Mehdiu i Pritur nuk ekziston dhe Mesia nuk ka përse të kthehet 1

12.07.2014

Mehdiu i Pritur nuk ekziston dhe Mesia nuk ka përse të kthehet 1


Mehdiu i Pritur nuk ekziston dhe Mesia nuk ka përse të kthehet 1

Të shumta kanë qenë reagimet e lexuesve rreth qëndrimit tim ndaj mbylljes së profecive mer ardhjen e profetit Muhamed a.s, gjë e cila nuk duhet parë thjesht si njëveori e profetit Muhamed a.s, por si burimin e të gjithë virtyteve dhe karakteristikave të tij. Kur Zoti në Kuran thotë:” Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve” (Ahzab, 40) kjo do të thotë se Kurani e thekson qartë se profeti Muhamed a.s, ishte vula e të gjithë profetëve.

 By: Dr Taha Xhabir Ulvani- Nëse Zoti e dinte që njerëzit kanë akoma nevojë për profetë dhe të dërguar pas tij, nuk do të kishte thënë:”Dhe Zoti yt nuk harron kurrë”. (Merjem, 64) Madje do e kishte sinjalizuar ardhjen e një proeti tjetër në Librin e Tij fisnik, njëlloj siç e ka sinjalizuar ardhjen e profetit Musa a.s, Isa a.s dhe Muhamed a.s në librat e mëparshëm. Kurani e ka thënë qartë që kapitulli i profecisë është mbyllur dhe se feja është plotësuar.“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 3)

Kështu, sheriati është plotësuar dhe metoda kuranore e reformimit është stabilizuar teorikisht dhe praktikisht.

Ndërthurja mes feve

Por cila është lidhja mes kësaj që cekëm më lart dhe kthimit të Isait a.s, si dhe shfaqjes së Mehdiut të pritur?

Ekziston një fenomen njerëzor të cilin nuk e vërejnë shumë njerëz dhe për të cilin lipsen njerëz të ditur në një nivel të caktuar, njerëz që kanë bërë një ndërthurje mes shkencave sociale, humane dhe fetare. Vetëm kështu mund të merren në analizë këto fenomene, ku bën pjesë dhe fenomeni i ndërthurjes mes feve.

Në disa faza historike të caktuara, çështje të feve të mëparshme kanë depërtuar në fenë e mëpasme, në një formë apo në një tjetër. Kjo ka ndodhur ose nëpërmjet interpretimit, ose nëpërmjet procesit të komunikimit mes feve.

Islami me cilësinë e fesë përfundimtare, është treguar tejet i hapur me fetë e tjera, duke i konsideruar besimtarët e tyre si ithtarë të Librit, në kuadrin kuranor:”ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut, si vërtetues të librave të shenjtë të mëparshëm”(Bekare, 97)

 

Por edhe “superior ndaj tyre” (Maide, 48)

Mu për këtë, ai ka shtrirë ura komunikimi të shumta drejt feve të tjera, për të krijuar një hapësirë të përbashkët me ta. Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të izraelit, shumë ngaçështjet, për të cilat nuk pajtoheshin(Neml, 76)

Me këtë, Kurani sikur u thotë: Mes nesh dhe jush ekzistojnë lidhje gjaku” por benu israilët nuk e respektojnë këtë lidhje, duke e refuzuar Kuranin në tërësi. Madje, ata thanë për idhujtarët se:”këta janë më të udhëzuar se ata që kanë besuar”

Por le ti kthehemi fenomenit të ndërthurjes mes feve... Kurani fisnik i ka cekur profetët dhe të dërguarit e mëparshëm, i ka besuar dhe prevalon ndaj tyre. Kështu, nëpërmjet Kuranit askush nuk mund të infiltrojë, pasi është libri i mbrojtur nga vetë Zoti. E nëse shtohet diçka në Kuran, kjo menjëherë bie në sy dhe zbulohet. Prandaj dhe ai është i padepërtueshëm nga ky aspekt, sepse vetë Zoti është garanti i tij.

Sakaq, interpretimi i Kuranit është vepër njerëzore, ai është të kuptuarit e njeriut të librit të Zotit. Secili nga interpretuesit e Kuranit, e interpreton atë bazuar në kuadrin e tij kulturor, aftësitë e tij, mprehtësinë dhe dijet që ka marrë dhe e gjitha kjo buron nga kultura e përgjithshme e shoqërisë ku jeton.

Ithtarët e Librit jetonin në gadishullin arabik, të krishterët në Nexhran dhe në zona të tjera, kurse hebrenjtë gjendeshin në Hexhaz, në Medine dhe në Mekë, ku kishin ardhur para shtatë shekujsh nga ardhja e profetit Muhamed a.s, në pritje të tij... po përse shtatë shekuj?

Sipas Tora, i cili i kushton vëmendje historisë dhe periudhave vendimtare historike, profetët e Zotit vinin nëçdo shtatë ose 14 shekuj, me qëllim që të korrigjojnë shtrembërimet në fenë e Zotit, duke ripërtërirë kështu trashëgiminë e profetëve të parakaluar.

Ajo që dua të them është se interpretuesit e Kuranit ndikohen nga burimet e kulturës të cilës i përkasin, pra kulturës gojore. Ithtarët e Librit kanë pasur ndikimin e tyre në këtë kulturë dhe trashëgimi gojore, duke përcjellë shumë ide e mendime, si për shembull ajo e gjinisë së engjëjve, për të cilët mendojnë se janë të gjinisë femërore. Ideja se engjëjt kanë gjini femërore, është një ide që gjendet edhe në mendimi hebraik dhe në mënyrë gojore u përcoll edhe tek arabët.

Gjithtashtu, akuza ndaj Xhebrailit a.s se ka vënë dorë në shpallje, ka hequr dhe shtuar sipas qejfit, se ka shkelur amanetin – Zoti na ruajt – duke ia besuar shpalljen dikujt tjetër dhe jo atij që ka urdhëruar Zoti... të gjitha këto janë ide dhe mendime të Teuratit të hebrenjve.

Në këtë kuadër, u shfaq dhe besimi në fuqitë çudibërëse si xhindet dhe ndikimi i tyre,

 

ndonjëherë absolut, në jetën e njerëzve. Në të gjithë Gadishullin Arabik u përhap ideja se xhindët e pushtojnë njeriun, se ato mund të shndërrohen në krijesa të tjera si gjarpërinjtë dhe gomarët, e gjëra të tjera të cilat shkaktojnë lëkundje dhe frikë tek njeriu, saqë çdo kafshë që sheh fillon e imagjinon se mund të jetë një xhind. Banorët e Medines i druheshin vrasjes së gjarprit të zi, pasi kultura gojore i kishte bindur se nuk është gjë tjetër veçse një xhind i transformuar në gjarpër dhe se do u sillte fatkeqësi të mëdha nëse e vrisnin.

Në kulturën dhe letërsinë arabe gjen plot histori nga më të çuditshmet rreth njerëzve që rrëmbeheshin nga xhindet, martesave të ndërsjella etj... Në mjedisin kulturor të Medines akoma ka mbetje të besimeve të tilla, pasi pranë saj jetonin hebrenjtë të cilët e kishin të theksuar këtë kulturë. Atje, ka akoma njerëz të cilët besojnë në jetën e përbashkët mes njerëzve dhe xhindeve, se ato mund ta pushtojnë njeriun... ndërkohë që Zoti nuk i ka dhënë pushtet xhindeve përveç aftësisë për vesvese.

Ideja e shpëtimtarit

Edhe të krishterët kanë përcjellë gojarisht idenë e shpëtimtarit, ide e cila gjendet në krishterim. Kjo bëri që kjo ide të përhapej në mbarë Gadishullin Arabik që para islamit. Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë!” (Bekare, 89)

Hebrenjtë luteshin për ndihmë nëpërmjet “shpëtimtarit”, gjë të cilën e ndoqën edhe të krishterët, të cilët kërkonin ndihmën e shpëtimtarit të tyre, Mesisë. Kështu, kjo ide, pra ajo e shpëtimtarit, depërtoi dhe tek myslimanët.

Por, nëse edhe ne si myslimanë i besojmë idesë së shpëtimtarit, çfarë vendi do i japim vulës së profecive?!

Disa grupe sufiste, me në krye shejh Muhjidin, kur kuptuan se besnikëria dhe shumë parime të tjera nuk do të gjenin karar, përdorën një hile para faktit se çështja e profecive është e mbyllur, duke thënë: Po, profecitë janë mbyllur një herë e përgjithmonë, por kjo vlen vetëm për ato legjislative, sakaq elementët e tjerë të profecisë vazhdojnë të përcillen nga një evlija tek një tjetër, deri në ditën e Kiametit. Një besim të tillë e gjen tek libri “Futuhat mekije” dhe ceket edhe në disa tefsirë, si ai i Alusit në interpretimin e sureve Isra, Kehf etj...

Sakaq, shiizmi lindi nga dëshira për të mbështetur hazreti Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ebu Dheri dhe shumë krerë të sahabëve, mendonin se Ali ibnu Ebi Talib, që në vegjëli, rini dhe më vonë e ka shoqëruar të dërguarin e Zotit a.s dhe për këtë është më i meritueshëm për të mbajtur barrën e kalifatit, nga Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani. Ekzistonte një prirje tek disa që Aliu të ishte kalifi i myslimanëve, prirje të cilën e kishte dhe vetë Fatimeja, Zoti qoftë i kënaqur me të. Aliu ishte i shoqi i saj dhe ishte rritur në vatrën e Profetit a.s.

 

Tek usulistët myslimanë ekziston një debat nëse dikush kryen një krim dhe më pas pendohet dhe meriton edhe faljen; a quhet ai kriminel? Nëse ka vrarë, është penduar dhe familjarët e të vrarit e kanë falur, a vazhdon të quhet vrasës apo jo?

Disa nga usulistët mendojnë që quhet kriminel, ose vrasës, përderisa akti që ka vepruar rrjedh nga rrënja e veprimit. Idhujtaria dhe shoqërimi i Zotit rivalë, është një nga padrejtësitë dhe krimet më të rënda që mund të bëjë njeriu dhe meqë Ebu Bekri dhe Omeri kanë qenë para islamit idhujtarë, kjo cilësi u mbetet edhe pas islamit. Personi i vetëm mes shokëve të Profetit a.s i cili nuk ishte përfshirë në akte idhujtarie para islamit, pasi ka qenë i vogël, ishte Aliu, prandaj dhe ai meritonte kalifatin pas Profetit a.s.

Kur persët u konvertuan në myslimanë, sollën dhe mendësinë  monarke, sipas të cilës froni mbretëror dhe perandorak u trashëgohet familjarëve pas vdekjes së perandorit. Më i meritueshmi i këtij froni është djali i madh. Prandaj dhe persët e kishin krejtësisht të lehtë të pretendonin se Aliu, burri i vajzës së profetit Muhamed a.s, ai që ishte rritur në shtëpinë e tij, ai që nuk kishte vjedhur kurrë dhe që kurrë nuk kishte adhuruar idhujt, ishte më i meritueshmi për postin e kalifit.

Panteizmi

Doktrona panteiste thotë se diçka e njeriut mund të kalojë tek një tjetër, prandaj dhe profetësia dhe shpallja – gjë e cila ështëçështja më e rrezikshme e shiave dhe imamëve - ka kaluar nga Profeti a.s tek imamët e tyre.

Për këtë, ata thonë:”Lidershipi (imamllëku) nuk ka ardhur nëpërmjet zgjedhjes dhe votimit njerëzor, sepse njerëzit janë në pozita më të ulëta krahasuar me imamin, kështu ai është zgjedhur me tekst të shenjtë hyjnor.” Sipas tyre, Zoti përzgjedh nga engjëjt si të dërguar, por edhe nga njerëzit dhe Ai ka zgjedhur imamët e tyre sipas disa tipareve të caktuara, ku më i rëndësishmi është dija. Që këtu, i kanë atribuar imam Aliut dijet që kanë qenë specifike për të dërguarin e Zotit a.s.

Në fakt, kjo është një mesele që qe hedhur për diskutim që gjatë jetës së imam Aliut, i cili është pyetur më shumë se një herë nëse i dërguari i Zotit u kishte lënë diçka specifike, si familjarët e tij, gjë të cilën e ka mbajtur të fshehtë nga të tjerët. Imam Aliu përgjigjej:”Pasha Zotin nuk na ka lënë më shumë sesa të kuptuarit e fesë, gjë të cilën Zoti ia jep robërve të Tij që e lexojnë Kuranin dhe meditojnë rreth tij, ashtu siç na e ka dhënë neve. Unë nuk kam gjë tjetër nga i dërguari i Zotit a.s, përveç shpatës dhe një letre të cilën ai ma diktoi ta shkruaj si përgjigje për banorët e Jemenit, të cilët e pyesnin për dispozitat e zekatit. Unë e kopjova letrën dhe e ruajta kopjen pasi ajo përmbante këto dispozita të rëndësishme.”

Ideja e panteizmit, pra kalimi i diçkaje specifike nga një person tek një tjetër, si në rastin e profecisë, shto dhe idenë e lidershipit (imamllëkut) për hazreti Aliun dhe pasardhësit e tij, pollën dhe idenë e Mehdiut të Pritur. Sa për ta ditur, nuk kemi as dhe një omejad të vetëm gjatë dinastisë omejade, veçse ka pritur që Mehdiu të dalë prej familjes së tij. Disa e patën konsideruar Omer ibnu Abdul Azizin si Mehdiun e omejadëve, pasi ai e mbushi tokën me drejtësi dhe luftoi padrejtësinë.

Muhtar Sakfij nga abasitët, kur mori nën kontroll disa rajone, solli një sajues hadithesh dhe i tha:”Të jap dhjetë mijë dërhemë argjendi nëse më sajon një hadith në të cilin përmendet cilësitë e Mehdiut të pritur, cilësi të cilat përkojnë totalisht me cilësitë e mia!” Sajuesi i tha:”Kam frikë Zotin që të sajoj thënie për profetin Muhamed a.s, por mund ta bëj për shokët e tij për dy mijë dërhemë.”

Kur bëra një studim historik lidhur me numrin e pretenduesve të Mehdiut, gjeta se ishin 150 të tillë, ku të gjithë kishin pretenduar se ishin Mehdiu i pritur. Tragjedia që ndodhi në Qaben e shenjtë në fillim të shekullit të shkuar është akoma e freskët për memorien tonë, ku një grup e zaptuan atë, mbyllën dyert dhe shkelën shenjtërinë e vendit.

Unë personalisht mund tu tregoj letrat që dy persona më dërgojnë, ku secili pretendon se është Mehdiu i pritur. Ata betohen se janë Mehdiu, madje njëri prej tyre më ka premtuar se do të më bëjë sekretarin e tij nëse e ndihmoj në këtë çështje.

Në vitin 1908, u botua një libër në gjuhën angleze, me titull “Mehdiu në Islam”, një libër i sajuar nga shërbimet sekrete perëndimore dhe ato ruse të asaj kohe.

Këto shërbime sajuan këtë libër për ti shërbyer projektit të tyre, libër i cili gjendet në tregje dhe është botuar kushedi sa herë. E gjen në Finlandë, Nju Jork, Toronto etj... Unë kam dy kopje dhe u kam kërkuar autoriteteve përkatëse që ta përkthejnë në arabisht me qëllim që njerëzit të zgjohen dhe të fillojnë të kuptojnë çfarë po kurdiset.

Fakti që ky është një fenomen që përsëritet në botën tonë islame, saqë numri i pretenduesve të Mehdiut ka arritur në 150, a nuk është diçka që duhet të tërheqë vëmendjen?! Nëse umeti mysliman do të ishte i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për parimin e mbylljes së profecive, si një përcaktues metodologjik, një besim i tillë nuk do të kishte depërtuar kaq frikshëm. Mos vallë nuk na mjafton trashëgimia që na ka lënë i dërguari i Zotit? Mos vallë ka lënë diçka pa e shpjeguar?

Sigurisht, ai na ka dhënë dhe mësuar gjithçka që na lipset, ai na ka lënë gjënë më të çmuar, Kuranin fisnik, ku Zoti thotë:” Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre?” (Ankebut, 51)

 

Feja është e përsosur dhe Kurani është i plotësuar. Profeti Muhamed a.s nuk u nda nga kjo botë pa e plotësuar fenë, atë e mbrojti përkujdesi hyjnor nga atentatet dhe kurthet e idhujtarëve dhe armiqve të fesë.

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 3)

Nëse është kështu, çfarë do të bëjë më shumë Mehdiu i Pritur? Po Mesia, Isai a.s, çfarë do të shtojë? Sot, popujt nuk u nënshtrohen në mënyrëabsolute individëve, siç ndodhte më parë. Fenomeni i vetëm dhe i fundit i nënshtrimit të individit ndaj individit, është rasti i Homejnit në Iran. Edhe pse ndodhi, vlen të cekim se jo të gjithë iranianët e mbështesnin Homejnin, madje kishte dhe kundërshtarë. Ai nuk pretendoi se ishte Mehdiu dhe pse nuk mundej. Gjithçka që mundi ishte instalimi i institucionit të “Vilajet fekih”, duke u thënë njerëzve: Nëse ekziston një Mehdi i pritur, nuk kemi asnjë kundërshtim, do e presim por pozitivisht, duke bërë atë që duhet të bëjmë. “Fekih” është ai që menaxhon situatën.

 

Ahmed Elkatib është një shkrimtar irakian, i cili ka studiuar në Hauza në Iran, një nga dijetarët e shiave. Hauza e ngarkoi me detyrën e studimit të çështjes së Mehdiut, për të forcuar Vilajet Fekih. Ai i kushtoi dhjetë vite kohë kësaj çështjeje dhe në fund doli me një studim, në të cilin thotë se ideja e Mehdiut, është e njëjta ide e shpëtimtarit tek të krishterët dhe hebrenjtë. Libri i tij titullohet “Ideologjia politike e shiave – Elfikr essijasi eshiij”, ku e sqaron se kjo ide është politike dhe është hedhur në treg për qëllime të caktuara.

 

 

Vazhdon...

 

Përktheu: Elmaz Fida /KBI-Bujanoc.com/

3090 Shikime