet dhe vazhdoi të ngrihej…
Më në fund, arriti në ‘Sidretul Munteha”…
Arriti në vendin më të shenjtë, të cilin Allahu e quan “Sidretul Munteha”, dhe aty i Dërguari i Allahut e pa “Xhenetul Me’va”.
Pa gjëra të cilat nuk i dimë, nuk mund t’i kuptojmë e as mund t’i përfytyroj-më.
“Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi.” - (En-Nexhm, 16)
Ai në atë vend përjetoi atë çka përjetoi...
Me një madhështi të tillë misterioze por të inspiruar, Allahu xh.sh. na infor¬mon për disa gjëra që kanë ndodhur, ndonëse e ka lënë të fshehur për ne, atë që ka ndodhur.
Atë që Allahu e ka lënë të fshehtë për ne, e ka parë Resulullahu s.a.v.s., me sytë e tij. Kjo është një mrekulli e posaçme vetëm për të. Kjo është një prej shkallëve të dashurisë, perdet e së cilës nuk zbulohen për shkak se janë të pa-kapshme e të paarritshme për kapacitetet e njohjes njerëzore.
Atëherë Allahu xh.sh. krijuesi i Xhenetit dhe i Xhehenemit, urdhëroi:
- Le të ngrihet robi Im edhe më lart!
Dhe robi i Allahut, Muhamedi i biri i Abdullahut u ngrit edhe më lart. Hodhi një shikim prapa dhe e pa Xhibrilin a.s. duke qëndruar në vendin e vet, duke e lavdëruar e madhëruar Allahun.
Xhibrili nuk ishte më në pamjen e tij njerëzore, në të cilën e kishte parë i Dërguari i Allahut, në tokë dhe gjatë udhëtimit. Shpirti Besnik u rikthye në pamjen e tij reale e të vërtetë, prej engjëlli, në të cilën e kishte krijuar Allahu xh.sh.
Muhamedi a.s. i nguli sytë në Xhibrilin a.s.. Ai ishte një prej shenjave të mëdha të Allahut, të cilat i kishte premtuar Allahu se do t’i shihte atë natë.
“Shikimi (i Muhamedit) as lakoi e as tejkaloi.” - (En-Nexhm, 17)
Kjo pamje e Xhibrilit nga ana e Pejgamberit a.s., ishte me zemër e me shpi-rt, me sy dhe me të gjitha shqisat e njohura e të panjohura. Ishte pamje shumë e kthjelltë dhe e qartë. 
Nuk ishte ëndërr.
Nuk ishte halucinacion e as imagjinatë.
Asnjëra prej të gjitha këtyre, sepse çështja ishte shumë më madhështore se të gjitha këto.
I Dërguari i Allahut e pa atë me trup e me shpirt.
“Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as tejkaloi.” - (En-Nexhm, 17)
Dhe pas kësaj, i Dërguari a.s. filloi të ngrihej lart e më lart…
Vazhdoi të ngrihej derisa u ndal dhe qëndroi para Madhërisë së Krijuesit dhe Mbizotëruesit të qiejve dhe të tokës, Mëshiruesit të kësaj bote, Mëshirëplotit të botës tjetër (Ahiretit).
* * *
I Pari i muslimanëve ra në sexhde para Krijuesit të gjithësisë e të ekzistencës duke thënë:
Et-tehijjatu lil-lahi ves-salavatu vet-tajjibatu - Nderimi, lutjet si dhe të gjitha mirësitë i takojnë vetëm Allahut. 
Allahu i Plotfuqishëm tha:
Es-selamu alejke ejjuhen nebijju ve rahmetullahi ve berekatuhu - Paqja, shpëtimi, mëshira dhe bekimi qoftë mbi ty, o i Dërguar i Allahut; 
Engjëjt kur dëgjuan këto përshëndetje në mes të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, thanë:
Es-Selamu alejna ve ala ibadil-lahi-s-salihin - Shpëtimi i Allahut qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Zotit.
Ndërsa Xhibrili a.s. duke qenë dëshmitar i kësaj madhështie tha:
Esh-hedu en la ilahe il-lallah ve esh-hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu - Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij 
Këto shprehje janë përmbajtja e përshëndetjes “Et-Tehijjatu”, të cilën muslimanët e thonë gjatë uljes në namazet e tyre të përditshme.
Në ato çaste madhështore e të bekuara, u bë obligim namazi për muslimanët. U bë obligim në një çast të ngritjes dhe të afërsisë shpirtërore të Pejgamberit a.s. me Allahun xh.sh., gjatë ngritjes në qiell.
Tek shumica e muslimanëve është i njohur rrëfimi se në fillim, Allahu xh.sh. e obligoi Muhamedin a.s. me pesëdhjetë namaze në ditë, e pastaj kur i Dërguari a.s. zbriti nga ai vend i lartë e takoi Musain a.s., i cili e pyeti se me sa kohë të namazit e kishte ngarkuar Allahu Ymetin e tij? Kur Muhamedi a.s. i kishte treguar se numri i namazeve ishte 50, Musai a.s. i kishte thënë: Ymeti yt nuk mund ta bartë këtë ngarkesë, prandaj kthehu tek Zoti yt dhe lute për lehtësim ndaj tyre. Muhamedi a.s. u kthye para Madhërisë së Allahut dhe Ai ia lehtësoi Ymetit të tij dhjetë namaze. Pastaj Muhamedi a.s. u kthye prapë tek Musai a.s. e ai prapë ia tërhoqi vërejtjen se namazet ishin të shumta dhe Muhamedi a.s. prapë u kthye tek Allahu dhe kërkoi lehtësim për Ymetin e tij, derisa çështja përfundoi në 5 namaze, që d.m.th. se sevapi (shpërblimi) i këtyre 5 namazeve do të jetë sa i 50 namazeve…
***
Ndodhia e Miraxhit ishte një gërshetim i madhështisë, dinjitetit dhe i mëshirës. I Dërguari i Allahut pa gjëra, të cilat gjuha është e paaftë t’i shpjegojë dhe e tejkalon çdo gjë që mund ta imagjinojë e të arrijë të kuptuarit e kufizuar të mendjes njerëzore.
Konteksti kuranor, qëllimisht e ka tejkaluar dhe nuk e ka përmendur atë çka ka parë i Dërguari i Allahut, sepse kjo thjesht është një fshehtësi në mes të dërguarit dhe Zotit të tij. Kjo është një mrekulli e veçantë vetëm për Pejgamberin a.s. dhe nderim i posaçëm vetëm për të, personalisht. Teksti kuranor e tejkaloi këtë për të dëshmuar se ai vërtet pa disa nga shenjat më të mëdha të Allahut xh.sh.
Ne absolutisht nuk dimë dhe nuk mund të paragjykojmë se çfarë ka parë i Dërguari a.s.. Krejt ç’mund të imagjinojmë është ajo se i Dërguari a.s. ka rënë në sexhde nga devotshmëria dhe frikërspekti i madh ndaj Allahut dhe ka qarë me ngashërim nga gëzimi dhe lumturia e papërshkrueshme që e kishte pushtuar tërë qenien e tij.
Në ato çaste, çdo pikëllim e dëshpërim që kishte pasur në zemrën e tij, u tretën përgjithmonë. Zemrën e tij e kishte pushtuar lumturia e amshueshme.
Pasi që Pejgamberi a.s. kishte parë sekretin e fshehtë...
Pas këtij nderimi e fisnikërimi madhështor, ai u kthye te “Buraku”, hipi në të dhe së bashku me Xhibrilin a.s. ia mësynë kthimit në tokë...
Zemra e tij ishte mbushur plot mallëngjim e lumturi.
Gjoksi i tij ishte mbushur me qetësi shpirtërore, me kënaqësi dhe me gatishmëri për flijim, për Allahun xh.sh.

/KBI/Bujanoc.com/

2115 Shikime