Mevludi, rrugë e mirë, e jo bidat

29.01.2015

Mevludi, rrugë e mirë, e jo bidat


Mevludi, rrugë e mirë, e jo bidat

Mendoj se është në interes të përgjithshëm që fillimisht të paraqesim një konkluzë shumë elegante dhe të fuqishme të një numri bukur të madh të dijetarëve islam, e cila doli si rezultat i hulumtimeve dhe studimeve të thella në këtë lëmi, fillimisht paraqesin dilemën se Mevludi a përfshihet në radhët e bidateve, apo ndoshta ka ndonjë element ndikues që e përjashton Mevludin nga radhët e bidateve?!. Këtë tezë fuqimisht e elaboron dijetari bashkëkohorë Dr. Muhamed Seid Ramadan el Buti, i cili duke u mbështetur në argumente shumë të fuqishme vërteton se Mevludi si risi nuk përfshihet në kategorinë bidateve porse kjo risi konsiderohet sirrugë e mirë e hapur në interes të islamit dhe të muslimanëve.

Argumentet ku mbështetet ky mendim, është hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. i cili ka thotë: ”….çdo bidat është në humbje (dalalet). ” Mënyra e argumentimit që e zbaton Buti për të ardhur te vlerësimi se çdo risi nuk është bidat, është se Pejgamberi s.a.v.s. ka përdorur shprehjen “Kul-lu” e që usulistët janë unik se kjo shprehje është gjithëpërfshirëse pa asnjë përjashtim, e që nënkupton se çdo veprim i cili klasifikohet si bidat, me automatizëm vlen dispozita e dalaletit. Risitë të cilat klasifikohen në radhët e bidateve sipas këtij mendimi janë ato risi, të cilat kanë të bëjnë me çështjet esenciale të besimit islam apo të shtyllave fundamentale islame dhe që njëkohësisht konsiderohen pjesë përbërëse të Islamit. Këtë e vërtetojnë po ashtu me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s.: “Kush shpikë një risi në çështjen tonë (fenë tonë) që nuk është pjesë e saj, është e pa pranuar – e refuzuar.” Nga ky hadith qartë vërehet se motivi i refuzimit të risisë që konsiderohet bidat, është shpikja apo risia që bëhen në esencën apo themelet e fesë, e që më pas konsiderohet pjesë e përbërëse dhe e pa ndashme e fesë, ngase Ligjvënës është vetëm Allahu, dhe askush nuk ka të drejtë të shtojë apo pakësoj diçka në themelet dhe esencën e Islamit.

Kurse veprat sjelljet dhe risitë tjera, që burojnë nga njeriu dhe nuk perceptohet e as që mendohet dhe besohet se këto veprime janë pjesë përbërëse të esencës së Islamit apo shtyllave të tij, porse përmes tyre është për qëllim arritja dhe realizimi i qëllimit të caktuar që është në interesin e përgjithshëm shoqëror, qoftë nga jeta fetare apo nga jeta e kësaj bote, nuk konsiderohen bidate. Veprimet e tilla, konsiderohen si mjete ndihmëse legjitime për të realizuar interesin e përgjithshëm fetar dhe jetësor, andaj edhe në bazë të hadithit të Pejgamberit s.a.v.s.s. konsiderohen si rrugë të mira dhe të dobishme për të cilat Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Kush e hap një rrugë të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e tij për këtë rrugë si dhe shpërblimin e atyre që pasojnë të veprojnë në këtë rrugë pa iu pakësuar shpërblimi…”[1]

Dijetarët në fjalë, Mevludin e ranguan në këtë përfshirje të hadithit, sepse askush nga besimtarët islam, deri më sot Mevludin nuk e trajtoi si çështje esenciale të besimit, apo si pjesë përbërëse e shtyllave islame, porse trajtimi gjithnjë ishte dhe ngeli vetëm si rrugë dhe metodë për t’u afruar te dashuria e Allahut të Madhërishëm dhe të Dërguarit të Tij.

Të kësaj kategorie ekzistojnë edhe një sërë risi tjera që nuk ekzistonin në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., si p.sh.: themelimi i mediumeve elektronike dhe të shkruara që shfrytëzohen maksimalisht për thirrjen islame, organizmi i kongreseve, takimeve dhe sesioneve shkencore dhe organizime tjera që janë në interes të Islamit dhe të muslimanëve. Nga veprimet e mira në Islam konsiderohen edhe manifestimet që i organizojnë muslimanët në raste të veçanta, si p.sh. fillimi i vitit të rij hixhrij, që simbolizon ngjarjen e emigrimit të Pejgamberit s.a.v.s. nga Meka në Medinë, shënimi i ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit, shënimi i çlirimit të Mekes, betejës së Bedrit e pse jo edhe shënimi i përkujtimit të lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. përmes ceremonisë së quajtur Mevlud, kur dihet fare mirë fakti se ky manifestim në vete përmban dobi të shumta për muslimanët duke filluar nga leximi i Kur’anit, salevateve, ligjëratave e deri te lutja e përbashkët.

Pra, vërtetë të gjithë e dinë se tubimi i njerëzve në ceremoninë e Mevludit është një risi që nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., mirëpo a është argument i mjaftueshëm dhe a ka fuqi argumentuese shkencore dhe racionale që vetëm ky fakt ta bëjë që Mevludi të trajtohet si bidat dhe si i tillë të ndalohet nga përdorimi. Sigurisht se ky argument është i pa mjaftueshëm dhe nuk ka peshën e duhur për ndalimin e një veprimi të tillë si Mevludi, që është aq i dobishëm për muslimanët. /KBI-Bujanoc.com/

1562 Shikime