Vlera e natës së Kadrit

23.07.2014

Vlera e natës së Kadrit


Vlera e natës së Kadrit

O Zot, me të vërtetë Ti je Falës dhe dëshiron që të falësh. Prandaj më fal mua.

Ebu Hurejra transmeton nga Profeti (a.s.) se ai ka thënë: “Kush e fal natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë”[1].

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith flet për vlerën e natës së Kadrit. Në të vërtetë,  nata e Kadrit është një natë madhështore të cilën Allahu e ka lartësuar. Ajo është më e mirë se 1.000 muaj adhurim që do të thotë më e mirë se 83 vjet e 4 muaj. Ai i cili përkushtohet me adhurim në këtë natë duke besuar dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu i Lartësuar, i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë. Për vlerën e saj, ka folur edhe Kurani Famëlartë.  Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne kemi qenë paralajmërues. Në atë natë vendoset çdo punë e urtë.”[2]

Ajo është një natë e bekuar që mbart shumë mirësi, vlerë dhe shpërblim të madh për atë që përkushtohet me adhurim atë natë. Kjo natë është e bekuar, sepse pikërisht këtë natë ka zbritur Kurani. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi zbritur Kuranin në natën e Kadrit. A e di ti se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Në këtë natë, zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me lejen e Allahut me të gjitha vendimet. Ajo është paqe deri në lindjen e agimit.”[3]

Në komentin e ajetit kuranor: “Në këtë natë, zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me lejen e Allahut”, imam Ibnu Kethiri ka thënë: “Këtë natë, zbresin më shumë engjëj sepse ajo është një natë e bekuar. Dihet mjaft mirë se engjëjt gjithmonë zbresin kur zbret bereqeti dhe mëshira. Ata zbresin kur lexohet Kuran, në mexhliset e Dhikrit dhe i rrethojnë dhe shtrijnë krahët e tyre ndaj nxënësit të dijes duke e respektuar atë.”[4]  

Nuk ka dyshim se nata e Kadrit është në muajin e Ramazanit, sepse Allahu i Lartësuar e ka zbritur Kuranin në këtë muaj. Për këtë gjë, Allahu i Lartësuar na ka njoftuar në Kuranin Famëlartë duke thënë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka zbritur Kurani.”[5] Që do të thotë se ai ka zbritur një i tërë në qiellin e Dynjasë.

Nata e Kadrit nga leksikore e gjuhës mbart dy kuptime: Natë e lartësuar; nata në të cilën caktohet dhe vendoset se çfarë do të ndodhë brenda një viti, bazuar në ajetin Kuranor: “Në atë natë vendoset çdo punë e urtë.”[6] Në komentimin e këtij ajeti Katadeh ka thënë: “Vendoset se çfarë do të ndodhë brenda një viti.” I këtij mendimi është edhe dijetari i shquar Ibnu Kajm El Xheuzije. Megjithatë të dyja kuptimet janë domethënëse.

Fjala e profetit (a.s.) “me besim” do të thotë: me besim tek Allahu dhe me besim tek premtimi i Allahut në shpërblimin që është përgatitur për atë që përkushtohet në këtë natë. Ndërsa fjala e profetit (a.s.) “duke shpresuar shpërblimin” do të thotë: duke kërkuar shpërblimin nëpërmjet adhurimit.

Kjo natë është një natë e bekuar sepse këtë natë është përzgjedhur fillimi i zbritjes së Kuranit nga Allahu i Lartësuar. Prandaj, myslimani e ka për detyrë që t’ia dijë vlerën kësaj nate, këtë natë ai duhet ta përjetojë me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, ngase kështu Allahu ia fal mëkatet që ka bërë më parë. Profeti (a.s.) na ka paralajmëruar dhe qortuar nëse ne nuk i kushtojmë rëndësi apo e neglizhojmë mirësinë e kësaj nate, sepse ai (a.s.) nuk dëshiron që myslimani të privohet nga mirësia e kësaj nate. Profeti (a.s.) ka thënë: “Ju ka ardhur Ramazani, muaji i bereqetit. Allahu i Lartësuar ua ka bërë obligim agjërimin në këtë muaj. Në këtë muaj, hapen portat e qiellit, mbyllen portat e Zjarrit të Xhehenemit dhe prangosen shejtanët e irrituar. Për Allahun, në këtë natë ndodhet një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Ai i cili privohet nga mirësia e kësaj nate është privuar nga gjithçka.”

Prandaj, në netët që mendohet se është nata e Kadrit, myslimani duhet ta shfrytëzojë duke bërë sa më shumë lutje. Ai duhet të bëjë lutjen të cilën profeti (a.s.) e ka këshilluar nënën e besimtarëve, Aishen (r.a.) e cila iu drejtua profetit (a.s.) me këto fjalë: “O i Dërguar i Allahut, nëse e di se kur është nata e Kadrit çfarë duhet të them? Ai (a.s.) tha: Thuaj: “Allahum me in neke Afu’un tuhibul af’ue fa’fu an ni”]7(O Zot, me të vërtetë Ti je Falës dhe dëshiron që të falësh. Prandaj më fal mua.)

            Imam Ibnu Kethiri ka thënë: “Lutjet e shpeshta që bëhen në çdo kohë konsiderohen një veprim i pëlqyeshëm, sidomos në muajin e Ramazanit, veçanërisht në dhjetëditëshin e fundit të tij, specikisht në netët teke. Konsiderohet veprim i pëlqyeshëm që muslimani të bëjë këtë lutje: “Allahumme inneke Afu’un tuhibul af’ue fa’fu anni”[8] (O Zot, me të vërtetë Ti je Falës dhe dëshiron që të falësh. Prandaj më fal mua.)[9]


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Sure Ed Duhan: 3-4.

[3] Sure El Kadr: 1-5.

[4] Marrë nga “Tefsiri i Ibnu Kethirit”

[5] Sure El Bekare: 185

[6] Sure Ed Duhan: 3-4.

[7] Transmetojnë imam Et Tirmidhi, Ibnu Maxheh, imam Ahmedi dhe En Nesai. Imam Et Tirmidhiu ka thënë: Hadithi është Hasen Sahih.

[8] Transmetojnë imam Et Tirmidhi, Ibnu Maxheh, imam Ahmedi dhe En Nesai. Imam Et Tirmidhiu ka thënë: Hadithi është Hasen Sahih.

[9] Marrë nga “Tefsiri i Ibnu Kethirit.”

 

Perktheu: Elton Harxhi /KBI-Bujanoc.com/

1165 Shikime