Muslimani i mirë me ahlakun e mirë

21.10.2014

Muslimani i mirë me ahlakun e mirë


Muslimani i mirë me ahlakun e mirë

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

قُلْ إِنِّي أُمِرْ‌تُ أَنْ أَعْبُدَ اللَّـهَ مُخْلِصًا لَّهُ الدِّينَ

وَأُمِرْ‌تُ لِأَنْ أَكُونَ أَوَّلَ الْمُسْلِمِينَ

Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj Allahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij! Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve.” (Zumer, 11-12).

Të dashur vëllezër e motra,  Jemi duke i kaluar muajt e veçantë me shumë vlera fisnike dhe me begati të bollshme. Çdo ditë e tyre ishte një thesar i çmuar, që çdo kush kishte mundësi ta blente, qoftë i ri apo i moshuar, i shëndosh apo i sëmurë, i pasur apo i varfër, pushtetar apo qytetar i thjeshtë. Ishin ditët e adhurimit dhe përkushtimit ndaj Allahut të Madhërishëm. Gjuha jonë ishte gjuhë e dhikrit dhe e fjalëve të bukura, kurse zemra e thelluar në dashurinë ndaj veprave të mira.

Gjatë kësaj kohe shfletuam Kur’anin më shumë se në ditët e tjera dhe u thelluam më shumë te mësimi dhe porosia e tij, si dhe u munduam që çdo ditë të mësojmë diçka të re. E vizituam më shpesh xhaminë dhe e përmendëm më shumë emrin e Zotit të Lartësuar.

U munduam të jemi më të dashur, më të butë e më paqësorë me njeri-tjetrin. E kërkuam dhe u munduam që razinë e Allahut ta gjejmë me djersën dhe përkushtimin tonë, duke e lutur Allahun që të caktonte çdo të mirë për ne.

Tani, xhemat i shtrenjtë, çfarë më tutje dhe si duhet të ecim drejtë shtigjeve të sigurta, drejt rrugës së Allahut famëlartë? Për sot dua të shtrojë vetëm një segment se si muslimani të qëndrojë i palëkundër në jetën e tij. E para, duhet të jetë i vetëdishëm se sa i rëndësishëm është fakti i të qenit musliman. Dhe e dyta, pajisja me ahlakun e mirë. Ahlaku, ose sjellja e mirë është flamuri ynë. Ashtu sikurse çdo popull e do dhe e ngre lartë flamurin e vetë, ashtu edhe muslimani duhet të ngre lartë moralin e tij, respektivisht ahlakun e punëve të tij.  Një ditë, hazreti Bilalli, myezi i parë i Islamit, duke shprehur kënaqësinë e tij si musliman, tha: “Unë kam lindur dy herë. Njëherë kur më lindi nëna, dhe së dyti, kur u bëra musliman.”

Po, të dashur xhemat, njeriu, kur lind e sheh botën, por edhe kur bëhet musliman, e sheh një botë tjetër gjithashtu. Prandaj dhe fjalët e hz. Bilallit kanë peshë shumë të madhe, sepse ai me pranimin e Islamit, e pa krejt një botë të re, një botë që gjatë kohë e kishte kërkuar dhe nuk e kishte gjetur askund tjetër.

Veçantia e fesë sonë është se ajo i jep mbështetje të fortë sjelljes së mirë, pra ahlakut të bukur. Nuk mund të mendohet një musliman i mirë, pa një karakter dhe sjellje të mirë.

Muhammedi a.s. në një hadith, të transmetuar nga imam Tirmidhiu, thotë: “Asgjë nuk do të rëndojë më shumë në Ditën e Llogarisë, se sa ahlaku i bukur”. Po ashtu, nga Aishja, r.anha, përcillet se Pejgamberi ynë i dashur, ka theksuar: “Besimtari me ahlakun e mirë, do të arrijë shkallën e agjëruesit dhe të atij që falë namaz natë.” (Buhariu).

Vetë Muhammedi a.s., ishte shëmbëlltyra më e mirë në rafshin e ngritjes morale. Ai nuk lëndonte shpirtrat e njerëzve, e as që nënçmonte personalitetin e tyre. Kushdo qofshin ata. Amr ibn Asi, r.s., na tregon kështu: “I Dërguari i Allahut, edhe me armiqtë e tij kur bisedonte, i shikonte në sy dhe i kthyer nga to. Aq shumë përkushtohej pas meje kur fliste me mua, sa që më bënte përshtypjen së unë për të jam shoku më i mirë.” (Tirmidhiu).

Muslimani i mirë nuk është i pamoralshëm, nuk është as i ndyrë. Ai nuk bërtetë nëpër rrugë, nëpër tregje dhe as nëpër takime dhe bashkëbisedime midis njerëzve. Muslimani i mirë të keqen nuk e kthen me të keqe, dhe është falës dhe bujar i madh.

Andaj, për në fund dua ta theksoj edhe këtë: Jemi kah ditët e fundi të muajit të fundit të kalendarit islam, dhe po na afrohet Vitit i ri i muslimanëve. Ashtu sikur po afrohet viti i ri, ashtu duhet të afrohemi drejt strumbullarit të moralit të mirë. Të jetojmë të mirë, me ahlak dhe sjellje të hijshme, mu ashtu sikur Allahu ynë do. Si muslimanë që jemi duhet të dëshmojmë me veprat tona se kemi Zotin, Allahun, Pejgamberin dhe Islamin tonë të mirë. Dijeni këte se Islami, te një njeri me sjellje të shëmtuar, është i huaj dhe i burgosur.

Mehas Alija

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 17.10.2014)

 

1349 Shikime