Tekbiri Fillestar (تكبيرة الافتتاح)

27.12.2014

Tekbiri Fillestar (تكبيرة الافتتاح)


Tekbiri Fillestar (تكبيرة الافتتاح)

Mr. Ejup Haziri

Hyrje
Që nga kjo temë do të fillon trajtimi i tematikës së namazit, pa u ndërlidhur me nijetin apo drejtimin e kibles, sepse, siç kam potencuar edhe në shkrimet paraprake, qëllimi im është që kjo tematikë të trajtohet nga tekbiri fillestar e deri tek dhënia e selamit. Pra, ka të bëjë me namazin praktik, nga fillimi e deri në fund, gjegjësisht me kushtet brenda për brenda namazit, e jo me ato që i paraprijnë namazit. Tekbiri fillestar dhe dispozitat që kanë të bëjnë me të do të jenë objekt diskutimi i këtij punimi.
Hyrja në namaz me tekbir (الله أكبر)
Pjesa dërrmuese e juristëve myslimanë janë të mendimit se tekbiri fillestar (تكبيرة الافتتاح) paraqet hyrjen direkte në namaz dhe përcakton se pa të namazi është i pavlefshëm.[1] Është quajtur tekbiri fillestar sepse me të fillon namazi.[2] Juristi i madh Ibrahim Nehaiu në këtë kontekst qartë qe shprehur: “Kushdo që nuk shqipton tekbirin kur fillon namazin, ai nuk është në namaz.”[3] Shqiptimi i tekbirit (Allahu Ekber apo ndonjë fjalë tjetër, të ngjashme me këtë që tregon madhështi ndaj Allahut) sipas Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit është kusht (shart) i namazit, gjegjësisht kusht për hyrje në namaz. Njëherit ky mendim i tyre paraqet edhe opinionin përfundimtar juridik (fetvanë) të shkollës hanefite.[4] Ndërsa Muhamedi (nxënësi i Ebu Hanifes) parasheh që shqiptimi i tekbirit është pjesë përbërëse e namazit (rukn). Togfjalëshin “Allahu ekber” sikurse Muhamedi, edhe shkollat tjera juridike e shohin si pjesë përbërëse të namazit (rukn).[5] Ndonëse si kushti edhe rukni nuk kanë ndonjë dallim shumë të madh, dhe ajo që është kusht nuk bën pa të, sikurse ajo që është rukn e që konsiderohet si pjesë përbërëse e saj,[6] megjithatë ka dallim mes kushtit (شرط) dhe ruknit (ركن). Kushti (شرط) konsiderohet si pjesë e jashtme )e namazit(, e që i paraprinë namazit, sikurse pastërtia që është kusht për namazin, përderisa rukni (ركن) trajtohet si proces i brendshëm )i namazit(.[7] Mirëpo që të dyja i bashkon nocioni farz (فرض),[8] dhe se shqiptimi i tekbirit është farz i namazit.[9]
Ebu Hanife në lidhje me këtë argumentohet me ajetin kuranor:
وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّى
“Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.”[10]
Në komentin e këtij ajeti, juristët kanë komentuar se për qëllim është tekbiri fillestar,[11] sepse Allahu i Lartësuar e solli përmendjen e namazit pas tekbirit )fillestar(, e sikur të ishte tekbiri brenda namazit, apo pjesë përbërese e namazit, nuk do të përmendej, sepse do të ishte një tërësi, mirëpo kjo dëshmon se tekbiri fillestar nuk është pjesë përbërëse e namazit.[12] I Dërguari a.s. ka thënë:
إِذَا قُمْتَ إِلَى الصَّلَاةِ فَأَسْبِغْ الْوُضُوءَ ثُمَّ اسْتَقْبِلْ الْقِبْلَةَ فَكَبِّرْ
“...Kur të ngrihesh për (të falur) namaz, merr abdes mirë, pastaj drejtohu nga kibla dhe merr tekbir.”[14]
Ngjashëm me këtë transmetohet edhe ky hadith, në të cilin thuhet:
إِنَّهُ لَا تَتِمُّ صَلَاةٌ لِأَحَدٍ مِنْ النَّاسِ حَتَّى يَتَوَضَّأَ فَيَضَعَ الْوُضُوءَ يَعْنِي مَوَاضِعَهُ ثُمَّ يُكَبِّرُ
“Me të vërtetë namazi nuk plotësohet për askënd, derisa ai të mos marrë abdes mirë duke përfshirë pjesët e domosdoshme të tij, e më pas të merr tekbir (fillestar)”[15]
Edhe në hadith, sikurse në Kur’an, namazi është ndarë nga tekbiri fillestar, madje në këtë hadith, por edhe në hadithe të ngjashme, tekbiri fillestar është trajtuar sikurse drejtimi i kibles apo marrja e abdesit, që nënkupton se tekbiri është proces i jashtëm i namazit, jo i brendshëm, ndonëse është i ndërlidhur direkt me namazin dhe prej tij fillon namazi, por ai shërben si urë lidhëse mes gjërave që i paraprijnë namazit dhe ato që janë pjesë e brendshme e namazit.
Ndoshta ndokujt mund t’i shkoj në mendje se përse nga të katër imamët e shkollave juridike, vetëm Ebu Hanife është i mendimit se tekbiri është kusht (شرط) e jo rukn-pjesë përbërëse (ركن), apo ndoshta mund ta merr mendimin e Ebu Hanifes me skepticizëm?! Ta zëmë dikush është duke e falur namazin e sabahut para kohës së tij, e pas faljes së namazit e kupton se koha e tij ende s’ka filluar, çfarë të bëhet me namazin që e ka falur? I shkoi namazi huç? Sipas Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit-të cilët mendojnë se tekbiri është kusht-, ai namaz i kalon në nafile dhe atij i llogaritet se ka falur namaz nafile, ndërsa sipas Muhamedit dhe të tjerëve që kanë mendim tjetër nga të parët, ai namaz konsiderohet i pavlefshëm dhe ato reqate të falura nuk mund të konsiderohen as nafile. Le të marrim një shembull tjetër: Një namazfalës ka marrë tekbirin fillestar para përfundimit të zenitit (kur dielli është në kulm, por nga përfundimi i zenitit) dhe pastaj dielli e ka kaluar zenitin dhe ka hyrë koha e drekës. Sipas atyre që mendojnë se tekbiri është pjesë përbërëse (ركن) i namazit, namazi konsiderohet i pavlefshëm, sepse tekbiri fillestar është marrë para se të kalon zevali, gjegjësisht para se të hyjë koha e drekës. Ndërsa sipas atyre që mendojnë se tekbiri fillestar është kusht e jo rukn, gjegjësisht sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, namazi i tillë është plotësisht i vlefshëm, sepse vetëm tekbiri fillestar është bërë para kohës së namazit, ndërsa menjëherë pas marrjes së tekbirit veç ka hyrë koha e drekës.[16] Dobia e tërë kësaj polemike mes hanefive dhe të tjerëve, qëndron në faktin se sipas (pjesës dërrmuese të) hanefive, namazi obligativ në raste të tilla (qoftë para kohe apo në raste të prishjes) kalon në nafile,[17] që nënkupton se diçka ka përfituar edhe nga namazi i falur para kohe, apo me rastin e tekbirit fillestar gjatë zenitit dhe rasteve tjera të kësaj natyre.
Shembuj të kësaj natyre janë të shumtë dhe kjo tregon për largpamësinë e Ebu Hanifes në trajtimin e çështjeve dhe përpunimin e teksteve. Ebu Hanife dhe ata që përfaqësojnë mendimin e tij kanë qenë shumë të matur në përpilimin e teksteve, përzgjedhjeve të nocioneve dhe ofrimit të argumenteve. Ata i kanë shqyrtuar argumentet në hollësi nga të gjitha anët për të formuluar një mendim të përpiktë, në bazë të vendimit të marrë dhe vlerësimit të bërë.
Argumentet për tekbirin fillestar
Argumentet ku Ebu Hanife së bashku me juristët e shkollës së tij juridike, argumentohen për tekbirin fillestar janë:
Së pari argumenti kuranor, ku Allahu i Madhërishëm thotë: وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ
“Dhe madhëroje Zotin tënd!”[18]
Hanefitë, qëndrimin e tyre e mbështesin në shumë tekste profetike, sikurse në hadithin që transmetohet nga Aliu, ku i Dërguari i Allahut ka thënë:
مِفْتَاحُ الصَّلَاةِ الطُّهُورُ وَتَحْرِيمُهَا التَّكْبِيرُ وَتَحْلِيلُهَا التَّسْلِيمُ
“Çelësi i namazit është pastrimi, fillimi i tij është tekbiri fillestar, ndërsa përfundimi i tij është dhënia e selamit.”[19] Tekstualisht në këtë hadith ka ardhur “tekbiri i bën të ndaluara-haram”, që nënkupton se veprat që deri atëherë kanë qenë të lejuara, gjatë namazit bëhen të ndaluara, si ngrënia, pirja, të folurit, të qeshurit dhe veprimet tjera,[20] të cilat kanë qenë të lejuara deri në momentin e marrjes së tekbirit fillestar, mirëpo në momentin kur kemi marrë tekbirin fillestar, të gjitha ato vepra na janë bërë të ndaluara. Ndërsa hadithi përmbyllet me fjalët “dhënia e selamit i bën të lejuara-hallall”, që nënkupton se ato veprime që ishin të lejuara para namazit, na lejohen prapë, me dhënien e selamit, ndonëse ishin të ndaluara prej tekbirit fillestar deri tek dhënia e selamit.
Pastaj janë argumentuar në hadithin e keqfalësit të namazit, të cilin e transmeton Ebu Hurejre, në të cilin thuhet:
حَدَّثَنَا مُسَدَّدٌ قَالَ أَخْبَرَنِي يَحْيَى بْنُ سَعِيدٍ عَنْ عُبَيْدِ اللَّهِ قَالَ حَدَّثَنَا سَعِيدٌ الْمَقْبُرِيُّ عَنْ أَبِيهِ عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَأَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ دَخَلَ الْمَسْجِدَ فَدَخَلَ رَجُلٌ فَصَلَّى ثُمَّ جَاءَ فَسَلَّمَ عَلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَرَدَّ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ عَلَيْهِ السَّلَامَ فَقَالَ ارْجِعْ فَصَلِّ فَإِنَّكَ لَمْ تُصَلِّ فَصَلَّى ثُمَّ جَاءَ فَسَلَّمَ عَلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقَالَ ارْجِعْ فَصَلِّ فَإِنَّكَ لَمْ تُصَلِّ ثَلَاثًا فَقَالَ وَالَّذِي بَعَثَكَ بِالْحَقِّ فَمَا أُحْسِنُ غَيْرَهُ فَعَلِّمْنِي قَالَ إِذَا قُمْتَ إِلَى الصَّلَاةِ فَكَبِّرْ ثُمَّ اقْرَأْ مَا تَيَسَّرَ مَعَكَ مِنْ الْقُرْآنِ ثُمَّ ارْكَعْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ رَاكِعًا ثُمَّ ارْفَعْ حَتَّى تَعْتَدِلَ قَائِمًا ثُمَّ اسْجُدْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ سَاجِدًا ثُمَّ ارْفَعْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ جَالِسًا ثُمَّ اسْجُدْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ سَاجِدًا ثُمَّ افْعَلْ ذَلِكَ فِي صَلَاتِكَ كُلِّهَا
“I Dërguari i Allahut –salallahu alejhi ve sel-lem- hyri në xhami. Pastaj hyri një njeri u fal dhe erdhi e përshëndeti të Dërguarin e Allahut. I Dërguari ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!” Ai u fal dhe erdhi tek i Dërguari i Allahut, të cilin e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i tha përsëri: “Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!” Kështu i tha tri herë, ndërsa ai ia ktheu: “Pasha Atë që ty të dërgoi me të vërtetën, nuk di përveç asaj mënyrë (që u fala), prandaj më mëso.” I Dërguari i Allahut i tha: “Kur të hysh për namaz, shqiptoje tekbirin, pastaj lexo diç nga Kur’ani që të vie më lehtë, e më pas shko në ruku derisa (gjymtyrët e trupit) të qetësohesh plotësisht, pastaj ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh plotësisht e më pas lëshohu për në sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht. Ngrihu nga sexhdeja dhe qëndro ulur derisa të drejtohesh plotësisht, e më pas lëshohu prapë për sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht, e kështu vepro gjatë tërë namazit.”[21]
Po ashtu mbështetet edhe në hadithin vijues, që transmeton Ebu Musa el-Eshariu, në të cilin thuhet:
عَنْ أَبِي مُوسَى الْأَشْعَرِيِّ، قَالَ: عَلَّمَنَا رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ الصَّلَاةَ فَقَالَ: " إِذَا كَبَّرَ الْإِمَامُ فَكَبِّرُوا , وَإِذَا رَكَعَ فَارْكَعُوا , وَاذَا سَجَدَ فَاسْجُدُوا , وَإِذَا قَالَ: سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَهُ فَقُولُوا: اللهُمَّ رَبَّنَا وَلَكَ الْحَمْدُ
“I Dërguari i Allahut na mësonte neve namazin, e ai tha: “Kur imami të merr tekbir, merrni edhe ju, kur të shkon për ruku, shkoni edhe ju, e kur të lëshohet për në sexhde, lëshonu edhe ju, e kur të thotë: “SemiAllahu limen hamideh”, ju thuani: “Allahumme rabbena ve lekel hamd...”[22]
Kujdesi ndaj shqiptimit të tekbirit
Ebu Hanife parasheh që gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar të ngutemi, e të mos bëjmë zgjatje (medd) “Aaaallahu Ekber”, sepse një zgjatim i tillë shton pikëpyetje të panevojshme, të cilat njeriun e vendosin në dilema të dyshimta, ngase një zgjatje e tillë, e qëllimshme, konsiderohet pabesim (kufër).[23] Kjo për faktin se nëse kemi zgjatim (medd) të tillë të fjalës Aaaallahu Ekber, tek ai vë në pikëpyetje madhërinë e Allahut, sepse ajo nënkupton “A Allahu është më i madhi?”
Kjo do të shkaktonte gabime të thella kuptimore dhe do ta ndryshonte tërësisht trajtën kuptimore të tekbirit, sepse në vend se ai të jetë në formën pohore që do ta miratonte se Allahu është më i madhi, ashtu siç realiteti është i tillë, ai bëhet në formën pyetëse, që për nga kuptimi apo përmbajtja mund ta nxjerr atë edhe nga besimi. Njëherit një veprim i tillë, përveç gjynahut, mund ta bëjë edhe zhvlerësimin e tekbirit fillestar në veçanti dhe namazit në përgjithësi.
Gjithashtu kërkohet që të mos zgjatet zanorja e parë e shkurtër në fjalën “Eeeekber”, sikurse edhe në fund të kësaj fjale të mos zgjatet zanorja e shkurtër “e” “Ekbeeeer”, e as të mos shndrrohet ajo në “a” “Ekbaaaar” (أكبار)[24] sepse një zgjatim i tillë mund ta ndryshoj plotësisht kuptimin[25] dhe është totalisht i papranuar, mirëpo nuk është i nivelit të njëjtë, për nga rrezikshmëria, me zgjatjen tek fjala “Aaaallahu Ekber.” Fatkeqësisht një zgjatje e tillë e “Allahu Ekbeeeer”, sot haset shpesh, sidomos tek myezinët, por edhe tek disa imamë, të cilët me qëllim të zbukurimit të fjalëve të tilla, bëjnë gabime katastrofike, madje disa janë shumë të rrezikshme, sikurse “Aaaallahu Ekber.” E disa tjera nuk janë të përmasave të mëdha të rrezikshmërisë, por bëhen zgjatime të panevojshme, e të tepërta, me qëllim të mallëngjimit të dëgjuesve. Halifi i drejtë Omer ibën AbdulAzizi ndoshta kishte vërejtur gjëra të tilla (të zgjatjes) tek njëri ndër myezinët, prandaj edhe iu kishte drejtuar atij me këto fjalë: “Ose thirr një ezan të qetë ose do të shkarkojmë nga detyra (e myezinit).”[26] Por ka mendime se myezini i tillë e kishte thirrur ezanin mallëngjyeshëm dhe eksitueshëm,[27] saqë nga vokaliteti i fjalëve dhe zgjatimit të tyre, kishte mahnitur të tjerët. Prandaj, qortimi i Omerit në këtë kontekst më tepër vjen në shprehje që njerëzit të ngazëllehen dhe të kënaqen më tepër gjatë namazit, sepse nëse ata mallëngjehen me ato që i paraprijnë namazit atëherë ka mundësi që në namaz të mos jenë të kujdesshëm aq sa duhet e kërkohet, sepse një ngazëllim i tillë para namazit do të lë gjurmë edhe gjatë tij.
Kur jemi tek fjalët “Allahu Ekber”, duhet potencuar edhe një fakt, për të cilin, në veçanti, dijetarët e shkollës juridike malikite dhe asaj shafite kanë tërhequr vërejtje, e që ka të bëjë me ndalesën apo pushimin e gjatë mes fjalëve “Allahu” dhe “Ekber”, sepse kjo e bën të pavlefshme tekbirin fillestar, ndërsa një ndalje apo pushim i shkurtër nuk e bën të pavlefshëm tekbirin fillestar.[28]
Përfundimisht të mos ketë ndërprerje mes fjalëve të tilla dhe se tekbiri të bëhet pa zgjatim dhe është e preferuar të ngutemi gjatë shqiptimit të tij, ndërsa dhënia e selamit, që nënkupton daljen nga namazi, preferohet të bëhet më ngadalë e të mos ngutemi. Ndërsa në fund të selamit mund të ketë zgjatim tek zanorja e fundit “ve rahmetullaaah, por jo të mbahet shkronja -s- e të zgjatet (zvarritet) es-sssssssselamu alejkum.”

Çka nënkuptohet me “tekbir”
Në bazë të ajetit: وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ“Dhe madhëroje Zotin tënd!”[29] (Muddeththir, 3) dhe në bazë të haditheve që kanë ardhur në lidhje me këtë tematikë, ku thuajse të gjitha kanë të njëjtin kuptim (sikurse të ajetit të mësipërm), e që nënkuptojnë tekbirin, dijetarët kanë polemizuar se cilat janë fjalët që përdorën në tekbir. Ebu Hanife dhe Muhamedi janë të mendimit se tekbiri nënkupton çdo fjalë që shpreh madhëri apo madhështi ndaj Allahu të madhëruar, si Allahu Ekber (الله أكبر), Allahu-l Ekber (الله الأكبر), Allahu-l Kebir (الله الكبير), Allahu Exhel ( الله أجل), Allahu A’dham (الله أعظم), Elhamdulilah (الحمد لله), Subhanallah (سبحان الله), La ilahe IlAllah (لا إله إلا الله), apo me çdo emër që i takon cilësive të Allahut, si Err-Rrahmanu A’dham (الرحمن أعظم) apo Err-Rrahimu Exhel (الرحيم أجل). Megjithëse sipas tyre më mirë është të përdorët shprehja “Allahu Ekber”, por që lejohen edhe shprehjet tjera, madje Kuduriu është i mendimit se Ebu Hanife nuk pëlqente të përdoreshin shprehje tjera, pos “Allahu Ekber.”[30] Përderisa Ebu Jusufi parasheh që vetëm shprehjet nga rrënja e fjalës “tekbir” (التكبير) mund të përdorën, e që ato janë tri: “Allahu Ekber”, “Allahu-l Ekber”, dhe “Allahu-l Kebir” (الله أكبر, الله الأكبر, الله الكبير).[31] Shafiu është i mendimit se lejohet për tekbirin fillestar të përdorën vetëm “Allahu Ekber (الله أكبر)” dhe “Allahu-l Ekber (الله الأكبر)”.[32] Maliku nuk pranon tjetër pos fjalës “Allahu Ekber” (الله أكبر).[33] Përderisa hanbelitë janë të mendimit se namazi pranohet nëse përdorën fjalët si në vijim: Allahu Ekber (الله أكبر), Allahu Kebiren (الله كبيرا), Allahu Exhel ( الله أجل), Allahu A’dham (الله أعظم),ndonëse një gjë e tillë nuk është e preferuar tek pjesa dërmuese e tyre, e tek pjesa tjetër nuk ka gjë të keqe nëse përdorën shprehje të tilla.[34] Shkaqet e mospajtimit të dijetarëve rreth kësaj çështje kthehen tek hadithi, ku i Dërguari i Allahut ka thënë:
وَتَحْرِيمُهَا التَّكْبِيرُ
“...fillimi i tij është tekbiri fillestar...”[35] E në bazë të këtij hadithi ku shprehja “tekbir” ka ardhur në formë të përgjithshme (pa u specifikuar), që lë të kuptojë se ajo mund të përfshijë shprehjen “Allahu Ekber”, sikurse që mund të përfshijë edhe shprehje tjera që mund ta kenë kuptimin e tekbirit.[36] Ebu Jusufi mbështetet në këtë hadith dhe thotë se fjala tekbir zakonisht nënkupton tri shprehjet e dalura prej saj, përderisa Ebu Hanife dhe Muhamedi mbështetën në fjalët e Allahut të Madhëruar ku thuhet:
وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّى
“Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.”[37]
E që sipas tyre, Allahu i Madhëruar e legjitimoi hyrjen në namaz me përmendjen e përgjithshme (sipas ajetit), e kjo mund të bëhet me shprehje dhe emra që simbolizojnë madhështi ndaj Allahut, pa u kushtëzuar vetëm me tekbir (Allahu Ekber).[38]
Ebu Hanife dhe shumë juristë tjerë janë të mendimit se tekbiri kur përmendet nënkuptohet madhështi,[39] sikurse ka ardhur në fjalët e Allahut të Madhëruar:
وَكَبِّرْهُ تَكْبِيرًا
“…Dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon.”[40]
فَلَمَّا رَأَيْنَهُ أَكْبَرْنَهُ
“…Kur e panë atë, ato u tronditën…”[41] nga pamja madhështore e tij.
وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ
“Dhe madhëroje Zotin tënd!”[42]
Tematika e këtyre ajeteve nënkupton madhështi, prandaj, me çdo emër që përmendët e që nënkupton madhështi, veç është madhëruar Allahu i Lartësuar[43] dhe është arritur synimi i paraparë.
Megjithatë, as tek hanefitë nuk preferohen të përdorën shprehje tjera pos “Allahu Ekber” gjatë tekbirit fillestar, ndërsa polemika këtu ka të bëjë me lejimin që mund të përdorën edhe shprehje tjera, të caktuara që simbolizojnë madhështi, mirëpo si preferencë mbetet të përdorët shprehja “Allahu Ekber-(الله أكبر)” gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar apo hyrës. Prandaj, edhe është më e udhës dhe më afër realitetit që gjatë tekbirit fillestar të përdorët shprehja “Allahu Ekber”, sepse kjo tregon edhe për unifikimin e myslimanëve gjatë procesit të faljes.
Në lidhje me këtë Ibën Abidini nga juristët e njohur hanefitë, shprehet: “Mendimi i zgjedhur tek Ebu Hanife është ky: “Ai e shihte të urryer që të hyhet në namaz me diç tjetër përpos fjalëve “Allahu Ekber.”[44]

[1] Të këtij mendimi janë thuajse gjithë dijetarët, me përjashtim të Ismail ibën Ulejjete dhe Ebu Bekër el-Esamm, të cilët mendojnë se namazi fillon thjesht me nijet, madje edhe pa tekbir. Megjithatë askush nuk e ka mbështetur mendimin e tyre dhe si i tillë është i refuzuar. Shih për këtë: Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, bot.III-të, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 2010, v.I, f. 592; Shemsudin Ebu Bekër Muhamed Serahsij, El-Mebsut, bot.I-rë, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, 1421-2000, v.I, f.15.
[2]Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu ale-l Meraki-l Felah, el-Matbeatu-l Kubra el-Emirijetu, Bulak-Egjipt, 1318, f. 145.
[3] Muhamed ibën el-Hasen esh-Shejbani, Kitabu-l Athar, f.98. Ebu Jusuf, Kitabu-l Athar, f.21. Me përjashtim të atij që shqipton tekbirin gjatë rukusë për shkak të vonimit të namazit, për të nxënë rekatin kur imami veç ka shkuar në ruku.
[4]Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, v.I, f. 501.
[5] Disa nga shkolla juridike shafite janë të mendimit se tekbiri është kusht (shart).
[6]Shtylla (الركن) është sikurse kushti (الشرط) me një dallim të vogël, sepse kushti është paraprijës i namazit, si pastërtia apo mbulimi i trupit e të ngjashme me këto, ndërsa shtylla është pjesa brenda namazit, si rukuja, sexhdeja, leximi i Kur’anit, sepse të gjitha janë pjesë nga namazi (oferta dhe pranimi në kontratë është shtyllë-rukn). Është quajturshtyllë si ngjasim me shtyllën e shtëpisë, pa të cilën shtëpia nuk mund të ngritet, po kështu as namazi pa të nuk mund të plotësohet. Vehebeh ez-Zuhejli, Mevsuatu-l Fikhi-l Islamij ve-l Kadaja el-Muasareh, bot.III-të, Daru-l Fikr, Damask-Siri, 1433-2012, v.I, f.670.
[7] AbdulGanij el-Gunejmij el-Mejdani, El-Lubab fi Sherhi-l kitab, me recenzurë nga Said Bekdash, bot.I-rë, Daru-s Sirraxh, el-Medinetu-l Munevveretu, 1431-2010, v.II, f. 139.
[8]Vehbi Sulejman Gavoçi, Erkanu-l Islam-Fikhu-l Ibadat ala medhhebi-l Imam Ebi Hanifete en-Nu’man, bot.III-të, daru-l beshair el-islamijetu, Bejrut-Liban, 2008m, v.I, f.234.
[9]Këtë e thonë pjesa dërrmuese e juristëve dhe njëherit është mendimi i zgjedhur në këtë çështje. Ndërsa një numër i vogël dhe simbolik, si Seid ibën Musejebi, Hasen el-Basriu, Zuhriu dhe Evzaiu, janë të mendimit se është sunet. Vizaretu-l Evkaf vesh-shuun el-Islamijetu, El-Mevsuatu-l Fikhijetu el-Kuvejtijetu, bot.II-të, Daru-s Selasil, Kuvajt, v.XIII, f.217-218.
[10] Kur’ani, El A’ëla, 15.
[11]Abdullah ibën Mahmud ibën Mevdud el-Musulij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, Daru-l Hajr, 1419-1998, v.I, f.66.
[12]Mahmud ibën Ahmed ibën Mazeh el-Buharij ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu’manij, bot. I-rë,Dar Ihjau-t Turath el-Arabij, Bejrut-Liban, 1424-2003, v.I, f.333.
[14]Muslimi në Sahih, nr. 602. Kjo është një pjesë nga ngjarja me keqfalësin e namazit, të cilin e mësoi i Dërguari i Allahut se si duhej të falej.
[15] Ebu Davudi në Sunen, nr. 730. Albani në vlerësimin e këtij hadithi thotë se është autentik (sahih), shih: Sahih Ebi Davud, nr. 857. Po ashtu këtë hadith e përcjell edhe Taberaniu në El-Mu’xhemu-l Kebir, nr. 4399 me sened autentik, me një dallim të vogël në fund, ku në vend të “e më pas të merr tekbir”, ka ardhur: “e më pas thotë: “Allahu Ekber.” Kjo është vetëm një pjesë nga hadithi i gjatë e i njohur me emrin “keqfalësi ndaj namazit” apo “keqvepruesi ndaj namazit.”
[16] Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu ale-l Meraki-l Felah, f. 145.
[17]el-Mejdani, El-Lubab fi Sherhi-l kitab, v.II, f. 139.
[18]Kur’an, Muddeththir, 3.
[19] Tirmidhiu në Sunen, nr. 3 dhe thotë se në këtë kapitull ky hadith është më autentiku që transmetohet; Ebu Davudi në Sunen, nr. 56, 523. Hakimi thotë se hadithi është autentik, e Albani për këtë hadith thotë se është hasen-sahih. Transmetim të ngjashëm na transmetohet edhe nga Ebu Seid el-Hudriu, shih: Tirmidhiu në Sunen, nr. 221; Ibën Maxhe në Sunen, nr.272, nga Abdullah ibën Zejdi dhe nga Ibën Abbasi. Shevkani thotë: “Këto rrugë (të ndryshme) të transmetimit e përforcojnë njëra-tjetrën, ndaj ky hadith mund të merret për argumentim.” Muhamed esh-Shevkani, Nejlu-l Evtar, me korigjim të Muhamed Salim Hashim, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1420-1999, v.III, f.178.
[20]Vehebeh ez-Zuhejli, Mevsuatu-l Fikhi-l Islamij ve-l Kadaja el-Muasareh, v.I, f.677.
[21]Buhariu në Sahih, nr. 751; Muslimi në Sahih, nr. 602.
[22] Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1421; Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr.7235 me një ndryshim në pjesën vijuese të hadithit. Hadithi përcillet nga Ebu Musa el-Eshariu. Ky hadith përcillet gjithashtu edhe nga Ebu Hurejre: Ibën Huzejme në Sahih, nr. 1576 dhe 1582; Ahmedi në Musned, nr. 9764
[23]Abdullah ibën Mahmud ibën Mevdud el-Musulij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, v.I, f.66.
[24]Vizaretu-l Evkaf vesh-shuun el-Islamijetu, El-Mevsuatu-l Fikhijetu el-Kuvejtijetu, v.XIII, f.223.
[25]Vehebeh ez-Zuhejli, Mevsuatu-l Fikhi-l Islamij ve-l Kadaja el-Muasareh, v.I, f.678.
[26]Buhariu në Sahih, nr. 574.
[27]Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2390.
[28]Hatib esh-Sherbini, el-Ikna’, v. I, f.120; Neveviu, el-Mexhmu’, v.III, f.292; Vizaretu-l Evkaf vesh-shuun el-Islamijetu, El-Mevsuatu-l Fikhijetu el-Kuvejtijetu, v.XIII, f.223.
[29]Kur’an, Muddeththir, 3.
[30] Tehanevi, I’lau-s Sunen, me recenzurë nga Muhamed Tekij Uthmani, bot.III-të, Idaretu-l Kur’an ve-l Ulum el-Islamijetu, Karaçi-Pakistan, 1414, v.II, f.184.
[31]Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, v.I, f. 592.
[32] Muhamed ibën Idris Shafi, el-Umm, bot.I-rë, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1413-1993, v.I, f.199; Ebu Zekerija en-Nevevi, el-Mexhmu’, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, pa vit botimi, v.III, f.292.
[33] Ibën Abdul Berr, el-Istidhkar, me recenzurë të Ali Nexhdi Nasif, Uvejdah-Kairo, 1392-1973, v.II, f.137.
[34]Abdullah ibën Ahmed Ibën Kudameh, el-Mugni, me recenzurë nga Abdullah et-Turkij dhe Abdullah el-Huluv, bot.II, Kairo-Egjipt, 1412-1992, v.II, f. 126.
[35] Tirmidhiu në Sunen, nr. 3 dhe thotë se në këtë kapitull ky hadith është më autentiku që transmetohet; Ebu Davudi në Sunen, nr. 56, 523. Albani për këtë hadith thotë se është hasen-sahih. Transmetim të ngjashëm na transmetohet edhe nga Ebu Seid el-Hudriu, shih: Tirmidhiu në Sunen, nr. 221; Ibën Maxhe në Sunen, nr.272, nga Abdullah ibën Zejdi dhe nga Ibën Abbasi.
[36] Ibën Rushd el-Kurtubi, Bidajetu-l Muxhtehid ve Nihajetu-l Muktesid, redaktoi: Ebu-z Zehra Hazim el-Kadi, Mektebetu Nizar Mustafa el-Baz, Mekketu-l Mukerremeh, 1415-1995, v.I, f.232.
[37] Kur’ani, El A’ëla, 15.
[38]Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, v.I, f. 593.
[39]Ky është edhe aspekti leksikor i termit tekbir që nënkupton madhështi (التَّعْظِيمُ).
[40]Kur’an, Isra, 111.
[41]Kur’an, Jusuf, 31.
[42]Kur’an, Muddeththir, 3.
[43]Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, v.I, f. 594; Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu’manij, v.I, f.334.
[44]Muhamed Emin (i njohur si Ibën Abidin), Reddu-l Muhtar ale-d Durri-l Muhtar, bot.II-të, Daru-l Fikr, 1384,v.I, f.480.

/KBI-Bujanoc/

2798 Shikime