Falja e namazit me xhemat

14.12.2013

Falja e namazit me xhemat


Falja e namazit me xhemat

Falënderimi i takon Allahut, xh.sh., i cili na i afroi zemrat, hapat na i bëri të qëndrueshëm dhe fenë të dashur na e bëri. Salavatet më të përzemërta qofshin mbi të Dërguarin, s.a.v.s., mbi familjen e tij të ndershme, shokët dhe pasuesit e tyre.

Falja e namazit me xhemat, për nga pikëpamja e fesë, ka vlerën e veçantë. Nëpërmjet namazit me xhemat tregohen shenjat e nënshtrimit fetar, pohohet ndjenja e lartë islame dhe haptas dëshmohet përkatësia islame dhe e bashkësisë muslimane. Me takimin e përditshëm në xhami xhemati bëhet më kompakt dhe më i përgatitur për krijimin e misionit islam. Andaj, për çdo musliman të mençur, të moshrritur, të shëndosh dhe të lirë është obligim (farz) falja e namazi të xhumasë me xhemat, ndërsa vaxhib namazet e bajrameve. Konsiderohet se të falurit e namazeve të tjera me xhemat, sipas mendimit të imamit tonë Ebu Hanifes, është sunneti muekkede, praktikë e rregullt e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Juristët e mëvonshëm të shkollës juridike hanefite përfaqësojnë mendimin se janë të liruar nga xhemati vetëm ata që kanë arsye për të. Përndryshe: “Kush pa ndonjë shkak shpërfill dhe lëshon faljen kolektive, duhet që haptas të kritikohet, kurse fqinjët që këtë e tolerojnë tërheqin kah vetja gjynah dhe përgjegjësi para Zotit, ndërsa kundër banorëve të një krahine, të cilët e lëshojnë faljen kolektive, duhet marrë aksion ushtarak dhe masa të tjera në mënyrë që të vetëdijësohen.”

Qëndrimet dhe mendimet e dijetarëve të tjerë islam

Për kategorizimin e namazit me xhemat dijetarët islam kanë dhënë qëndrime të ndryshme. Ne do ti theksojmë vetëm disa prej tyre në mënyrë që të shohim se sa rëndësi ka falja e namazit me xhamat të namazeve të rregullta në xhami.

Ahmed ibn Hambeli dhe Davud ibn Aliu, konsiderojnë që “falja kolektive është kusht i vlefshmërisë së namazit”, kurse Ibn Hudhejme, Ibn Mundhiri, A’tai, Evzai’ dhe Ebu Thevri mendojnë që kjo është detyrë obligative personale – fard ajn për çdo musliman. Sipas mendimit të Kerhiut, Tahaviut dhe Shafiut falja e namazit me xhemat bën pjesë në detyrimet e patjetërsueshme të muslimanëve si bashkësi – fard kifaje.

Ahmed ibn Hambeli ka shënuar rastin me sa vijon:

“Erdhi Muhammedi, s.a.v.s., në xhami dhe gjeti një pjesë të vogël të pjesëmarrësve dhe tha: ‘Kam vendosur që njëherë të caktoj një imam, e unë të dal nga xhamia dhe të urdhëroj që cdo muslimani i cili lëshon faljen me xhamat t’i digjet shtëpia.’ Atëherë, Ummi Mektumi, (i cili ishte i verbër), tha: ‘O i Dërguari i Allahut, ndërmjet shtëpisë sime dhe xhamisë ekzistojnë pemishte, e unë nuk kam mundësi që cdo herë të kem udhërrëfyes, andaj, a mund të falem në shtëpi?’

‘A e dëgjon ezanin?’, e pyeti Alejhisselami.
‘E dëgjoj’, u përgjigj ai.
‘Atëherë përgjigju thirrjes së myezinit’, ia ktheu i Dërguari, s.a.v.s.[1]

Kur mund të lëshohet namazi me xhemat
Mungesa në faljen e namazit me xhemat mund të arsyetohet me rastet vijuese:

- Për shkak të temperaturës së lartë ose të ftohtit;
- Nëse bie shumë shi, borë ose breshër; nëse është shumë lagështi ose nata shumë e errët;
- Për shkak të sëmundjes ose verbërimit;
- Nëse njeriu është pa këmbë ose me shkallë të lartë të invaliditetit të këmbës;
- Nëse personi është tepër i moshuar;
- Nëse gjatë rrugës mund të kërcënohet pasuria dhe jeta e besimtarit;
- Nëse njeriu është mysafir – udhëtar;
- Nëse është i zënë me studimin e shkencave fetare; dhe
- Nëse vuan nga ndonjë sëmundje ngjitëse ose nëse frikohet se në shoqëri do të takohet me ndonjë person prej të cilin mund t’i ngjitet sëmundje.

Vlera e namazit me xhemat

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., shpesh e ka potencuar dhe e ka preferuar namazin me xhemat në krahasim me namazin i cili falet në shtëpi ose në ndonjë vend tjetër. Kështu në një rast pat thënë:

“Namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi i cili falet vetëm për njëzet e shatë herë më shumë.”[2]

Në një rast tjetër ka thënë:

“Kush dëshiron që të banoj në të mirat e Xhennetit, le të mos shkëputet nga namazi me xhemat.”[3]

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në mënyrë të veçantë e ka potencuar ardhjen në xhami në kohën e namazit të sabahut dhe të jacisë, pra në namazet e natës, të cilat, gjithsesi, janë më të vështira për t’u realizuar nga ato të ditës. Duke folur për rëndësinë e shkuarjes në xhami gjatë netëve, Pejgamberi, a.s., ka premtuar shpërblime të veçanta duke thënë:

“Përgëzoi me një dritë të plotë në Ditën e Gjykimit ata që gjatë terit shkojnë gjer tek xhamia.”[4]

“Kush e fal jacinë me xhemat, (është njëjtë) sikur ta ketë kaluar gjysmën e natës në namaz, ndërsa kush e fal edhe namazin e sabahut me xhemat, sikur ta ketë kaluar tërë natën në namaz.”[5]

“Dyfytyrëshave nuk ka namaz që u vjen vështirë sesa namazi i sabahut dhe i jacisë. Sikur ta dinin se çfarë shpërblimesh fshihen në to, do të vinin në xhemat, qoftë edhe duke u zhargitur.”[6]

Sjellja në xhami

Personi i cili merr pjesë në faljen kolektive obligohet që të sillet sipas rregullave që i parasheh xhemati. Në xhami, gjegjësisht në mesxhid, duhet të hyhet me abdes dhe me një shkallë të lart të përkulshmërisë. Ngutja për tek xhamia nuk është rekomandueshme. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në një rast gjatë kohës së namazit ka dëgjuar troke të këmbëve. Pas namazit ka pyetur: “Ç’ishte puna më ju?” “U ngutëm që të arrinim në namaz”, thanë. Në çka ai u tha: “Mos veproni ashtu! Kur të vini në namaz, jini të qetë. Atë që e arrini – atë faleni, ndërsa atë që s’e arrini – atë plotësoni.”[7]

Duke e pasur parasysh se xhamit njihen si shtëpi të Allahut, ato janë në një farë mënyre të shenjta dhe duhet që maksimalisht të respektohen. Pejgamberi, a.s., ka hyrë në xhami me këmbën e djathtë, duke e lutur Allahun, xh.sh., me fjalët vijuese:

“Zoti im! Hapmi dyert e mëshirës Sate!”

Ndërsa me këmbën e majtë ka dalur nga xhamia, duke u lutur:

“Zoti im! Kërkoj prej Teje mirësinë Tënde!”[8]

Në xhami duhet që t’ju mënjanohet të gjitha bisedave private dhe të zëshme si dhe gjithçka që shkakton zhurmë. Në xhami ndalohet çdo shitblerje, grindje, lajmërim (p.sh., për gjësendet e humbura), lypje dhe të ngjashme. Në xhami duhet të shkohet i veshur me tesha të bukura dhe të pastra. Urrehet shqetësimi i besimtarëve të tjerë në çfarëdo mënyrë. Në këtë kontekst, është mëkat kalimi përpara tjetrit i cili është duke u falur, përpos nëse nevojitet plotësimi i vendit të zbrazët përpara tij. Nuk është mirë që në xhami të shkohet me erëra të rënda (siç është era e qepës së bardhë dhe të kuqe, preshit dhe të ngjashme.), të cilat mund, eventualisht, ta shqetësojnë pjesën tjetër të xhematit.

Kush mund të prij në namazin me xhemat

Në parim, çdo person mashkull i rritur dhe i mençur mund të bëhet prijës i xhematit. Megjithatë, rekomandohet që përparësi t’i jepet atij i cili është më i udhëzuar në parimet fetare, atij që më shumë dinë përmendsh nga Kur’ani, atij që më mirë dhe më bukur e këndon atë, atij që karakterizohet me sjelljet dhe me moralin më të bukur, të cilit i njihet e kaluara dhe paraardhësit e tij, atij që përkujdeset edhe për pastërtinë e dukjes së jashtme dhe atij që nuk ka të meta fizike ose të vuaj nga ndonjë sëmundje e cila llogaritet në kategorinë e sahibi-uzrit.

Imami duhet ta ketë parasysh strukturën e xhematit të tij dhe të kujdeset që me zgjatjen (gjatë namazit, ligjëratave, etj. M.A.) të mos i shqetësoj pleqtë, të pamundurit dhe të sëmurit. Në një rast i pat ardhur Muhammedit, a.s., një njeri dhe iu është ankuar: “Ja Rasulallah, ky dhe ky aq shumë e zgjatin gjatë faljes, sa që më bëjnë t’i iki daljes në namazin e sabahut.” I Dërguari, s.a.v.s., reagoi rreptë duke thënë: “Në mesin tuaj ka prej atyre që e largojnë xhematin! Kushdo që të bëhet imam, le ta shkurtoj faljen, sepse në xhemat ka të dobët, të moshuar dhe nevojtarë.[9]

Artikulli është marr nga libri “Vazovi”, të botuar në Zenicë, BiH, 2004.
Përktheu nga gjuha boshnjake:
Mehas Alija

_____________
[1] Më gjerësisht mbi namazin me xhemat shiko: Sahihul-Buhari, përkthimi dhe komentimi nga Hasan Shkapur, 1/510-515.
[2] Shënon Buhari.
[3] Shënon Tirmidhi.
[4] Shënon Tirmidhi.
[5] Shënon Muslimi.
[6] Shënon Buhari.
[7] Shënon Buhari.
[8] Shënon Muslimi.
[9] Shënon Buhari.

Përshtati;/KBI-Bujanoc.com/

2857 Shikime