Dhjetë arsye për ta dashur profetin Muhamed

13.08.2014

Dhjetë arsye për ta dashur profetin Muhamed


Dhjetë arsye për ta dashur profetin Muhamed

Autore: Dalia SALAHALEDIN Për një grua myslimane si unë, është shumë e vështirë të specifikosh “dhjetë arsye për ta dashur profetin (a.s.). Kur më kërkuan të shkruaja vetëm dhjetë arsye u ndjeva e humbur. Vazhdova të mendoj se cilat prej një milion arsyeve duhet të shkruaja. Humba në karakterin e tij të madh njerëzor dhe profetik. Është me të vërtetë e pamundur ta ngushtoj dashurinë time për këtë njeri të madh në dhjetë arsye. Ai është një njeri, të cilin e kam dashur që në fëmijëri.

Po ashtu si tek çdo mysliman tjetër, dashuria për të e ka përshkuar jetën time. Dashuria për të është bërë pjesë e pandashme e imja. Ajo është gjithmonë aty, në shpirtin tim. Por, përse e dua atë kaq shumë dhe në këtë mënyrë? Kjo mund të jetë pyetja e lexuesit tani. A e dua për shkak se të gjithë myslimanët “duhet” ta duan atë? Apo sepse prindërit e mi më thanë ta dua kur isha e vogël? Por, prindërit e mi nuk e kanë bërë asnjëherë këtë gjë. Nuk mund t’i thuash tjetrit të dojë një njeri apo një send.

Mua personalisht, nuk më pëlqen apo nuk e vlerësoj mënyrën se si shumë myslimanë sot e duan profetin Muhamed. Disa prej tyre – jo të gjithë – janë shumë të zjarrtë ndaj një njeriu që mezi e njohin apo e ndjekin.

Profeti Muhamed iu dërgua njerëzimit si një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur. Ai ishte njeriu më i duruar, më i ndershëm, më i përkushtuar dhe më i sjellshëm në historinë e njerëzimit. Jo të gjithë myslimanët veprojnë sipas shembullit të tij, por thjesht thonë “ne e duam atë shumë”. Dashuria duhet të tregohet me veprat dhe jo me fjalë.

Më poshtë kam shkruar dhjetë pika në lidhje me profetin Muhamed, por ato nuk janë e vetmja arsye, përse unë e dua atë.

 

1. Të qenët njerëzor

Ai nuk ishte asnjëherë larg njerëzimit. Ai buzëqeshte, dashuronte, qante dhe ndiente dhimbje. Ai ecte, lëvizte, hante dhe lahej. Ai ishte një profet njerëzor dhe jo profet engjëllor, prandaj është shumë e lehtë ta ndjekësh atë si shembull.

Kur bëj ndonjë gabim, shembulli i profetit Muhamed më fut përsëri në rrugën e duhur. I them vetes: “Ai ishte njeri, për ta bërë më të lehtë për ne. Dhe për të ishte e vështirë, por ai ia doli, kështu që do ta provoj përsëri, dhe do t’ia dal ashtu si ai”.

 

2. Të qenët baba

Marrëdhënia e tij me Fatimen më ka mahnitur gjithmonë në një shoqëri që përbuzte gratë dhe mohohej lindja e vajzave deri në atë shkallë, saqë i digjnin të gjalla. Ai ushqeu shumë dashuri për të gjitha vajzat e tij, veçanërisht për Fatimen.

Ajo ishte më afër zemrës së tij. Sa herë që ajo shkonte në ndonjë prej takimeve të tij, ai nuk i thoshte asnjëherë të largohej, për shkak se ishte i zënë. Por ai ngrihej dhe e mirëpriste atë që ajo të mos ndihej keq. Pastaj e puthte në ballë dhe e ulte pranë tij.

 

3. Dashuria e tij për Hatixhen

Për mua, mënyra si ai vazhdoi ta donte Hatixhen edhe pas vdekjes së saj ka qenë gjithmonë një shprehje e përkushtimit. Gjatë jetës së saj, ata jetonin në një shoqëri ku lejoheshin martesat e shumta për burrat. Edhe pse ajo ishte më e madhe se ai, ai nuk u martua me grua tjetër, sa ajo ishte gjallë.

Ai e respektonte dhe e donte gruan e tij. Edhe pas vdekjes së saj ai e kujtonte atë.

 

4. Durimi për vdekjen e fëmijëve të tij

Vdekja e fëmijëve të tij më ka sëmbuar në zemër. Ne mund të teorizojmë dhe të predikojmë shumë për durimin e profetëve, por a e ndiejmë më të vërtetë? Habitem se si ky njeri i dashur dhe i butë duroi vdekjen e gjithë fëmijëve të tij, përveç njërit gjatë jetës së tij. Si do të ndihej një baba, kur është në të gjashtëdhjetat dhe ka varrosur fëmijët njëri pas tjetrit?

Durimi i profetit nuk ra asnjëherë në kundërshtim me trishtimin dhe pikëllimin. Ai u pikëllua dhe u trishtua shumë. Kur ndërroi jetë djali i tij i vogël Ibrahimi, ai u pikëllua shumë. Ai e mbajti atë në krahë dhe qau. Ai tha vetëm fjalë që tregonin durimin e tij, i cili ishte i përzier me trishtim. Fjalët e tij e pasqyruan këtë kur tha: “Zemra është e pikëlluar, syri qan dhe për largimin tënd o Ibrahim, jemi të pikëlluar. Por gjuha nuk thotë asnjë fjalë që do ta zemëronte Allahun”.

 

5. Ai ishte një gjysh shumë i butë

Kjo më ka bërë gjithmonë përshtypje, kur mendoj sa njeri i rëndësishëm ishte ai, dhe sërish kishte kohë për të kaluar me nipërit e tij. Habitem gjithmonë kur mendoj se gjatë ligjëratave të të premteve, kur ai ishte në podium, e ndërpriste ligjëratën e tij para njerëzve dhe shkonte poshtë podiumit dhe merrte nipin e tij.

Më befasues është fakti se ai e mbante nipin e tij gjatë gjithë ligjëratës. Ai ishte lideri shpirtëror, social dhe politik i kombit! Çfarë do të kishin bërë gjyshërit tanë nëse ne do të kishim ndërprerë një prej takimeve të tyre?

 

6. Vlerësimi i tij i sinqertë për ndjenjat e të tjerëve

Mënyra se si i përjetonte gjërat me të tjerët më ka bërë gjithmonë përshtypje. Dhe në veçanti në lidhje me një fëmijë. Ky fëmijë mbante një zog. Sa herë që profeti Muhamed e takonte djalin, e pyeste për zogun. Një ditë profeti kaloi aty pranë dhe e pa djalin të qante për shkak se zogu i tij kishte ngordhur. Profeti Muhamed ndërpreu udhëtimin e tij dhe u ul me të ta ngushëllonte. Tregohet se ai qëndroi me fëmijën për një kohë të gjatë, që ta qetësonte atë.

Kushdo që do ta kishte bërë këtë veprim meriton respekt. Sa veprim i lartë ky që bëri profeti Muhamed, i cili ndërpreu punët që kishte dhe qëndroi me fëmijën, i cili humbi zogun, që ishte shumë i dashur për të. Ai e kuptoi sa i pikëlluar ishte fëmija dhe i vinte keq për këtë.

 

7. Ndjenja e humorit dhe buzëqeshja e profetit (a.s.)

Kjo pikë më pëlqen shumë. Ndoshta sepse mua më pëlqen të buzëqesh dhe të fshij lotët dhe dhimbjen me shumë buzëqeshje dhe të përhap lumturi dhe gëzim.

Gjithë njerëzimi përjeton dhimbje dhe agoni. Disa njerëz i përballojnë problemet duke qarë. Disa të tjerë duke kundërshtuar dhe duke mos e pranuar fatin e tyre. Një palë e tretë thjesht tregon pakënaqësi ndaj botës. Por profeti Muhamed nuk e bëri asnjëherë këtë gjë.

Ai vuajti shumë sepse ishte jetim, ishte i varfër. Ai humbi gruan e tij të dashur, Hatixhen. Ai kishte përgjegjësinë e mesazhit hyjnor dhe të drejtimit të një shteti të ri. Pa përmendur vuajtjet e tij personale.

Por ai nuk u ngrys asnjëherë dhe nuk ishte i pakënaqur me botën. Ai nuk e kundërshtoi asnjëherë atë që Zoti kishte caktuar për të. Ai thjesht vazhdoi të buzëqeshë dhe të kujdeset për të tjerët, pavarësisht nga ato që kalonte. Do të doja ta bëja dhe unë një gjë të tillë, nuk e di a do të mundem, por të paktën duhet të mundohem.

 

8. Shembulli i tij si rob i Zotit dhe adhurues

Shembulli i profetit Muhamed (a.s.) si rob i Zotit dhe adhurues është një aspekt i karakterit të tij, të cilin mund ta ndjekin të gjithë ata që duan t’i shërbejnë Zotit. Ai agjëronte pjesën më të madhe të ditëve, falej pjesën më të madhe të netëve dhe shpenzonte gjithçka kishte për hir të Krijuesit të tij të dashur.

Disa prej shokëve të tij dëshironin që të agjëronin gjithmonë, dhe të mos hanin asnjëherë ditën, disa të tjerë të faleshin gjithë natën, dhe të mos flinin fare, apo të mos martoheshin, por profeti Muhamed i kundërshtoi ata. Ai u shpjegoi shokëve, se ai agjëronte disa ditë dhe disa ditë të tjera hante, ai falej shumë natën, por edhe flinte dhe si çdo burrë tjetër, u martua.

Unë mendoj se ky është një shembull më i lehtë dhe më praktik për t’u ndjekur, nëse duam të jemi mirë. Çdo njeri, burrë apo grua mund të ndjekë hapat e profetit Muhamed (a.s.); të jetë një adhurues shpirtëror dhe njeri i mirë në të njëjtën kohë.

 

9. Butësia dhe mëshira e tij ndaj kafshëve

Një karakteristikë tjetër që më ka prekur gjithmonë ka qenë butësia dhe mëshira e tij ndaj kafshëve. Njëherë kur po udhëtonte shokët e tij kapën dy zogj të vegjël. Nëna e tyre fluturoi duke vajtuar për të vegjlit e saj. Profeti Muhamed reagoi menjëherë dhe pyeti se kush e kishte lënduar zogun duke i marrë të vegjlit e saj dhe urdhëroi që zogjtë t’i ktheheshin nënës së tyre.

Duke menduar sinqerisht dhe thellë për kafshët si krijesa që kanë ndjenja, ai e ndaloi therjen e kafshëve në prani të njëra-tjetrës. Ai urdhëroi që prerja të jetë e shpejtë, me thikë të mprehtë, në mënyrë që të gjallët të mos tremben.

Ai ishte profet, i cili kujdesej për ndjenjat dhe gjendjen psikologjike të kafshëve dhe nuk i konsideroi asnjëherë si trupa të pandjeshëm apo krijesa pa ndjenja.

 

10. Dashuria e tij romantike për Aishen

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, dashuria e tij për Aishen më ka mahnitur gjithmonë. Të them të drejtën kjo lidhje më duket më romantike se shumica e historive të dashurisë që janë të njohura përgjatë historisë dhe letërsisë. Dua të them se ata ishin të vërtetë. Shumica e historive të njohura janë romane, përralla dhe histori të thjeshta.

Dashuria e profetit Muhamed dhe e Aishes ishte e vërtetë. Ata e jetuan atë, e ushqyen dhe e praktikuan, këtu në tokë, gjatë jetës së tyre të përditshme. Ai e donte atë shumë dhe ajo i përgjigjej kësaj dashurie.

Ajo si çdo grua tjetër normale, ishte xheloze për të dhe e shprehtë këtë. Dhe ai ishte xheloz, si çdo burrë tjetër normal dhe e shprehte këtë. Dashuria e tyre ishte njerëzore, jo engjëllore.

Por, pavarësisht nga dashuria që kishte për të, ai nuk e lejoi këtë dashuri që të ndërhynte dhe të pengonte detyrat dhe rolin e tij si profet dhe adhurues. Ai largohej nga ajo ne mes të natës dhe i kërkonte leje që të falej. Ai e pyeste me butësi: “Më lejo të falem për hir të Zotit tim për një orë”. Ajo e lejonte me gatishmëri dhe dashuri.

Ata e jetonin dashurinë në momentet e përditshme dhe e praktikonin në çdo veprim. Historia e tyre e dashurisë nuk ndaloi në çastet e bukura, por vazhdoi deri sa ai u largua nga kjo jetë. Gjithashtu, në çastin e vdekjes, ai zgjodhi ta vendoste kokën në krahët e saj.

Unë kam shkruar vetëm dhjetë arsye, por ato janë shumë pak. Por historia ka shkruar qindra mijëra libra për këtë njeri të madh, dhe do të vazhdojë të shkruajë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi profetin tonë të dashur!

Dalia Salaheldin është shkrimtare, poete dhe themeluese e uebsitit Reading Islam. Ajo është aktiviste lokale, e cila ka udhëtuar gjerësisht nëpër botë dhe ka studiuar gjatë për Islam në Egjipt deri në vitin 1992. Aktualisht ajo është anëtare e bordit editorial dhe konsulente e ReadingIslam.com-IslamOnline.net. ajo jep mësim joarabëve për gjuhën arabe dhe gjuhën e Kuranit në Universitetin Amerikan në Kajro dhe është e specializuar në çështjet ndërkulturore dhe të besimit. Ajo është diplomuar për gazetari dhe komunikim masiv dhe ka mbaruar masterin për Mësimdhënien e Gjuhës Arabe si Gjuhë të Huaj në Universitetin Amerikan në Kajro. /KBI-Bujanoc.com/

www.vizion-islam.com

1216 Shikime