Shkatërrrimi i Mekës

31.10.2014

Shkatërrrimi i Mekës


Shkatërrrimi i Mekës

Kur Malkom X vizitoi Mekën më 1964-ën, ai u mahnit. Qyteti iu duk “i lashtë sa vetë koha”, dhe shkroi se zgjerimi pjesërisht i përfunduar i Xhamisë së Shenjtë “do ia kalojë bukurisë arkitekturore të Taxh Mahallit.”

Pesëdhjetë vjet më vonë,  askush s’ka mundësi ta përshkruajë Mekën si të lashtë, apo të shoqërojë bukurinë me qytetin më të shenjtë të Islamit. Haxhinjt që kryejnë Haxhin këtë javë do hulumtojnë më kot për historinë e Mekës.

Objekti arkitekturor dominues në qytet nuk është Xhamia e Shenjtë, ku ndodhet Qabja, fokusi simbolik i muslimanëve kudo në botë. Është hoteli i neveritshëm Meka Royal Clock Tower, i cili, me 601 metra lartësi, është mes ndërtesave më të larta në botë. Ai është pjesë e një kompleksi gjigand ndërtesash të larta që përfshin qendra tregtare luksoze dhe hotele për super të pasurit. Horizonti nuk dominohet më nga vija e thyer e majave rrethuese. Male të lashta janë sheshuar. Qyteti tani rrethohet nga brutaliteti i strukturave drejtkëndëshe prej çeliku dhe betoni – një amalgamë i Disnejlandit dhe Las Vegasit.

“Mbrojtësit-Ruajtësit” e Qytetit të Shenjtë, sundimtarët e Arabisë Saudite dhe hoxhallarët, kanë një urrejtje të madhe ndaj historisë. Ata duan që çdo gjë të duket krejt e re. Ndërkohë, infrastruktura po zgjerohet për të rehatuar numrin në rritje të haxhinjve, rreth tre milion sot, nga nga 200 mijë në vitet 1960-ta.

Faza fillestare e shkatërrimit të Mekës filloi në mes të viteve 1970-ta, dhe unë isha atje për ta dëshmuar. Ndërtesa të shumta të lashta, përfshi Xhaminë e Bilalit, që datonte nga koha e Profetit Muhammed, u rrafshua me buldozer. Shtëpitë e vjetra osmane, me mashrabijet elegante – penxhere me rrjeta të thurura–dhe dyer me gdhendje të ndërlikuara, u zëvendësuan me shtëpi të shëmtuara moderne. Brenda pak vitesh, Meka u transformua në një qytet “modern” me rrugë të gjera me shumë kalime, mbikalime të koklavitura, hotele të luksoze, të shtrenjta dhe qendra tregtare.


Ndërtesat e pakta dhe vendet me rëndësi fetare dhe kulturore që mbetën u zhdukën kohët e fundit. Meka Royal Clock Tower, e ndërtuar në vitin 2012-të, u ndërtua mbi rrënojat e gati 400 objekteve me rëndësi kulturore dhe historike, duke përfshi ato pak ndërtesa të mbetura nga  mijëvjeçari i kaluar. Buldozerët erdhën në mes të natës, duke zhvendosur familjet që jetonin aty prej shekujsh. Hoteli Meka Hilton  është ndërtuar mbi shtëpinë e Ebu Bekrit, shoku më i afërt i Pejgamberit dhe Halifi i parë.

Përveç Qabes, vetëm bërthama e brendshme e Xhamisë së Shenjtë ruan një fragment historie. Ajo përbëhet prej kolonave të mermerit të gdhendura me shumë detaj e të zbukuruara me mbishkrime kaligrafike të emrave të shokëve të Pejgamberit. Të ndërtuara prej disa sulltanëve Osmanë, kolonat datojnë që prej fillimit të shekullit të 16. Por planet po përgatiten për t’i shembur ato bashkë me krejt pjesën e brendshme të Xhamisë së Shenjtë, për t’i zëvendësuar me një ndërtesë ultra-moderne në formë gjevreku.

E vetmja ndërtesë tjetër me rëndësi fetare në qytet është shtëpia ku ka jetuar Profeti Muhammed. Gjatë shumicës së periudhës saudite ajo është përdorur në fillim si një treg bagëtish, pastaj u kthye në një bibliotekë e cila nuk është e hapur për publikun. Por edhe kjo është e tepërt për hoxhallarët radikalë sauditë të cilët vazhdimisht kanë kërkuar që ajo të shembet.

Hoxhallarët apo autoritetet fetare kanë frikë se, nëse hynë brenda, haxhinjt do i luten pejgamberit e jo Zotit – një gjynah i pafalshëm. Është thjesht çështje kohe para se ajo të rrafshohet dhe të kthehet, sipas  të gjitha gjasave, në një parking.

Shkatërrimi kulturor i Mekës e ka transformuar radikalisht qytetin. Ndryshe nga Bagdadi, Damasku, apo Kajro, Meka nuk ishte kurrë një qendër e madhe intelektuale apo kulturore e Islamit. Por ishte gjithmonë një qytet pluralist ku debati mes sekteve të ndryshme muslimane dhe shkollave të mendimit nuk ishte i pazakontë. Tani është shndërruar në një entitet fetar monolit ku vetëm një interpretim literal e jo-historik i Islamit lejohet, dhe ku të gjitha sektet tjera jashtë rrymës selefiste të Islamit saudit konsiderohen si false. Me të vërtetë, fanatikët shpesh kërcënojnë haxhinjt e sekteve të tjera. Vitin e kaluar, një grup hanxhinjsh shi’itë nga Miçigani, SHBA, u sulmuan me thika nga ekstremistët.

Fjala “haxh” do të thotë përpjekje. Është nëpërmjet përpjekjes për të udhëtuar në Mekë, për të ecur nga një vend rituali tek tjetri, për të takuar e angazhuar njerëz nga kultura e sekte të ndryshme, dhe për të thithur historinë e Islamit që haxhinjt dikur fitonin dije së bashku me përmbushjen shpirtërore. Sot, haxhi është një paketë turistike, ku ti lëviz, i ngjitur me grupin tënd, nga hoteli në hotel, dhe rrallë takon njerëz nga kultura apo etni të ndryshme. I tharë nga historia dhe pluralizmi kulturor e fetar, haxhillëku nuk është më një përvojë  transformuese shpirtërore që ndodh njëherë në jetë. Është shndërruar në një ushtrim të rëndomtë ritualesh dhe bërje pazari

Meka është një mikrokozmos i Botës Muslimane. Është është për t’u habitur që literalizmi, kuptimi sipërfaqësor dhe interpretimet vrastare të Islamit janë bërë kaq dominuese në vendet muslimane.

Ziauddin Sardar është redaktori i revistës tre-mujore Critical Muslim dhe autor i librit “Mecca: The Sacred City.” (Meka: Qyteti i Shenjt)     /KBI-Bujanoc.com/

1464 Shikime