Njeriu i devotshëm dhe dyqanxhiu…

12.06.2014

Njeriu i devotshëm dhe dyqanxhiu…


Njeriu i devotshëm dhe dyqanxhiu…

Tregim

Njëherë moti jetonte një njeri i dëvotshëm që shumicën e kohës së tij e kalonte në namaz e adhurim, agjërim e falënderim, si dhe madhërim Allahut xh.sh. Gati të gjithë kohën që rrinte zgjuar e kalonte i zhytur në meditim dhe devocion. Ai ishte shumë i kënaqur me arritjen e tij shpirtërore. Asnjë mendim i keq nuk i vinte në kokë dhe asnjë ngasje e ligë nuk dëpërtonte në zemrën e tij.

Një natë prej netësh ai pa një ëndërr e cila e shqetësoi. Ai pa se një dyqanxhi, që jetonte po në të njëjtin qytet, ishte shumë më i mirë sesa ai nga ana shpirtërore, kështu që ky duhej patjetër të shkonte tek ai të mësonte bazat e jetës së vërtetë shpirtërore.

Në mëngjes, ky njeri i dëvotshëm doli dhe filloi ta kërkonte dyqanxhiun. Atë e gjeti të zënë me myshteritë e vet, duke shitur artikuj dhe duke mbledhur para me fytyrën plot gaz. Njeriu i dëvotshëm u ul në një qoshe të dyqanit dhe vetëm e vështronte dyqanxhiun. Asnjë shenjë e jetës shpirtërore, pëshpëriti në vetvete. Ëndrra nuk mund të jetë e vërtetë. Por, pas pak pa se dyqanxhiu shkoi që të falej. Pasi që u kthye, ai sërish vazhdoi në punën e mëparshme të tij.

Dyqanxhiu dikur e vërejti njeriun e dëvotshëm të ulur në qoshe dhe e pyeti:

“Esselamu alejkum, dëshironi gjë vëlla i nderuar?”

“Ve alejkum selam! Jo, jo, – tha i dëvotshmi, nuk dëshiroj të blej asgjë, por dëshiroj të të pyes diçka, – dhe ia tregoi ëndrrën.”

“Mirë, kjo na qenka lehtë për t’u shpjeguar, – tha dyqanxhiu, por ti duhet të bësh diçka për mua përpara se të të përgjigjem në pyetjen tënde.”
“Do bëj çfarë të dëshirosh ti, – ia ktheu i dëvotshmi.”

“Mirë atëherë! Merre këtë pjatë, ku brenda saj ka pak zhivë. Shko deri tek skaji tjetër i kësaj rruge dhe kthehu shpejt brenda gjysmë ore. Nëse të bjer zhiva nga pjata, nuk të jap kurrfarë përgjigje. Atëherë, nisu vëlla!

“Njeriu i dëvotshëm e mori pjatën dhe filloi vrapin. Zhiva gati sa nuk i ra nga ajo. Mirëpo ai ia arriti që ta ndalonte atë dhe e ngadalësoi vrapin. Pastaj i ra ndërmend se duhej kthyer në dyqan brenda gjysmë ore, kështun që përsëri e shpejtoi hapin. Më në fund arriti i lodhur fare dhe duke gulçuar.

“Ja tek e ke zhivën, ashtu siç ma ke dhënë, – i tha dyqanxhiut, tani ma interpreto ëndrrën time!”

Dyqanxhiu e pa lodhjen e njeriut të dëvotshëm dhe i tha: “Mirë, vëllai im, sa herë e ke përkujtuar Allahun e Madhërishëm derisa vrapoje nga këtu për tek skaji tjetër i rrugës?”

“Ta përkujtoja Allahun xh.sh.! – tha i dëvotshmi, nuk e kam përkujtuar as edhe një herë. Isha shumë i shqetësuar që zhiva të mos më binte nga pjata.”

“Aha, mirë, por unë e përkujtoj Atë gjithmonë, – tha dyqanxhiu. Kur unë zhvilloj biznesin tim, edhe unë mbaj zhivë në pjatë. Unë jam i drejtë, i sinqertë dhe i sjellshëm me myshteritë e mi. Unë kurrë nuk e harroj Allahun e Madhërishëm derisa takohem dhe bëj tregti me njerëz tjerë.”

“Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. (ata i luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për atë që punuan dhe për t’ua shtuar të mirat nga Ai. Allahu e dhuron pa masë atë që do.” (Kur‘an, En-Nur: 37-38)

Përktheu dhe përshtati: Daim Abazi

2118 Shikime