Rëndësia e familjes në islam

14.12.2013

Rëndësia e familjes në islam


Rëndësia e familjes në islam

Edukimi i fëmijës fillon qysh me lindjen e tij. Ai nuk edukohet duke dëgjuar, po duke parë. Familja është shtylla më e rëndësishme e shoqërisë. Forca dhe qëndrueshmëria e saj është edhe forca dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit.(1) Nëse dëshirojmë të kemi një komb dhe shtet të qëndrueshëm, duhen bërë përpjekje për arritjen e këtyre synimeve fundamentale të jetës. Bërthama e familjes përbëhet nga prindërit dhe fëmijët e tyre. Detyra e prindërve është që t’u mësojnë fëmijëve normat dhe vlerat bazë, t’i shkathtësojnë dhe t’u japin disa njohuri themelore.(2) Sigurisht, një fole familjare pa synim, e ngritur mbi dëshira, pasione, qejfe, zili apo smirë, jo vetëm që nuk do të premtojë të ardhme, por do të mbetet në trup të popullit si një element negativ potencial. Sipas të gjitha gjasave, një familje e tillë do të përgatisë vazhdimisht endacakë rrugësh, rrugaçë.(3)

Këto elemente shkatërruese të familjes jo vetëm që dëmtojnë jetesën tonë në këtë kohë, përkundrazi ato nuk mund të japin shpresë për një të ardhme të sigurt.
Në një familje, në themel të së cilës ka mbarëvajtje e begati, domethënë në folenë familjare ku janë bashkuar femra myslimane me mashkullin mysliman, femra besimtare me mashkullin besimtar, femra dhe mashkulli që i çojnë në vend përgjegjësitë e tyre, çdo gjë është në vendin e vet dhe kjo fole familjare është si një kënd Xhenneti, parajse.(4)
Duke e trajtuar shoqërinë e lumtur me gratë e me burrat e saj, Kur’ani, nja dy fjalë të bekuara të të cilit i prekëm më lart, e përvijon kështu çështjen:

“Për burrat myslimanë e për gratë myslimane, për burrat besimtarë e për gratë besimtare, për burrat që falen e për gratë që falen, për burrat fjalëdrejtë e për gratë fjalëdrejta, për burrat që bëjnë durim e për gratë që bëjnë durim, për burrat e thjeshtë e për gratë e thjeshta, për burrat që japin sadaka e për gratë që japin sadaka, për burrat që agjërojnë e për gratë që agjërojnë, për burrat që e mbrojnë nderin e për gratë që e mbrojnë nderin, për burrat që E përmendin shumë Allahun e për gratë që E përmendin shumë Allahun, Allahu ka përgatitur një falje të madhe dhe një shpërblim të madh”! (El Ahzab, 33/35)
Këta burra e gra janë bashkuar me njëri-tjetrin në familjen që është qeliza më e vogël e kombit, kanë besuar Allahun, janë orientuar nga Ai me zemër, janë bashkë me Të dhe e kalojnë jetën me bindje e adhurim.

Në atë shtëpi, çdo gjë shkon drejt dhe është ashtu siç duhet. Për rrjedhojë, ashtu si njeriu që i jep një rregullim të përgjithshëm vetes para pasqyrës në këmbë, edhe fëmija i kësaj shtëpie, para tablove të drejtësisë, të fjalëve, sjelljeve e veprimeve të drejta e në përputhje me njëratjetrën, vazhdimisht ka për ta korrigjuar e rregulluar veten.(5)
Çdo gjë që ka për të parë fëmija në këtë shtëpi të mbushur plot respekt për Allahun, ku burri e gruaja dridhen gjithmonë nga frikën prej Tij, përpiqen t’i përjetojnë në mënyrën më të mirë përgjegjësitë e veta me mendimin se i pret një jetë serioze dhe një fund i tmerrshëm dhe në çdo çast të jetës arrijnë në fund të rrugës e presin ftesën për në jetën tjetër, çdo gjë që ka për të parë fëmija, pra, do të jetë gjithmonë seriozitet, rëndësi, ndjeshmëri dhe kujdes.(6)

Ka fole familjare të bekuara, të ngritura mbi logjikën dhe gjykimin duke u mbështetur qysh në hapat e parë tek Zoti, që funksionojnë gjatë gjithë jetës si një shkollë dhe, me nxënësit që përgatisin, sigurojnë vazhdimësinë dhe pavdekësinë e kombit që i përkasin!
Në anën tjetër, dihet mirëfilli se shumë popuj gjatë historisë së tyre janë zhdukur si pasojë e mosekzistimit të një sistemi të mirëfilltë moral.
Familja është një komb i vogël, kurse kombi, një familje e madhe. Një person që ka mundur të arrijë me sukses të qeverisë një familje të madhe a të vogël, si dhe t’i ngrejë pjesëtarët e saj në nivele të larta njerëzore, mund të bëhet i suksesshëm, me pak përpjekje, edhe në organizime më të mëdha.

Edukimi i fëmijës fillon qysh me lindjen e tij. Ai nuk edukohet duke dëgjuar, po duke parë. Me një fjalë, fëmija bën atë që sheh e jo atë që dëgjon. Prandaj, jeta sociale pozitive është më e dobishme për fëmijën. Sepse, nëse shkatërrohet jeta shoqërore, do të shkatërrohet edhe ajo individuale.(7). /KBI-Bujanoc.com/

2225 Shikime