Kryerja e farzit Eda dhe Kaza

09.08.2014

Kryerja e farzit Eda dhe Kaza


Kryerja e farzit Eda dhe Kaza

Jusuf ZIMERI

Dijetarët e shkencës së Usuli-Fikhut, duke elaboruar dispozitën nga të gjitha këndvështrimet dhe aspektet, farzin nga aspekti i kohës së kryerjes së tij e ndanë në:
- Farz të kufizuar në kohë[1] , dhe
- Farz të pa kufizuar në kohë [2] .

Farzin e kufizuar në kohë dijetarët e Usuli-Fikhut duke e shikuar nga aspekti i kryerjes së veprimit brenda apo jashtë kohës e ndajnë në tre[3] lloje, që janë: Eda, Kaza dhe Iade.

Farzi Eda
Dijetarët e Usulit farzin Eda e kanë definuar si vijon: kryerja e farzit në mënyrë jo të plotë në kohën e tij të përcaktuar nga Ligjdhënësi[4] . Siç është rasti i faljes së namazit në kohën e përcaktuar nga Ligjdhënësi.

Llojet e Edasë

Farzi Eda, pa varësisht se bëhet fjalë për farzin që është e drejtë e Allahut (hak i Allahut) apo për farzin që është e drejtë e njeriut (hakul ibad) ndahet në tre lloje, të cilat janë:

a) Eda e plotë. Eda e plotë është kryerja e farzit të vërtetuar në kohën e përcaktuar duke i plotësuar cilësitë me të cilat është ligjësuar, pra duke i plotësuar të gjitha kushtet, ruknet dhe sunetet ashtu si është ligjësuar plotësisht, si falja e namazit me xhematë për ato namaze që janë urdhëruar të falen me xhematë, që është e drejtë e Allahut xh.sh. ose kthaerja e sendit të urupuar pa e dëmtuar fare, kur është hak i njeriut.

b) Eda e mangët. Është kryerja e farzit të vërtetuar në kohën e përcaktuar por duke i munguar disa cilësi që janë ligjësuar për të, siç është falja e namazit farz vetmas, pa xhematë, për namazet që janë ligjësua të falen me xhematë kur është në pyetje e drejta e Allahut, ose kthimi i sendit të uzurpuar që është me pasoja ose e nxënë me borxh.

c) Eda ngjashëm sikur kaza. Është kryerja e farzit të vërtetuar në kohën e përcaktuar, pas kalimit të vendit në njërën anë, siç është namazi i Lahikut të imamit i cili falet vetmas pas imamit. Ky namaz konsiderohet se është eda për shkak se falet në kohën e përcaktuar. Kurse në anën tjetër konsiderohet kaza sepse nuk është në vendin e duhur, e vendi i duhur është falja pas imamit e jo vetmas.

Farzi Iade

Dijetarët e Usuli-Fikhut Iaden e kanë definuar si vijon: kryerja e farzit në mënyrë të plotë në kohën e tij të përcaktuar, pasi që njëherë e kishte kryer në mënyrë jo të plotë. Nga kjo nënkuptohet se nëse falësi i namazit e ka falur farzin në kohën e vet, porse e ka falur vetmas pa xhematë konsiderohet Eda, por nëse më vonë brenda kohës së këtij namazi është formuar xhemati dhe ky e përsëritë të njëjtin namaz me xhematë konsiderohet Iade (përsëritje). Pra dallimi mes Edasë dhe Iades është vetëm në faktin se namazi eda ishte kryer në kohën e përcaktuar, porse ishte kryer në mënyrë jo të plotë, sepse ishte falur pa xhematë, e falja e të njëjtin namaz në të njëjtën kohë me xhematë konsiderohet falje e plotë dhe quhet Iade, pra përsëritje.

Vlen të theksohet se shumica dërmuese[5] e dijetarëve të medh’hebit hanefij janë të mendimit se namazi i parë Eda konsiderohet si eliminues i farzit, kurse falja e dytë Iade është vetëm kompletim i së parës. Kjo argumentohet me faktin se sikur falësi të mos e ketë përsëritë të njëjtin namaz, ai namaz konsiderohet si kryerës apo shkarkues i obligimit.

Farzi Kaza (Kada)

Kazanë dijetarët e definuan si vijon: kryerja e veprës së urdhëruar pas kalimit të kohës së përcaktuar për të, siç është falja e namazit pas kalimit të kohës së përcaktuar.[6]

Llojet e kazasë

Ngjashëm sikur edhe Edaja, edhe farzi kaza ndahet në tre lloje, të cilat janë:

a) Kaza e logjikshme (Bi mithli ma’kul). Është veprimi që ka ngjashmëri dhe kompaktësi të plotë mes Edasë dhe Kazasë dhe që është tërësisht veprim racional, siç është kryerja e namazit kaza, ngjashëm sikur namazi eda, apo agjërimi kaza ngjashëm si agjërimi eda. Pra namaz për namaz, ose agjërim për agjërim.

b) Kaza jo racionale (Bi mithli gajri ma’kul). Është veprimi që mes Kazasë dhe Edasë nuk ka ngjashmëri e as kompaktësi e as nuk është racional, porse veprimi është vërtetuar me argument. Shembulli i kësaj është pagimi i Fidjes për agjërim, sepse logjikisht nuk mund të rrumbullakësohet lidhshmëria e as ngjashmëria mes pagimit të fidjes dhe agjërimit, porse për këtë ka urdhër dhe argument në islam.

c) Kazaja që i përngjet Edasë. Ky veprim është sikur rasti kur një xhemat në namazin e bajramit e zen imamin në ruku. Në këtë rast ky xhemat ka për obligim që tekbiret shtesë të Bajramit, që quhen Tekbiratu ez-zaide, e që merren pas leximit të Subhanesë në fillim të rekatit, duhet ti marrë duke qenë në ruku. Andaj, këto tekbire konsiderohen kaza, për shkak se u ka kaluar koha, e që është qëndrimi në këmbë, porse i përngjajnë edasë, sepse rukui nuk është ulje dhe më shumë i përngjet qëndrimit në këmbë se sa uljes.

Argumenti për zbatimin e Kazasë dhe dispozita e saj

Pas definimit të këtyre dispozitave, të shohim se cili është argumenti për zbatimin e Kazasë[7] . Fillimisht po theksojmë se dijetarët islam unanimisht dhe atë në bazë të konsensusit (ixhmait) janë të mendimit se kryerja e farzit është Farz[8] , pa varësisht se kryhet në kohën e vet apo pas kohës së përcaktuar. Pra dijetarët janë unik në mendimin se nëse farzi nuk kryhet në kohën e përcaktuar për të, është obligim (farz) të kryhet kaza, pas kohës së përcaktuar, pavarësisht se vonimi është bërë me apo pa arsyetim si është sëmundja, udhëtimi, harresa etj. siç është namazi, agjërimi dhe obligimet e tjera.[9] Në këtë çështje, në çështjen se a duhet apo nuk duhet të bëhet Kaza, obligimi i pakryer në kohën e përcaktuar, as që ishte temë e diskutimit ndonjëherë për dijetarët e mirëfilltë islam.

Ajo që u diskutua mes dijetarëve islam, usulistëve, është çështja se, argumenti që detyroi që farzi i pakryer në kohën e përcaktuar të kryhet kaza, a është i njëjtë që obligoi Edanë, apo duhet të ketë urdhër tjetër për kryerjen e Kazasë.

Shumica e usulistëve të medh’hebit hanefij, hanbelij[10] dhe dijetarët e hadithit janë të mendimit se edhe Kazaja detyrohet me të njëjtin argument që obligohet Edaja dhe nuk ka nevojë për argument të ri[11] .

Argumentet ku mbështetën mendimin e tyre ky grup i dijetarëve janë:

- Imperativi për kryerjen e veprimit qëndron, kurse shkaku (sebepi) për kryerjen e veprimit që është hyrja e kohës është shenjë për veprim, për kryerjen e farzit. Ky farz nuk mund të eliminohet ndryshe nga obligueshmëria vetëm nëse veprohet, pra zbatohet, andaj nëse e kryen në kohën e përcaktuar është liruar nga borxhi, por nëse nuk e ka zbatuar farzin, ai ngelë borxh i cili mund të eliminohet vetëm me kaza. Pra, kryerja e farzit në kohën e përcaktuar, është kryerje e plotë dhe eliminim i përgjegjësisë, kurse me kalimin e kohës farzi nuk eliminohet pa veprim, por për shkak se nuk është kryer në kohën e përcaktuar, tani ai kryhet kaza në mënyrë të mangët, andaj edhe pikërisht te kjo mangësi qëndron edhe përgjegjësia dhe mëkati i mosfaljes në kohë. Këtë e vërteton edhe vetë kuptimi dhe definimi i nocionit Kaza, sepse sikur për kryerjen e Kazasë të ketë argument të ri, atëherë veprimi do të ishte eda e jo kaza.

- Argument tjetër që e përdorën dijetarët e medhhebit hanefij është edhe fakti se sikur obligueshmëria e zbatimit të kazasë të ketë nevojë për argument të ri, atëherë nuk do të ishte obligim falja e namazit kaza për personin i cili nuk e ka falur me qëllim, sepse për këtë nuk ka argument të ri. Argumenti ekziston për faljen e namazit kaza për atë që e ka lënë namazin për shkak të gjumit apo harresës,e ky është hadithi i pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: Kush ka fjetur dhe i ka kaluar namazi, apo e ka harruar atë, le ta falë kur ti kujtohet. ”[12] Pra, nuk gjendet tekst për faljen e namazit kaza për personin që nuk e ka falur namazin me qëllim, mirëpo me qenë se për faljen e namazit kaza për personin që e ka lënë me qëllim janë unik fukahatë islam, pra ekziston konsensus (ixhma), (përveç Ibni Hazmit[13] i cili ka devijuar pas xhamit këtë çështje), jep të kuptohet se argumenti i cili obligon Edan mjafton të obligojë edhe Kazanë e nuk ka nevojë për argument shtesë të ri.

- Në vazhdim do të theksojmë edhe një argument tjetër i cili përfitohet përmes një elaborimi të hollësishëm shkencor. Humbja, mos kryerja e farzit Eda në kohën e përcaktuar mund të paraqet vetëm tri gjendje e që janë:

a) Falja e tërësishme e farzit dhe lirimi nga borxhi që nënkupton se ky farz nuk kërkohet me kalimin e kohës;
b) Vazhdimësia e ngeljes së farzit borxh edhe pas kalimit të kohës;
c) Vërtetimi i plotë i mëkatit që nuk ka mundësi të eliminohet, por nuk kërkohet më farzi.

Sa i përket gjendjes së parë, gjegjësisht faljes, nuk është e pranuar për shkak se zbatimi i farzit kaza është farz, e për këtë janë unik të gjithë fukahatë, pavarësisht se kazaja ka nevojë për argument të ri apo mjafton argumenti i Edasë. Kjo nënkupton se kjo gjendje menjëherë bie nga biseda.

Gjendja e tretë, pra vërtetimi i mëkatit dhe mos kërkimi i zbatimit edhe kjo nuk vjen parasysh, për arsye se vërtetimi i mëkatit ka të bëjë vetëm me moskryerjen e farzit në kohën e përcaktuar që është farz, ngase ky farz nuk mund të kompensohet, kurse lënia e farzit, respektivisht mos falja e namazit duhet patjetër të kompensohet me veprim që është Kaza, sepse kjo ka mundësi reale të kompensohet.

Pra me qenë se alternativa e parë dhe e tretë nuk ka mundësi të vërtetohen atëherë ngelë në fuqi alternativa e dytë që është vazhdimësia e ngeljes së farzit borxh edhe pas kalimit të kohës, dhe të njëjtën detyrimisht duhet bërë kaza.

Në fund, mendoj se me këto elaborime të farzit, qoftë Eda apo Kaza, besimtari islam ka përfituar mjaft argumente të fuqishme se kryerja e Kazasë është obligim islam dhe ajo patjetër duhet të kryhet, dhe përmes kësaj të hedhen poshtë klithmat e atyre që pretendojnë se nuk ka falje të namazit kaza.

Vallahu ealim bi muradihi!

__________________
[1] Farz i kufizuar në kohë është veprimi që Ligjdhënësi veprimin e ka kërkuar në mënyrë të prerë dhe për kryerjen e tij ka përcaktuar kohë, si namazi.
[2] Është farzi që Ligjdhënësi zbatimin e veprimit e ka kërkuar në mënyrë të prerë, porse nuk i ka përcaktuar kohë të veçantë për kryerjen e tij si Kefaret.
[3] Disa Fukaha ndarjen e farzit në aspektin e kohës e kanë bërë në dy lloje që janë vetëm Eda dhe Kaza, kurse farzin Iade e kanë përfshirë në llojin e pare pra në Eda.
[4] Txhedin Bislimi, Hyrje në shkencën e Usui fikhut f. 189, Shkup 2003, Dr. Ahmed haxhi el Kurdi, Buhuth fi ilmil usulil fikh,
[5] Ka edhe mendim siç është mendimi i Ebu Jusrit nga hanefit se falja e dytë e namazit konsiderohet si eliminues i farzit e jo falja e parë
[6] Dr, Vehbi Zuhejli, Usulu fikhil islami 1/56Damask,
[7] Vlenë të theksohet se kohëve të fundit dëgjojmë disa klithma nga individ fatmirësisht jo profesional të kësaj fushe, duke bërë përpjekje që çështjen e Kazasë ta hedhin pas shpine, duke pretenduar se nuk ka bazë në islam. Mendoj se kjo çështje përveç se është jo profesionalizëm ajo është edhe tendencioze.
[8] Dr. Vehbi Zuhejli, Usulu fikhil islasmij. 2/57 Darul fIkri 1998. Damask
[9] Dr. Ahmed Haxhi el Kurdi, Buhuth fi ilmil usulil fikhi. Damask – Taxhedin Bislimi, hyrje në shkencën e suli fikut, f.189 Shkup 2003
[10] Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit Shafij, malikij dhe një grupi të dijetarëve të medhhebit Hanefij kaza vërtetohet me shkak dhe argument të ri nga ai i cili obligoi edan. Edhe ky mendim ka mbështetjen e tij.
[11] Dr. Ahmed Haxhi el Kurdi, Buhuth fi ilmil usulil fikhi. Damask .
[12] Transmetohet nga Enes b. Maliku, Buhariu, Muslimi, Ahmedi Termidhiu etj.
[13] Dr. Vehbi Zuhejli, Usulu fkhil islamij, 2/58, Darul fikri, Damask-Siri.

/KBI-Bujanoc.com/

2089 Shikime